CHIMARRA ALBANIAE DHE PAPA GREGORIO XIII
Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali
Në vitin 1190, Himara pushtohet nga Vendiku dhe në dokumentat e Serenissima cilësohet qartë Chimarra Albaniae. Në vazhdimësi historike, ne trojet arbërore u krijua Mbretëria e Albanisë - Regnum Albaniae (1272 – 1390), me mbret Karli I Anzhuin. Mbreterinë e Albanisë, e shtrirë nga Shkodra deri në Butrint, e njohu Papa Giovanni XXII i cili i pranoi albanezet si pasardhës natyralë të shtetit të Albanisë të princëve Progoni të shekullit të XI - XII, si dhe e njohu zyrtarisht Regnum Albaniae, ku bënte pjesë dhe Chimarra Albaniae – Himara e Albanisë. Në vitet 1368 – 1379, guvernator i Kaninës dhe i Himarës ishte Branillo Kastrioti. (Charl Hopf. Croniques gréco-romanes. Inedite ou peu connues; avec notes et tables généalogiques. Berlin. Librairie de Weidmann, 1873, f. 270 – 353).
Murgu Nilo Borgia (Borshi), duke iu referuar relacioneve të Ipeshkëvit Imzot Andrea Stanila, dërguar Propogandës Fide (Lettere di Albania. Archivio di Popaganda Fide. Vol 39, 1662); (Atti del 1662, vol 31. Congreg. Propog. Fide, del 27 novembre); (shih: Arch. Prop. Fide. 1663, vol. 32);(Archivio. Prop. Fide. 1668, vol. 42), thekson se kur flitet për Himarën, ipeshkëvi dhe murgjit bazilianë i referohen gjithmonë Provincës së Himarës Albaneze, qe shtrihej nga malet Akrokeruane (Karaburuni), deri në ngushticën e Kanalit të Korfuzit, një territor i gjërë, i banuar nga albanezët, në qytete dhe fshatra të shumta për gjatë bregdetit, ku përfshihej Saranda dhe Butrinti, ndërsa në thellësi përfshinte Kudhësin, Progonatin, Dragotin, Delvinën, Finiqin, Zhulatin, Leklin. Në rastet kur i referohen vetëm Himarës, ipeshkëvi dhe murgjit bazilianë e theksojnë qyteti i Himarës, që ishte kryeqendra administrative dhe Peshkopale e Provincës së Himarës.
Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit edhe Himara u pushtua nga hordhitë turke, por kurrë nuk iu nënshtrua pushtetit të administratës të Perandorisë Osmane. Nga viti 1492 Himara gezonte autonominë, e njohur me ferman të Sulltan Bajaziti II, por këtë autonomi e paguante me çmim të lartë, me taksa të rënda, madje vetëm për portin, i paguante Perandorisë Osmane 16 000 franga ari në vit. Këto sakrifica, populli i Himarës i pranonte sepse porti krijonte komunikimin me vendet e tjera, sidomos me Italinë dhe me Korfuzin, ku tregëtonin një pjesë të prodhimeve blegtorale e bujqësore dhe ku blinin mallrat e nevojëshme. Autonomia e njohur nga adminsitrata osmane, nuk i kënaqte himarjotët, përkundrazi u ngritën me armë për t’u çliruar dhe për të fituar pavarësinë. Pas një kryengritje masive të himarjotëve, në vitin 1537 Sulltan Sulejmani III i Madhërishmi, që arriti deri në portat e Vjenës, erdhi me ushtri për pushtimin e Provincës së Himarës, por himarjotët i rezistuan me heroizëm sulmeve të hordhive osmane, madje trimi himarjot Damjani, tentoi të vrasi vetë sulltanin, duke depërtuar deri në afërsi të çadrës së tij, por nuk mundi ta realizoi, pasi u vra nga rojet e shumta turke. (Lutfi Alia. Dixit 2, Chimarra albaniae, botimet Streha, Tiranë 2022, faqe 221 – 231).
Himarjotëve nuk u mjaftonte autonomia, andaj nuk i ndërprenë përpjekjet për pavarësi, madje kjo trevë ishte epiqendra e kryengritjeve të vazhdueshme për t’u çliruar nga pushtuesit osmane. Në vitin 1481, në Himarë zbarkoi princi Gjoni II Kastrioti, i cili u vu në krye të kryengritësve kundër turqëve, por kjo lëvizje nuk pati sukses. Himarjotët u ngritën kundër turqëve edhe në vitet 1488, 1494-1509, 1537, 1571, 1577 - 1578 dhe 1595 - 1596, por njera pas tjetrës, kryengritjet u shtypën me egërsi nga pushtuesit osmanë. Populli i Provincës së Himarës nuk rreshti përpjekjet për pavarësinë nga Perandoria Osmane. Kryengritjet pasonin njera tjetren, por iu mungonin armët, andaj këshilli i pleqëve dhe populli i himarjot, ishin të ndërgjegjshëm se duhej siguruar një mbështetje financiare nga Vatikani dhe nga shtetet perëndimore, për të blerë armë, që të mund të organizonin një kryengritje të madhe antiturke. Ndër dokumentat e veçanta, që dëshmojnë lidhjen e himarjotëve me Vatikanin, janë letrat e vitit 1577 dhe 1581, të prijësave dhe të popullit të Provincës së Himarës, dërguar Papës Gregorio XIII.
Në letrën e 12 korrikut 1577, himarjotët i shkruajnë Papës:
Jesus + Cristus:
Shenjtërisë të Lartit Papa i Romës antike.
Atit të jetimëve dhe ngushëlluesi për ata që vijnë te Ju.
O shumë i Larti Papa i Romës antike, o Zot i shenjtë, o Ati i jetimëve dhe ngushëlluesi i të huajve.
Ne banorët e Himarës të Epirit, priftërinjtë, klerikët, laikët dhe gjithë Shteti ynë, të përunjemi vullnetarisht dhe iu dërgojmë homazhet tona Shenjtërisë Tuaj. Të bëjmë të njohur At i Shenjtë, se që nga epoka e sypatremburit Skenderbek, mbretit tonë të përndritur i Kastriotëve, askush dhe kurrë, madje as vetë armiku i fesë kristiane, i egëri dhe i pabesi turk, megjithë forcën e madhe, nuk arrijti të na nënshtrojë, ndonëse çdo ditë na vjen hakut me sulme, në mënyrë që të pësojmë dëmtime të rënda, të humbim njerëz duke luftuar, ose duke na i zënë robër. Ata, për tre herë me rradhë e kanë përmbysur shtëpinë e Peshkopit tonë dhe më pas e dogjën. Në këto rrethana, ndodhemi në kulmin e varfërisë e nuk kemi asnjë mjet për të rezistuar kundër sulmeve të armikut dhe as për të rimëkëmbur rezidencën Peshkopale. Qytetet e tjera dhe trevat fqinje janë robëruar dhe ato e nuk kanë mundësi të na ndihmojnë. Për këtë qëllim, Gjika Nikolla dhe Giorgio Katas, bashkëqytetarët dhe përfaqësuesit tanë, vijnë të takojnë Shenjtërinë Tuaj dhe të përgjerohemi, që Ti të na japish provat e mirësisë dhe bujarisë tënde dhe të na bëjsh të mundur rindërtimin e rezidencës të Peshkopit tonë dhe të na mundësosh të blejme armë, që t’i rezistojmë të pafeve.
I Lumnumi At, duke mos dashur të mpakim kërkesat tona, sepse ne nuk besojmë në asnjë tjetër veç në Birin e Trinisë së Shenjtë të pandarë dhe në Shenjtërinë tuaj, Ti Mëkëmbësi i vetë Krishtit, emërin e të cilit e ka famullia e jonë, për Ty me lutje të gjithë së bashku, presim të pranosh kërkesën tonë që të prezantojnë të deleguarit tanë.
I madhi Zot, të japi lumturi Shenjtërisë tuaj dhe të japi gjithëçka që Ti dëshiron.
Nga Himara, pra nga Epiri i Albanezëve, 12 Korrik 1577.
Shërbëtorët dhe nënshtetasit e Shenjtërisë Ttuaj
Nga Epiri i Albanisë, priftërinjtë, klerikët, laikët dhe i gjithë Shteti ynë.
Shenjtërisë, të dërguarit të Zotit, Papës Suprem të Romës antike, Atit të jetimëve, Ngushëlluesit të atyre që vijnë te ju.
(Cirillo Korolevsky. Documenti inediti per servire alla storia delle Chiese Italo – Greche. fasc.II, faqe 55. Tipografia del Cav. V. Salviucci, Roma 1911).
Papa i u përgjigj kërkesave të himarjotëve, duke i dërguar ndihmat e kërkuara. Në relacion Ipeshkevi Stanila shkruan: “Për bashkëpunimin në aspektin shpirtëror, Shenjtëria e tij Papa, na dërgoi At Lorenco Gallatino OFM, për të kryer vizitat apostolike në Provincën tonë. Himarjotët e nderuan të dërguarin e Papës: Iu bë një pritje e përzemërt dhe e nderëshme, një pritje me të gjitha nderimet e thella dhe me respektin diplomatik”. At Lorenco qendroi tre muaj në Himarë dhe me ndërmjetësinë e tij, priftërinj dhe përfaqësues të parisë së Himarës, asistuan në Koncilin e Tetë të Firencës, si dëshmon N. Borxhia: “Këtë e kam verifikuar personalisht në listën origjinale të pjesëmarrësve të Koncilit VIII të Firences”. (Nilo Borgia: I monacci basiliani d’Italia in Albania, Roma 1935).
Historiani arberesh At Primaldo Koko, tregon se Lorenco Gallatino, në vitin 1581, u zgjodh Provincial i Urdhërit Françeskan i Albanisë, por një vit më pas, Papa Gregorio XIII, e dërgoi Vizitor Apostolik në ishullin e Kretës.
Në vazhdim, historia himarjote pasurohet me ngjarje të reja, si me letrën e dytë, e shkurtit të vitit 1581, e parisë dhe e popullit të Provincës së Himarës, që i dërguan personalisht Papës Gregorio XIII. Ashtu si letra pararendëse e vitit 1577 dhe letra e vitit 1581 ishte shkruar në latinisht dhe të përkthyer në italisht nga Dom Cirilo Korolevsky. (Cirillo Korolevsky. Documenti inediti per servire alla storia delle Chiese Italo – Greche. fasc.II, faqe 55. Tipografia del Cav. V. Salviucci, Roma 1911). Letrën e shkurtit 1581, po e prezantoj të plotë të shqipëruar:
“Shenjtëria e Juaj dhe Shumë i Lumturuemi Papa i Kishës së Madhe Katolike Universale.
Ne, Paria e Himarës, me aprovim të gjithë popullit të Rajonit tonë dhe të atyre, që banojnë në tokat përkrah nesh, me nderim të thellë, përulësisht dhe me respekt të madh për shenjtërinë Tuaj, duke të puthur dorën, Ju prurësit të paqes tonë, Ju të parit dhe Kryetarit të Kishës, në të njejtën kohë dhe shumë të shkëqyerët Kardinalët, që së bashku po kujdeseni për Kombin tonë, i Lutemi Zotit, t’i u ruaj gjallë dhe gjatë, o Ati i Lumnuem dhe Dinjitoz.
Po e vemë në dijeni Hirësinë tuaj, se këtu mes nesh erdhi i fismi Zoti Demetrio Ferigo, qytetar i Koroneo, i cili bisedoi me ne për shpëtimin e jetëve tona dhe na foli për mënyrat si të çlirohemi nga turqit.
Ne i kemi njohur prindërit e tij prej shumë kohësh. Ata janë persona me të vërtetë të mirë, fisnikë, dinjitozë, njerëz të respektit e të besës, e dijmë se ata kanë qenë në shërbim të Perandorit Karli i V dhe se për fenë katolike kanë derdhur gjak, për këtë qëndrim i përzunë nga atdheu dhe ua morën pasuritë, atyre që ishin të pasur e më të shkëlqyerit e Koroneo, si rezulton nga dokumentat që zotërojnë. Në e mbështesim plotësisht të quajturin Demetrio, duke i dhënë atij gjithë besimin tonë, që nga çasti, që Zoti vetë e bekoi dhe e bëri të shquar.
Ai na foli gjatë për Hirësinë Tuaj dhe na tregoi se Ju jeni një Papë i Shenjtë. Fama e bamirësive tuaja është perhapur dhe ne ngrejmë duart nga qielli dhe falenderojmë të madhin Zot dhe me të njejtat ndjenja e me të njejtën vendosmëri gjunjëzohemi para Hirësisë Tuaj dhe në emër të Zotit Tonë Jesu Krishtit, që vuajti për ne, kërkojmë ta veni dorën në zemër dhe të na ndihmoni me veprën tuaj dhe me ndërhyrjen tuaj, të na ndihmojnë dhe Princat e tjerë.
Hirësia e Juaj duhet ta shtyjë Mbretin Filip të Spanjës, i cili nëpërmjet Mbretërisë së Napolit, t’i dërgoi kombit grek dhe kombit albanez, 3000 ushtarë dhe të na furnizoi me mbi dhjetëmijë armë, për armatosjen tonë. Pas kësaj, ne do të ngremë flamurin në emër të Shenjtërisë Tuaj dhe të Mbretit Filip e pastaj do të bashkojmë në kauzën tonë të gjithë Albaninë dhe të gjithë Morenë, pasi janë me ne shumica e grekëve dhe të gjithë albanezët, madje vetëm nga Moreja mund të ngrejmë një ushtri me dyqindmijë luftëtarë, ndërsa armiqtë nuk janë më shumë se gjashtë-mijë. Nga fshatrat e Himarës dhe nga territoret për rreth, vetëm në një ditë mblidhen dhjetëmijë luftëtarë, ndërsa në një javë pesëdhjetëmijë, ashtu dhe nga Maqedonia mblidhen edhe pesëdhjetëmijë të tjerë.
Në se Hirësia e Juaj do të kontribuojë, që të fitojmë lirinë, ne që tani do t’i bindemi Kishës së Shenjtë Katolike dhe t’i u njohim Ju të Lartin Papë, Bariun Universal e të Plotfuqishëm e në të njejtën kohë do të jemi nënshtetas të Mbretit Filipi i Spanjës dhe si për Shenjterine tuaj dhe per Mbretin Filip, do të paguajmë tributin e quajtur haraç.
Për këto që iu thamë kërkojmë, që Shenjtëria e Juaj t’i lejoi priftërinjt tanë, peshkopët, prelatët dhe patriarkët, të administrojnë sakramentet dhe të celebrojnë sipas traditave tona dhe riteve tona .......Ne himarjotët dhe fshatrat firmëtarë t? kësaj letre, ngarkojmë përfaqësuesit tanë të plotfuqishëm, të lartpërmendurin Zotin Demetrio Ferigo dhe Zotërinjtë fisnikë Gjon Leksi dhe Nikolla Zahna me djalin e tij, që janë personat kryesorë të tokës së Himarës, të ndershëm dhe fisnikë, të impenjuar në luftë të vazhdueshme kundër turqeve, si do të kuptoni nga letra që do t’iu prezantojnë.
Ato që do të marrin pjesë në këtë marrëveshje, Zoti Demetrio së bashku me fisnikët himarjotë, ose kushdo prej tyre që do të arrijë të realizoi marrëveshjet me Shenjtërinë tuaj, me Mbretin Filip, me Perandorin e Gjermanisë, me Mbretërit dhe me të Plotfuqishmit e tjerë, gjithëçka do të aprovohen nga ana e jonë, dhe pse do të përfundohen nga ambasadorët tanë të mirë e besnikë, ashtu si i kemi ngarkuar dhe i kemi besuar, që të trajtojnë, të pranojnë, të kërkojnë favore, parà, ndihma, armë dhe për çfarë kemi nevojë dhe që do të pranohen nga Shenjtëria e Juaj, nga Perandori, ashtu dhe nga Mbreti i Spanjës dhe Princat e tjerë europianë, për të ndihmuar në revoltën tonë për çlirimin nga turqit.
Të deleguarit tanë, kanë të drejtën të përfaqësojnë dhe të zevendësojnë prokurorët e më parshëm, të cilët i deklarojmë të shfuqizuar dhe pa autoritet.
Sigurisht do të jetë ngjarrje e madhe dhe një vepër fisnike dhe shumë e dëshiruar nga Zoti ynë Jezu Krishti, në se me veprën Tuaj i Uruari At, të na shpëtoni të çirohemi NE bijt tuaj të shtypur barbarisht nga turqit, që për ditë insistojnë të bëhemi turqë.
Zot i madhërishëm t’a ruaj për shumë vite Shenjtërinë Tuaj: Amin.
Në dëshmi të vërtetës, letra e pranishme është shkruar e nënshkruar me dorën e magjistratit tonë nga e njejta tokë e Himarës, i quajturi Mikele Argjirò dhe e kemi dyllosur, si shihet, në mënyrën tonë të zakonëshme, në miratim si kemi thënë më sipër, nga të gjitha fshatrat e poshtë rradhitura.
Në muajin shkurt 1581. Rajoni dhe Peshkopata e Himarës.
DUCHATES (Dukati), BROCOTÒ (Brataj), CALOJERATIS (Kallarati) TRUMBAZEI (Terbaçi), BALASSA (Palasa), SOTIRIANE (Sotiras),PANGALADES (Vagalati), DRIMADES (Dhermiu), HELLIATES (Ilias), BUNAE (Vunò), CHAPERAS (Qeparoi), CUDISSEOI (Kudhësi), PILURE (Piluri), CUZEI (Kuçi), PROGONATES (Progonati), LUPESEI (Lopesi), CASTELLI (Kastelli), NIYIZA (Nivica), PICERNATES (Piqeras), BUNEZZE (Buneci), TURNECHEI (?), BUBAREI (Bubesi), ORESTA (Borshi), BAFADES (Vakaj), TERNA (Fterra), ZARO-GORIZIA (Çorraj), CAMINIZZA (Kaminica), FENECAE (Finiqi), DAMISEI (Damesi), LECHELTI (Lekli), DRAGOTES (Dragoti), CARIANAE (Karjani), CHUNEHIZA (Gumenica), PESTANAE (Peshtani), BERNACHUS?, CEPRIOTA(?), AIOSBASILES (Shen Vasili), ZULATES (Zhulati).
Unë, Mikele Argjirò nga Ishulli i Korfuzit, e shkruajta dhe e firmosa me dorën time, me kërkesën e Zotërinjëve të Rajonit të Himarës dhe të fshtarave të sipërshkruara.
Me nderimet tona Shenjtërisë dhe Hirësisë së tij Patriarkut të Kishës së madhe dhe Universale të Zotit, Zotërisë së tij Papa Gregorio XIII, Papa i Romës së lashtë.
Në muajin shkurt 1581.
Letra dëguar Papës Gregorio XIII, shpreh mendimin unanim të popullit të Provincës së Himarës, por dhe të trevave të tjera fqinje, çka tregon se kërkesat nuk ishin të ngushta lokale, por shtronin për zgjdhje çështjen e çlirimit të gjitha tojeve arbërore nga pushtimi shekullor nga Perandoria Osmane, madje kërkonin mbështetje dhe ndihma dhe për çlirimin e Moresë, ku banonin një numër i madh arvanitas shqipfolës.
Nga mënyra e prezantimit, rezulton se kjo letër nuk është thjeshtë kërkesë për ndihma, por është dhe kredenciale, pasi e informon Papën se populli ka ngarkuar përfaqësuesit e tij – ambasadorët Zotin Demetrio Ferigo, fisnikët himarjot? Gjon Leksi dhe Nikolla Zahna me të birin. Familja fisnike Zachna ishte nga qyteti i Himarës, e njohur dhe aktive në shekujt e mëvonshëm, si shkruan piktori anglez Edward Lear me 1845, i cili gjatë vizitës në Himarë, bujti në familjen Zachna, që i rezervuan një pritje me nderime e respekte, sa ai nuk e harroi kurrë, madje e përmend në veçanti në kujtimet e tij, si një mikpritje e rrallë dhe shembullore.
Përfshirja e Demetrio Ferigo në delegacionin e popullit himarjot në takimin me Papën, kishte si qellim prezantimin si një lëvizje e gjërë antiturke, me përfshirjen e të dy kombeve fqinje, pra të organizuar si një kryengritje albanezo-greke, si shprehen në letrën, dërguar Papës. Hartuesit e letrës, duke njohur simpatinë e Papa Gregori XIII për grekët, shprehen me lëvdata joshëse, andaj shkruajnë: “Ju Ati i Shenjtë e doni kombin grek, madje për atë keni themeluar Kolegjin dhe një Kishë. Këto dëshmi zemërmirësie, dëshirojmë t’i shprehni me ne në të ardhmen…”
Himarjotët i bëjnë komplimenta Papës për kontributin e tij personal, për themelimin në vitin 1576 në Romë të Kolegjit të ritit ortodoks të Shen Atanasio, ku ndër studentët e parë ishte dhe himarjoti Vrana, ku kanë studiuar e janë shugruar priftërinj djem të tjerë nga Provinca e Himarës, nga komuniteti arbëresh në Itali dhe nga arvanitët e Moresë.
Shumë studiues shprehin habi, për këtë njohje të thellë, që kishin himarjotët për Papën Gregori XIII, sidomos që i njihnin dhe “sekretet”, si simpatinë që kishte për grekët dhe për qëllimet e tij për unifikimin e kishës katolike me kishën ortodokse. Kuptohet, këto sekrete njiheshin nga Peshkopi i Himarës, i cili ishte ndër iniciatorët kryesor dhe bashkë-hartues i letrës, që i dërguan Papës. Ndjenjat filogreke të Papa Gregorio XIII, himarjotët i shfrytëzuan me zgjuarësi, madje e joshin Papën, duke i shkruar, se mirësitë që i kish bërë grekëve, duhet t’ua dedikonte dhe himarjotëve, për të krijuar së bashku lidhjen albaneze – Papale, për të luftuar pushtuesit barbar osmanë. Me organizimin e lidhjes albaneze - Papale, himarjotët i jepnin garanci se do të ruanin lidhjet dhe varësin nga Kisha Romane, andaj në letër ata i premtojnë Papës: “Pas kësaj ne do të ngremë flamurin në emër të Shenjtërisë Tuaj dhe të Mbretit Filip, kësisoj do të bashkojmë me kauzën tonë të gjithë Albaninë dhe të gjithë Morenë”
Rrallë ndeshen qëndrime dhe kërkesa për të drejtat qytetare dhe lirinë fetare, si kjo e himarjotëve, që e kushtëzojnë Papën të respektohen të drejtat e priftërinjëve, peshkopëve e prelatëve katolikë arbëror të Provincës së Himarës, që ato të administrojnë sakramentet dhe t’i zhvillojnë ceremonitë fetare sipas riteve dhe traditës liturgjike latine, nga ana tjetër i kërkojnë të respektoi kishën ortodokse himarjote, Patriarkanën e Ohrit dhe të Ipekut, por jo Patriarkanën Greke.
Nga analiza e këtij aspekti tepër delikat, kuptohet se në formulimin e letrës me kushtet, me kritere diplomatike dhe me argumenta e terma të sakta, kryesorët janë peshkopi dhe priftërinjt misonar? basilianë, të cilët me letrën e himarjotëve, i sugjerojnë Papës rrugët për unifikimin e të dy kishave, që aq shumë e dëshironte Papa Gregori XIII.
Papa Gregori XIII i u përgjigj me vonesë mesazhit të himarjotëve. Letërpërgjigjia e tij ishte formuluar ndryshe nga ajo si e prisnin, pasi nuk kishte asnjë fjalë e asnjë shenjë miratimi rreth propozimeve, ose me saktë ndaj kërkesave, që i kishin prezantuar në letrën e tyre. Në letërpërgjigjien, Papa shpreh admirim ndaj popullit të Provincës së Himarës, që deri atë kohë e kishin braktisur, madje kishte mbetur e huaj dhe larg Kishës Katolike. Papa ia dorëzoi letrën Nikolla Zahne, përfaqësuesit dhe të besuarit të himarjotëve arbëror, i cili kur u kthye e lexoi në kuvend para Parisë dhe bashkëfshatarëve.
Shqipërimin e letrës po e prezantoj të plotë, sipas tekstit origjinal.
Me kënaqësi bijëve:
Alessio Protonotario, zotërinjëve, popullit dhe Këshillit të Himarës.
Nga Gregorio XIII:
Me kënaqësi bijëve të mi, duke i u uruar shëndet e bekim apostolik.
Mora letrën, që më dërguat dhe u kënaqa më shum, kur djali i juaj, i miri Nikolla Zachna, me tregoi hollësisht për ju dhe njëkohësisht admirova besnikërinë, vendosmërine dhe devotshmërinë tuaj ndaj Selisë Apostolike e kjo më gëzoj me të vërtetë shumë.
Falenderojmë pafundësisht Zotin dhe ju përqafoj me përzemërsi si bijt e Krishtit dhe krenohem me Ju, pasi është e drejtë t’i përgëzojmë e t’i lavdërojmë ata, që me sinqeritet ndjekin gjurmët e Zotit, që pranojnë dhe e mbajnë fenë e Apostujve të Shenjtë, të transmetuara nga Kisha e Shenjtë Katolike e Romës dhe që në çdo kohë shërbehen nga Peshkopët dhe besnikët e të gjitha kombeve, të cilët e kanë në zemër shpëtimin tuaj.
Falenderoj dhe i lutem Zotit për ju dhe do t’iu mbaj në zemër si bijt më të mirë. Ndërkohë, ju rrini në dispozicion, si dëshiron Zoti, ruajeni me sinqeritet fenë, jetën dhe doket e shenjta, që Zoti i u ka dhuruar, vazhdoni t’i luteni Zotit, që t’iu ndihmojë dhe t’i u plotësojë kërkesat ditë pas dite, kësisoj do t’i u dhurojë mirësi dhe favore.
Ne do të kujtohemi për ju dhe duke iu uruar çdo të mirë, do të vazhdojmë t’i lutemi me përgjërimi Zotit tonë të Madh edhe për Ju.
Shkruar në Roma, në Shen Pietri,
Vulosur me unazën e Peshkatarit
22 dhjetor 1582 – në Pontifikatin tonë të XI.
Një spjegim lidhur me emrin e Alessio, që del në fillimin e letrës. Alessio ishte prift italian, antar i kolegjit të prelatëve të Kuria Romana, i zgjedhur nga Papa për të kryer shërbimet Protonotare apostolike. Pronotarët (noteret e parë) ishin klerikët më të besuar, me detyrë të regjistronin të gjitha aktet apostolike të hartuara nga kuria Romane. Papa i drejtohet prelatit Alessio, duke e ngarkuar me detyrën të arkivoi kopjen e letrës dhe t’i dërgonte himarjotëve letrën origjinale.
Zhgënjimi më i madh i himarjotëve ishte fakti, se letra nuk kishte asnjë reagim për formimin e aleancës antiturke, as për krijimin e aleancës albaneze - Papale dhe as konferma për ndihma konkrete, por vetëm lutje, bekime, përshëndetje dhe këshilla të rrinin në pritje.
Ndonëse letra nuk kishte përgjigjie për kerkesat e himarjotëve, Nilo Borxhia mendon se Papa mund ta ketë ngarkuar Nikolla Zahna, që ta informoi gojarisht popullin për ndihmat e premtuara, pasi në dokumentat arkivale rezulton se Papa Gregori XIII, që në fillim të pontifikatit, ishte impenjuar për të organizuar shtetet katolike europiane, në lidhjen antiturke, por këto ide të Papës, nuk kishin gjetur mbështetje nga princat kristianë. Nga ana tjetër Papa kishte informuar ambasadorin e Venedikut se po punonte me Kishën dhe himarjotët për krijimin e një aleance kundër turqëve. Për fat të keq, kjo lidhje antiturke nuk u konkretizua, jo për fajin e Papës, por nga tradhëtia e mbretit të Spanjës, i cili pa dijeninë e Papës, firmosi në Stamboll, zgjatjen e armëpushimit me Perandorinë Osmane. Kështu populli i martirizuar i Provincës së Himarës, u ndodh i braktisur nga Vatikani, nga Venediku dhe i tradhëtuar nga Mbreti i Spanjës dhe i Napolit.
Në shekullin XVII, Selia e Shenjtë u ndodh pranë banorëve të Provincës së Himarës. Në vitin 1624, Papa Urbani VIII, në një letër dërguar Patriarkut të Ohrit Porfirio Paleologut dhe Kryeipeshkëve të Bullgarisë, të Serbisë e të Maqedonisë së Poshtëme, ndër të tjera kritikonte pasivitetin e Greqisë, e cila gjithmonë ishte grindavece dhe gjithmonë munguese (në origjinal: la Grecia sempre riottosa e sempre assente) dhe i u bën thirrje Patriarkëve dhe prelatëve, t’i u drejtohen besnikëve të kishës, që të bashkohen në luftë të përbashkët, për të larguar skllavërinë. Papa Urbani i VIII ishte i preokupuar dhe për mbërritjen e vazhdueshme të emigrantëve arbëror, të cilët për t’i shpëtuar persekutimeve, shtypjeve, mjerimit dhe presionit për t’u islamizuar, vazhdonin ta braktisnin atdheun dhe zbarkonin në Pulia, Kalabri e Siçili. Shumë prej tyre ishin nga Provinca e Himarës. Papa Urbani VIII, i prekupuar për zbarkimet e vazhdueshme të ikanakëve arbëror, kishte dhënë urdhër, të ndihmoheshin për t’u sistemuar në vende të pershtatëshme, si dhe të dërgoheshin priftërinj me origjnë arbërore për t’i asistuar në ritet fetare, në lutjet dhe jetën e tyre shpirtërore. Gjithashtu, kishte ngarkuar Propogandën Fide, të dërgonte priftërinj dhe murgjër katolikë në territoret veriore të Albanise, por më shumë në zonat e jugut, ku ndihehesh mungesa e tyre dhe ku po rritej qëndrimi antagonist i kishës ortodokse, ashtu dhe presioni i ideologjisë islame ishte shumë i fortë, për kthimin e banorëve në fenë islame.
Në vitin 1633, në Himarë u dergua me mision murgu basilian Neofit Rodinò, i cili ishte emëruar missionarius in Chimarram Albaniae - misionar në Himarën e Albanisë. Krahas aktivitet fetar, Rodinò, u shqua si shkrimtar e ndër veprat e tij, një vend të veçante kanë dhe kujtimet për vitet e kaluara në Provincën e Himarës. (Nilo Borgia: I monacci basiliani d’Italia in Albania, Roma 1935).
Për aktivitetin shpirtëror dhe human të këtij murgu basilian, ka lënë shënime të shumta Ipeshkëvi i Myzeqesë dhe Mëkëmbësi Shpirtëror i Himarës Andrea Arkadi Stanila, historiani Rodotà dhe Imzot Ingoli, sekretari i Kongregacionit të Shenjtë të Propogandës Fide, i cili merrte informacionet që dërgonin misionarët. Në kohen kur ende ndodhej në Romë dhe në Napoli, misionari Rodinò mori letra nga Kryipeshkëvi i Janinës dhe nga Ipeshkëvi i Paramithisë, të cilet e ftonin të shkonte për të predikuar në katedralet e Janinës e të Paramithisë dhe të zhvillonin meshat së bashku. Pra si kuptohet ishin katedrale të kishës katolike të ritit Roman, ndonës vite më vonë, së bashku me ato të Ohrit do të benin shizmën dhe u konvertuan në ortodokse. Murgu Rodinò i mirëpriti propozimet, por u kërkoi që këto vizita shpirtërore t’i kryente në një periudhë të më vonëshme, pasi më parë do të shkonte në Himarë, sepse u kishte dhënë fjalën dhe e prisnin himarjotët dhe se ishte shumë i preokupuar për gjendjen në cilën ata ndodheshin. Gjatë kohes që ndodhej në Napoli, mblodhi shumë materiale kishtare, me shpenzimet veta bleu kryqe të shumta bronxi, si dhe mblodhi fonde për kishat e manastiret e kësaj trevës së Himarës.
Murgu Rodinò u vendos në qytetin e Himarës, e cila ishte qendra nga rrezatohej aktiviteti i misionarëve basilianë nëpër fshatrat e tjera për rreth, madje dhe në Korfuz, në Janinë e në fshatrat në thellësi, në shpinë të Provincës së Himarës. Me kryqin në dorë, Rodinò udhëtonte për ditë nëpër grykat e maleve të Himarës dhe të Vunoit, takonte popullin, që jetonte i izoluar në këto terrene të ashpra, u shërbente atyre që nuk kishin pasur mundësi të dëgjonin predikimet e një prifti katolik, u gjendej pranë njerëzve, që kishin nevojë për mbështetje, organizonte mesha, si dhe ndihmojë shumë ata, që për arsye të izolimit, nuk i kishin pagëzimin e fëmijëve.
Historiani Rodotà tregon: “Aktiviteti i Rodinò nuk kishte kufij e krahas vizitave shpirtërore nëpër fshatra, lagje e shtëpi të vetmuara në shkrepat e bregdetit të Himarës, në vitin 1633 hapi shkollën në gjuhën shqipe, madje katekizmën, rrefimin dhe meshat i kryente në gjuhë shqipe. Ai vizitonte të moshuarit, që nuk mund të shkonin në kishë, frekuentonte manastiret dhe famullitë e provincës, kontribuonte në edukimin shpirtëror dhe vangjelizimin e banorëve të kesaj treve të martirizuar. Populli i Provincës së Himarës e degjonte dhe e nderonte dhe kjo ishte fitorja më e madhe e murgut Rodinò”.
Në këtë periudhë kohe, ishin acaruar konfliktet dhe konkurrenca ndërmjet kishës ortodokse dhe kishës katolike, që funksiononte prej shekujsh në këto treva. Kësaj situate antagoniste, Rodinò nuk mund t’i shpëtonte, madje u bë viktima e provokimeve dhe presioneve të ortodokseve. Në kujtimet e tij ipeshkëvi Andrea Arkadi Stanila shkruan: “... Dhe pse i ftuar nga Metropoliti i Janinës, gjatë predikimit në Katedrale, grekët e ndërprenë dhe e nxorrën jasht, ndërsa në Korfuz, një protopapë grek i quajtur Floro e goditi me shpulla dhe e ofendoj me fjalë të rënda...”
Në një letër të vitit 1637 dërguar Propogandës Fide, Rodinò informonte dhe për aspekte të kulturës e të zakoneve të veçanta të popullit të ketyre trevave. Në një ndër këto letra përshkruan ritin e çuditshëm të vajtimit (vajet, vomet, kùja) për të vdekurit, që praktikohej nga të gjithë banorët e Himarës. Ai tregon se vajtimi i grave me shkuljen e flokëve ishte rrënqethës. Këtë zakon, Rodinò e krahason me ritin e lashtë të hebrejve në tokën e Kanaan, madje e konsideron të njejtë me vajtimin në vdekjen e Patriarkut Jakob. Vajtimin me aq dhimbje e me fjalë të vajtocave himarjote, Rodinò e vlerëson
si sjelle respekti të pastërt dhe nderimi për të vdekurin.
Nga shkrimet që ka lënë murgu Rodinò, tregon se, në aktivitetet intensive shpirtërore, shoqëruesi i tij i përhershëm dhe besnik ishte albanezi Demetrio, prifti himarjot, të cilin Ai e vlerëson shumë për inntiligjencën dhe e quan “ndër të shkolluarit, që i besoj”, madje e kishte ngarkuar me përkthimin në gjuhën albaneze të katekizmës, që si e thekson Rodinò, At Demetrio e kishte realizuar me nivel të lartë e në mënyrë elegante.
Gjatë misioneve ekleziastike në Provincën e Himarës dhe në kishat e fhstrave fqinje, misionari Rodinò tregon, se ka përdorur gjërësisht “Të mbësuemen e krështenë” të Lek Matrengës dhe “Doktrina e Krishtenë” e Pjetër Budit. Hartimi i kesaj vepre, kishte filluar shumë vite më parë, me urdhërin e Papa Klementi i VIII dhe u botua ne Roma ne vitin 1618 si Katekizma e Shen Roberto Bellarmino, të cilën më pas e përktheu në gjuhën arbërore At Pjetër Budi. Më teper se katekizëm, kjo është vepër letrare, sepse perfshinë 53 faqe me poema fetare, që janë dhe poezitë e para në dialektin e gegënishtes. Pjesa më e madhe e këtyre vjershave janë përkthime nga gjuha latine, por disa prej tyre janë dhe krijime origjinale të At Pjetër Budit. “Doktrina e Krishtene” në gjuhën albaneze u botua në Rome ne vitin 1637, si rezulton nga një letër e Imzot Ingoli (sekretari i Propogandëës Fide), ndërsa ribotimi u realizua në vitin 1664.
Vepra të tjera fetare të Budit, të përdorura nga misonarët basilianë në Himarë dhe në kishat e fshatrave të provincës ishin “Rituale Romanum” një koleksion me lutje dhe sakramente në gjuhën latine, të shoqëruara me komente në gjuhën albaneze nga Pjetër Budi dhe “Speculum Confessionis - Pasqyra e t’rrëfyemit”, që ishte përkthim nga italishtja e veprës “Specchio di Confessione” e Emerio de Bonis dhe e përshtatur mjeshtërisht në gjuhen albaneze nga Pjetër Budi.
Historiani Rodotà tregon: “Ne udhetimet e shumta ne fshatra e neper famullite, ne takimet me priftërijtë dhe me popullin e sidomos në vizitat në kishat dhe manasiret e Provincës, murgu Rodinò propogandojë dhe shperndau “Doktrina e Krishtenë” në gjuhën albaneze dhe në këtë mënyrë ndikoi në rritjen e kulturës dhe ndriçojë shpirterat e kësaj popullate katolike, forcojë vlerat morale, hapi shkolla dhe kësisoj, para se të largohej nga Himara, gezojë rezultatet e aktivitetit të tij misionar dhe pa ripërtritjen e Kishes Katolike e të sakramenteve”.
Në relacionet e dërguara Sekretarisë të Propogandes Fide, edhe ipeshkëvi i Himarës imzot Andrea Stanila, informon jo vetëm për aspektet fetare, por dhe për gjendjen morale e politike të provincës autonome të Himarës. Në një relacion shkruan: “Qetësia në Provincën autonome të Himarës, lidhet me vullnetin e popullit himarjot, gjithmonë vigjilent e i armatosur për të luftuar kundër pushtuesve turq, për të ruajtur lirinë dhe pavaresinë”. (Arch. Prop. Fide. 1663, vol. 32).
Imzot Andrea Stanila në një relacion shkruan: “Banorët e Provincës së Himarës dhe të gjithë Albanisë, nuk duan t’i nënshtrohen asnjë qeverie, por jetojnë në liri të madhe. Ata Qeverisen me ligjet e tyre tradicionale, por për fat të keq ende përmbajnë pjesë të egra e barbare, por në tërësi, gjithmonë janë ligje, që ruajnë rendin dhe disiplinen mes tyre dhe mbi të gjitha nxisin bashkimin e popullit, kur kërkohet të luftohet armiku turk. Është e vërtetë se ne rastet kur kryejne ndonje vrasje, ose ndonje krim tjeter, ndeshkohen sipas rregullave e zakoneve te lashta, megjithese keto rregulla jane barbare dhe kunder ligjeve hyjnore dhe kunder ligjeve humane...” (shih: Arch. Prop. Fide. 1668).
Imzot Andrea Arkadio Stanila shkruan qartë dhe saktësisht, se himarjotët qeveriseshin me ligjet e tyre tradicionale. me Ligjet e Himarës, institucioni qeverisës i popullit të kësaj treve. Me keto ligje, populli i Provincës së Himarës mbante “rendin dhe disiplinen mes tyre dhe mbi të gjitha drejtonin unitetin popullor në luftë kundër pushtuesve turqë”. Kur flasim për autonominë e Provincës së Himarës, kuptohet se drejtohej me ligjet tradicionale, pra himarjotët nuk njihnin as ligjet e Sheriatit, as ligjet e Perandorisë Osmane, por vepronin dhe qeveriseshin në bazë të ligjeve dhe zakoneve të veta të lashta.
Comments