Në humnera përrenjsh brigjerënë,
ku ullinjt shekullorë zgjatin duart,
të mbahen nga unë,
rri varur fëmijëria ime,
si një trastë ëndrrash e dëshirash ,
që çelin e lulëzojnë,
sa herë çel e lulëzon shega tek lëmi,
që skuqet e çahet nga tejpjekja,
dhe malli im , që s’rresht së pikuari...
Të kuqen e rrallë asaj shege,
nëna ime shpesh ja “vidhte” ,
dhe zbukurohej si xhinde,
sa xhindoseshin ato brigje …
Në pragun e gurtë të asaj shtëpie,
gjysëm murshe rënë,
mbuluar me vellon e vjetërimit,
nën perde rrushkulli, gjelbërimi,
nën mjegullime kujtimesh,
rrinë strukur kujtimet e fëmijërisë time...
E gjithë shtëpia netëve me hënë,
në kohë me tramundanë e furtunë,
këndon si Homeri fëmijërinë time...
תגובות