top of page

Himni i Anglisë në Odën time



Në gusht të vitit 2004, nipi im, Roland Alldashi, me banim në Cambridge, më kërkoi të prenotoja hotel sa më komod, diku në bregdet, se do të sillte për pushime në Shqipëri, vjehrrën dhe vjehrrin e tij. Kishte dhe një arsye tjetër. Ata, donin të vinin për vizitë tek njerëzit e dhëndrrit të tyre dhe për këtë, kishin planifikuar disa ditë nga pushimet. Ishin katër, Dr. Tim Wreghitt vjehrri, Mrs. Kathryn Wreghitt vjehrra, Anabela vajza e tyre, (nusja e Landit) dhe nipi ynë, Rolandi ose Landi, siç e thërrasim gjithmonë. Miqtë byrtën në shtëpinë e prindërve të dhëndrrit, pastaj bënë dhe vizita te të afërmit. Një nga ata isha dhe unë, daja i madh i Landit. I akomoduam në hotel “Adriatik”, hotel lluksoz, buzë detit, me kushte shumë të mira dhe mbresëlënëse për miqtë anglezë, që nuk kishin lënë vend në botë pa shkuar si turistë, veç Shqipërisë. Çifti anglez ishte i një sëre të lartë, që në vendin e tyre u thonë “Zotërinj” dhe i vendosin në një status të veçantë, plot respekt e nderim. Dr. Tim Wreghitt, ishte Zevendësrektor në Universitetin e Kembrixhit, shkencëtar i njohur në fushën e biologjisë. Mrs. Kathryn Wreghitt, muzikante dhe presidente e një shkolle muzike.

Në vemendjen tonë ishin prindërit e Anabelës, se atë e kishim patur mysafire dhe herë të tjera. Ajo vajzë e bukur, e çiltër, fisnike dhe shumë gazmore, na mrekullon me cilësitë e saj të rralla. Të ndjerës, nënës sime, i pëlqente shumë mënyra si u përshtat Anabela me jetesën tonë. Miqësia me ta ngjan pak si nëpër filma, se një djalë pa profesion e pa shtëpi, refugjat ilegal dashurohet me vajzën e një familjeje elitare në Londër. Është pak e gjatë historia e njohjes, po shkurtimisht, ja si ma tregoi, Timi, babai i Anabelës, duke pirë kafe në Divjakë:

– Kam parë dhe njoh gjithë ishujt e Greqisë, po nuk dija asgjë për Shqipërinë. Një ditë më thotë vajza, se po lidhet me një djalë nga Shqipëria, që është shumë i mirë dhe, sipas saj dashuria e tyre është e shenjtë. Nuk e besova po dhe nuk e frenova. Le ta ketë një përvojë, mendova me vehte. Të rinj janë. Por ajo nguli këmbë, në mënyrë të përsëritur, për ta prurë në shtëpi e për ta njohur. E shtyva ca, po nuk e përballova këmbënguljen e vajzës dhe i thashë ta sillte për vizitë. Kam një shtëpi të madhe, monument kulture, mbi 400-vjeçare, me shumë dhoma e sallone, po nuk e futa brenda. E prita në bahçe. Ulur mes pemëve e gjelbërimit, me nga një gotë vere para, po e vështroja dhe psikologjisja. Edhe mua më hyri në sy dhe po më pëlqente shumë fizionomia e tij. Djalë shtatlartë, simpatik, i fuqishëm dhe, me ata tregues të jashtëm do t’i imponohej çdo vajze që të dashurohej me të. Ashtu, fluturimthi gjykova se mos dhe ime bijë është gënjyer me pamjen? I kisha menduar pyetjet për testim dhe, në atë çast u binda se kisha menduar drejtë. Duhej të verifikoja inteligjencën e këtij djali që i kishte marrë mendjen dhe zemrën time bije. I bëra tri pyetje. Fillimisht e pyeta, se pse donte të martohej me vajzën time. Me thënë të vërtetën e paragjykoja ecurinë e asaj lidhje, me një djalë komplet pa lidhje për ne. Landi, plot dinjitet më tha se nuk e dinte, që unë isha babai i vajzës që dashuron ai. Kjo ishte rastësi. Ktheva pak verë. Pyetja tjetër qe: “A mund ta bësh të lumtur ti, vajzën time.” Landi m’i nguli sytë, jo fort i qetë dhe më tha:”Zotëri, unë do të bëj gjithçka, që ne të ndërtojmë një familje të lumtur, po kjo do të jetë e varur dhe nga vajza, që do të vendosi të jetojë me mua. Nëse ajo nuk do të bëjë atë që duhet, unë mund të zhgënjej me premtimin tim.” Ktheva dhe pak verë. Së fundi e pyeta, se sa fëmijë do të lindnin. Atëhere vura re, se diçka nuk shkoi me atë pyetje. Landi m’u drejtua dhe më kërkoi ta korigjoja pyetjen. Unë u ndjeva pak i fyer. E kush është ky, që më korigjon mua?! U mërzita. Thonë se ne anglezët nuk nervozohemi, po nuk është e vërtetë. Dhe, në atë atmosferë jo aq paqësore, i kërkova si e donte pyetjen. Landi, qetë qetë vazhdoi: ”A do Zoti, të na japë ne fëmijë? Nëse po, atëhere do ta mendojmë sa do të rrisim.” E ktheva gotën me fund dhe, duke e ditur vendosmërinë e vajzës sime, pashë se nuk ishte e gabuar. U ngrita e përqafova dhe e urova: ”Të trashëgoheni!”. Pastaj bëmë një dasmë, ku ftuam dhe miqtë tanë nga Shqipëria. Jemi shumë të kënaqur, kur shohim sa e lumtur është vajza jonë.

Po atë ditë, për drekë ishim tek prindërit e Landit, në fshatin Adriatik të Lushnjes, buzë detit, ngjitur me Karavastanë. Bukuritë e lagunës së Karavastasë i mahnitën. Flora dhe fauna e atij mjedisi janë një mrekulli më vehte. Gjatë drekës patëm dy episode, që kanë mbetur si kujtesë në shtëpinë e sime motre. Kur po kalonim nga dhoma e pritjes në atë të ngrënies, Timi po vonohej. Që të dilte nga dhoma duhej të kalonte para nënës sonë, po ai s’po e bënte këtë. Interesimit për vonesën iu përgjigj: ”Ne nuk kalojmë para mbretëreshës. Nëna është mbretëresha juaj, dhe unë nuk kaloj para saj.” Nënë Asia, ishte shumë e moshuar. Ja thamë pse po qëndronte në këmbë Timi, dhe ajo, në të folurin e zonës, u shpreh: ”Haj, haj, miku! Po lëviz unë, se nuk jam e lidhur.” Ama, që atëhere nëna jonë u thirr: “Mbretëreshë”.

Ndërsa shkëmbyem gotat e mirëseardhjes dhe u nxeh pak muhabeti, nisi dhe kënga. Miqtë ndërhynë menjëherë:”Ju lutemi na respektoni traditën tonë. Ne nuk këndojmë këngë të tjera pa kënduar Himnin e Anglisë. Ju nëse doni të këndoni Himnin tuaj përpara, dakort, po ne mos na pengoni.” E kënduam dhe ne Himnin e Shqipërisë, gjë që ndodhte për herë të parë në një gëzim familjar. Pastaj u ngritën miqtë, me shumë solemnitet dhe, të tonuar me shumë muzikalitet kënduan Himnin e Anglisë. I duartrokitëm dhe mësuam. Mësuam, se Himni nuk këndohet vetëm në festa e stadiume, po dhe në gëzime familjare. Që atëhere i vumë më shumë rëndësi përvehtësimit të tekstit dhe muzikës së Himnit të Shqipërisë, dhe e kemi kënaqësi, që në evente të gëzuara ta këndojmë.

Në dhjetë ditët, që qëndruan në Shqipëri, i shoqëruam për të vizituar vende historike e turistke, me të cilat u kënaqën shumë. Veçanërisht pikturat murale të kishave të Beratit, bënë që profesori i madh të qëndrojë e të kërkojë shumë përgjigje. Edhe pikturat murale në tunelin e amfiteatrit të Durrësit, ju dukën shumë interesante. Në Muzeun e Krujës dhe pazarin karakteristik të atjeshëm, bënë shumë foto dhe blenë sende për t’i marrë, si kujtim nga Shqipëria.

Një mbasdite, ishin për vizitë tek unë. Veç qerasjeve të nevojshme, përgatita dhe një dhuratë. Ishte një pako me librat e mija të botuara deri atëhere, një guidë në anglisht për Shqipërinë, një të atillë për Durrësin dhe një pikturë të Malit të Tomorrit, me pamje nga Gramshi. Kur mësoi se librat i kisha shkruar unë, u ngrit, e mori pakon me libra dhe e puthi. Mua m’u duk e tepërt dhe, pak në siklet ndërhyra: “Janë diçka e vogël, për një krahinë të vogël e për ngjarje të vogëla.” Ai kapi disa fletë nga njëri libër dhe tha:”Kaq është libri im. Jo një libër, po dhe disa rreshta që shohin dritën e botimit, janë ngjarje e sukses.” E falenderova dhe ndërhyra përsëri, duke i thënë, se libri i tij mund të mos jetë voluminoz, po të çon te fjala e fundit e shkencës, ndaj nuk ka vend për krahasime. Të gjithë të pranishmit morën mësim, se me ç’seriozitet çmohet libri nëpër botë. Iku nga Shqipëria me shumë njohje dhe i kënaqur për mjedisin, ku ishte lindur e rritur dhëndërri i tij. Tani është në pension dhe gëzohet me dy nipërit Fabian e Felix, si yje, të lindur nga e bija.

Meçan Hoxha

20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page