![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_2f64f3011cfc44ba9d8b814c1d27a658~mv2.jpg/v1/fill/w_415,h_599,al_c,q_80,enc_auto/a48dbc_2f64f3011cfc44ba9d8b814c1d27a658~mv2.jpg)
Ajo që bëjnë mësueset shqiptare në emigracion është me të vërtetë një heroizëm dhe duhet tua dimë për nder që kanë punuar dhe sakrifikuar si askush tjetër. Ky është edhe një frymëzim për ne që të fillojmë dhe ta vazhdojmë qoftë edhe kështu. E kemi dëshirën të vazhdojmë në këtë rrugë.
Një bisedë 13 vjet të shkuara mes tri mësuesesh që i dhanë shpirt mësimit të gjuhës shqipe në mërgimin grek...
![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_4fced34bcec04235923d322b69ce9d3b~mv2.jpeg/v1/fill/w_876,h_901,al_c,q_85,enc_auto/a48dbc_4fced34bcec04235923d322b69ce9d3b~mv2.jpeg)
Diana Muçi ku i ka themelet e të parëve?
Origjina nga Korça, nga Sinica e Korçës
Ke ardhur në Durrës nga...
Larisa.
Jeni diplomuar si mësuese e ciklit të ulët në Elbasan. E keni ushtruar profesionin?
Po. Tre vjet.
Ku ?
Në Berat, në Kuçovë.
E ushtrova profesionin, e le, ike dhe tash donë të kthehesh përsëri tek profesioni ?
Po.
Çfarë do të donit ju që të tjerët të ju ndihmonin të kishit një klasë, modeste, me disa banka, me ca mjete mësimore, le të jenë pak edhe të vjetra por të mbushura me nxënës të etur për të mësuar?
Çfarë do doja unë? Do doja të kisha edhe pesë nxënës, vetëm të kisha mundësi të ushtroja profesionin. Në fillim nuk e kisha aq me pasion tim sepse drejt nga shkolla fillova punë edhe nuk arrija ta kuptoja se çfarë bëja. Tani, me kalimin e viteve dhe duke qenë e larguar nga ky profesion e quaj gjënë më të mirë që mund të bëj për fëmijët. Për fëmijët e mi dhe për fëmijët e të tjerëve. Jam entuziaste, kam dëshirë të madhe dhe dua ta ushtroj profesionin tim. Cila është ndjenja juaj kur e sheh veten midis një grupi mësuesish të moshave të ndryshme dhe të përvojave mbarë evropiane në mësimdhënien shqip të fëmijëve ?
Është një kënaqësi e madhe sepse kisha harruar kush isha, kisha harruar se për çfarë kisha mbaruar. Isha marrë vetëm me jetën time të ngushtë, me punët e rëndomta të emigrantes dhe nuk e përfytyroja rastin që të jem pjesë e një seminari me kaq hapësirë dhe kaq përvojë për edukimin e fëmijëve të emigrantëve. Mësova se çfarë kanë bërë të tjerët në Evropë, çfarë kanë bërë vajzat e tjera në Greqi. Unë nuk i dija këto gjëra dhe mund të them se ishte një përvojë jashtëzakonisht e madhe. Ajo që bëjnë mësueset shqiptare në emigracion është me të vërtetë një heroizëm dhe duhet tua dijmë për nder që kanë punuar dhe sakrifikuar si askush tjetër. Ky është edhe një frymëzim për ne që të fillojmë dhe ta vazhdojmë qoftë edhe kështu. E kemi dëshirën të vazhdojmë në këtë rrugë.
Çfarë përfitove nga ky takim ?
Shumë gjëra.
Veçanërisht ?
Veçanërisht nga përvoja e vajzave të Greqisë që kanë punuar. Nga mënyra e organizimit të shkollave në vendet e tjera evropiane. Atë që duhet të luftojmë ne për të marrë përkrahjen e shtetit shqiptar dhe të shtetit grek. Por, megjithatë hapat e para duhet t’i bëjmë vetë. Përveç atyre që lidhen me anën pedagogjike dhe të mësimdhënies.
MIMOZA DAKO DHE MARINELA DURI...
Këtu ishte ndërprerë biseda ime me Dianën. Shiriti magnetik kishte regjistruar një tjetër bisedë. Marinela Duri e ardhur nga Korinthi, Mimoza Dako e ardhur nga Selaniku dhe Diana Muçi e ardhur nga Larisa kishin humbur në botën e kujtimeve të tyre, kujtime që lidheshin me gurët e sokakut në vendlindje dhe me hapat e parë në vend të huaj. Ja çfarë kishte regjistruar diktofoni në atë moment nostalgjik...
Diana Muçi: Në Kuçovë jam lindur dhe jam rritur. Mbaj mend gurët e sokakut, herët, shumë herët, se kur u rrita më vonë u asfaltua rruga. I shoh në ëndërr natë për natë, siç ishin para se të shtrohej rruga. Dhe më ka ngelur dhe pyes veten pse pikërisht gurët e sokakut më dalin herë pas here në ëndërr?
![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_0d35c2afee0847c3b83d32af870fbf36~mv2.jpg/v1/fill/w_660,h_330,al_c,q_80,enc_auto/a48dbc_0d35c2afee0847c3b83d32af870fbf36~mv2.jpg)
Mimoza Dako: Unë shikoja klasat në gjimnaz, vetëm ato. Një ankth provimesh, matematikën, gjithmonë ajo më dilte.
Marinela Duni: Mua më dilte ylli. U zhgënjeva sepse e para e punës erdhi burri të më merrte dhe desha të marr pajën, isha e fejuar, thashë ti marrim me vete. Ka gjithçka atje. Shkova atje dhe u strehuam në apothiqin e një shtëpie ku kishte një tavolinë të sajuar vetë, batanijet ishin të pista, nuk kishim as çarçafë dhe asnjë gjë. Ditën tjetër blemë çarçafë dhe një jorgan sepse ishte dimër. Gjithë javën punonte burri, blinim dhe nuk na ngeleshin para...
Mimoza Dako: Mbaj mend kur kemi dalë me Edin herën e parë në qendër, bënim shëtitje dhe nuk largoheshim se nuk mbanim mend rrugën për tu kthyer... Shohim se po zbritnin dy infemjere të Nënë Terezës me një qese. E morëm. Bile që atëherë e kam ruajtur një batanije leshi. Ishte koha e mbijetesës...
...Biseda vazhdonte. Me intimitete të jetës, me vështirësitë e hapave të parë, me luftën dhe mbijetesën.
Ndoshta një ditë, shumë shpejt, madje siç e kam përshkruar drejtpërdrejt në shumë intervista me mësueset shqiptare në emigracion, do të kem të regjistruar në shiritin magnetik intimitetet e hapave të parë të gjuhës shqipe në Greqi, orët e para të mësimit në “apothiqet“ – klasa të gjuhës shqipe. Në fakt kjo ka filluar, është e pranishme në biseda, e pa regjistruar...
Abdurahim ASHIKU
Comments