Halil RAMA: DINAMIKAT KOMPLEKSE TË HAPËSIRAVE TË LIRISË NË FOKUSIN E PROF. AS. DR. SHPËTIM CAMIT
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 9
- 7 min read

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
· Për një studjues të vëmendshëm të kësaj vepre shumëdimensionale, nuk është e vështirë të vlerësojë, se si me punë sistematike, nëpërmjet studimesh të thelluara dhe të publikuara bujshëm, Shpëtim Cami, ka krijuar me meritë profilin e tij akademik (si pedagog dhe drejtues i disa universiteteve jopublike – aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Kolegjit Universitar të Biznesit).
Libri i 16-të i Prof. As. Dr. Shpëtim Camit “Dinamikat komplekse të hapësirave të lirisë”, i cili, përveçse në Bibliotekën Kombëtare, në tetorin e vitit të kaluar (2024) – muaji i letërsisë, u bë pjesë e disa bibliotekave të qyteteve kryesore të Shqipërisë, është mirëpritur nga lexuesi për faktin se në të gjen një përmbledhje studimesh shkencore të nivelit të admirueshëm. Dhe ky, jo vetëm vlerësimi im, por edhe i personaliteteve të njohura akademike të Kolegjit Universitar të Biznesit (KUB) dhe Universitetit Ndërkombëtar të Strugës, si dhe i studentëve ekselentë të këtyre univeristeteve, ku libri është promovuar.
Madje, pikërisht ky vlerësim dhe interesim për të, e shtyu autorin që ta ribotojë vitin e kaluar, pas botimit të parë në vitin 2023. Sepse, nisur nga komentet e lexuesve të botimit të parë, autori në botimin e dytë ka shtuar artikuj, përfundime e rekomandime, duke ristrukturuar renditjen e kapitujve, sidhe duke shtuar kapitullin “Studime në fushën e programeve mësimore dhe administrimit të univeristeteve”.
Në koherencë me progresin e studimeve të kësaj fushe, në këtë kapitull (shtesë) paraqesin interes veçanërisht studimet për kërcënimet hibride si faktor përshpejtues i bashkëpunimit civilo-ushtarak në fushën akademike (fq.192); studimet europiane si një nga sfidat e arsimit të lartë (fq.201) dhe studimi shkencor për inovacionin social, si një nga fushat e misionit të tretë të universiteteve (fq.219).

Për një studjues të vëmendshëm të kësaj vepre shumëdimensionale, nuk është e vështirë të vlerësojë, se si me punë sistematike, nëpërmjet studimesh të thelluara dhe të publikuara bujshëm, Shpëtim Cami, ka krijuar me meritë profilin e tij akademik (si pedagog dhe drejtues i disa universiteteve jopublike – aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Kolegjit Universitar të Biznesit).
Kështu, nëse më lart evidentova studimin e parë të kapitullit të tretë të këtij libri, kjo për faktin se autori, jo vetëm i referohet përkufizimit të përcaktuar për herë të parë nga Qendra Europiane e ekselencës për luftën kundër kërcënimeve hibride, por sepse argumenton bindhshëm veprimin e kryer nga aktorë shtetërore dhe joshtetërorë, që minojnë ose dëmtojnë një objektiv, duke kombinuar mjete të hapura dhe të fshehta ushtarake dhe jo ushtarake.
DIMEMSIONI AKADEMIKO-SHKENCOR
PËR FUSHAT E ANËTARËSIMIT TË SHQIPËRISË NË BE
Të dimensionit shkencor akademik janë në këtë vepër edhe “Fushat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, të cilat Prof. Shpëtim Cami ia përcjell lexuesit të detajuara e të zbërthyera, që nga fusha e lëvizjes së lirë të punëtorëve dhe e drejta e vetëvendosjes e të lirisë së ofrimit të shërbimeve; detyrimet dhe sfidat në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë; strategjinë ndërsektoriale të luftës kundër krimit të organizuar; politikat e BE për mjedisin, e deri kapitujt 29 dhe 30 që i kushtohen bashkimit doganor dhe marrëdhënieve me jashtë.
Jo pa qëllim autori sjell në vëmendjen e lexuesit kapitujt 5,6,7,8,9 që përcaktojnë standarte mbi prokurimet publike, të drejtën e ndërmarrjeve, të drejtën e pronësisë intelektuale dhe politikat e konkurencës dhe shërbimet financiare. Po ashtu edhe kapitullin 10 që i dedikohet shoqërisë së informacionit dhe në mënyrë të veçantë dokumentit të politikave për sigurinë kibernetike.
Në fokusin e autorit është edhe analiza e tij e hollësishme për kapitullin e 11 “Bujqësia dhe zhvillimi rural, referuar ligjit Nr. 106/2016, “ Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre” , i cili përafrohet me Rregulloren e BE Nr. 834/2007 që ka impakt në Sigurinë ushqimore dhe që përbën edhe një kapitull të veçantë anëtarësimi siç është kapitulli 12, emërtuar “Politikat e Sigurisë Ushqimore” . Ky kapitull ka prodhuar miratimin e VKM Nr 434 datë 11/07/2018 mbi etiketimin e ushqimit dhe informimin e publikut.
Po ashtu, referuar studimeve europiane, si një nga sfidat e arsimit të lartë, (kapitulli III), me analizën, përfundimet dhe rekomandimet e tij, Prof. Sh.Cami synon të kontribuojë në përshpejtimin e procesit të antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke adresuar vëmendjen tek institucionet e arsimit të lartë, si një nga aktorët më të rëndësishëm për përgatitjen e specialistëve të ardhshëm në fushën e politikave dhe institucioneve europiane.
Parë nga ky këndvështrim, punimet shkencore të prof. Sh.Camit do të ishin pikë reference edhe për grupin përgjegjës negociator Shqipëri – BE. Sepse si askush tjetër ai jep orientime të mirëagumentuara shkencërisht, tashmë që Shqipëria është një hap më afër dhe shënon një moment historik në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
AUTORI SHPËTIM CAMI, NJOHËS PERFEKT I HISTORISË

Me këtë vepër shkencore ky autor i mirënjohur vjen edhe si njohës perfekt i historisë bootërore, europiane e të Ballkanit, të reflektuara këto në punimet: “Roli i faktorit ndërkombëtar në themelimin e sistemeve politike në Ballkan në shekullin e 19-të”; “Nacionalizmi, Integrimi dhe Siguria”; “Moshimi, si një rrezik për sigurinë njerëzore”; “Kontributi i shqiptarëve në trojet e tyre në Republiken e Maqedonisë Veriut, për ushtrinë shqiptare”; “Roli i këshillave vendor të Sigurisë Publike në minimizimin e pasojave të fenomeneve ektreme të natyrës”, si dhe “Sfidat e integrimit Euroatlantik të Shqipërisë dhe ndikimi i tyre në sigurinë kombëtare”.
Po në këtë linjë do të evidentonin edhe analizat dhe reçensat e disa librave në fushën e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, ku spikasin ato me tituj: “Dëshmia e gjeneralit, një libër me vlera globale” (Vlerësim mbi librin “Ushtria Çlirimtare Kombëtare” të autorit Gëzim Ostreni); “Një këndvështrim mediatik mbi luftën e UÇK në Maqedoninë e Veriu” (Mbi librin “Konflikti i vitit 2001, në fokusin mediatik” të gazetarit nga Maqedonia e Veriut, Z, BEKIM ADILI); si dhe “Një kontribut me vlerë në fushën e sigurisë kombëtare” (Vlerësim mbi librin “Institucionet private të sigurisë dhe roli i tyre në fushën e Sigurisë Kombëtare” të autorit AGRON MALAJ.
Tek “Një studim me vlera të shumëfishta në fushën e të drejtës dhe të marrëdhenieve ndërkombëtare”, autori na njeh me informacionin mbi Mbretin Filip dhe Aleksandër, marrëdhëniet me Greqinë dhe vendimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara pas shkëputjes së Maqedonisë së Veriut nga ish Jugosllavia dhe shpalljes së pavarësisë, që sipas tij paraqiten bazuar në referenca të përzgjedhura nga autorja Dr. Lacka, duke sjellë një këndvështrim të ri mbi ngjarjet ballkanike. Referuar këtij libri, Prof. Sh.Cami konsideron interesant faktin e paraqitjes së qëndrimeve të ndryshme politike dhe intelektuale greke, ku qëndrimi politik këmbëngul në mos njohjen e emrit të Maqedonisë, ndërkohë që 56 intelektualë grekë deklarohen nëpërmjet një memorandumi për njohjen e emrit të Maqedonisë për shtetin e tyre fqinjë. Kjo sipas tij për faktin se: “Autorja i kushton një rëndësi të veçantë marrëdhënieve midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut , ku emri ishte pengesa kryesore e marrëdhënieve të mira dhe e integrimeve euro-atlantike”. Në këtë reçensë mjaftë profesionale mësojmë se si “Rast pas rasti na paraqitën në libër, qëndrimet kundërshtuese dhe mohuese të përfaqësuesve grekë nga nivelt më të larta e deri në nivelet lokale, ku jepet rasti qëndrimit të kryetarit të Bashkisë së Athinës gjatë promovimit të librave të Ismail Kadaresë të përkthyera në greqisht , në Athinë”.
VLERËSIME TË AUTORITETEVE SHKENCORE
PËR LIBRIN “DINAMIKAT KOMPLEKSE TË HAPËSIRAVE TË LIRISË”

Libri i Prof. as. dr. Shpëtim Camit (përmbledhje studimesh shkencore) është i një rëndësie të veçantë edhe për faktin se mbart ekspertizën e disa autoriteteve të njohura shkencore. Njëri prej tyre, Prof. as. dr Edit Bregu (reçensent i librit) vlerëson se autori i këtij libri, Prof. Shpëtim Cami, i njohur për punimet e tij në fushën e shkencave politike e marrëdhënieve ndërkombëtare, sjell në këtë botim të radhës, një vepër që ndërthur mendimin filozofik me analizën e strukturave sociale. Kjo sipas tij, për faktin se “Ky libër i strukturuar në 3 (4) kapituj, me disa artikuj kërkimor shkencor dhe analiza dhe recenca librash të autorëve të njohur, tema dhe studime serioze në fushat e shkencave politike, sigurisë dhe marrëdhënie ndërkombëtare; hedh dritë në një nga temat më të rëndësishme dhe aktuale në fushën e arsimit të lartë dhe zhvillimit social: MISIONIN E TRETË TË UNIVERSITETEVE, pra rolin e universiteteve përtej edukimit dhe kërkimit shkencor”. Prof. Edit Bregu vlerëson përmbajtjen cilësore, të veprës që eksploron sesi universitetet mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të komuniteteve ku ato operojnë. Parë nga ky kënvështrim, reçensenti, Prof. As. Dr. Edit Bregu sjell në vëmendjen e lexuesit disa prej temave në të cilat Prof.Cami ka hulumtuar dhe është përpjekur të hedhë dritë si psh: Siguria energjitike dhe sfidat e lidershipit, moshimi si rrezik për sigurinë njerëzore; bashkëpunimi civilo-ushtarak në fushën akademike përsa u përket rreziqeve dhe kërcënimeve hibride të postmodernizmit; roli i këshillave vendorë të sigurisë publike në minimizimin e pasojave të fenomeneve ekstreme të natyrës; studimet europiane si një nga sfidat e arsimit të lartë etj, për të kuptuar misionin që duhet dhe mund të kenë institucionet akademike, duke kaluar përtej kontekstit teorik të situatave në atë praktik ku dilet me rekomandime konkrete dhe realizohet një lidhje e drejtëpërsëdrejti e profesoratit me kërkesat e tregut të punës, qeverisjes dhe lidhjes me kërkesat e realitetit postmodern global. “Çdo argument është i mbështetur mirë dhe i paraqitur me një qartësi që reflekton një kuptim të thellë dhe të mirëmenduar të temave të analizuara. Aftësia e tij për të ndërthurur teoritë komplekse në një mënyrë të kuptueshme është për t'u admiruar”,-nënvizon ndër të tjera Prof. As. Dr. Edit Bregu. Po ashtu ai vlerëson stilin e veçantë të shkruarit të autorit Sh.Cami, që ndërthur qartësinë me kompleksitetin teorik të çështjeve që trajtohen. E kësisoj, sipas tij “Stili i shkrimit të Prof. Cami është i qartë, duke bërë që edhe temat më komplekse të bëhen të kuptueshme për një audiencë më të gjerë” (fq.8).

Ndërsa recensenti tjetër, Prof. As. Dr Simon Gega, i vlerësuar nga autori, kolegu i tij, Prof. as. dr Shpëtim Cami, që i besoi të jepte një opinion, për këtë përmbledhje punimesh shkencore të mbajtuara në kohë, universitete, konferenca dhe audienca të ndryshme, nisur qoftë edhe thjesht nga titulli, vlerëson se “botimi është ‘sygjestionues’ për të kuptuar thelbin e lirisë në këndvështrimin e autorit’ . Kjo sipas tij për faktin se hapësira e lirisë, nuk është e përkufizuar nga autori, por lexuesi e kupton atë në larminë e punimeve dhe qëllimin e tyre.
Si përfundim do të thoja se, libri i prof. dr. Shpëtim Camit “Dinamikat komplekse të hapësirave të lirisë” duhet lexuar dhe duhet bërë pjesë e bibliotekave tona, për risitë që sjell në metotologjinë e punës kërkimore shkencore, në kërkim dhe zbërthim konkret të këtyre hapësirave.
Prof. As. Dr. Shpëtim Cami është paraqitur në fushën e studimit shkencor të hapësirave të lirisë me një përkushtim serioz, të përhershëm, ku qasja e tij në këtë fushë reflektohet bindshëm në librat e tij të mëparshëm: “Gjeopolitika elektorale” (2010); “Negociatat dhe globalizmi” (2011); “Marketingu politik” (2013); “Tribuna qytetare” (2015); “Lufta, Paqja, Siguria” (2015); “Ndikimi i marrëdhënieve ndërkombëtare në sigurinë e shtetit shqiptar (2019); etj, me bashkjautorë të njohur si: Dorian Leka, Harallamb Zerva e Pajtim Ribaj. Vështrimi, qasja, studimi dhe interpretimi i këtyre veprave është me interes të përhershëm.
Comments