top of page

Hasan M. Shahinaj: Një monografi origjinale, objektive, me shumë vlera





Kam ndër duar për një rilexim dhe refleksion analitiko-sintetik librin monografik të autorit të mirënjohur Meçan Hoxha me titull “Riza Kishta, emër që nuk harrohet”, botim i vitit 2020, dhuruar edhe mua me autograf më 10 qershor 2021. Përpos mirënjohjes për autorin, për këtë këmbim dhurator (sepse edhe unë ia dhashë monografinë time historike-pedagogjike “Shkolla shqipe emër madhe e Trebishtit” me 453 faqe); dua të nënvizoj se: përkimi rastësor i autografit i 10 qershorit 2021 me datën historike – famoze e të përveçme  në historinë tonë kombëtare të 10 qershorit 1878, pra të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më detyron dyfish përkushtim për këtë libër në serinë e kolanës 10 vëllimshe botuese të autorit Meçan, i cili edhe në këtë libër monografik, të përveçëm, të pasur e interesant, me një aftësi profesionale prej studjuesi cilësor e historian të mirëfilltë, bën si të thuash, një “autopsi” të realitetit të përjetuar nga heroi i gjallë Riza Xhemal Kishta në kohë e në hapësirë. Për rrjedhojë, që në krye të herës, dua  të përgëzoj autorin e aftë, Meçan Hoxha, i cili na ka portretizuar hero- personazhin e personalitetin Riza me vërtetësi shkrimoro-hulumtuese në të gjithë veprimtarinë e tij të ngjeshur në dy kohët që jetoi, guxoi, punoi, rezistoi e triumfojë porsi sfidant i vërtetë i njeriut të fortë, të brumosur, karakterial, trim. Besnik i pashoq dhe shumë popullor; i lakmuar ndër brezat e kohës, edhe pse rrojti fatalisht vetëm 52 vjet.

Ja disa pika kyçe të refleksionit tim të thjeshtë studimor:

Së pari,

Libri “Riza Kishta, emër që nuk harrohet” plotëson të gjitha kriteret e lloit të prozës monografike; domethënë, autori i mirënjohur dhe sprovuar në këtë fushë (edhe në 9 librat e botuar në vijimësi) ka realizuar  dukshëm një skaner historiko- letrar “radiologjik”  të personalitetit kompleks të Riza Kishtës me dritëhijet e virtytet e veta. Kjo punë e vështirë disavjeçare e autorit (qysh nga viti 1994, siç pohon edhe vetë), e shtrin veprimtarinë e heroit Kishta në harkun kohor 1918-1949, pra deri në shuarjen fizike të tij. Kësisoj, pra, përpos qëmtimit dhe vjeljes së pikave kyçe biografike edhe vetëtreguese të  personazhit- monografik; kërkon  aq maturi  e kujdes e finesë historiko –letrare, për të paqyruar origjinalisht detajet kryesore, me qëllim që të individualizohet (por edhe tipizohet) personazhi me  virtytet e përveçme të tij, ballafaquar me rrethanat, administratën e superstrukt urën e dy regjimeve, rrymave e korenteve të tjera.

Shkurt, autori  Meçan, me përvojën e pasur shkrimore, e merr si të thuash  për dore heroin Riza Kishta, qysh nga etnogjeneza fëmijërore e trevës, ku ka çelur sytë në vitin 1897 në fshatin Kishtë të Vërçës e Kodovjatit gramshak e deri në  18 maj 1949, ditën fatzezë të shuarjes mizore nga regjimi komunist.

Këndvështrimi objektiv i paanshëm, i vëmendshëm në çdo hap e paragraf i autorit Meçan Hoxha, na ka dhënë një monografi tjetërlloj, krahasuar me të tjerë; nga sa kemi lexuar e analizuar modele të ca autorëve subjektivistë, emocionalë e formalistë.

Autori Meçan, duke njohur deri në detaje historinë reale të krahinës së Gramshit në të dy kohët si më lart, vë pikat mbi “i ” siç duhet e siç e kërkon  monografia në kategoritë objektive historike-filozofike se: historinë e bën populli (këtu jepet gjerësisht Gramshi si palcë kockore e Atdheut, bir i denjë i së cilës deri në frymën e fundit, ishte e mbetet po aq denjësisht Riza Xhemal Kishta).

 Koha dhe vetëm ajo i vlerëson ose zhvlerëson njerëzit nga bëmat e kontributi i tyre (këtu Riza Kishtën e provoi koha disa herë dhe e çmoi, e vlerësoi meritueshëm, ndonëse me luhatje e vonesë nga strukturat tona miope). Mirëpo Riza Kishtën, e ndoqi dhe i besoi deri në fund, madje edhe sot, populli i zgjuar, trim, besnik, punëdashës e hallexhi i Gramshit me peripecitë e shumta, duke u strehuar me rrezik koke për 18 muaj si rrallëkush, aq sa që me të drejtë autori ynë objektiv, pohon përmes fjalës së urtë në fq. 148 të monografisë:

 ”Ai që të do, të fsheh edhe nën gjuhë!”

Së dyti,

Shkrimtari Meçan Hoxha, largpamës e i kompletuar në formimin e tij, jo thjeshtë profesionalo-shkrimor, por do të thoshja edhe psikologjiko-historik, e ka përjetuar thekshëm dramën e stërgjatur të Riza Kishtës dhe, duke e ditur mirë shkencërisht rolin e së vërtetës  relative (se absolutja nuk ekziston sipas fizikantit Anshtajn); na e ka portretizuar heroin-real, kompleks, historiko-antifashist e atdhetar të përveçëm të Riza Kishtës me maturi, durim, kohëzgjatje (e përsërisim, që  qysh nga 1994, siç pohon dhe vetë) duke hulumtuar e grumbulluar një mal me fakte historike arkivoro- burimore sa më të sakta, të shoshitura në sitën  e imët; përveç shumë kujtimeve të shkruara, të dokumentuara të bashkëpuntorëve, botimeve, fotove, faksimileve, rrëfenjave, debateve. Kryesisht të njerëzve të thjeshtë anekënd, brenda Atdheut e deri jashtë, që nga Gjirokastra, Dibra, Tirana, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Italia etj, deri tek familjarët e farefisi I  përndjekur apo çdo njeri i ndershëm që i thotë vetes shqiptar.

Prandaj monografia e autorit të aftë Meçan Hoxha është e plotë, e vërtetë,  objektive, origjinale në llojin e vet; madje edhe tërheqëse që të mban pezull me kërshëri e njëherësh ankth për lexim, rilexim, reflektim, sidomos sot e mot mot; kur një pjesë e shoqërisë sonë shqiptare, për fat të keq pjesa intelektuale, po hallakatet drejt rrymave kozmopolite (qytetar i botës e mohues i Atdheut), dixhitalizimit galopant, teknologjisë marramendëse artificiale etj, etj, kinse për t’u bërë “modernë”, duke harruar çuditërisht  qëllimshëm për rrënjëthellat tona nga burojnë realisht e etnikisht dhe ku po shkojmë qorrazi padrejtësisht!

Sikur vetëm kaptullin “Hyrje” të monografisë prej 124 të tillë, të zgjeruar, kuptimplotë, ilustruar e faktuar bollshëm, të rilexosh e  meditosh me vëmendjen e duhur e të përqëndruar fort; do të kuptosh shumëçka për këtë libër të realizuar kaq mirë prej 200 fq, i cili (sipas meje H.SH) konkuron dhe fiton pikësimin e plotë, pa asnjë mëdyshje, me çdo simotër monografi, biografi e autobiografi shkrimore të kësaj gjinie të prozës shqipe, veçmas e ritheksoj, të letërsisë dokumentaro- memoralistike.

Autori ynë Meçan Hoxha  me sinqeritet të hapur për lexuesin e paanshëm, tregon mirëfilli motivet pse e shkroi këtë monografi të dashur dhe të saktë për personalitetin publik e politik rrezatues dyplanësh në kohë e hapësirë të Riza Xhemal Kishtës, i përfolur, anatemuar, simpatizuar, i iluzuar  mbi 1 shekull  në trevën e Gramshit e më gjerë.

Motivi strumbullar i lëmit shkrimor të shkrimtarit Meçan është e vërteta historike shoqërore e personalitetit të  Riza Kishtës; motiv tjetër, biles kryesori, është se: Rizai me vlerat e tia atdhetaro-antifashiste e njerëzore- humane të shkallës së lartë, me guxim e trimëri burri mbi burrash, ndaloi vëllavrasjen në Gramsh e periferi në trazirat kohore e të pasojave shkatërruese të të dy Luftërave Botërore (qysh nga viti 1918 e deri më 1949-ën, kur u shua fizikisht  por jo mendërisht e idealisht…)

 Riza Kishtën e provokuan, e shanë, e anatemuan si tradhtar, armik e përçarës edhe në vitet ’60-’65 deri në ’90 –tën e pas ’90 –ës, ata/ato, njerëzucët e shitur e të blerë prej dy palë regjimesh, shpirtzinjtë. Ambiciozët, të paaftët, hipokritët, dritëshkurtërit që na janë sjellur e po na sillen  ende nëpër këmbë si ai litari ters i Pojanit edhe përtej varrit!...(nëse shprehem metaforikisht).

Autori Meçan na e shkoqit sheshit lajtmotivin e hartimit të kësaj monografie jo të lehtë për t’u ideuar e dokumentuar e më pas shkruar kaq analitiko- sintetike e bindëse, duke na parafrazuar qartazi thënien brilante të Aristotelit: “ Platonin e kam mik, por më mik kam të vërtetën.”

Komenti është i qartë porsi drita e diellit!

Mirëpo, ata/ato dhe këta, falsifikatorë të së vërtetës historike rreth Riza Kishtës, çfarë nuk kanë shpifur e sajuar kuturu për figurën e tij si psh: shfrytëzues, kryeballist, kriminel, kryetradhtar që duhej vrarë.

Madje, një katranzi u vetëlavdërua në mexhlis  (diku në popull) në vitet 1965, kinse ai vrau Rizanë, shih faqen 89  të librit, helmin prej nëpërke shullani! Kurse në fakt Riza Kishta ka qenë e mbetet tashmë personalitet në tërë kuptimin e fjalës, inteligjent nga natyra, i shkolluar, 2 herë deputet në kohën e Mbretërisë, kandidat për deputet edhe pas Çlirimit, më 2 dhjetor 1945 ( edhe pse s’pranoi, por ama fitoi votat e popullit).

Figura e tij gjithnjë rrezatonte bujari e mirësi për të varfërit dule i ndihmuar, deri edhe me lekë xhepi të vetat, me ndihmesë direkte për shkollat shqipe nëpër fshatrat përveç vendlindjes Kishtë, për rrugët, mospagimin e taksave për regjimin, etj, etj, ngaqë ishte rritur jetim fort herët,  por u shkollua me zotësi, doli e shërbeu mësues, sekretar administrate në kohën e mjekut atdhetar Refat Dyrmishi; oficer karriere 2 herë deri në shkallën e kapitenit të parë ( bile në kohën e L.A.N.Ç. -it, strukturat e kohës e graduan major) etj, gjë që eklipsonte dukshëm  agallarët e bejlerët zonalë të Vërçë-Sulovë- Shënepremte e deri në periferitë e tjera të Dumre ( Çërragë) – Myzeqesë.

 Pra, ai ka qenë personalitet i formuar porsi një bashkëpunues model, demokrat i lindur, nacionalist idealist, i lirë, me shpirt të pastër, kundër urrejtjes e luftës civile vëllavrasëse; jashtë cmirës, ambicjes, konfliktit. Dhe, kështu trimërisht si burrë qëndrestar, dhe frymën e fundit pa hapur gojën para xhelatëve të kuq në një qeli -skëterrë të kohës  vetëm 52 vjeçar, në kulmin e moshës e të energjive të veta kulmore.

Ma ka ënda të përsëris ( se përsëritja ka qenë e është mëma e dijes): tablo krejt e kundërt me të gjithë falsifikatorët e shpirtzinjtë e shpifur ka qenë  e është figura e Riza Xhemal Kishtës, me atë fisnikërinë e tij të spikatur tërësisht e gjithandej ku i ka shkelur këmba, qysh  fëmijë jetim, shkollar i zgjuar, nëpunës i zoti administrate, oficer i sprovuar i ish  Mbretërisë, komandant Balli, bashkëpuntor besnik i Frontit e mbi të gjitha atdhedashës deri në vdekjen tragjike!

Së treti,

Libri monografik i sukseshëm i autor Meçanit, përpos dokumentacionit faktik e arkivor  të pasur që sjell  bindshëm  për të portretizuar Riza Kishtën  në kompleksitetin e tij  mentalo-subkoshient në çdo situatë e rrethanë  që ka lëvizur e deri internuar në një provincë të Bergamos së Italisë; më kujton kësisoj disa libra cilësorë të kohës së kaluar si psh:”Falsifikatorët e historisë”, “ Konspiracioni i madh kundra Rusisë”, “Lufta e Spanjës”, “ Mukja, shans i bashkimit, peng i tradhtisë”, studimet specifike për luftën civile në disa zona të Shqipërisë etj, etj.

Kjo edhe për faktin se stili i autor Meçanit dhe fjalori politiko-letrar i përdorur i përshtatet  tekstit ashtu sikurse peri i duhur gëzofit, nëse shprehem figurativisht. Konkretisht, në mjaft faqe e sidomos paragrafë tipikë ( si psh, fq. 82-83, etj), autori  ynë në fjalë e portretizon thjeshtë e objektivisht ushtarakun e denjë Riza Kishtën pa elozhe, lëvdatë, as subjektivizëm fluid, por ashtu siç ka qenë në fakt personaliteti i Rizait, dmth si një rreze drite e shprese, i kudondodhur sipas rrethanave në atë kohë të errët të pushtimit nazifashist të vendit dhe veçanarisht Gramshit si pikënyje nevralgjike e grupimeve sociale kundërshtare nderluftuese( përbrenda e jashtë qendrës si psh. zona e Vërçë- Kodovjat- Shënepremte- Sulovë, etj deri në periferitë e Mokrës, Dumresë, Myzeqesë).

Portretizimi  i personazhit kompleks historiko- shoqëror të R.Kishtës është si të thuash një sintezë e denjë shkrimore e realizuar qartazi sipas meritave e aftësive që ka patur Ai.

Nuk është  thjeshtë vetëm portreti fizik i Rizait aq simpatik, njerëzor, mirëdashës, befasues… qysh në kopertinën e gjetur enkas  të librit dhe më tej me uniformat ushtarake të kohës, që na tërheq  si lexues e analizues.

Mbi gjithëçka portretizimi i tij tipik psiko-moral në çdo rrethanë e punë shtetërore, ushtarake, civile, kombëtare, realizuar mjeshtërisht  nga aftësia e shkrimtarit Meçan Hoxha na dritëson për ta njohur thellësisht historinë reale të asaj kohe të zezë e hakmarrëse, kur ra viktimë e pafajshme e ish regjimit komunist.

Rizai vetë, e shoqja Refadija, fëmijtë: Xhemali, Burbuqja, Skënderi, Qaniu e Kujtimi , plus nipi besnik Shazimani; pa harruar kurrësesi miq e shokë e njerëz të thjeshtë e tërësisht të pafajshëm që u internuan, torturuan, dënuan e u pushkatuan.

   Autori Meçan Hoxha  i përkushtuar maksimalisht, krahas optikës këndështuruese shkrimore- detajore tërërsisht objektive, e cila përshkron monografinë nga fq. 6-206; me vetëdije e pjekurinë e njohur që e karakterizon (ngaqë e përjeton tragjizmin e R. Kishtës  52 vjeçar, por shumë aktiv, dobi prurës familjar, krahinor, prefekturor e kombëtar i kohës); ndërhyn me takt llogjik  sqarues me të drejtën e autorit, duke përdorur me marifet disa sentenca me sens filozofik nëntekstual; rreshton po ashtu metaforën e ironinë sarkastike e shpotitëse (sipas vendit, rastit, episodit, konfliktit përplasës), për t’ua çjerrur maskën neveritëse   atyre tipave egoistë, servilë, puthadorës, shpifarakë dinakë të lloit File e Kadri Musai (at e bir) me suitën e tyre helmatike në vijimësi.

Nuk e quaj të tepërt, aspak zgjatje të këtij refleksioni studimor, nëse ia sugjeroj me plot dëshirë çdo lexuesi të zakonshëm, veçmas të kualifikuarve psh. fq. 81,84,95,101,102,103,104,105 106, 107, 108, 111, 127,126, 136, 139, 140, 142, 186, etj, etj.

Ku secili/a do të gjejnë qartazi sentencat e autorit.

Së katërti,

Thelbi i librit të bukur e të realizuar monografik (sipas meje H.SH.) janë tri mëdyshjet ( dilemat) e Riza Kishtës,  ku autori  M.Hoxha, mjeshtërisht me fakte, asrgumente, ilustrime nga A.Q.SH. –ja plus Muzeun Historik i Gramshit, plus kujtimet origjinale, plus rrëfenjat  anë e anës, na jep në mënyrën më shterruese formimin karakterial të R.Kishtës ( si ushtarak, si balancues i forcave më përparimtare  të kohës sipas tij, si njeri i pjekur, demokrat i vërtetë qysh në  gjenezë, human, bujar, zemërmadh…) dhe, do të shtoja, deri në shkallën e një prijësi a tribuni popullor mjaft i talentuar i kohës, i cili me shpenzimet e veta ngriti “Internat” në qendër të Gramshit, dmth, shkollë  për fëmijtë e fshatrave të largëta që të mësonin e të strehoheshin, edhe pse dashakeqësit e qëllimshëm ngritën një mal me shpifje të kota e farmak të hidhura.

Mirëpo Riza Kishta e Asllan  Shahini  kanë qenë njerëzit më të respektuar, të denjë, të dobishëm për Gramshin e asaj periudhe. Nën kujdesin e ndikimin direkt të R.Kishtës  u ngrit depo drithi në Gramsh; për të varfërit shpërndante të holla, përveç ndihmës me veshmbathje apo me makinën shirëse e bluajtse, për prodhimet e veta e të bashkëfshatarëve, përveç sigurimit të tokave për kullota dimërore të legjendës migjenaine të misrit etj, etj. Ja, bie fjala, një ilustrim  pikant: Në fq.39 të monografisë, nga fundfaqja tekstualisht shkruhet “ Aq i vlerësuar u bë Riza Kishta, sa dhe pas 70 vjetësh, siç tregon Shkëlqim Hoxha (ish –nënprefekt i Gramshit)  në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, zgjedhësit e komunave Kodovjat, Kukur, Poroçan, në protestë të kandidatit që ishte prej një rrethi tjetër, shpreheshin:” E duam deputetin të na njohij nga guna e jo të mos na dijë as fshatin.” Me këtë shprehje ata aludonin (kërkonin) për ish -deputetin Riza Kishtën.

 Veçanarisht kapitulli “Riza Kishta braktis Ballin dhe bashkohet me frontin Antifashist N.Ç.” na përshkruhet enkas bindshëm nga autori i përkushtuar M.Hoxha me material të mjaftueshëm arkivor A.Q.SH., studime e referime me peshë nga autorë të ndryshëm, kujtime origjinale të personazheve (bashkëpuntorë të Rizait, vendlindës, figura politike të  të dy krahëve Front dhe Ball) duke vënë në dukje se sa peshë e forcë bindëse konkrete ka personaliteti i R.Kishtës në vijueshmëri me intelektin, vigjilencën, besnikërinë, burrërinë e spikatur; me atë maturinë e tij për t’u përballur në çdo kusht e rrethanë izoluese. Falë këtyre virtyteve të përhereshme njerëzore, ky njeri i madh me plot kuptimin e fjalës, pra i mençuri R.Kishta, sfidoi ata/ato  lakejtë servilë e puthadorës të regjimit të P.K.SH. –së të prototipit të Kadri Musai, me pasues ( i biri i nopranit dhelparak File Musait), duke u hapur gjithnjë “rrugë”. Psh., edhe në zgjedhjet e para të 2 dhjetorit 1945, Rizai ironikisht u tha komisioneve: vereni emrin e Kadri Musait (!) të P.K.SH. –së  si e si për të shuar urat e zjarrit ambicioz ekstrem e çnjerëzor që kurdisnin për ta vrarë fizikisht Rizain…

Kësisoj, durimgjatë tejet i kujdesshëm, është treguar Rizai  edhe në ballafaqimet e mëparshme të grupimeve  në tërë Gramshin dhe periferitë; pra gjakftohtë, vigjilent, atdhetar zemër madh, i cili asnjëherë nuk donte përplasje, dëme, kurrsesi vrasje në popull. Riza Kishta brenda mundësive e mbrojti veten, edhe pse eci në tehun e shpatës; edhe pse eci guximshëm nëpër terrenin helmatik të gjarpërinjve të gjakut, derisa u mbiquajt për gjithçka bëri si më lart: Riza Efendiu (dmth, zotëriu mirbërës), Riza Ismaili (Kishta)   bartës me të drejtë të dy titujve cilësorë me të cilat ai nderohej nga populli gramshiot e periferik deri në skajet më të thella.  Ai mori vlerësimet pozitive edhe nga elitat e superstrukturës administrative të dy krahëve Ball e Front deri në shkallën  e antarit të Këshillit N.Ç  në ish Qeverinë demokratike të Beratit të vitit 1944, deri në gradat kapiten i parë, komandant Balli, major në grupimet nacionaliste…gjëra konkrete të dokumentuara duke e bërë Rizain  edhe më të fortë, tamam si ortek mali  në çdo situatë, konflikt, kurth, babesi, intriga, etj, etj. Shkurt: autori Meçan në mbyllje të këtij kapitulli kyç (krahas tri mëdyshjeve, dilemave ) na e jep qartësisht porsi drita e diellit (e cila ndriçon paanshëmrisht njerëzimin, ashtu sikurse lajtmotivi profesional i shkrimtarit tonë M.Hoxha.) se  Riza Kishta, krahas dritëhijeve të tia bashkëshoqëruese, u kushtoi me bindje e vetëdije jetën e vet (për fat të keq të shkurtër…!) Atdheut, Lirisë dhe Përparimit, donte posaçërisht shtet ligjor, demokraci të pastër, të vërtetë, perëndimore; ashtu si të spikaturit nacionalist  idealistë shqiptarë të asaj kohe, prandaj e çmonin, e frymëzonin, e vlerësonin figurat e shquara elbasanase të plejadës sikurse Lef Nosi, Et’hem Haxhiademi ( ish –kryetar i Bashkisë së Elbasanit), Alush Lleshanaku (major ushtarak) Sotir Paparisto etj duke mos harruar krerët Mit’hat Frashërin, Ali Bej Këlcyrën etj.

Gjithashtu R.Kishta ka qenë antifashist deri në pikën e fundit; ka qenë antikomunist i thekur e i sprovuar në zjarrin e dy Luftrave Botërore, zhgënjyer nga iluzionet premtuese të plot liderëve të paaftë të lloit Enver Hoxha, vegël e pansllavizmit pervers, që vrisnin prapa shpine më të zotët sikurse Mustafa Gjinishin, Nako Spirun, Dali Ndreun, Qemal Draçinin etj, etj.

Dhe…dhe, mjerisht e fatkeqsisht, çunat partizanë  që simpatizonte, i donte, i mbronte me çdo mënyrë që të mos vriteshin, as të lëkundeshin kursesi për Atdheun; e prenë në besë  Riza Kishtën burrëror, të paepur, duke sjellë si pako postale kopjative pansllave regjimin një partiak komunist për 45 vjet, pasojë tragjike e të cilit dëshmon viktimizimi i Rizait dhe i plejadës- ajkë të nacionalizmit dhe intelektualizmit  properëndimor shqiptar.

Së pesti,

 Përsa shkrova më lart, lilexo të lutem, o lexues/e  i/e vëmendshëm, edhe kapitulli “18 muaj në besë të miqve”; përmes të cilit mëson shumë çka se çfarë Burri mbi burrat ka qenë realisht Riza Xhemal Kishta (Ismaili) saqë populli që e donte aq shumë si një ndër bijtë e tij më të denjë, e strehoi zemërhapur, bujarisht, me rrezik  koke nëpër shtëpitë gramshiote e periferitë e rretheve afër nëpër ahure(qilarë), shpellat gurore përqark, kasolle të sajuara enkas, kudo…Si të thuash në formë të përsëritur të fjalës së mençur popullore:  edhe nën gjuhën e gojës si gjënë më delikate e të shtrenjtë ndër 5-7 shqisat që ka trupi njerëzor!

Madje, në fq. 139-142  të këtij kapitulli jepet bukur kontributi i Kapo Lenës, ish komandant i batalionit partizan të Vërcë-Sulovës,  i cili e ndaloi sadistin kulmor Kadri Musain, që kishte kurdisur  planin ogurzi për vrasjen e R.Kishtës; këtij gur-mulliri me peshë të rëndë fjale, buke, shpirti jetëdhënës për tërë krahinarinë gramshake me periferitë!

Kapo Lena besniku, për mikun me kokë siç e kishte dhe e quAnte, e strehoi në shtëpi të vet; gjest madhor për Rizain dimenSional me ato detyra mbi shpatulla që i barti dhe i kreu deri në fund të jetës, kryekushtuar Atdheut me dinjitet e ndershmëri të lakmuar nga çdo bashkëkohës.

Në realitet faktik, portretizimin moral e jo vetëm fizik, mbi të gjitha psikologjiko-social të Rizait e bëjnë aq saktë, objektivisht e besnikërisht 13 rrëfenjat kujtimore të bashkëfshatrëve, të kuadrove të lartë të të dy krahëve Ball e Front, veçmas njerëz të thjeshtë, biles rastësorë e të panjohur, por që reflektojnë  mesazhe ideore të vërteta.

Psh. në vitin 1936, kur Rizai ka qenë ish- deputet, ka financuar nga xhepi familjarët e një hallexhiu rastësor ersekas( kolonjar) për t’ia përcjellur kufomën e të afërmit të vet, vdekur në spitalin e Tiranës. Dhe mendo e gjyko” përcillet kufoma deri në vendlindjen e largët të Kolonjës, në ato rrugët rurale të kohës…” Më pas, familja e të ndjerit krahas falenderimeve me dorë në zemër, ia ka kthyer edhe të hollat ish-deputetit Riza ( i cili kreu gjestin e bamirsisë në çastin më kritik prej shpirtit human).

Sa e sa raste të tilla ka, të cilat pasqyrojnë largpamësinë karakteriale të Rizait dhe na zgjerojnë informacionin tonë përmes monografisë fort bindëse të shkrimtarit M.Hoxha. kur lexon e rilexon rrëfimet rrënqethëse kujtimore të mbesës Sabrie Koçi në fq. 177-181 të shpirtmadhit Riza, do të prekesh e bile lotosh në substancë; vetvetiu  do të thuash: a vritet vallë ai burrë fisnik si Riza Kishta që përpos kontributeve të çmuara atdhetare disaplanëshe, siç dihen tashmë nga monografia e nga popull; ai ka rrezatuar virtyte njerëzoro- humane si rrallë kush për çdo njeri; ama edhe për familjarët, farefisin e fisëm, shokë e miq  të besës me bamirësi zemre. Dhe pikë!

Të kuptohemi. Jo thjeshtë si ishte i kamur materialisht për kohën, por se ka qenë prej soji e fisi  të fisëm, xhins e I sojshëm, siç thotë populli. Madje,  me kulturë, horizont e prakticizëm jetësor, sprovuar qysh fëmijë I mbetur jetim, përplasur në zjarrin e betejave për  mbi jetesë  të atyre kushteve e pasuar deri në përballjen e pabarabartë për të bërë karrierë sfidante, rrethuar nga gjarpërinj gjaku zonalë e periferikë deri në shkallët më të larta të administratës së kohës.

Si rrjedhojë Riza Ismaili ishte dhe mbetet simbol i një burri të madh, të rrallë, të parapëlqyer, përsa reflektoj unë në mënyrë të përsëritur; frymëzuar nga gjithçka ka përshkruar me mendje të kthjellët e dorë në zemër autori i mirfilltë Meçan Hoxha.

Kujto vetëm episodin  e rivarrimit të eshtrave të të ndjerit Riza, pas 56 vitesh( mbas një odiseje vuajtjesh për të gjetur eshtrat, sic na rrëfen dhimbshëm nipi i denjë i gjysh Rizait, Hilmi Ismaili), me  pjesmarrjen e mbi 800 vetave në Çerragën e dashur bregliqeneve: do të bindesh dhe “gur” po të jesh, se ç’Njeri i duhur ka qenë, është dhe mbetet personaliteti kompleks Riza Efendiu, R. Kishta. Ndaj thuhet e do shkruhet proverbialisht se: Burri dhe kali vdesin në këmbë, në udhë tërë jetën e kurrë në gjunjë…Kësisoj shkruaj unë në poezitë e mia haiku prej vitesh, botuar në gazetat peridike “Durrësi bulevard”  dhe “Zëri i Gollobordës” etj. Kësisoj, Riza Ismaili ( Kishta) ndrroi jetë në qeli si hero pa hapur gojë! Qëndroi si një lis i moçëm rrënjëthellë e degë shumë i tokës heroike gramshake dhe i fshatit Kishtë, mbiemrin e të cilit djep vendlindës bart krenarisht ( pse jo dhe emblematikisht, sikurse burrat e motmotit…), duke u përballur fytas një jetë të tërë me stuhitë e rrufetë e pabesisë, hipokrizisë dhe ligësisë së tejskajshme të regjimit mizor monist hakmarrës i pashembullt në historinë e lashtë të Shqipërisë iliriko-arbërore.

  “Riza Ismaili, nuk lind nëna më!”  shkruan rrëfenjësi Zeqo Arapi, bashkëfshatari gramshak. Ndaj, rizai mbetet  pa mëdyshje ( sipas meje H.SH.) Hero mbi heronj, kompleks, vigjilent e I heshtur…për të cilin flasin e do flasin, meditojnë, shkruajnë, bile edhe imitojnë brezat gramshakë, elbasanas, shqiptarë, mbarëkombëtarë!

Së gjashti,

Autori Meçan Hoxha, porsi historian i mirfilltë  me argumenta e llogjikë të ftohtë shkrimore replikon e kundërshton hapur ndaj të pavërtetave të autorve Kadri Musai me shokë, me qëllim që të bindë së pari vetveten, si ish- drejtotr shumëvjeçar i institucionit kryesor muzeor të rrethit Gramsh; së dyti, për të qenë i hapur e ballafaques me lexuesin se si ka qenë e vërteta objektive e asaj kohe( ndonëse  mungojnë dokumentat origjinalë, kujtimet e drejtpërdrejta të pjesamarrësve; përveçse  të Xhemal Llallës, intelektualit të shkolluar,  i cili vuajti mbi shpinë me burgim ai vetë së toku me familjen etj, etj.(shih fq.98-101).

Sa e sa detaje, paragrafë të veçantë dhe tabllo reale të asaj kohe të informojnë objektivisht, prandaj libri monografik “Riza Kishta, emër që nuk harrohet”  është jo vetëm një vepër e plotë, e bukur në lloin e vet, por edhe mjaft e vështirë për t’u ideuar e realizuar kaq mirë dhe thuajse origjinalisht në kuptimin e saktë të fjalës; veçse nga autori dhe historiani i aftë Meçan Hoxha. Kjo vepër është gjithashtu një kronikë e saktë, e plotë, e përveçme në prozën  publicistike- memoralistike, sepse autori ynë me shumë durim e pasion prej shkrimtari, ka qëmtuar çdo lëvizje të personazhit R.Kishta në të gjitha etapat e jetës së tij fort të ngjeshur, edhe pse fatkeqe, e cila u shua në mes në moshën 52 vjeçare nga regjimi  sadisto – komunist që, siç e kanë mallkuar vetë ish-nacionalistët shqiptarë më në zë: fillon e mbaron me gjak!

Edhe tituli i monografisë të plotë me brendinë e librit, si kërkesë parësore e prozës së gjatë për binomin e ngjizur domosdoshmërisht formë-përmbajtje; sepse të gjitha mesazhet ideore historiko- sociale, që mësojmë dukshëm  nga kjo vepër 200 fq, e realizuar me kujdes të posaçëm mjeshtëror prej autorit Meçan, na nxit, mëson e madje na frymëzon ndër breza jo vetëm si personazh libror, por kryesorja si personalitet real, origjinal,  shumë shpirtmadh  siç ka qenë, është dhe vërtetësisht mbetet emër i paharruar me P të madhe Riza Kishta; ndaj me sinqeritet të plotë e përgëzoj autorin Meçan Hoxha, i cili e ka realizuar këtë libër të domosdoshëm historiko- dokumentar po edhe publicistiko- letrar, që zë vend denjësisht, përpos tjerash, edhe në biblotekat tona personale.

Konkluzion,

Dhe tani, në përfundim të kësaj analize sa më përmbledhëse që u përpoqa të bëj për librin fort të merituar të të aftit shkrimtar M.Hoxha për Riza Xhemal Ismailin ( Kishta ); ripohoj se: paska shumë të drejtë im vëlla Lulëzim Mustafa Shahinaj, inxhineri magistër, i cili  në  cilësinë e ish- nënkryetarit të Bashkisë së Elbasanit dhe më pas drejtor për infra-strukturën rrugore të prefekturës së Rrethit të Elbasanit, ka kontribuar shpirtërisht (përpos ekipit përkatës të Këshillit të Qarkut Elbasan) për ta nderuar emrin dhe veprën e R.Kishtës siç duhet dhe e ka merituar plotësisht. Për këtë vullnet të inxhiner Lulëzimit, e ka falenderuar me të drejtën mirënjohëse z. Hilmi Xhemal Ismaili, mes kontributeve të  tjera në kapitullin “Mbyllje” të monografisë fq. 202-206. Sepse, duhet pranuar katërcipërisht personaliteti i R.Kishtës, duket t’i jepej patjetër vendi i merituar në historinë e pasur gramshake e më gjërë; sepse personazhe aq të spikatur sheshit si Ai, ka nevojë ngaherë ky vend e kjo histori reale, që po ve drejtësi e vlerësim disi me vonesë, që t’u shërbejë brezave pasues për të mësuar  se cilët kemi qenë, sa sakrifikuam për të ardhur kjo kohë; për të aguar një tjetër Diell vlerash njerëzore, që janë e do jenë në fakt baza e piramidës së lartë e të pamposhtur në jetë të jetës të heroizmit shqiptar me emrin e kahmotshëm Qëndrestari. Sepse nuk është gjithçka arma, hekuri, tanku, tortura, kibernitika…por mendja dhe vullneti kulmor shpirtëror që mposht çdo pengesë.

Prandaj dhe libri  i plotë monografiko-biografik i autorit Meçan Hoxha është e do mbetet një Shtatore tjetër e gjallë për të vërtetin Riza Kishta, emrin që nuk harrohet..!

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page