top of page

Halil RAMA: VENDLINDJA IME….



Cikël me poezi


 

1.     TË RËNËVE

 

Në zemrat tona njëmijë herë jeni rritur,

Ju o pishtarë të lirisë

S’do harroheni në njëmijë breza,

Vepra juaj në piedestal është ngritur,

Gjaku juaj i pastër na vlon në zemra….

 

 

2.    RIZGJIME METEORËSH

 

Rizgjohen si meteorë

Qindra personazhe

Kapur dorë për dorë

Në memorien time…

 

Pa ata, emërhumbur do të isha

Dhe librat e mi s’do kishin vlerë;

Pa heronjtë që njeh historia…

Që sot rizgjohen si meteorë…

 

3.    MYZEQEJA E DIBRËS

 

Muhurri, vendlindja ime

Thonë, është “Myzeqeja” e Dibrës

Jo vetëm për fushën e saj pjellore

Por dhe për të urtët, njerëz të dijes…

 

Me Drinin që mes përmes i kalon

Dhe mermerin ku gurgullon Murra

Histori trimash që emrin ja lartësojnë

Bashkëkohës të filozofit Dine Hoxha.

 

4.   VENDLINDJA IME…

 

Mal në “Nandë Malet” e Dibrës,

Jo vetëm për lartësi,

Muhurri, perlë e natyrës

Me shumë bëma në histori.

 

Skënderbeu këtu i ka trojet,

Në Gardh, Sinë e Mazreka,

Këtu lindën dhe gjeneralët,

Nikoll e Dhimitër Berisha.

 

Këtu i kam legjendat dhe këngët

Për besëlidhjen e trimave muhurrakë,

Kur hasmit ia rrëmbyen pushkët

Vatanit me i dalë hak..

 

Kur n’beteja Dan Leka u printe,

Me e shporrë shkjaun nga votra

Kur n’kuvende Nuz Lala i mblidhte,

Të keqes me i dalë përpara...

 

Këtu lindi Dine Hoxha,

Më i miri i të mirëve të Dibrës,

Që ligjëroi n’kuvende e oda,

Gjithnjë projeksion i së mirës.

 

Këtu ka trojet Gjon Kastrioti,

Këtu ka hedh rrënjë liria.

Muhurri im bukuri nga Zoti,

Mbi të ulur historia.

 

5.    KULLA E LLAN DEVËS

 

Në lartësitë e maleve,

Fare pranë Runjës,

Ju flet brezave

Kulla e Llan Devës.

 

Histori qëndrese

Që s’harrohen kurrë

Trimat e kësaj dere

Lartësojnë këtë kullë.

 

Ajo ka në themele

Gjakun e Ramadanit

Simbol rezistence

Dëshmori i atdheut.

 

6.   I URTI DHE I MENÇURI SULË DIKA

 

Një mushkë ngarkuar me flori,

Pas saj një misionar anglez

Sulë Dika, shoqëruesi i tij

Burri që e kishte marrë në besë.

 

S’mund të pranoj  “mall haram”

Kur vendi im rënkon në robëri,

Kështu i tha mendjeholli dibran

Anglezit që desh ta blinte me flori.

 

Ka mjegull të madhe në anët tona

S’dihet ku të zë e të merr lufta

Këtu ka sy e  vesh edhe toka

I tha anglezit Sulë Dika.

 

Në mexhelise i zinte fjala

Kur e pyesnin: Ç’thotë politika?!

“Burrin  e prishin tre gjana:

Parja e madhe, karrikja e naltë

dhe gratë e bukura!

Përgjigjej i mençuri Sulë Dika…

 

7.    TE KULLA E GJONIT

 

“Te kulla e Gjonit!”, një arkeolog,

Në vite, gërmoi shumë gjatë;

Hodhi plot gjurmë në katalog

Nga ky toponim i lashtë….

 

Një ditë si i marrë sa s’fluturoi,

Tha: Këtu është vendlindja e Gjergjit,

Atë që kërkonte më në fund zbuloi,

Përkrenaren, gjeti në rrënojat e Gardhit.

 

“Ta dini se gjyshi i Zotit Skënderbe,

Veç këto dy fshatra kish në zotërim”;

Nga këtu shtegtoi në shekuj kjo legjendë,

Nga vendlindja ime, Gardh e Sinjë…..

 

8.    ZERI I NËNTOKËS

 

Bulqizë, vend i bekuar,

Me histori lavdiplote...

Thesari që fsheh nëntoka jote...

Identiteti i Shqipërisë në botë:

Më e bukura pasaportë....

 

Ti i dhe floririn ekonomisë shqiptare,

Floririn që ta grabitën në 50 vite...

Të nëntokës që hëngri qindra jetë njerëzore

Që dhe sot, mjerisht ndodhet në lëngatë...

 

Nga nëntoka jote, gjëmon zë i së vërtetës:

Hej, Ju, që pa mëshirë më zhvasni!

Mendoni që edhe këtu t'i jepni kupim jetës,

Për Bulqizën mos nguroni të investoni...

 

9.   MARRËZIA

 

Një i marrë hedh gurin në lumë,

100 të mençur nuk e nxjerrin dot;

Në vendin e të marrëve marrëzia s’ka fund;

Shpëtona prej saj o i Madhi ZOT!!!

 

10. FLAKËRIMA E SHPIRTIT

 

Flakërima e shpirtit

Djeg sa qinda zjarre

Në pyllin e gjithësisë ...

Dhe shuan mijëra afshe ...

Dhe rritet prej mirësisë....

 

2 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page