Hidhini poezitë në zjarr!
Fatmir Terziu
Kur recitonte mësuesi i letërsisë vitet e para
liria bëhej drithmë mes nxënësve të hutuar, imagjinarë
si pacientë të sapokthyer nga ringjallja.
Citonte mësuesi pasionant poetin e vrarë
njerëz të çmendur po pushtonin mendimet vërdallë!
Lotë bëheshin fjalët tona,
të rrumbullakëta,
britma të çuditshme u bënë më vonë,
në thellësi,
heshtjet përgjigjeshin në vendin tonë.
Si enigma vdisnin fjalët mes nesh
bojalleshat shumëngjyrëshe lundronin nëpër qelq
retë binin si dengje me lesh.
S'duronin më sytë tanë
u bë dimër për fat të keq
na thoshte mësuesi me një zë të lehtë,
(sikur mërdhihte ai në çast)
këtu mes këtyre vargjeve ka hyrë një dreq
Hidhini poezitë në zjarr!
Kommentarer