top of page

HETEROGONIA E QËLLIMEVE


Robert Martiko

HETEROGONIA E QËLLIMEVE

APO NJË KËNDVËSHTRIM MË I THELLË

RRETH LUFTËS PUSHTUESE NË UKRAINË

Matanë vlerësimeve të shumëllojshme me karakter politik, rreth ngjarjeve në Ukrainë, ka një këndvështrim më të thellë të fenomeneve të kësaj natyre. Mjafton të kujtohet rënia e një fuqie gjigante si ish BRSS në një kohë kur askush e priste. Një foshnje e lindur në vitin 1, katër shekuj më pas, bëri të dorëzoheshin pa luftë, të gjitha legjionet romake të Konstantinit të Madh, që shpalli Krishterimin fe zyrtare në Perandorinë Romake. Janë me qindra rastet e kësaj natyre në rrjedhën e historisë, kur perandori e mbretëri të mëdha janë zhdukur pa e kuptuar nga harta e botës. Dhe të gjitha këto kanë lidhje pikërisht me fenomenin që në filozofi quhet HETEROGONIA E QËLLIMEVE. Termi buron nga filozofi grek Aristoteli që, për të për herë të parë, foli për të. Për ta thjeshtuar akoma më shumë, HETEROGONIA kuptohet në rastin më të thjeshtë me shprehjen popullore se të tjera mendon njeriu në jetë dhe të tjera i dalin.

Për tu futur në thelb të fenomenit të HETEROGONISË, duhet pasur parasysh se njeriu, shtetet apo udhëheqësit e tyre, për të realizuar një dëshirë, duhet më parë të organizohen. Pra, nëse dëshira është element jo logjik, organizimi praktik për të ta realizuar atë, i përket detyrimisht sferës logjike. Konkretisht, nëse dikush dëshiron të ketë një shtëpi apo varkë, duhet të organizohet për të grumbulluar shumën e duhur të parave. Në mënyrë analoge, kur një shtet, apo udhëheqës, dëshiron të pushtojë një vend tjetër, më parë duhet të organizojë edhe ushtrinë përkatëse. Mirëpo çfarë ndodh? Dëshira për të arritur objektivin, padashur, nënvleftëson organizimin me përpikëri të asaj që kërkohet të arrihet. Me fjalë të tjera, më të kuptueshme, njeriu i mbytur nga dëshira, nxitohet në realizimin e gjërave, pasi nuk mund të parashikojë me hollësi të gjitha të papriturat.

Përsëri konkretisht, Putin mendoi se pushtimi i Ukrainës do të ishte i lehtë, se Perëndimi deri dje i shpërndarë e pa kohezion politik, nuk do të reagonte. Do të qëndronte neutral njësoj siç ndodhi me pushtimin e Krimesë. Por ja që shpërtheu diçka që Putin nuk e priste: HETEROGONIA E QËLLIMEVE. Në saje të një Zhelenski heroik, i cili nuk braktisi atdheun e tij, gjithë Perëndimi u frymëzua. U bashkua për të përballuar kërcënimin ushtarak rus. Gjermania dyfishoi shpenzimet e luftës, Këshilli i Evropës dhe njerëzit me ndjenja pro demokracisë dhe paqes, në gjithë botën, përfshirë Rusinë, u gjallëruan. Zhelenski pushoi të jetë thjesht artisti-komik, ndonëse gjinia e tyre në Perëndim, Arti i Teatrit, ndihmoi për ndryshimin e njeriut. Pra, ndodhi si në përrallën e famshme të Andersenit, ku fëmija e vogël zbuloi lakuriqësinë e mbretit.

Konkluzioni është se për njeriun e vërtetë, vetëm liria dhe dinjiteti i japin kuptim jetës. Kur respekton vuajtjet e të tjerëve, siç ndodh sot me popullsinë heroike ukrainase, me mijëra të vrarët e saj, përfshirë fëmijët e vegjël. Njeri i lirë është ai që me mençuri arrin tu vërë kufij dëshirave të tij, për të evituar HETEROGONINË apo thyerjen e turinjve. Para se të dalë në jetë njeriu i lirë duhet të fillojë të ekzistojë brenda në familje. Liria duhet të lulëzojë në familje, pasi e kundërta është që jo vetëm një njeri, por shoqëri të tëra të jenë jashtë Kohës. Dhe duke mos e kuptuar këtë, veprojnë kundër Kohës, NË RADHË TË PARË, me pasojë të pashmangshme: HETEROGONINË E QËLLIMEVE.

14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page