Hekuran Halili: Për librin me tregime “PERDJA E MBRËMJES” të shkrimtares Natasha Xhelili.
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 15 hours ago
- 3 min read

Gjëja e parë që më erdhi ndërmënd mbas përfundimit të leximit të librit me tregime “PERDJA E MBRËMJES” të shkrimtares Natasha Xhelili ishte; Natasha është një shkrimtare e vërtetë, pastaj mendimi tjetër, Natasha është një shkrimtare e veçantë, një shkrimtare moderniste.
Pa pretenduar të bëj analizë të mirfilltë letrare të librit , shkurtazi po paraqes disa argumenta për sa mësipër thash.
Natasha është një shkrimtare e vërtetë mbasi pjekuria e të shkrojturit të tregimeve, siguria, guximi, fjala e zgjedhur, figuracioni teje i pasur, kompozicioni i tregimit, ndërtimi i fjalisë , i narracionit, është në nivelin më të lartë. Kur e lexon Natashën të duket se ke të bësh me një shkrimtare të pjekur që e njeh mirë zanatin e të bërit letërsi , sikur ka një jetë që po merret me të dhe ka botuar me dhjetra libra. Theksojmë se ky është libri i parë me tregime, botuar në vitin 2014. Artikulimi i bukur përmes një gjuhe shpesh metaforike , të përpunuar e kuruar deri në detaj nga autorja, e bëjnë librin tërheqës dhe ja shtojnë vlerat.
Natasha Xhelili është një shkrimtare e veçant nga stili i të shkruarit i cili nuk është ai klasik me të cilin janë paraqitur tek lexuesi me përjashtime të vogla të gjithë shkrimtarët e Sarandës, jugut e më gjer. Ajo e ndërton strukturën e të treguarit në mënyrën e vet që e bën unike, jashtë klasikes, hyrje, shtjellim, mbyllje, jo, këto faza të treguarit janë shkrirë në një të tria së bashku. Ajo është shkrimtare e stilit modern, për mua më konkretisht stili i saj i të shkruajturit i përket EKSPRESIONIZMIT.
Kjo, për faktin se Natasha në narracionin e vet nga ana përmbajtësore i jep përparësi përjetimeve të brëndëshme të individit, shpesh në një formë të lirë, të ndjeshme dhe jo gjithmonë të ndërtuara logjikisht, në ndryshim nga realizmi apo natyralizmi që fokusohen më shumë tek realiteti i jashtëm.
Në të tridhjet e shtat tregimet që ka libri, prej të parit, “KËNGA” , deri tek i fundit “TAKIMI” , asnjë prej tyre nuk del jashtë këtij stili.
Në librin e shkrimtares Natasha Xhelili “PERDJA E MBRËMJES” ka shumë tregime që ndjen nevojën t’u kthehesh e t’i rilexosh sepse mendimi i thellë dhe i sofistikuar, fjala e duhur, e gjetur, e bukur, e ngrohtë, nuk ka afat skadence. Këto tregime depërtojnë në mëndje e shpirt dhe është vështirë të ndahesh me to pa u rikthyer për t’i rilexuar. Të tilla tregime do të përmëndja: “CAKU” , “NJOLLA E MURRME” , “LOJË PERËNDISH” , “AJO “ , “NËNA” , “BROSHURAT E VDEKJES” ; “KËPUCËT”, “PREMTIMI “, “MBI URË” , “KUFIRI “ , etj.
Shpreha shkurtazi disa mendime të mia për tregimet e Natashës, mbasi shumë krijues e diskutues të tjerë do thonë mendimet e tyre. Të më besoni, nuk fola me superlativa për krijimtarinë e saj në prozë, mbasi Natasha është edhe poete. Ka studiuar për gjuhë-letersi në Universitetin “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës dhe prej vitesh është mësuese dhe drejtuese e shkollës “Kosta Çavo “ në Delvinë. Për punë të shquar është nderuar me titullin “MËSUESE E SUKSESËSHME”.
Ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me shumë organe të shtypit, me revista për fëmijë si p.sh “YLBERI PLUS” në Maqedoninë e Veriut. Natasha është pjesmarrëse në shumë antologji poetike të botuara brënda e jashtë vendit, në anglisht, italisht,frëngjisht,maqedonisht. Në tetor 2020 është shpallur poetja e muajit me ciklin poetik “ODA POETES “.
Ka vlerësime edhe në fushën e kritikës letrare, gjë të cilën ju e kini parë në të gjitha promovimet e librave që ne bëjmë. Natasha është fituese çmimit të parë për tregimin e shkurtër në Tetovë dhe në Gjilan . Ka fituar çmimin e tretë në festivalin mbarë kombëtar për poeteshta shqiptare - Shkodër.
Libra të shkruara dhe të botuara nga Autorja Natasha Xhelili janë:
1. MALI SHEH NJË ËNDËRR Poezi 2013
2. PERDJA E MBRËMJES Tregime 2014
3. LOTËT E ZJARRIT Poezi 2016
4. NINULLAT E HËNËS Tregime për fëmijë 2019
5. GJURMËT E FJALËS Reçesione letrare 2020
I uroj Natashës shëndet suksese, personalisht dhe familjarisht, i uroj krijimtari të begatë e cilësore.
FALEMINDERIT !
Shënim: Ky shkrim është përgatitur enkas për promovimin e librit të shkrimtares Natasha Xhelili, i cili u bë sot më datën 26 prill në Sarandë, të cilin e drejtova unë.
Comments