top of page

Hapet teatri i Diasporës në VIENË

Updated: Dec 19, 2022




Hapet teatri i Diasporës në VIENË

Intervistë me Gjergj Jozef Kolën

Bashkëbisedoi Leon Lekaj


*-Gjergj Jozef Kola këto ditë ka ardhë nëpër rrjetet sociale me një lajm të mirë. Edhe nji herë, cili asht lajmi z. Gjergj?

Gj. J. Kola-Shumë faleminderit për vëmendjen z. Leon! Gzohem me nda me ty, se Lajmi i mirë i kulturës sonë qëndron në pagzimin për Krishtlindje të Teatrit të Diasporës.

*-Teatri i Diasporës? Dhe si asht emërtue ai?

Gj. J. Kola- ARBNORIILIRE.

*-Pse arbnoreilire, z. Kola?

Gj. J. Kola- Në kohën e pushtimit osman, arbnorët që jetojshin në perëndim ishin të vetmit të lirë. Prejt tyne lindën edhe gjenitë e kombit në Diasporë apo u formuen aty. Shqiptari lindi në pushtim, aty nga fundit i shekullit të XVIII, ndërsa arbnori ishte gjithmonë i lirë. Mjafton me kujtue se në kuvendit e Arbnit, më 1700 flitej vetëm për arbnore, e Arbni e termi Shqipni e shqiptar, ende nuk kishte dalë.

*-Cila asht randësia e ktij emërtimi, sipas jush.

Gj. J. Kola-Ky emën ka randsi te madhe fort, sepse ruen atë hallkën e evolucionit tonë si komb. Ndeshem perditë me përpjekjet gati të mbinatyrshme të albanologëve gjermane, me vertetue se arbnoret rrjedhin prej nji degezimi t’ Ilirëve, si të vetmit të mbijetuem.

*-Kur mendohet se Teatri i Diasporës do t’ hapë siparin për bashkëatdhetarët tanë me banim në Austri e ma gjanë?

Gj. J. Kola-Ky teater po e hapë siparin tashma me 22.12.22, dy ditë para natës së Krishtlindjes, me dramën epistolare: URIME PER KRISHTLINDJE për të cilën asht angazhue edhe nji trupë mjaft simpatike artistësh nga atdheu e nga Diaspora. Mjafton me përmendë këtu “Mjeshtren e madhe” Lejla Agolli, pianisten virtuoze Enxhi Rroji qe luan bashkë me të bijën, si dhe kangataren lirike paar Excellence Gesu Zefi, nga shkolla e famshme lirike e Milanos.


*-Z. Kola, arti në Europë dhe nëpër botë po kalon çaste të vshtira në aspektin ekonomik. Si ka mendue Gjergj Kola ta shkapërcejë ktë barrierë?

Gj. J. Kola- Pandemia ishte njiherësh pengese porse edhe nji mundësi per artin. Mbas kapërcimit të saj, dyert e dritaret për artin ne Austri u hapën prep, e mjafton me paraqitë projekte serioze dhe gjen mbështetje gjithandej nga institucionet. Natyrisht që këtu duhet edhe angazhimi yt i përditshëm me ia arritë qëllimit. Konkretisht, Teatri i Diasporës ARBNORIILIRE ka gjetë mbeshtetje financiare për sallën dhe zyrat në mbarë vitin 2023. Ndërsa për premierat e ndryshme të AUTORËVE SHQIPTARË, po punojmë me sponsor privat që t’i marrim në “anijen” tonë.

*-Po ministria si dhe institucionet e shtetit shqiptar a kanë dhanë ndonji sinjal për ktë ngjarje?

Gj. J. Kola- Ministria e diasporës e Shqipnisë asht pothuejse inegzistente për ne. Botohen disa libra, vetëm me justifikue fondet, libra që nuk i lexon askush, nuk i shpërndan askush, e nuk i merr askush, sepse në perëndim nuk mundesh me u msue fmijve që rriten me gegnishte në familje, standartin e Kostallarit & com. Nëse në Shqipni ndodh ky gjymtim, ne të diasporës i kena marrë në mbrojtje, vedin e fëmijët tanë nga ky standart artificial.

*-Që nji teatër të mbijetojë, kërkon një trupë, qoftë kjo edhe minimale. Ku mendoni se mund ta gjeni burimin e tyne?

Gj. J. Kola-Diaspora ka nji burim të jashtzakonshëm e të pakufishëm me artistë, të gjitha moshave, sic shifet edhe në dramën premierë, të cilët vetëm presin oferta serioze e cilësore. Kompozitorja Lejla Agolli, “Mjeshtre e madhe” do të na gëzoje me tingujt e saj në melodinë e kangës “MALL”, të këndueme nga Frederik Ndoci. Enxhi dhe vajza e saj Maki gjithashtu, do na e zbukurojnë premierën me muzikë e kangë të Krishtlindjes. Kangtarja lirike Gesu Zefi, e laureume në konservatorin e Milanos, pjesmarrse për gjysë dekade në festivalin e filmit në Venecia, e priti me gzim rolin e bijës në dramë gja, e cila më gzoi shumë.

*-Po autorët, të cilët do të dëshirojnë të shkruajnë diçka për Teatrin e Diasporës, si do të trajtohen?

Gj. J. Kola- Për autorët kanë me u ndjekë kriteret që ndiqen në perëndim, e ma konkretisht në Austri. Kontrata që kam ba unë personalisht, me Teatrin për F&R të Maqedonisë së Veriut për dramën time “Requiem për Musine Kokalarin”, ka qenë nji shembull i tillë. Aty edhe jam pague, ndryshe nga eksperienca që kam pasë me teatrin “Migjeni”, të bashkisë së qytetlindjes, ku autorit i kërkohet me pague, sot në shekullin e XXI. Pra, ne zgjedhin autorin vetëm me anë të cilësisë dhe e paguajmë atë, se vetëm kështu mund t’i hapet rrugë cilësisë.

*-A do të luajë Teatri Arbnoreilire pjesë të autorve të huej?

Gj. J. Kola- Jo z. Leon, definitivisht, jo!

Ky asht teatri i Diaspores shqiptare, e ai ka me vu në skenë vetëm autorë shqiptare nga trojet tona në Ballkan e kudo në botë. Kriteri ka me qenë vetëm cilësia. Tek ne nuk ka me ndodhë si në disa teatro shqiptare, ku bahet cfaqja me shpenzime të taksapaguesve e nuk vijnë as “Gjashtë personazhe në kërkim të autorit”, sic thotë drama e famshme e Pirandelos. Pra teatri ynë nuk ka me qenë kurrë “lavatrice taksapaguesish”.

Disa herë kam mbrojtë mendimin se ne si komb, bota mundet me na ndihmu me gjithcka materiale, por jo shpirtnore. Shkrimtarët dhe artistët duhet me i kriju vetë kombi, përndryshe ai vdes.

Kombi asht lulja e artistat, rranja.

*-Cilat janë planet tuaja për të ardhmen, z. Gjergj?

Gj. J. Kola- Projektet e 2023 janë ato që lidhen me teatrin dhe me letërsinë. Me teatrin në pranvere kemi të ftuem në Austri trupën e teatrit të F&R te Maqedonisë së Veriut, me dramën "Requiem për Musine Kokalarin", dramë kjo që përfaqsoi kombin tonë në natën europiane të teatrove, e u kunorzue me nji seri diplomash për Autorin, vete teatrin, aktoren Valdeta Ismaili e Drita Kaba Karaba, si dhe regjizorët e dramës Genti Cajani e Murat Zherka.

Projekti i dytë mjaft ambicioz, asht ai i ballafaqjes se romancierëve shqiptarë me romancierë austriakë ne Vjenë. Per kët ngjarje artistike kena ftue disa romancierë shqiptarë të cilët i janë pergjigjë mjaft pozitivisht, si z. Visar Zhiti, z. Leon Lekaj, z. Rudolf Marku, z. Marcel Hila, znj. Flutura Acka...e kjo na ka gzue me të vërtetë.

*-Çfarë tjetër do të kishte me shtue, Gjergj Kola në ktë bashkëbisedim?

Gj. J. Kola: -Sot asht e vshtirë me botue. Madje edhe në revistat virtuale duhet me plotësue disa kushte, ndryshe nuk të publikojnë. Duhet mbi të gjitha të hjedhësh vallet që kërkon pseudo-botuesi, e kjo mjerisht, nuk ngjet vetëm me establishmentin, porse edhe me gjoja të pamvarunit, gja, e cila më trishton shumë. Nuk mendoj se këta “botues” shofin vlerat e artit e letërsisë në esencë, porse tarafin. Prandaj na duhet nji teatër i pamvarun, i cili ka me trajtue deri në thelb problemet aktuale të shoqnisë sonë, lerg establishmentit, lerg amatorizmit, tallavasë e korruspionit, që ka pushtue Shqipninë.

Ty të jam mirnjoftës z. Leon, per kët intervistë spontane, gja e cila më jep shpresë se, e bukura ndër ne vazhdon e ruhet e Diaspora asht nji shembull i mirë, kur Athina e Vjena bashkpunojnë.

Ky teatër ka me qenë si nji “za që thërret në shkretinë: hapeni rrugën, bahuni gati, se ai që vjen mbas nesh ka me na nxjerrë në dritë“. Pra misioni i këtij teatri asht me i hapë rrugën nji brezi të ri, që ka me nxjerrë në dritë kombin tonë.

*-Ju falënderoj z. Gjergj!

Gj. J. Kola- Ishte knaqsi bashkëbisedimi me ju! Edhe unë ju falënderoj!

62 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page