Artan Cuku në librin me 50 vrasjet më të rënda në botë për arsye shtetërore
Nga Halil Rama
"Mjeshtër i Madh"
· 50-vjetori i lindjes – Si e vlerësojnë Artan Cukun drejtuesit e lartë të Policisë: Ahmet Prençi, Dr.Hasan Shkëmbi, Pashk Tusha e Tonin Vocaj
· Emrin e dëshmorit të Atdheut mbajnë institucione e rrugë kryesore të Peshkopisë, Kamzës e Durrësit
Rrallëkush si ish-drejtuesi i Parë i Policisë së Shtetit, Artan Cuku, ka fituar pavdekësinë pas vrasjes për shkak të detyrës nga falangat e krimit të organizuar. Vlerësimi i dëshmorit të atdheut Artan Cuku, i përfshirë në librin me 50 vrasjet më të rënda në botë për arsye shtetërore të titulluar “Faces os Assassination” (“Fytyra e vrasësve”), të hartuar nga një grup ekspertësh nga e gjithë bota dhe të botuar nga organizata prestigjioze “Iniciativa globale kundër krimit transnacional” (“Global Initiative against Transnational Organized Crime”) me qendër në Gjenevë të Zvicrës, përveçse akt juridik dhe politik, është dhe detyrimi moral i institucioneve qendrore shtetërore dhe vendore shqiptare.
Parë nga ky këndvështrim, shokët, miqtë, bashkëpunëtorët e shumtë dhe familja e tij, kanë vlerësuar vendimet për shpalljen e Artan Cukut “Dëshmor i Atdheut” nga Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” (me vendim nr. 770, datë 02.04.2019) dhe dhënien e simbolit “Familje e Dëshmorit të Atdheut” familjes së tij; akordimin nga Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani i “Dekoratës së Artë të Shqiponjës” (pas vdekjes), si dhe akordimin nga Ministri i Brendshëm i ”Medaljes së Nderit” pas vdekjes, me motivacionin ”Për merita dhe shërbime të veçanta në luftën ndaj krimit, sigurimit të rendit e të qetësisë publike” (me Urdhrin nr. 464, datë 12.06.2017).
Këto, në nivel qendror, por padyshim, jeta dhe vepra heroike e Artan Cukut është vlerësuar e përjetësuar edhe nga organet e qeverisjeve vendore, si nga Këshilli i Qarkut Dibër e këshillat bashkiakë Peshkopi e Kamzë, duke i dhënë atij titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes), si dhe duke emërtuar institucione e rrugë kryesore me emrin e tij. Dhe nëse Këshilli Bashkiak Kamzë, me vendimin Nr. 24 datë 18.02.2022 vendosi emërtimin “Artan Cuku” të Pallatit të Kulturës Kamzë, Këshilli Bashkiak Durrës, me Vendimin nr.35, datë 16.04.2024 ka miratuar emërtimin e Rrugës “Artan Cuku”, me vendndodhje në Lagjen nr. 2, Njësia Administrative nr. 1 e qytetit bregdetar.
Ky vlerësim më i fundit, për përjetësimin e veprës së dëshmorit të atdheut Artan Cuku, bazohet në rezultatet e tij si ish – Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Durrësit në harkun kohor të viteve 2003-2004. Referuar analizës vjetore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, shtypi i kohës shkruante se: “Shefi i Policisë Kriminale Artan Cuku ka rezultuar si ‘Heroi i vitit 2003’, pasi ka qenë dhe mbetet më rezultativi në luftën ndaj krimit. Ana tjetër e medaljes pas leximit të raportit të (ish) kryekomisarit Tonin Vocaj, ishte evidentimi i arritjeve, pikërisht të kryepolicit të krimeve Cuku, i cili pas ardhjes së tij 8 muaj më parë në Durrës, ka rritur ndjeshëm efektivitetin e punës, duke arrestuar 50 persona më shumë se në vitin 2002, të shpallur në kërkim.”
Edhe Tonin Vocaj që e ka njohur nëpërmjet punës, pohon se jo vetëm ai, por edhe shumë kolegë mund të evidentojnë me dhjetëra e dhjetëra raste të protagonizmit të Artanit në hetimin dhe zgjidhjen e shumë çështjeve që konsideroheshin të vështira. “E them me bindje, se punonjës policie të tillë si Artan Cuku, me dhunti të jashtëzakonshme në fushën e hetimit të krimit, është vështirë që të gjenden. Artani kishte intuitë dhe orientim të jashtëzakonshëm në ngjarjet kriminale dhe mbi të gjitha kishte vendosmëri dhe zgjuarsi për ta çuar hetimin deri në fund”,-shprehet Tonin Vocaj.
Ndërsa Ahmet Prençi, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit (ndër më të suksesshmit e një organi të tillë të lartë ligjzbatues dhe më i respektuari nga ish-vartësit, kolegët, miqtë e shokët e tij të shumtë), në një letër të pazakontë, kur nga bota e të gjallëve i shkruhet dikujt në botën e përtejme ndër të tjera shkruan: “Sakrifikove shumë për ligjin Artan, dhurove gjithçka për rendin në këtë vend me plot halle e derte; njerëz si ti ishin të rrallë, por njerëz si ti ngjallnin besimin për një të ardhme më të sigurtë, më të mirë…Vendi kishte dhe ka nevojë jo për Habilajt, as për Balilajt, as për trafikantët dhe grupet e organizuara që bashkëqeverisin me pushtetin, vendi kishte dhe ka nevojë për njerëz si ti Artan, të përkushtuar, të vendosur, vetëm në anën e ligjit dhe të njerëzve të thjeshtë e hallexhinj të vendit tim, të vendit tend…”.
VLERËSIMET
Në kujtimet e tij, Dr. Hasan Shkëmbi, ish – Drejtues i Parë Policie dhe ish – Pedagog në Akademinë e Policisë, ndër të tjera shkruan se: “Në fundin e vitit 2002, për aftësitë profesionale të shfaqura në Shkodër, Artani përzgjidhet nga titullarët e Ministrisë së Brendshme dhe transferohet në detyrën si Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, qytet ky shumë problematik në atë kohë, ku si një vend bregdetar, përveç krimit të rrugës ushtrohej një veprimtari dinamike e trafiqeve dhe krimit të organizuar.
Eksponentë të rëndësishëm të krimit u goditën në atë kohë. Persona të rëndësishëm të botës së krimit me lidhje politike u përballën me reagimin e fortë të policisë. Artani ishte ideatori dhe drejtuesi kyç i këtyre aksioneve të fuqishme, por nga ana tjetër filluan edhe angazhimet e personave me influencë politike të lidhur me botën e krimit për ta lëvizur nga ky qytet. Këtë detyrë ai e mbajti deri në vitin 2004 për t’u transferuar në qytetin më të largët verior. Gjatë periudhës që Artani qëndroi në detyrën e shefit të hetimit të krimeve, u cilësua nga shtypi i kohës si “Heroi i vitit”.
Pasi bën një rezyme të karrierës së shkëlqyer profesionale dhe akademike, ish pedagogu i Akademisë së Policisë e vlerëson Artan Cukun si ekspert hetimi ekselent dhe drejtues të talentuar të Policisë. Impresionet e jashtëzakonshme dhe vlerësimi për dimensionin, vlerat morale e intelektuale dhe profesionale, talentin dhe madhështinë e figurës së Drejtorit të Policisë Artan Cuku, e çojnë Dr. Hasan Shkëmbin deri atje sa që në mënyrë metaforike ta krahasojë atë me një trup qiellor të shndritshëm, “Meteor” të pashuar që vezullon e lëviz në sistemin tonë diellor. Shpirti i tij prehet në paqe atje lart në univers.
“VRASJA MORALE”
Drejtues i Parë Pashk Tusha, ish drejtor i Policisë, Qarku Durrës, ndër të tjera vlerëson se gjatë karrierës së tij në polici nuk ka njohur oficer pasionant, të palodhur, me inteligjencë operative të mprehtë, me njohje në thellësi të Kodit të Procedurës Penale si Artan Cuku. Bazuar edhe në këtë vlerësim të tij, vendimi i Këshillit të bashkisë Durrës për përjetësimin e veprës së dëshmorit Artan Cuku është më se i drejtë. Kjo për faktin se z. Tusha thotë me bindje të plotë se nuk është zbuluar asnjë vepër penale gjatë kësaj periudhe në komisariatin e Durrësit pa mendjen e këtij oficeri.
“Aftësitë e veçanta për marrjen e informacionit, mënyra e menaxhimit të sektorit të Policisë Kriminale dhe përkushtimi për të realizuar detyrën bënë të mundur që Komisariati i Policisë së Durrësit të kishte tregues të lartë në zbulueshmërisë dhe kapjen e autorëve të veprave penale. Disa nga sektorët e Drejtorisë së Policisë së Qarkut, si ato të trafiqeve dhe të antidrogës, vlerësoheshin për treguesit e punës edhe falë kontributit të shefit të Policisë Kriminale, Artan Cuku. Në çdo vendngjarje ai ishte gjithmonë i pranishëm, duke e vlerësuar profesionalisht e proceduralisht si një ndër aktet e momentet e rëndësishme për të zbuluar autorët e veprave penale. Profesionalizmi i tij evidentohej edhe me ushtrimin e atributeve të Policisë Gjyqësore, pasi në çdo rast bënte një vlerësim të saktë e ligjor të të gjitha provave para se të referonte veprat penale në prokurori”.
Në këtë drejtim, Drejtuesi i lartë i policisë Pashk Tusha nuk kujton ndonjë rast që dosjet e hetuara prej tij Artan Cukut të jenë pushuar, pezulluar apo të jenë kthyer për plotësim hetimesh. Si drejtues policie që ka punuar me të, ai thotë se mund të prezantojë dhjetëra ngjarje kriminale, të cilat janë zbuluar në saj të përkushtimit, sakrificës, kontributit dhe vlerave profesionale të tij. “Ai ishte një bazë e rëndësishme informacioni për strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Vlerat profesionale të tij janë shoqëruar me një karrierë të suksesshme 16 – vjeçare në Policinë e Shtetit.
Pasi kishte kryer suksesshëm të gjitha nivelet e shkollimit e diplomimit, Artan Cuku do të kryente suksesshëm funksione të rëndësishme si: në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Malësisë së Madhe; Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër; Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë së Durrësit; Shef i Komisariatit të Policisë Tropojë; në Berat në Sektorin Kundër Akteve Terroriste; Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Nr.4 të Drejtorisë së Policisë Tiranë; Specialist Drejtimi në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, në Sektorin e Krimeve Kundër Personit në Tiranë dhe në Sektorin Kundër Krimit të Organizuar; Zëvendësdrejtor i Policisë së Qarqeve Vlorë, Fier, Berat e Tiranë; Shef i Sektorit Kundër Pastrimit të Parave në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit;
Drejtor i Policisë Qarkut Vlorë dhe nga fundi i vitit 2013, pas ndryshimeve politike që ndodhën në Shqipëri, Artani u transferua nga Vlora e deri në Qershor 2014 ka punuar në Drejtorinë e Studimeve Strategjike në Policinë e Shtetit derisa u lirua nga policia pa asnjë shkak. Pikërisht në vlerësim të kësaj karriere të shkëlqyer akademike dhe profesionale, Drejtues i Parë Pashk Tusha, ish drejtor i Policisë, Qarku Durrës, shprehet se cilido drejtues policie që ka punuar dhe e ka njohur atë nga afër do të shprehej se ai ishte ‘i lindur polic’. Ndërkohë, sipas z.Tusha, largimi nga radhët e Policisë së Shtetit i Artan Cukut ka qenë jo vetëm i padrejtë, por edhe një vrasje morale, tepër e vështirë për t’u përballuar.
“Ishte një fatkeqësi që karriera 16-vjeçare dhe kontributi i tij në Policinë e Shtetit u ndërprenë nga vlerësimet e drejtuesve joprofesionistë në emër të reformave në Policinë e Shtetit. Vendime të tilla janë me pasoja shumë të rënda për Policinë e Shtetit në luftën ndaj krimit të organizuar, si dhe për të mbrojtur jetën e karrierën e punonjësve të policisë”, shprehet Drejtuesi i lartë i Policisë Pashk Tusha.
DREJTËSIA
Gazetarja e mirënjohur Klodiana Lala, kurajoze në denoncimin e krimit, është shprehur në emisionin e saj “Në shënjestër” në “Neës 24”, se vrasja e komisarit Artan Cuku mbetet në sirtarët e drejtësisë. Ajo argumenton se si, vrasja e tij është një nga historitë më të turpshme, se si një oficer policie i suksesshëm, jo vetëm lihet jashtë radhëve të kësaj organizate dhe hidhet në rrugë, sa herë që në Shqipëri pushtetet ndërrojnë kostumet, në të majtë dhe të djathtë, por edhe se si një zyrtar i lartë i kësaj uniforme të nderuar, pavarësisht luftës që ai ka bërë ndaj krimit, lihet pa mbrojtje dhe kthehet në tabelë qitje për grupet kriminale. Dhe, sipas znj.Lala, Artan Cuku ishte jo i vetmi ndër efektivët e lartë të policisë, që i dha jetën dhe përkushtimin e tij luftës kundër krimit të organizuar, dhe që si shpërblim, me të ardhur të majtët në pushtet në vitin 2013, u përzu jashtë radhëve të policisë. Dhe për pasojë u kthye në viktimë të krimit…
“Por edhe pse kanë kaluar 7 vite, kur komisari në lirim i policisë Artan Cuku u qëllua për vdekje, për shkak të detyrës që kishte mbajtur, ajo që duket se rëndon më shumë sot familjen, është drejtësia e munguar”, shprehet gazetarja Lala. Dhe nuk nguron që të verë gishtin tregues tek vrasësit e vërtetë, duke pohuar se “sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, vrasja e komisarit të policisë, kishte kohë që ishte organizuar dhe mirëmenduar dhe gjithçka lidhet me arrestimin që Artan Cuku, në atë kohë Drejtori i Policisë Vlorë, i kishte bërë Bledar Jambellit në vitin 2012, i cili më pas ishte betuar që do ta vriste”.
Gjithsesi, familjarët dhe ish miqtë e kolegët e shumtë, besojnë në premtimin e gazetares Klodiana Lala, se emisioni “Në shënjestër” do të përpiqet tí kthehet edhe njëherë, mbrëmjes së 8 prillit 2017 dhe asaj që njihet tashmë si saga për zbardhjen e së vërtetës së vrasjes së zyrtarit të policisë, Artan Cuku. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe gazetari i “News 24” Enrik Mehmeti, që sipas tij Artan Cuku në Vlorë njihej si “Drejtori i hekurt”. Edhe gazetarja Anila Hoxha, ndër të tjera shkruan se Tan Cukun e konsideron si privilegj të jetës që pati mundësi ta njihte… Një burrë trim, i drejtë dhe zemërmadh. Se Tani, pohon znj.Hoxha, nuk heshtte për ne dhe këtë ia kam thënë çdo gazetari, sa herë kam mundur.
REAGIMI
Drejtuesi i Parë i Policisë së Shtetit, Artan Cuku, këtë 14 janar do të festonte 50-vjetorin e ditëlindjes, sikur dora kriminale të mos e kish këputur jetën e tij në moshën më të mirë, para 7 vitesh. Me datën 8.4.2017, rreth orës 20:10, Ai u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në “Rrugën e Kosovarëve”, Tiranë, fakt për të cilin Prokuroria për Krimet e Rënda kreu hetimet në kuadër të Procedimit Penal nr.139/2017 dhe në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka konkluduar se vrasja e tij është kryer në bashkëpunim, për shkak të detyrës së tij, gjatë kohës kur ushtronte funksionet Drejtorisë së Policisë Qarkut Vlorë, krim i parashikuar nga nenet 79/b e 25 të Kodit Penal (“Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”). Më parë 30 shtator 2023 gazetarja investigative Fatjona Mejdini (Drejtore për Ballkanin e “Global Initiative Against Transnational Organized Crime”) ka publikuar në Facebook arsyet e pakuptimta, sipas saj, për vonesën e drejtësisë në çështjen e vrasjes së ish komisarit Artan Cuku. Mejdini thotë se drejtësia nuk është duke bërë asnjë përpjekje për “Dëshmorin e Atdheut” dhe se dëshmitë e rrëfyera në gjyq e kanë nxjerr në pah autorin. Nga ana tjetër, gazetarja tregon dhe detajin, se Bledar Jambellin, autorin e dyshuar të vrasjes e ka ndihmuar një funksionar i lartë shqiptar të mos hetohet, duke qenë se është anëtar aktiv i pakicës greke. ”Sot (30 shtator 2023) piva një kafe me Rakipin, vëllain e Artan Cukut, Kryekomisarit të Policisë të vrarë për shkak të detyrës në Prill të vitit 2017. Rakipit i dorëzova disa kopje të një publikimi të organizatës ku punoj, ku i ndjeri, tashmë i shpallur ‘Dëshmor i Atdheut’, është renditur ndër viktimat kryesore të krimit të organizuar nga e gjithë bota.
Gjashtë vite e gjysmë nga vrasja, Rakipi dhe familja Cuku janë ende duke pritur drejtësinë, të cilën shteti shqiptar ia ka borxh ish-funksionarit të lartë të tij. Dhimbja e tyre shtohet çdo ditë e më shumë, kur shohin se gjykatat dhe akoma më shumë politika, kanë fshehur kokën dhe nuk kanë gjetur guximin të bëjnë transparencë dhe t’i mëshojnë nevojës për të dhënë drejtësi
1. Artan Cuku u hodh në rrugë nga Policia e Shtetit dhe u la i vetëm, në kulmin e karrierës së tij profesionale (42 vjeç), pasi kishte kontribuar për të vënë para drejtësisë shumë kriminelë të rrezikshëm.
2. Gjykimi i autorëve të vrasjes ende nuk ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës dhe ndonëse nga provat shkencore dhe dëshmitë, është identifikuar porositësi, Bledar Jambelli. Ai është arratisur dhe ende nuk është dënuar në mungesë.
3. Shteti grek ka refuzuar ekstradimin e Jambellit me motivimin se ai është një Vorio-epiriot dhe anëtar aktiv i pakicës greke në Shqipëri dhe se gjykimi ndaj tij, do të ishte politik dhe me karakter hakmarrës ndaj veprimtarisë politike të tij. Asnjë funksionar i lartë shqiptar (ministër i Drejtësisë apo Kryeministër) nuk e ka përmendur publikisht dhe as ka mbajtur qëndrim ndaj këtij fakti.
4. Dëshmitë e fundit të bëra publike nga kolegë gazetarë japin indicie se drejtues të minoritetit grek në Shqipëri kanë pasur rol në mos ekstradimin e këtij krimineli në Shqipëri. Asnjë politikanë nga ata që i mbështesin politikisht këta drejtues të minoritetit grek, nuk ka kërkuar sqarim publik për këto akuza. Mesa duket të jesh dëshmor i këtij vendi nuk vlen dhe aq shumë! Po. Kjo pohohet edhe në dokumentarin e gazetares Etleva Delia, në ‘abc neës’, ‘Gjërat tona/ Gjashtë vjet nga vrasja e komisar Artan Cukut’, ku thuhet me zë dhe figurë se ende (gjashtë vjet pas vrasjes) iniciuesit dhe ideuesit e këtij krimi shëtisin të lirë. Gjithsesi, në këtë ditë përkujtimore, shokët dhe miqtë e tij, deri drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, shprehen se janë shumë mirënjohës dhe përulen me respekt para jetës dhe veprës së Artanit, të cilën ai ia përkushtoi me vetëmohim mbrojtjes së jetës së qytetarëve të vendit të vet”, shkruan gazetarja investigative Fatjona Mejdini.
VRASJA
Vrasja e drejtuesit të Parë Artan Cuku është radhitur si një nga vrasjet më të bujshme të shtetit shqiptar në këto njëqind vitet e fundit dhe është përshkruar në librin “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar (në të gjitha trojet shqiptare)” të autorit Roland Qafoku. Gjithashtu, Artan Cuku është përfshirë në librin me 50 vrasjet më të rënda në botë për arsye shtetërore. Libri titullohet: “Faces os Assassination” (“Fytyra e vrasësve”) i hartuar nga një grup ekspertësh nga e gjithë bota dhe është botuar nga organizata prestigjioze “Iniciativa globale kundër krimit transnacional” (“Global Initiative against Transnational Organized Crime”) me qendër në Gjenevë të Zvicrës. Në këto 50 vrasje janë përfshirë ekzekutime të personaliteteve shtetërore në 40 vende nga e gjithë bota pas vitit 2000, ku njëra nga këto është vrasja e Artan Cukut. Figura dhe personaliteti i Artan Cukut është përshkruar edhe në librin: “Personalitetet e Dibrës (Enciklopedia e Dibrës 3)”. Për Artan Cukun pas vdekjes janë shkruar dy libra: “ARTAN CUKU In memoriam” ideuar dhe përgatitur nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prenci në bashkëpunim me gazetarë, politikan, ish-pedagog, ish-epror, ish-kolegë të Artanit etj., si dhe “Jam pri’ Lure” të autorit Fatos Daci.
Gjithashtu, është realizuar edhe dokumentari me titull: “In memoriam Artan Cuku”, realizuar nga Ardita Bala dhe Verjana Abazaj. Për Artanin kanë shkruar dhe kanë folur personalitete të shumta të fushave të ndryshme duke vlerësuar lart figurën e tij, si dhe kanë shprehur qartë dhe fort indinjatën e hidhërimin e thellë për atë që ndodhi.
NDERIMI
Afro tre vjet më parë (10 prill 2022) Pallati i Kulturës Kamzë mori emrin e ‘Dëshmorit të Atdheut’, Artan Cuku. Kryebashkiaku Rakip Suli thotë me krenari se nismës së Policisë së Shtetit për përjetësimin e policëve të rënë nga dora e krimit, iu përgjigj e para Bashkia Kamzë, duke ndërmarrë këtë hap, për vendosjen e emrit të Pallatit të Kulturës “Artan Cuku” dhe shpalljen e tij “Qytetar Nderi i Kamzës”.
Në ceremoninë e zhvilluar morën pjesë ministri i Drejtësisë, Z. Ulsi Manja, kryetari i Bashkisë Lezhë, z. Pjerin Ndreu, dhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Gledis Nano. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se Dëshmorët e Atdheut janë pjesa më e ndërgjegjshme e vendit dhe se nuk duhet të ketë më policë të vrarë.
Emri i Artan Cukut, i skalitur me germa të arta në fasadën e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor, është evident në çdo aktivitet, shfaqje tetrale e promovimi librash, i skalitur edhe më mendjen e zemrat e dhjetëra mijëra spektatorëve që i ndjekin këto shfaqje. Teksa ndodhem mes tyre, më vijnë ndërmend vlerësimet e kolegëve dr. Hasan Shkëmbi e Gëzim Loka, të cilët në artikujt e tyre e kanë vlerësuar “Dëshmorin e Atdheut”, Artan Cuku, si meteorin që s’do shuhet kurrë, krenari të Lurës dhe të gjithë Shqipërisë.
Komisar Artan Cuku, do të nderohej në 112- vjetorin e Policisë së Shtetit më 13 janar, ndërsa sot më 14 janar 2025 do të festonte ditëlindjen e 50-të, i rrethuar jo vetëm nga familja e tij, por edhe nga miq e shokë të shumtë.
Jo vetëm nga Lura ku lindi, u rrit, kaloi fëmijërinë e nga ku mori shkollimin bazë, por edhe Tirana, Shkodra, Tropoja, Vlora, Fieri, Berati e pothuajse nga e gjithë Shqipëria. Kjo për faktin se Ai mbetet në kujtesën e çdo punonjësi të policisë dhe çdo njeriu që e ka njohur e punuar me të, si simbol i vlerave të larta njerëzore, inteligjencës, besnikërisë, moralit të lartë, si drejtues i talentuar i Policisë, intelektual me vlera, vendimmarrës kurajoz dhe me performancë të lartë.
Artan Cuku prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe ndër breza, në vite, dekada e shekuj, do të shërbejë si shembull frymëzimi se si duhet të jenë shërbëtorët e shtetit shqiptar. Burrat si Tan Cuku I rrisin vlerat dhe prestigjin shtetit…
Kommentarer