top of page

Harresa e mistershme e Duro Gurit...


E shkruar nga Duro Guri

Harresa e mistershme e Duro Gurit,

intelektualit që kërkonte: “Bashkim të madh të pa ndarë”


Dr Fatmir Terziu


Në një nga numrat e parë të gazetës “Tomorri” (politike dhe letrare), që kishte filluar të botohej nga Lef Nosi Elbasan, është dhe një vjershë e shkruar nga Duro Guri. Vjersha është shkruar në Tuz dhe daton 20 Marsin e vitit 1910. Duke theksuar se Tuzi, është një qytezë me emër e asaj kohe të Malit të Zi dhe duke parë qasjen gjeografike, pasi shtrihet në juglindje të kryeqytetit Podgoricë dhe është qendër e Malësisë së Madhe në Mal i Zi, ardhja e kësaj vjershe për gazetën me emër në atë kohë, sjell në vëmendje mjaft kënde, pika të ndryshme vështrimi dhe qas në paritet mendimin se ky autor, tashmë kishte arsye të forta të ndodhej atje. Tuzi i asaj kohe sikurse dihet ishte kundër shkrimit të gjuhës shqipe me gërma arabe dhe ishte një nga ata intelektualë të edukuar që bënte kundërshti të thella më klubin “Mahfel” të Stambollit, i cili kërkonte që gjuha shqipe të shkruhej me gërma arabe.

Por çuditërisht më vonë, duket se ai dhe disa intelektualë të tjerë ndryshuan mendje në lidhje me kundërshtitë, dhe u bashkuan në heshtje e paqe me gjithë ata që në fakt dukeshin qartë se ishin fitimtarë të shkrimit të gjuhës shqipe sipas një standardi jashtë germave arabe. Nuk dihet se ai vetë kishte një aftësi të madhe në këtë proces, por dihet se ai ishte i fushës së drejtësisë, dhe mjaft zëra dëshmojnë se ai kishte ndihmuar me akte të mirëfillta ligjore në këtë pikë. Ai nuk del më shumë i qartë, përveçse poezisë së shkuar në një gjuhë shumë të qartë tek Tomorri dhe kështu deri në vitin 1920 ai mbetet pak a shumë në hije.

Në vitin 1920 u krijua Partia Popullore, e para parti shqiptare në histori. Kjo parti përfaqësonte rrymën antikonservatore, liberale, përparimtare. Në këtë parti shquheshin disa figura: Fan Noli, Ahmet Zogu, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri etj., mes të cilëve thuhet se bënte pjesë edhe Duro Guri. Ngjarjet e mëvonshme të politikës, fateve kombëtare, përfshirjeve dhe fshirjeve të mjaft emrave dhe ideve të tyre kanë sjellë në vëmendje të domosdoshme pikërisht edhe këtë emër, tek i cili nuk është thjesht arsyeja e botimit të një vjershe dhe dërgimit prej Tuzit, ku ndodhej në atë kohë, si thjesht një përshëndetje për atë gazetë të Lef Nosit. Arsyeja është tek emri dhe talenti i tij, tek ajo poezi që mjaft mirë mund të kishte në thelb edhe një vëmendje të duhur.

Fakti që nga 1920 deri 1924 pësuan kahje të ndryshme, rrokada e ulje ngritje, shumë qeveri e kryeministra tregon se shqiptarët, sidomos intelektualët asnjëherë nuk kanë pasur një qetësi në udhën, angazhimin, idetë dhe mendimet e tyre. Duke qenë mes dy zjarreve, një nga Porta e Lartë dhe një nga Jugu i Shqipërisë, ata shpeshherë të zënë ngushtë, kanë qenë të detyruar të shkojnë ose në Veri të Shqipërisë, Malësi e Madhe, Shkodër, apo dhe jashtë kësaj gjeografie.

Në vitin 1920 Ahmet Zogu u shpall nga parlamenti Zog I, Mbret i Shqiptarëve, Skënderbeu III dhe mjaft intelektualë u munduan të gjenin vetveten. Ndërsa ajo që ndodhi më pas me qershorin e 1924-ës, ku Fan Noli me mbështeteshit e tij udhëhoqi Revolucionin Demokratik të qershorit, duket se vuri më shumë lëkundje në pozicionet intelektuale. Disa filluan të fitonin më shumë liri dhe mendim. Në këtë kohë Duro Guri, ishte asokohe kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë.Ishte koha më dilematike, ajo pas riardhjes së Zogut në pushtet. Kjo kohë e kishte shtuar vëmendjen edhe ndaj Duro Gurit, që ishte mësuar se aai përdorte edhe penën dhe talentin e tij të shprehej më drejtë e më qartë.

Kështu krahas “mëkatit” të fjalës së tij të lirë, për të cilën ai u ndëshkua dhe u largua nga puna, ai kishte marë vërejtje të shumta edhe për mjaft poezi dhe shkrime të tjera të ngjashme. Poezia e botuar tek “Tomorri” ndoshta na jep pak dritë. Edhe pse është urim, natyrisht ajo ka shigjetat e saj. Ka në pamjen e tërsishme të mesazhit që përcjell një arsye të fortë. Duro Guri shkruan:


“O zëri malit të bekuar,

T’uroj këmbë n e mbarë,

T’i sjellç kombit të uruar,

Bashkim të madh të pa ndarë.

Te kërthiz’ e Shipënisë,

U çfaqe dale nga dalë

T’ju ndriç mënden djelmunisë,

Të së bekuarës Normalë.

Engjëllit paç ndihmëtarë,

Më mëdhetar i vërtetë,

Për këtë punën e marë,

Mos të lodhemi për jetë.”

(Tuz, Mars 20 1910; Duro Guri)


Ndoshta do të na mjaftojnë vetëm dy elementë të kësaj poezie, të kuptojmë se autori kishte mjaft atrsye në shpirt e në zemër t’i shprehte në këtë mënyrë: “Për këtë punën e marë/mos të lodhemi për jetë”. Pra, ishte një punë e e cila ishte tashmë një angazhim, dhe se kjo punë sipas tij hapte rrugën dhe e bënte më të lehtë udhën, pra nuk do të kishte më lodhje për gjuhën shqipe, nuk do të kishte më shumë vuajtje, që sipas tij, kupthet qartë kanë qenë mjaft të mëdha. Udha e “Tomorrit” e sidomos dalja në “kërthiz’ e Shipënisë” e bën akoma më të ndjeshme atë që ai e sjell si një mesazh e si një urim: “Bashkim të madh të pa ndarë”.

Por autori i këtyre vargjeve sublime, intelektuali, që guxonte nga Tuzi të ngrente zërin për bashkim kombëtar, do të kishte një fund të mistershëm. Një emër i tillë dhe madje jeta e tij do të fshihej thjesht brenda një nate. Arsyet i gjejmë në një material që natyrshëm flet për “gojën e tij të lëshuar”, atë gojë që fliste për drejtësi, liri, bashkim e prosperitet të Kombit shqiptar. Ai u shkarkua nga puna dhe kjo ndodhi nga dora e Ministrit të Drejtësisë Petro Poga, ndodhi me kërkesë të ministrit të Brendshëm, Ceno Beg Kryeziu. Kështu brenda pak orëve, brenda një kohe limit, Duro Guri, nuk ishte më kryetar i Gjykatës së Tiranës, por as edhe një person fizik në mesin e të tjerëve. Gjurmët e tij humbin diku “nga fabrika e Hobdarit”, thuhet në këtë dokument arkivor.

Duro Guri u fshi nga të gjitha memorjet. U zhduk dhe u harrua, por poezia e tij, “fjalët e gojës së tij të hapur” mbetën. E para në revistën e lënë në harresë të gjatë dhe e dyta në memorjet e disa të moshuarve, që lanë pas të thëna e realitet që zgjojnë jo thjesht kurreshtje, por mësim dhe arsye për të kërkuar më shumë. Ndërsa “Tomorri” i Lef Nosit, na la një datim, një gjeografi, një emër, një poezi, sadopak janë aty, diku në arkiva, fjalët si ngahera janë aty ku i ka përplasur era (Mister?). Ikja e Duro Gurit, harresa e tij, flet mjaft qartë për atë që ai e kishte në zemër e në gjak “Bashkim të madh të pa ndarë”


188 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page