top of page

HEJ, UDHËTAR!


HEJ, UDHËTAR!


Mbeta eremit i ngujuar

Bokërrimat e mia i plugojnë vetëtimat

Ku të mbështetem?


E ndjej dimrin e hidhur, te pragu;

me re të grisura, si çallma jeniçerësh

male të grivër,

tek-tuk pemë të vetmuara,

ngjajnë me murgeshat, mbetur pa zot


Foletë e zogjve tunden si djepe

e poshtë tyre kalimtarë të rrallë


Ç'është kjo zile që më tremb mendimet,

varur në qafën e mushkës, si hënë e ngrënë?

Hej, udhëtar!

Një barrë misër për magjen e zbrazur,

s'i ushqen dot shtatë gojë mbledhur rreth vatrës.


Eh, gjakprishurit tanë!

Ata që përmbysën kupën,

na vranë dhe ëndrrat, i vraftë buka!


Bën ftohtë

Vendi im ka uri.


Tiranë, Shtator 2019.

Tashmë edhe shoqëria shqiptare prodhon veset më të ndyra, sikurse kriminelë të pushtetshëm, tradhëtarë me gravata, vrasës me pagesë, trafikantë, hajdutë, përdhunues, gënjeshtarë, spiunë...Ekziston dhe një kategori tjetër, më e ndyra, janë mosmirënjohësit. Ata që ke mbajtur në shpinë, sa hap e mbyll sytë të shpallin kundërshtar. I harruan grushtet me miell dhe sapllakët me dhallë, ndërsa xhepat i mbajnë të mbushur me gurë dhe të qëllojnë sa herë të munden. Këto shkurre pa hije dhe kokrra, me vrasësit e tyre puthen në buzë, sepse shpagimin e gjakut s’mund ta bëjnë vulëhumburit. (Ptu, farë e keqe që na ratë në pjesë!). Mbase kështu ndodh kudo. Prostitutat flasin për ndershmërinë, hajdutët për shenjtërinë e pronës, intrigantët për besën e burrit dhe peshën e fjalës. Kurvëria publike është bërë modë e pëlqyer. Në qytetin e Vlorës, jetët njerëzore shkurtohen nga breshëria e kallashnikovit, në afrësi të kështjellës së bardhë të Kryezotit tonë, Skënderbeut, përdoren metoda mesjetare torturash, në qytetet veriore përdoren thikat si mjete vrasëse, ndërsa në djepin e Kanunit, pas çdo krisme ngujohen në kullat e larta dhe botën e shikojnë mes frëngjive. Askush nuk pyet për fëmijët e pafajshëm që mbyten në një pikë loti. Ka heshtur fjala, s’ka më kuvënde, burra të bardhë dhe urtësi popullore. Dy shtete në armiqësi prej shekujsh, edhe mund të bëjnë paqe, pavarësisht gjakut të derdhur, ndërsa dy shqiptarë-jo, as në varreza nuk i ulin armët. Urrejtja vazhdon të ushqejë shpirtrat e zbrazur, prej dekadash.

19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page