REPORTAZH
QSUNT, ME PAVIONE DHE SHËRBIME TË STANDARDEVE EUROPIANE
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
· Në drejtimin e institucionit, në vend të bujës, protagonizmit personal e autoritarizmit, Prof. asc. Dr. Alma Cani i qaset përmbushjes së misionit të përbashkët shtetëror dhe jo si privilegj vetiak pushtetor. Kolegët, të cilët i konsideron si asetin më të çmuar në përmbushjen e misionit e vlerësojnë si Njeri, mjek, shkencëtare dhe intelektuale shembullore
1. URGJENCA
Këto ditë, kur virozat dhe gripi kanë prekur në masë qytetarët, Urgjenca e QSUNT – Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, padyshim që është e tejmbushur. Por ajo që vlen të evidentohet është korrektësia dhe shpejtësia me të cilën personeli mjeksor i këtushëm ju shërben pacientëve. Këtë e konstaton jo vetm një vëzhgues i vëmëndshëm por edhe pacientët e shumtë që paraqiten për të marrë shërbimin e duhur mjekësor dhe familjarët që i shoqërojnë. Në kundërshtim me ndonjë skeptik që vetëm përgojon e nxin këtë realitet, unë pata rastin të provoj se si të jepet ndihma e shpejtë në kohë rekord. Pas konstatimit të një situate të komplikuar, mjekët e urgjencës, për të konkluduar profesionalisht sjellin dy kolegë mjekë alergologë që rekomandojnë regjim spitalor në pavionin e alergologjisë. Këtu, të sëmurit sikur i lehtësohen dhimbjet, qoftë dhe nga shtrimi në dhoma që shkëlqejnë dhe me orendi ndihmëse bashkëkohore. Dhe më kryesorja, është mirësjellja, komunikimi i ngrohtë e miqësor me të cilin të presin. Kështu mjekët alergologë Dorian Shkëmbi, Ester Ndreu, inferimeret Albana e Xhevria, por edhe Vojsava Bushkolaj që na merrte gjakun për analiza demostrojnë dukshëm artin e komunikimit. Dhe të shoqërojnë po miqësisht për ekzaminime të mëtejshme të domosdoshme te laboratori i provave të alergjisë, sidhe në pavionet e reumatologjisë, dermatologjisë e të Mjekësisë Interne, që ndodhen po në katin e tretë të kësaj godine moderne.
Dhe padyshim Prof. Etleva Qirko (Loloci) – shefe e pavionit është ajo që drejton me kompetencë e profesionalizëm dhe që monitoron vetë çast pas çasti ecurinë e të sëmurëve. Ajo përshfaq në çdo çast para pacientëve por edhe personelit mjekësor që drejton forcën e qytetarisë dhe modestisë, duke dhënë shembullin e saj personal dhe përgjegjshmërinë ndaj detyrës.
Në këtë pavion ushtrojnë profesionin mjek pedagogë me tituj akademikë e grada shkencore, si dhe ordinator, përgjegjës për punën në klinike. Njëri prej tyre, Prof.asc.dr. Mehmet Hoxha, që në përditshmërinë e tij njihet si nga më shëmbullorët në komunikimin dhe trajtimin e të sëmurëve, pas insisitimit tim më sqaron se këtu trajtohen të sëmurë me sëmundje alergjike të një gamë të gjërë, duke filluar nga pathologjitë alergjike të rrugëve respiratore, pathologjite alergjike të lëkurës, të sëmurët me alergji ushqimore, me alergji medikamentoze, me anafilaksi lokale dhe sistemike dhe sëmundje të tjera, të cilat kanë në bazë të tyre çregullimin e sistemit imun të organizmit. Pothuajse nga ky pavion përballohen nevojat e shërbimit dytësor dhe terciar në rang vendi dhe të rrethit tëTiranës.
2. DREJTIMI
Që prej një viti kur Prof. Asc. Dr Alma Cani u emërua në drejtimin e QSUNT, ndryshimet në institucionin më të rëndësishëm spitalor të vendit janë të dukshme. Këtë e shprehin pacientët e shumtë që marrin shërbimet e duhura dhe jo vetëm. Me një përvojë të gjatë si mjeke prej 34 vitesh dhe me 6 specializime të ndryshme në Gjermani, Kanada, Egjipt, Turqi, e një sërë trajnimesh e seminaresh, konferencash dhe kongresesh në vende të ndryshme të botës, si Stambolli Turqi, Essen Gjermani, Ontario Kanada, Berlin Gjermani, në Mansoura, Kajro Egjipt, në Vjenë Austri, Barcelonë Spanjë etj, ajo qëndron dinjitetshëm me elitën mjekësore shqiptare (Në vitet 2013-2016 ka qenë anëtare e Komisionit Epror Mjekësor për Sëmundjet e Traktit Respirator)..Dhe mbi të gjitha me profilin e saj të admiruar njerëzor, profesional dhe intelektual, ajo pa dyshim që ishte zgjedhja më e mirë për të drejtuar QSUNT.
Në drejtiin e institucionit, në vend të bujës, protagonizmit personal e autoritarizmit, ajo i qaset përmbushjes së misionit të përbashkët shtetëror dhe jo si privilegj vetiak pushtetor. Kolegët, të cilët i konsideron si asetin më të çmuar në përmbushjen e misionit e vlerësojnë Prof.asc.dr. Alma Canin si Njeri, mjek, shkencëtare dhe intelektuale shembullore. Si e tillë ajo është nga vlerat e rralla që prodhon shoqëria dhe familja shqiptare për të cilat ka nevojë më shumë se kurrë. Pikërisht si e tillë ajo ka marrë vlerësime dhe dekorime që të impresionojnë dhe që konsistojnë në: diplomimin me medalje të artë (Shkolla e mesme e përgjithshme “P.N.Luarasi”, Tiranë 1982-1986); Nga Bashkia e Tiranës vendoset poster Heronjtë e Tiranës (Prill 2020 - Bluzat e bardha në vijën e parë të luftës kundër Covid19’; Nga Bashkia e Bulqizës i jepet titulli “QYTETARE NDERI” me motivacionin: “Për veprimtari të shquar në fushën e mjekësisë, veçanërisht në drejtimin e terapisë intensive e reanimacionit në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” (Covid2) dhe për kontribut të çmuar profesional në përballimin e situatës të pandemisë të shkaktuar nga covid -19”.( Vendim nr. 5 i Këshillit Bashkiak Bulqizë, 08-09-2020); Në nëntor 2023 nga Federata Universale e Paqes vlerësohet si Ambasadore të Paqes me motivacio: “Federata e Paqes Universale njeh si Ambasadorë për Paqen ata individë për hir të të tjerëve dhe që i përkushtohen praktikave që promovojnë më shumë vlera universale, jetë të shëndetshme familjare, ndërfetare, bashkëpunimi, harmonie ndërkombëtare, rinovimi i Kombeve të Bashkuara, i medias publike të përgjegjshme, dhe krijimi i një kulture paqeje.
3. REUMOTOLOGU ERVIN RAPUSHI – NDËR MË TË MIRËT PROFESIONISTË, I PALODHUR, I KUDOGJENDUR, ENERGJI PLOTË
Në këto ditë të shpërthimit të virozave stinore, padyshim që më të prekurit janë të sëmurët kronikë. Ata, krahas shërbimit në urgjencën e tejmbushur të QSUNT, padyshim që drejtohen edhe tek mjeku profesionist që i ndjek në dinamikë. Në mesin e kësaj pandemie që ka shpërthyer në mbarë vendin, si dhe pothuajse në gjithë Europën, në QSUT spikat shembulli i rrallë i reumatologut Ervin Rapushi, i mirënjohur si ndër më të mirët profesionistë (në rang vendi, rajoni e më gjerë), i palodhur, i kudogjendur, energji plotë.
Shembuj si ai mbajnë gjallë shpresën e vullnetin e plotë se vendi ynë është përplot shpirtbardhë e të pakompromis për t’iu shërbyer qytetarëve kurdo e kudo kanë nevojë.
Mjeku reumatolog me mbi 20 vite eksperiencë, i specializuar në trajtimin e sëmundjeve autoimmune, metabolike si lupus, artriti rheumatoid, vaskulitet, sklerodermia, spondiliti ankilozant, podagra, osteoporoza etj, edhe këto ditë mirëpret dhe u jep shërbimin e duhur me profesionalizëm të spikatur qindra pacientëve. Me kompetencë e profesionalizëm ai ka referuar dhe është duatrokitur në dhjetra Konferenca Kombëtare e Ndërkombëtare Shkencore Mjekësore, si dhe është ndjekur dhe ndiqet me interes të vecantë nga publiku në intervistat e shumta në televionet publike kombëtare. Dhe ajo që e karakterizon në përditshmërinë e tij është mishërimi dhe përçimi në mjediset ku shërben i vlerave më të mira nerëzore, intelektuale dhe profesionale.
4. PACIENTËT….
Gjatë qëndrimit njëjavor në pavionin e alergologjisë konstatova vërtetë përgjegjësi maksimale dhe shërbim korrekt, si nga mjekët dhe nga infermieret. Dhe jo vetëm unë. Aleks Mandri, pegagog i IT në një universitet jopublik prestigjioz erdhi me komplikime alergjike në fytyrë dhe për tre ditë u përmirësua. Gani Myrta, 75 vjeç me azëm kronike qëndroi dy javë dhe ndjehet shumë më mirë…Leonidha, mjek faramacist i njohur në Tiranë, mund ta zgjidhte shërbimin edhe në ndonjë institucion tjetër, por ka zgjedhur pavionin e alergologjisë në QSUNT, sepse sipas tij këtu ka shërbim të shpejtë dhe kualitativ që në përcaktimin e diagnozës dhe ndjekjen e saj në dinamikë. Po kështu edhe A.C, 35 vjeç që u kurua brenda tri ditësh me alergji të shkaktuar nga ushqimet. Emëruesi i përbashkët i bisedave me ta është se QSUNT - Spitali i Ri i Sëmundjeve të Brendshme, ka vërtetë një infrastrukturë ultramoderne të standarteve më të larta bashkëkohore dhe staf akademiko-shkencor-mjekësor që kryejnë shërbim mjaftë profesional.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është me të vërtetë një institucion për kujdesin shëndetësor që garanton trajtimin e pacientit nga personeli i specializuar dhe me paisje moderne bashkëkohore. Kësisoj, ky institucion e mban me dinjitet Urdhërin “Nënë Tereza” që ish - Presidenti i Republikës Alfred Moisiu i ka dhënë që para 23 vitesh me dekret nr.3568, date 22.11.2002.
Comments