top of page

HIMNI DËGJOHET MË BUKUR NGA LARG


HIMNI DËGJOHET MË BUKUR NGA LARG

Ka ndodhur njëqind vjet më parë, por e dëgjojmë si të sotme.

Prej tri vjetësh AI jetonte në një kasolle ngritur prej thuprash, zotërim i një lypsare, buzë Danubit. Ujërat e Valsit Blu që rridhnin mes tërë kontinentit s’e kishin ngènë të ndjenin se diku në brigjet e tij qe shtuar edhe një i vetmuar më shumë. Ishte kjo grua, që lypte aty rrotull, qe e strehoi. Atë ditë e më pas, ajo lyp për dy.

Ishin bërë tërë ato kohë që duke arritur në ‘shtëpi-thurimë’, ajo e thërriste që nga larg me emrin e tij, të përhapur kudo në Ballkan, dhe ai ngrihej avash a vash, e dilte deri te hyrja. Është ajo që e përqafon dhe pastaj, e fton të ulen e të numërojnë së bashku paratë e fituara kësaj dite, prej dorës së shtrirë…

Në krye, ai ishte lutur të mos e ngatërronte me paranë, me një ngut të tillë sikur e kishte frikë atë, sidomos kartëmonedhat, por ajo I tha se s’donte të gënjente, përpara Zotit atje lart që përgjon Perandorët edhe lypsarët: Qysh natën e parë që të strehova ty, jam lypsare me fat. Njerërzit po më lenë në duar para, si kurrë më parë!

I dukej si i pa atdhè, ky njeri i çuditshëm, që përveç se mbante emër perandori i tregoi se kishte qenë edhe nëpunës në ambasadën e vendit të tij këtu në Danubet Sipër. Kush e di pse, një letër e ardhur nga trojet e tij, e kishte lënë pa punë, pastaj edhe në rrugë.

“Kam qenë edhe poet...”, i tha ai, gjatë një mbrëmje të gëzuar. Dukej sikur kjo që shtoi e bëri me turp, apo sikur rrëfeu për një ves të mbetur nga kohë të tjera. Aq më shumë që këtë e tregoi vetëm kur zonja e thurimës kishte sjellë pak mish dhe... një shishe verë.

“Këta djaj të jugut kështu e kanë…’, tha me vete gruaja, duke u kujtuar se sido si, edhe pse ky e kishte bërë me fat si lypsare, një sy duhej mbajtur hapur. - Poet ti?! Paska edhe poet vendi yt?! Ai ngul këmbë, me vështrim. Vendi i tij ka jo pak poetë. - Kaq sa i harron rrugëve të botës?! I vetmuari trishtohet. Nuk thotë se rrugët zgjatime fati janë, por i mbush sytë me lot.

“Besomë, beso tek njeriu. S’jam aq i keq, si poet, për atdheun tim.” - Po kush është ky vendi yt? Ku ndodhet? A e dinë atje që për ty po kujdeset një lypsare e mjerë, si unë? - Eh, atdheu im ka gjithnjë halle të tjera!

Gruaja mbetet pa gojë. Ç’të bëj me këtë njeri? I shkon mendja të pyes diku, në ambasadë për shembull, por ka frikë se me ikjen e tij mund të humb fatin, mbarësinë që I ka prirë ardhja e tij. Por edhe po i gëzohet momentit kur kthehet në fund të ditës. Në kasollen e saj, ashtu siç është, e pret një njeri, sado. I huaj, i çuditshëm, brenda një mirësia që ajo s’do ta marrë vesh kurrë nga I buron.

Mbase prej asaj gote vere, sikur u shfaq më plak dhe nisi të kollej thellë. Ajo nxitoi të thërriste mjekun, që kishte me vete edhe ilaçet. - Nesër do iki..., tha ai duke buzëqeshur. - Të kam mërzitur? pyet ajo. Ku të kam rënduar? - Ti mu bëre një copë rrugë, motër, po unë jam për larg. - ...për atje ku je lindur?! - Pleqtë kanë atdhe tjetër, mblidhen atje lart, pleqtë...

Ka filluar të qesh më shumë kjo grua. Ky plakush i butë, pa asnjë mëri me botën, e ka ndryshuar, në kaq pak ditë. Edhe si lypsare ndjehet tjetër. - Thashë se të piku malli për vendlindjen. Kështu e ka edhe populli juaj, apo jo? - Eh, është luftë, atje, kush ka ngè për poetët! - Ka mote që ka mbaruar lufta në Evropë, nuk e di ti! - Në vendin tim nuk mbarojnë luftërat, kurrë, zonjë...

Ky njeri me siguri ka ca gjëra që mirë bëhet t’i dëgjojnë e edhe të vetët. Nuk e mendonte më si shtiranak e aq më pak të lig. Të nesërmen, lypsares i shkon ndërmend të gjej, dhe i gjen, nje tufe bashkatdhetarësh të tij. E shtjellë fjalën si era, larg e larg, të mos marrin vesh që njeriu për të cilin pyet, ndodhet në kasollen e saj. Zë në gojë, gjysma gjysmash, emrin e tij.

-Aleksandër?! Po ai ka shkruar himnin tonë kombëtar, zonjë! Për një lypsare si ajo, ishin barrë e rëndë keto fjale që po dëgjonte. “Nga e dini ju? Keni lexuar edhe ju prej tij?” Interesoheshin ata, tani më, për të vetin. – Ju qenkeni të gjithë të marrë! Të gjithë në jerm! Ejani, e keni tek unë!” Nxitoi fluturimthi drejt asaj shtëpie-thuprash ku e priste princi i saj, poet. Prej Himnit të tij, më bie edhe mua barra të mbaj kombësinë e tij, po shtonte duke qeshur. Në rrugë e sipër, bleu ca gjëra të buta e të ëmbla për plakun, nja dy revista me ngjyra nga Jugu, por edhe diçka për ata të tijwt që mund t’i vinë ta shohin. Nxiton. Edhe më shumë kur ndërmend fjalët e tij, të një dite më parë: “Nesër do ngjitem...lart!” E gjen buzëqeshur, këtë e dinte, e priste, edhe symbyllur, por jo ta gjente vdekur.

Del hera herës te porta, mos vijnë të tijtë. Ishin mrekulluar kur dëgjuan për të, për poetin e Himnit të tyre, por deri aty, në kasollen buzë lumit erdhën shumë më vonë. Dhe shume më të paktë se ç'u duke se do vinin. Nisën të qajnë si gra mbi të vdekurin.

Iu lutën t’u jepte trupin. Ishte mirë, I vdekuri të përgjohej në shtëpinë e njërit prej tyre. Ajo kërkoi të dinte për fjalën “përgjim”, i shpjeguan se ishte zakoni andej: meiti vendosej në dhomën e grave që i bënin shoqëri natës së fundit. ‘Pra s’bëhet fjalë për ndonjë përgjim që ju prisni prej këtij njeriu që nuk ia dëgjuat dot na gjallje?!”

Të tijtë e morën edhe lypsaren me vete. E vënë në krye të dhomës së të vdekurit. Të nesërmen u bë një masë e madhe. Kishin mbledhur të gjithë pesë e nga pesë, për të përballuar varrimin dhe ç’doli tepër ia lanë asaj. Tepruan aq sa nuk i duhej më të lypte për dyzetë ditë. Ajo vazhdoi të lutej për engjëllin e saj. E kishte shpërblyer edhe vdekur. - Jeni të çuditshëm!, u thotë të tijve. Por ata e bindin, gati duke e urdhëruar, që s’mund ta refuzonte shumën që teproi. “Vetëm një thërrmijë të kësaj, t’i bënit në gjallje, kush e di se si do ishit! & Këtë histori, ndodhur në brigjet e Danubit a Senës dikur, ma tregoi anës Lanës në Tiranë, poeti që më pëshpëriti se atdheun nuk bëjmë mirë ta duam më shumë se na meriton.

“E di, ti do të thuash se këtë histori me himn kombëtar, ta kam rrëfyer edhe herë tjetër. Po ti e ke harruar. Siç ndonjëherë e harroj edhe unë, kur vonoj t’ia tregoj dikujt tjetër…Bëjmë sikur harrojmë, dëgjon?! Në të vërtetë, gjallë nuk harrojmë. Na e hanë shpirtin me gjëra të vogla. Hutohen, shushaten si pulat, kur u flet për poetët!”

- Edhe ti, e ke ditur prej kohësh dhe nuk e ke shkruar këtë histori…” në kujdes për të mos e lënduar. Të mos mendoj se porosia se njeriu nuk bën mirë ta dojë atdheun më shumë se ç’meriton, më tingëllon e vogël, meskine... “Ta shkruaj unë thua...?! Po ai Tjetri kishte shkruar Himnin dhe u harrua, i gjallë e i vdekur, rrugëve të botës! Me se të mbrohesha, me se të mbrohem unë dhe ti?! As himn, as gjë si të tij!”

11 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page