
Halil RAMA-Mjeshtër i Madh
· Besoj se me romanin “Rënia”, Shefqet Meko dëshmon jo thjesht pjekuri letrare, rritje artistike dhe angazhim krijues, por ai mbetet edhe një premtim në letërsinë e shkruar nga “ikanakët shqiptarë” siç e quan veten autori. Romani në fjalë është një ogur i mirë për lexuesit dhe kureshtarët e prozës së gjatë
Në 48 episodet e romanit tëri “Rënia”, Shefqet Meko ekzaminon shoqërinë shqiptare në dy kohë: pragpërmbysjen e madhe të rendit socialist, si një kalbëzim nga brenda, duke paraparë dhimbshëm tranzicionin e tejzgjatur. Atë që Meko rrëfen tërë dhimbje në fundin e këtij romani, shqiptarët e përjetojnë akoma me ankth edhe pas 35 vitesh pluralizëm.
Nëse me dy romanet para të tij, “Saga përtej Atlantikut” dhe “Viza Amerikane”, Shefqet Meko na sjell realitete letrare midis Shqipërisë dhe Amerikës, “Rënia” mbetet një krijimtari brënda Atdheut “me klone”, që mezi merrte frymë në vitet 90-të. Edhe më befasues vjen ky autor tashmë i mirënjohur me romanin e tij të ri “Rënia”, për të cilin siç shkruan vetë ai “…është produkt i fantazisë krijuese…” Sidoqoftë ne që jetuam ato vite jo vetem gjejmë veten, e jetën tonë, por edhe dramat e frikshme që përballuam kolektivisht. I gjithë romani sjell përjetime të autorit, të letrarizuara mjeshtërisht.
Fati e solli që ai të ishte kryeredaktor i gazetës “Studenti i Bujqësisë” para dhe disa vite pas ’90-tës, hark kohor ky që pasuroi dukshëm ditarët e tij. Janë këto ditarë të mbushur me përjetime e asosacione, që artistikisht pas më shumë se tri dekadash, na çojnë tek ajo kohë ndryshimesh të vrullshme, nga të cilat shqiptari i thjeshtë shpresonte të arrinte perëndimin, por që ende përjeton kohë të trishta.

Nëse kur para ‘’90-tës përjetoi zhgënjimin nga mospranimi si kandiat i partisë shtet të atëhershme, ngaqë e ndiqte “….e shkuara e babait me pika të errëta”, sepse “ca shkresa të zverdhura nëpër arkiva besoheshin më shumë se Ai dhe jeta e babait të tij”, të njëjtin zhgënjim përshkruan edhe kur nga tribuna e përurimit të partisë së parë opozitare pa të ngjiteshin triumfatorë, ata që e brengosën, ndonëse shquhej si gazetar me vizion bashkëkohor.
Kështu, ndërsa fillimisht stigmatizon se: “Si mundet që e shkuara 4 dekada e ca vjen si thikë dhe vret dëshirën time? A është kjo e drejtë? A është e ndershme?…Nuk po kërkon të jetë kandidat im at, por unë që ndihem biri i tij. Ai ka luftuar duke ju bashkuar çlirimtarëve…”, pas katër dekadave ai iu qaset zhvillimeve duke i letrarizuar këndshëm ngjarjet dhe personazhet, si prologun e tranzicionit të tejzgjatur të shoqërisë e shtetit shqiptar të inkriminuar e korruptuar gjer në palcë. Për këtë le ta perifrazojmëautorin në kohën kur “Atdheu ishte mpirë…..” dhe kur “…Aty, pas kuintave pa fytyra të frikshme. Ata që nuk e kishin pranuar në parti ishin aty duke mbajtur letra në duar, duke këshilluar themeltarët që ishin disa. Ilir Osumi me një dosje të madhe kishte një listë. Ca testa të partisë së re ishin në duart e tij..”. Dhe të besosh se në tribunën e atij mitingu (si edhe në mitingjet e sotme elektorale) shihte Miço Delvinën ish-operativin famëkeq të sigurimit të zonës që mbulonte edhe Shkollën e Lartë B…(njeriun më të palexueshëm që pat takuar ndonjëherë), apo edhe Ilir Osumin, ish –instruktorin e komitetit të partisë që kishte menaxhuar dosjen e tij (një burrë i pakët, me ca sy bojqielli e flokë pakëz bjond që kur fliste sikur depërtonte si vemje në shpirtin e tjetrit), këtu absurditeti është i shkallës më ekstreme..
Ishin këta soj sorollopësh që i shkaktuan dramën e madhe të divorcit me Emën, të fejuarën e tij që e magjepste me freskinë, gjallërinë dhe të qeshurën që ishte kthyer në një oaz ku ai deshte të mbytej. (dhe që u mbytën të dy në detin ku hodhën unazat, kur tentuan largimin nga atdheu…!). Kjo ndodhi e hidhur e bënte Maks Priftin (personazhin kryesor të romanit) të mendonte se në Tiranë, partia ishte një parzmore ku mbroheshe nga e keqja, ose e keqja të asgjësonte…..

Romani “Rënia” në të vërtetë, ashtu si gjetja brilante e rrukullimës së unazës së fejesës, që është ogur i keq për Maks Priftin, rrjedh si një ushëtimë letrare e kohës pa drita dhe plot skamje. Shefqet Meko, duke qënë në kohë dhe hapësirë një kronikan idealist, krijon në këtë roman portrete të skalituar bukur, me realizëm dhe “ veset e kohës”. Jo më kot autorit vjehrrit të Maks Priftit nuk i ka vënë emër, sepse tipa të tillë ishin aq të shumtë dhe aq të përhapur, sidomos në ato vite kur “bëhej nami” për një autorizim televizori, apo puna vullnetare për “një dhomë e guzhinë”. Meko bën kujdes të sjellë me reliev të plotë një shoqëri me karakteret e veta.
Kështu duke lexuar romanin të nguliten në mendje personazhe që kanë bashkëudhëtuar apo ndeshur me ty si lexues dhe si dëshmitar i kohës. Le te kujtojmë psh. sekretarin e komitetit të partisë Daut Kaptina, Sekretartin e Parë të Rrethit të Tiranës, Pirro Kumari, që ishte një ushtar i gatshëm për çështjen e partisë dhe të popullit, Salo Vranën, një mësues tiranas që partia e kishe deleguar të ishte sekretar rinie për Shkollën e Lartë B, Siri Hyska, një ish-zvendësministër që ishte dërguar aty si një autoritet lufte, etj, etj. Qoftë edhe me përzgjedhjen e emrave të këtyre personazheve të urryer aso kohë, që do të kapërdiheshin si të tillë edhe në partitë e krijuara pas ‘90-tës si autorët e damkosur të këtij tranzicioni të tejzagjaur, autori e bën këtë roman të këndshëm e mjaftë tërheqës me përshkrkimin brilant të zhvillimit të ngjarjeve.
Në antitezë me ta, autori i prezanton lexuesit rektorin Adnan Lufta, që njihej për autoritetin e tij, si “Burrë i pashëm që të bënte për vete me një qeshje të lehtë. Kishte krijuar hijen e një pushteti që nuk diskutohej së paku në ato kohë sipas studentit Maks” dhe që “Sekretarja ishte një krijesë e bukur që të pushtonte me shikimin e parë…”.
Dhe ato që të bëjnë të mbërthehesh me leximin e këtij romani janë portretizimet brilante dhe romancat e dashurisë me Landa Budinën, studenten më të bukur të fakultetit të V, “E vetme përherë, e qeshur me vetveten me një krenari shpesh edhe përbuzëse, që lëshohej nëpër qytezë si një Helenë Troje, por brune, pa Trojë dhe ushtarë përreth, … përherë e vetme dhe po aq e pafrikshme..Ishte vajza më e habitshme e Shkollës B, që nuk besonte asnjë dhe nuk shoqërohej me askënd. Përherë fliste me një gjuhë të veçantë ndaj problemeve të kohës dhe e mbyllte me një fjali të vetme: ‘Brezi ynë nuk kuptohet”.
Po. Të mahnit autori me të tilla përshkrime brilante të vajzës së bashkëshortëve Hektor e Tefta Budina , dy mjekë të nderuar në qytetin e Lushnjës që ishin një familje e nderuar, por që mbanin mbi supe vetëm mëkatin që prindërit e tyre kishin shërbyer në administratën e ish-mbretit Zog. Ndoshta ky “mëkat” do ta detyronte vajzën e tyre studente shembullore të rebelohej duke dalë e zhveshur në mitingun e parë të partisë opozitare, si protest ndaj atyre që e kishin persekutuar.
Është ky rebelimi i poetes së talentuar Landa Budina, të cilës kryeredaktori i “Studenti B” Maks Prifti i kishte botuar ciklin me poezi, nga ku veçojnë vargjet: “Në qiell të fluturoj si zgalem/ Ku nuk ka kufij dhe piramida/ Për dashurinë të bëhem mehlem/ Ku pret ajrin e ftohtë helika…Të vij tek Atdheu, të puth flamurin/ Të them se jam vajzë shqiptare/Të hesht me dhimbje për çastin/ E te ngjitem në re krenare….”.
Në të njejtën linjë ia paraqet lexuesit autori Meko edhe Roza Kukujën, miqësia me të cilën ishte si një qiell i hapur ku ai vetëm fluturonte. “Roza ishte një lloj mutacioni.I ati ishte çam, por rritur jetim, pa asnjë njeri dhe ishte një piktor i talentuar.Ai kishte rënë në dashuri me një vajzë mulate dhe bashkë kishin 4 vajza. Kur shkonte në shtëpinë e tyre, Maks ndiente se lëshoheshin në një debat interesant për libra, autorë dhe arritje të kulturës botërorë. Babai i Rozas ishte një enciklopedi ngjyrash dhe pasionesh pa fund. Maks ishte shokuar kur kishte mësuar se nëna e saj ishte thjesht një pjatalarëse në mencën ku ai ndante latën më shokun e vet të grupit… Ishte shokuar.‘Jeta është një rastësi e çmendur…’kishte thënë me vete.Në mënyrë të sukseshme Roza ishte bërë krenaria e familjes.Roza ishte vajzë me një botë lëvruese.Brenda saj sikur jetonin personazhet pozitivë të shkrimtarëve më të mëdhenj të botës. Vëmendja e saj ishte si një fluturim në qiell dhe ai sapo kishte zbritur në tokë…”
Dhe më tej të befason detaji mjaftë i gjetur kur “… Maks Prifti befasishëm ndodhej në Stokholm të Suedisë. Ishte me Rozën. Ajo ishte shpallur fituese e çmimit Nobël duke u bërë veterinerja e parë shqiptare të merrte një nderim të tillë. Kudo radiot dhe televizionet e botës buçisnin. “Një shqiptare shkëlqen. Vendi i shqiponjave nxjerr edhe shkencëtare.Roza Kukuja është nga Shqipëria.Një vend komunist prodhon nobelisten e parë në shkencë”. Ishte në Stokholm. Në ceremoninë zyrtarë të lauretëve nga gjithë bota. Roza ishte bërë një aurorë lavdie për Atdheun .Maks mbante shënime.Bënte fotografi. Ishte një kulm i ëndërruar. Një madhështi që nuk ishte realizuar kurrë më parë. …, një shkencëtare e Shqipërisë socialiste arrin tek çmimin Nobël… Çdo sistem prodhon vlera dhe antivlera.”
Parë nga këndvështrimi im analilitik si një nga lexuesit e parë të këtij romani, që në dorëshkrim, (ndonëse është e pamundur t’ju qasesh të gjitha ngjarjeve e personazheve që bëjnë atë mjaftë intersant), risi e kësaj proze elitare të Sh.Mekos është mendimi i tij filozofik, që konsiston edhe në perifrazime të pafundhme. Ky autor tashmë elitë që në rininë e hershme kishte lexuar një libër me titull “Fundi i folesë së grerezave””, i sintetizon ato aq bukur me krijimin prej tij të shprehjeve të tilla si: “politika megafon e Tiranës, nuk po sillte asnjë ndryshim tek tavolina e tij”; “Është bërë lemeri. Vjen ai nga fshati dhe kërkon të marrë bukë e qumësht në qytet. Kjo është siç thotë shoku Mao “Fshati rrethon qytetin”…; “Pushteti ishte bërë si një rrjetë merimage pickuese, ku kontrolli mbi individin dhe fatin e njeriut, ishte qëllimi i vetëm” “kultizimi i një unaze..”; “U ndje sikur ishte kthyer në një fitil dinamiti ku përcillet me nxitim zjarri drejt kapsolles. Ju duke vetja një llokume kimike që po shpërthente nga brenda”; “Njeriu jeton momentin në çdo kohë e çdo rrethanë; “I ati para se të vdiste i kishte thënë: ‘Larg politikës. Vetëm profesioni dhe dijet e tua të bëjnë të jetosh me dinjitet në çdo kohë…” etj, etj. Apo dhe kur stigmatizon shitësen e brekëve në errësirë, që i qaset me fjalët:“Kanë dalë brekë burrash. Ato të grave do shiten nesër.A ke brekë”?...U shokua. Ju kujtuan brekët e zeza që kur ishte në kovikt i çonin me thasë në lavanteri. “Brekët, kjo gjë kaq intime pranë intimitetit mashkullor” tha me vete. I shkoi në mendje të bënte një fejton “Brekët u mbaruan”.
Kësisoj vlerat e romanit “Rënia” konsistojnë edhe në përcjelljen artistikisht tek lexuesi të ngjarjeve e personazhe, që sikur dolën nga një “ndërtesë e kafejtë”, për t’u gjitur në tribuna përballë turmave të etura për ndryshim, por që pas kaq dekadash vijon trishtueshëm “koha e tranzicionit” me po ato persoanzhë të “Rënies”.
Besoj se me romanin “Rënia”, Shefqet Meko dëshmon jo thjesht pjekuri letrare, rritje artistike dhe angazhim krijues, por ai mbetet edhe një premtim në letërsinë e shkruar nga “ikanakët shqiptarë” siç e quan veten autori. Romani në fjalë është një ogur i mirë për lexuesit dhe kureshtarët e prozës së gjatë.
Opmerkingen