top of page

Halil Haxhosaj, si një respekt dhe memorje


Halil Haxhosaj (1946-2017)

DISKURSI PËRSHKRUES I POEZISË

Mbi krijimtarinë e poetit Halil Haxhosaj, si një respekt dhe memorje

Dr Fatmir Terziu


Përshkrim memorial


Në moshën 70-të vjeçare u nda nga jeta në vitin 2017-të Profesori dhe poeti Halil Haxhosaj. Halil Haxhosaj (1946-2017) ishte një nga anëtarët e hershëm, që nga krijimi i Fjala e Lirë dhe natyrisht një penë e vlerësuar dhe mjaft e respektuar. Unë jo thjesht si kujtim ndaj veprës dhe figurës së tij, por edhe si një qasje ndryshe e sjell në leximin dhe syrin e miqve dhe krijuesve sadopak ndryshe këtë emër dhe veprën e tij të lënë për brezat.

Në majin e 2017-ës, sikurse e citova që në hyrje, në moshën 70 vjeçare ndërroi jetë poeti dhe profesori i njohur Halil Haxhosaj. Është autor i tetë librave me prozë dhe poezi. Ishte kryetar i shoqatës së Shkrimtareve të Kosovës, dega në Gjakovë. Libri i tij i parë titullohet "Damarë të Ringjallur" (1994), i cili është botuar nga Klubi Letrar "Gjon Nikollë Kazazi" të Gjakovës. Në "Kafaze me Pantera" do të titullohet libri i tij i dytë, i botuar nga "Rilindja" e asaj kohe. Në librin i tij i tretë, që është shkruar në formë sonete, titullohet "Zëra te Grisur". Gjatë viteve 2004 autori arrin që të botohet për herë të parë edhe në gjuhën rumune. Krijuesi Haxhosaj gjate këtyre viteve arrin kulminacionin duke na befasuar edhe njëherë me librin e tij te radhes "Pastaj behu Relikt", botimin e së cilës e bënë SHB "Rozafa" e Prishtinës. Libri i tij i fundit quhet "Pakohesha" dhe është botuar në formë proze nga SHB "Gjon Buzuku", Prishtinë 2005. Halil Haxhosaj ishte i martuar dhe ka katër fëmijë. Jetonte dhe punonte në Gjakovë. Krahas shkrimeve, Halil Haxhosaj, punonte edhe si profesor i gjuhës shqipe në shkollën e mesme te mjekësisë "Hysni Zajmi" në Gjakovë. Ai është fitues i disa çmimeve nacionale për letërsi.

Rreth autorit

Halil Haxhosaj ka lindur më 16 nëntor 1946, në një familje të madhe në Prelvukaj të Vokshit.Mësimet fillestare, shkollën Normale dhe SHLP – Dega Gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Gjakovë, ndërsa Fakultetin në Universitetin e Kosovës në Prishtinë Një kohë punoi mësues dhe arsimtar në Cërmjan të Dushkajës, ndërsa tash është profesor i Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në Shkollën e mesme të mjekësisë “Hysni Zajmi” në Gjakovë. Është edhe kryetar i Degës së Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës në Gjakovë dhe anëtar i kryesisë së Klubit letrar "Gjon Nikollë Kazazi" të Gjakovës. Me shkrime letrare ka filluar të merret që kur ishte nxënës i shkollës fillore. Me shkrimet e veta është fitues i disa shpërblimeve letrare.

Në vitin 2006 ka fituar çmimin e tretë për kritikë letrare në konkursin e shpallur nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në 75 vjetorin e lindjes së Dritëro Agollit. Po ashtu poezia e tij është e përkthyer edhe në rumanisht, gjermanisht, anglish, italisht, polonisht, serbisht, etj.

Halil Haxhosaj shkruan poezi për të rritur dhe për fëmijë, prozë, kritikë letrare, shkrime për teatër, romane, drama, skenar për film e televizion dhe shkrime publicistike. Deri tash ka botuar këto vepra poetike: “Damarë të ringjallur”, Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 1992, “Në kafaz me pantera”, “Rilindja”, Prishtinë, 1993, “Këngë të ngrira”, “Jeta e re”, Prishtinë, 1996, “Zëra të grisur”, “Rilindja”, Prishtinë, 1998, “Hija e orëligës”, “Rilindja”, Prishtinë, 2000, “Pastaj bëhu relikt”, “Rozafa”, Prishtinë, 2003, “Umbra viselor – Hija e ëndrrave”, Bukuresht, 2004, “Pakohësi”, tregime, “Buzuku”, Prishtinë, 2005, “Përimtime letrare”, kritika letrare, KL “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2006, “Fjalë e plagë”, poezi, KL “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2007. Në kujtim të veprës së tij ndalemi mbi krijimtarinë e poetit Halil Haxhosaj.

Hyrje

Teksa merr në dorë një nga dhjetra vëllimet poetike të poetit shqiptar, Halil Haxhosaj, pikërisht vëllimin: “Fjalë e plagë” (2007), të bie në sy udhëtimi imagjinar që përshkruhet mes një itinerari jetik. E gjitha nën një pushtet figurativ që plotësohet me ‘shenjat e flokëve’, që luajnë rolin e simbolikës së ‘tridhjetë e gjashtë rrathëve’ si simbole të viteve mbi ‘kurrizin e shpinën’ e poetit. Është pikërisht poezia e këtij vëllimi “Shenja në flokë” që gërsheton gjuhën me mesazhin dhe jep një panoramë sa vizive dhe komplekse të njeriut që krijon me një mjeshtëri të ngjyer bukur e këndshëm sa në muzën popullore e traditën e pasur gjuhësore, aq edhe në bashkëkohoren, imediaten dhe atë që tërthorazi komunikon pastër me lexuesin. Është një poezi tipike, ku profesionalizmi i një poeti të tillë, mund të konsiderohet me vlera të larta në tërë lëminë poetike shqiptare që krijohet dhe vazhdon të lëvrohet në trevat shqiptare.

Shenja në flokë” është një model ku mjafton të shihet struktura e vargut të lirë, të shihet e vendoset pa diskutim ana e quajtur njohëse për poezinë në këto stade të unifikuara me një fjalë të përzgjedhur: “Pastaj erdhi dikush/Me gërsherë në dorë/Dhe ma mori një shenjë në flokë/Piskama ime/Tkurri pranverën në bulim/Gurrat në gurgullimë/Më mori përdore/Dhe më shpuri dikund/M’i vari tridhjetë e gjashtë rrath/Në qafë në gjoks në shpinë/Ec më tha/Edhe pse gulçima të thella/Më dilnin nga duhamat/Avuj të nxehtë nga djersët”. E ndërsa kjo poezi e ndërvarur simbolikisht nga ‘shenjat e flokëve’tejkalon normativën e lidhur me moshën e njeriut, poezia “Fund për vargje s’paska” është një lidhje mes dëshirës dhe talentit që mbetet jashtë kësaj dialektike të jetës së njeriut që lidhet edhe me moshën e tij mes një procesi evolues të krijuesit dhe vetë kërkesave të poezisë që lëvron ai: “Vargjet për vetvete/S’paskan të sosur/Gjithmonë mbetet/Diçka peng/Nga stili/Nga figurshmëria/Nga frymëzimet/Kurrë s’po u gjendka fundi/I vargjeve të vetvetes/Kurrë ...!”.

Mesazhi për të tërën dhe diskursi poetik

Silueta të hirta” është një tjetër poezi që vërteton këtë veçori që zgjedh e përdor poeti për të komunikuar mes asaj që vjen nga vetja për të plotësuar një mesazh për të tërën, kompleksin e një bote që rrethon fatin, jetën dhe procesin e gjatë të lidhjes me hapësirën: “Në hapësirën e pafund/Të pikës së errët të Universit/Trupi im i shtrirë/Asgjë nuk pëpëtin/Një fllad i lehtë puhize/Përkëdhel çdo gjë përreth/Me gërsherë të kohës në duar/Siluetat e hijëta të orbitës/E përgjysmuan atë/Ia hoqën një arterie të mbyllur/Të zemrës, mushkërive syve/Dhe veshkën e djathtë/Që të mbetesh gjallë/Jeto kështu/I thanë.” Mes këtyre shembujve të sjella nga poezia e Haxhosajt, natyrshëm objekti i përcaktuar nga vetë autori dhe subjekti rreth të cilit ai ndërton mesazhin, kapërcejnë në mënyrë normative barrierat e fjalëve dhe formojnë diskursin e komunikimit të vlerës së jetës nëpërmjet jashtëkalimit të normativave klishe dhe ndikuese të fjalës së ngarkuar. Racionalja e fjalës së përzgjedhur të Haxhosajt vjen në këtë diskurs poetik si një detaj ku komunikimi veç simbolik është metafizik, dialektik dhe filozofik në tërë aspektin e tij.

Forma përshkruese

Në fakt kur flasim për poezinë e Haxhosajt, nuk duhet të lëmë mënjanë formën e saj përshkruese që krijohet në mënyrë perfekte. Një formë që krijohet nga vetë diskursi poetik dhe poezia si art i fjalës. Në thelb këtu është një lidhje por edhe një element i diskursit përshkrues mes aspekteve jetike.

Diskursi dhe poezia që lidhet me aspektet jetike, duket se i përkasin dy botëve autonome, por në fakt mesazhet respektive të tyre janë në "substancë" një iluzion i krijuar me anë të tyre (Hale, 2001:480). Kështu studimi i Chatman duke ardhur në ndihmë në këtë rast na jep mundësinë të kuptojmë se kemi të bëjmë me një element të ‘diskursit përshkrues’. (Chatman, 1978:59). Sipas Seymour Chatman (Callen) ky diskurs në një poezi të tillë është një strukturë që përfaqëson "atë" si një poezi më vete, tipike e të veçantë që vjen me anë të gjuhës ‘karakteristike’, pra që është e strukturuar nga fjala e përzgjedhur dhe nga efekti i konvertimit të gjuhës në diskurs, dhe kur të tjerët elementë poetikë shërbejnë ekskluzivisht për "paraqitjen e fenomeneve që kanë ndodhur”. (ibid).

Reduktimi i një diskursi të tillë në lidhje me përshkrimin për identitetin - në rastin e poezisë , “Hulli jete në ballë” ka si pasojë diktimin logjik të lidhjeve mes ‘krenari lëshoja’ dhe ‘në prehërin e prindërve’ duke formuar kështu një diskurs përshkrues të plotë me tërë identitetin e tij të lidhur me ‘kohën e acartë’, ‘shpresën e ngrohtë’, ‘akujt në cati’, ngjyrën e beharit’ dhe ‘mjelljen në oborr’: “Nëpër kohën e ngrirë e të acartë/U bëra shpresë e ngrohtë/Për t’i shkrirë akujt mbi çati/Bashkë me rrezet e reja të diellit/Ta sillja pranverën e vakët/Nëpër skutat e errëta/Ngjyrën e beharit/Ta mbillja në oborr”.

Nga Frojdi, tek Barthes dhe koncepti ndryshe nga Brroks

Një tjetër teori që trajton këtë fenomen është ajo e Brooks që synon përpjekjet për të lidhur idetë e Barthes me ato të Frojdit. Mes poezisë së Haxhosaj në këtë pikë gjejmë lidhjen tek fraza që përdor Barthes "dëshirën për fund" nga rruga për të realizuar një qëllim dhe aspektin e Frojdit që lidhet me ‘sensin e të gjithë jetës’.

Në modelin Frojdian, është e mesmja narrative që shtyn jetën drejt organizmit. Në modelin Bartezian, mes këtij narrativi është zinxhiri si pasojë i elementëve të jetës që lidhen me dëshirën imediate dhe sforcimim e krijuesit. Por, Brooks e sheh me skepticizëm këtë ndërlidhje rreth diskursit përshkrues dhe e cilëson si tejet autoritative. Ai shton se në këtë mënyrë autori nuk e ndan dot vetveten nga të paturit e një teorie apo një rregullsie për letërsinë, edhe pse kjo nuk e pengon atë nga të qenit në gjendje të krijojë me stilin e tij. Poezia “Loja u plak” ngjan më shumë e tendosur në këtë ide: “Në ballë të furtunës/Një dritë ndriçonte/Që kurrë s’ishte parë/As këtu as atje/Rolet ndërronin/Loja ndërronte krahun/Edhe andej edhe këtej/Reformat kishin kapluar/Rrathet e jetës/Me trajtë mbi trajtë/Me ligj mbi ligj/Formësohej dhe riformësohej/Bulimi i stinës për ardhmëri/Në mbrëmje ndërronin ngjyrat/Frymëmarrja kishte vështirësi/Loja u plak”.

Konkluzion

Halil Haxhosaj jetoi dhe krijoi në Gjakovë. Kështu fjala e tij poetike shihet si një ‘identitet’ i radhë i vlerave më të spikatura të zonës nga buroi ajo dhe aty kua ia ua la brezave. Poezia e tij e fuqizuar nga diskursi i përshkrimit natyrshëm luan një rol të madh në lëminë e pasur e të bukur të krijimtarisë poetike shqiptare. Duke parë këto vlera që mbart poezia e tij në një fushë të gjerë të këtij diskursi, natyrshëm meriton të thuhet se poezia e Haxhosajt duhet konsideruar si një normë e duhur e përfshirjes në pasurinë krijuese Kombëtare shqiptare. Poezia e Haxhosajt na dëshmon aspektin jetik që mbetet i tillë për gjithë jetën. Jetëgjatësia e saj e piketuar me formatin e njohur dhe me njhourinë e autorit na bën të përllogarisim atë si një poezi me vlera të arritura bashkëkohore.

Referenca:

Barthes, R. (1978) Diskursi i të Dashurit: Fragmente. Nju Jork: Farrar, Straus dhe Giroux.

Chatman, S (1978) Krijimi dhe diskursi. Ithaca: Cornell University Press.

Frojd, Z. (1978) Civilizimi dhe Diskontët e tij. Londër: Oxford University Press.

Hale, J. Dorothy (2001) Një antologji e kritikës dhe teorisë. Londër: Blackëell.

Haxhosaj, H. (2007) Fjalë e plagë. Gjakovë: Gjon N. Kazazi.


30 views0 comments

ความคิดเห็น


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page