“SHTËPIA E VERDHË”, PROTESTA E MEREMES NDAJ CARLA del PONTE
…dhe një tufë ferrash në varrin e Dick Marty, nga Destani, i Zoti i Shtëpisë…
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
Meremja, zonja e të famshmes “Shtëpia e verdhë”, vetëm dy herë në jetën e saj kishte zbritur në qytet. Herën e parë, me bashkëshortin Destanin, për të ngrënë një akullore dhe për të parë një film…Një herë tjetër, shumë vite më vonë, kishte zbritur për një panair artizanati, ku ajo kishte paraqitur çorapet me motive të vjetra dhe trikot me figura si kristale bore që ajo dinte t’i thurte fare mirë. Por kur mori vesh se shtëpia e saj ishte njollosur nga një juriste zvicerane dhe kryeprokurorja e OKB-së për krimet e luftës, mori vendimin të shkonte ta takonte Karla del Ponte-n. “Do të shkonte t’ia përplaste në fytyrë të vërtrtën asaj gruas së ashpër që kishte vënë gishtin mbi ta për t’u dhënë një damkë që nuk e meritonin”.
Bashkim Hoxha, ndër shkrimtarët më produktivë e cilësorë në romanin e tij “Shtëpia e verdhë” e përçon tek lexuesi mjaftë bukur artistikisht brengën e gruas që nuk e mbante vendi pa vënë në vend drejtësinë. Nëpërmjet një trilli artistik befasues, autori përshkruan “arratisjen” e Meremes nga “Shtëpia e verdhë” për të kapur makinën e parë që zbriste në qytet dhe më tej për në Tiranë me autobuzin e linjës. Me bashkëudhëtaren, Nora, “Në Tiranë, në ambasadën zvicerane, nuk i lanë të afroheshin…. Pastaj shanë sa mundën ata lart që nuk e kishin fare mendjen tek ata, të thjeshtët, të paemrit”. Kësisoj, individualiteti krijues i romancierit të mirënjohur Bashkim Hoxha vjen përsosmërisht në episode befasuese të romanit më të kërkuar e të preferuar nga lexuesi shqiptar, jo vetëm i Tiranës e Durrësit, por edhe i Prishtinës, Gjakovës, Prizrenit, Mitrovicës e i gjithë hapësirës mbarëshqiptare në botë. Kjo për faktin se është i vetmi që i ofron lexuesit kryeveprën “Shtëpia e verdhë”, si aktakuzë ndaj atyre që guxuan të njollosin luftën legjendare të UÇK-së dhe të keqpërodren nga eksponentë vampire të qarqeve më të errëta shovene serbe, duke sajuar një shtëpi të një fashati malor, qindra kilometra larg aeroportit të Rinasit, të palidhur me rrugë normale automobilistike, si qendër të trafikimit të organeve. Kësisoj, si rrallëkush në fushën e letrave, Bashkim Hoxha krijon një trashëgimi letrare shumëpërmasore, në një roman kryevepër, ku letrarizon mjaftë bukur “histori të tilla që kanë bërë të bjerë edhe besimi i gazetave”.
LIBRI ME KUJTIME DHE RAPORTI I CARLA del PONTE,
MBI PROVA TË PABESUESHME
Është vërtetë tronditës dialogu i personazheve realizues të filmit: Viktorit, Feliksit e Loshos së ngazëllyer, ngaqë amerikanët kanë pranuar të bëjnë film romanin e tij për trafikun e organeve. Nëpërmjet një rrëfimi mjeshtëror, Bashkim Hoxha vë në gojën e Losho Vujeviçit fjalë që vrasin. Sepse, nisur nga shpifje gazetareske ai e quan luftën në Kosovë një mizori të patreguar (fq. 77). “Për trafikun e organeve në shtëpinë e verdhë ai kishte mësuar, së pari, nga një miku i tij zyrtar i lartë në shërbimet sekrete, që kishte hetuar dhe gjurmuar trafikun e bërë nga ushtarët e UÇK-së…Miku i tij kishte zbuluar se nga buronin paratë për të blerë raketa. Shqiptarët shisnin organe njerëzish dhe blinin armë në tregun e zi”. (fq. 80). Këto shpifje monstruoze, Carla del Ponte shkroi librin e saj të kujtimeve (dhe më pas edhe në Raportin famëkeq për Këshillin e Europës, edhe pse ajo deklaroi se nuk kishte gjetur prova të besueshme. Por ndonëse ajo shkoi në botën e përtejme e damkosur me njollë turpi, bazuar në shpifjet e saj, disa nga komandantët e UÇK-së janë tashmë në burg me akuza absurde.
“Shumë veta nuk e besojnë të kenë ndodhur krime të rënda si trafikimi i organeve, por lufta nuk mund të gjykohet me logjikë normale. Në luftë ndodhin gjëra nga më të tmerrshmet, në kohë lufte, fantazia e veprimeve është mjaftë e ndezur”, shkruan autori B.Hoxha (fq.81). Parë nga ky këndvështrim ai, edhe fotoreporterin Feliski, ja prezanton lezuesit si njeriun që “…e kishte marrë me mosbesim, si një trillim letrar, historinë (e sajuar) që ushtarët e UÇK-së luanin futboll me koka njerëzish…” Të kësaj sëre i profilizon autori në këtë roman edhe nobelistët (serbë) e kësaj zone që suksesin e kanë arritur duke rrëmbyer legjendat e një populli tjetër… dhe duke bërë luftë edhe për simbolet. (fq.105).
HISTORI ROMANTIKE QË KULLOJNË GJAK
Përkundër trillimeve të skenaristit të filmit për të famshmen “Shtëpia e verdhë”, Bashkim Hoxha ka meritën e evidentimit nëpërmjet fjalës artistike të masakrave serbe në Kosovën martire. Mjafton të perifrazojmë regjisorin Ben Kaçaniku që kishte qenë 11 vjeç kur në rreshtin e gjatë që priste të kalonte kufirin ndodhej me nënën dhe vëllain e tij më të vogël. Ishte një rresht i gjatë njerëzish të lebetitur, i bllokuar nga policët serbë që me armë në dorë kontrollonin kolonën e ikanakëve, duke nxjerrë nga rreshti burrat.
“Në kufi dy policët serbë vunë një bast për një grua shtatzënë. Njëri thoshte është djalë, tjetri thoshte është vajzë. I çanë barkun me bajonetë dhe fitoi ai që tha se ishte djalë. Kishin vënë bast me një birrë dhe një panine me pesë qebapë….Në fshatin tim, në një ditë u vranë 23 veta. I hodhën në një gropë të përbashkët. Pas luftës deshën t’i zhvarrosnin e t’u bënin secilit nga një varr, por trupat e tyre ishin ndërthurur me njëri - tjetrin dhe ngritën vetëm një monument mermeri mbi varrin e përbashkët”….
Mjaft tronditës në romanin e B.Hoxhës edhe tregimi i Albanit për Bekimin. “Policët serbë që kishin ardhur t’i nxirrnin nga shëpia e goditën atë, fëmijët filluan të ulërijnë të trembur dhe pasi e lidhën në një karrike i përdhunuan gruan aty në shtëpinë e tij, në sytë e burrit dhe të fëmijëve dhe ai nuk mund të lëvizte…”.
Sado improvizues e spontan që është Bashkim Hoxha gjatë shkrimit, tipar ky që zbulon poetin brenda tij, ai e ka megjithatë të qartë Itakën ku do të mbërrijë dhe nuk hutohet gjatë rrugës, gjë që i jep rrëfimit të tij një qartësi, një dinamikë dhe një ritëm të lartë. Pikërisht rrëfimi i qartë, dinamika dhe ritmi i lartë përshkojnë më pas episodin e Bekimit të turpëruar që nguron ta shohë në sy gruan e tij, Ajkunën dhe që rrëfehet nëpërmjet dialogut mes dy personazheve.
“Dashuria është një gjë për t’u kujtuar. Ne kemi një gjë për të harruar. Unë jam e turpëruar.
-Ti nuk je e tupëruar,-i tha ai. – I turpëruar jam unë që nuk të mbrojta dot.
Dhe u tretën të dy në një përqafim. Dukeshin si dy të plagosur që qëndronin në këmbë vetëm sepse mbaheshin te njëri-tjetri….”
Kësisoj, rrëfyer artistikisht “histori romantike që kullojnë gjak”, autori për të qenë sa më i besueshëm për lexuesin, i referohet regjisorit Ben Kaçaniku, i cili thotë se fqinjët e tyre janë patetikë, sepse jetojnë në të shkuarën. Romantizojnë vuatjten. Shpikin histori.
FRYMA E UNIVERSALITETIT
NË ROMANIN E BASHKIM HOXHËS
“Shpëpia e verdhë”, një roman i strukturuar në katër pjesë: Pjesa e parë “Ëndrra” dhe pjesa e dytë “Lufta” me nga shtatë episode secila; Pjesa e tretë që mban titullin e vetë romanit me tetë episode dhe pjesa e katër “Filmi”, me katër episode. Në roman lexuesi do të gjejë lëndën e larmishme, bukurinë e fjalës dhe forcën tërheqëse të leximit. Pavarësisht nga mjediset apo vendi ku zhvillohen ngjarjet, të gjitha episodet janë trajtuar qartësisht, siç ndodh në gjithë krijimtarinë e Bashkim Hoxhës, me frymën e universalitetit. Dukshëm kjo edhe në përfshirjen ndërmjet episodeve të pjesëve të skenarit të filmit, ku autori është vetvetja. Në mjediset e shtëpisë lëvrijnë personazhet: Profesor Vlade, Milena, Azemi, Muhameti, ushtarët hijena…. Evidente kjo, sidomos në rrëfimin e gjendjes së Naimit, që ndonëse ka barrën e drejtimit të familjes (të shtëpisë së verdhë) i kanë vënë një nofkë që nuk është e vërtetë. Por nofkëvënësit nuk e kanë me këtë njeri të thjeshtë që është kujdesur gjithë jetën të jetë i ndershëm. E kanë me luftën ku ai nuk ka marrë pjesë. “E kanë me UÇK-në. E kanë me Kosovën. E kanë me Shqipërinë. Duhet të njollosen për të bërë të pavlefshme luftën”. (Fq. 167). Këtu, autori të befason me bukurinë e fjalës kur shkruan se Naimi, kurrësesi nuk duhet t’i qases vetëvarjes. Sepse, nëqoftëse ai var veten, s’ka kush të dëshmojë të kundërtën. Askënd nga fshati nuk mund ta besojnë sa atë që ka mbi shpinë të pavërtetën (e shtëpisë së verdhë). Ai duhet të shkund nga supet këtë zift ngjitës, bashkë me mizat që kanë ngecur aty. Duhet të dëshmojë të vërtetën. Duhet të jetojë për t’ia hequr këtë barrë të rëndë nga supet Naimit, Meremes, njerëzve të tij të afërt. Mjafton për këtë perifrazimi i autorit në fundin e faqes 168:
“Këshilli i Europës e ka mbyllur këtë çeshtje pa gjetur fakte, - thotë Albani.
-Dick Marty ka vdekur, ndërhyn Viktori.
-Atëhere mbillni një tufë ferrash në varrin e tij nga ana ime, - thotë Destani dhe përsërit si një porosi për t’u çuar në vend pa tjetër: -Mbillni ca ferra!”
Bashkim Hoxha befason kështu lexuesin me romanin “Shtëpia e verdhë”. Pasi ka befasuar me “Kronikat e mjegullës”, “Një ditë si Skënderbeu”, “Heronjtë e viagrës”, “Gruaja e shiut”, “Duartrokotësit”, “Një shaka e vogël me vdekjen, “Asnjëherë të martën”, “Dimri i librave”, “Vito” e “Dëshmitari i shkretëtirës, me dramat e komeditë e inskenuara e të ndjekura nga mijëra shikues, Bashkim Hoxha vjen sërish me librin e fuindit me titullin intrigues “Post Scriptum”- rrëfim..
Comments