top of page

HAKMARRJANË KODIN BARBARIÇINO...


HAKMARRJA

NË KODIN BARBARIÇINO TË SARDENJËS DHE NË KANUNIN E LEK DUKAGJINIT.


Lutfi ALIA

Siena - Itali

 

     Hakmarrja e trajtuar në Kodin Barbariçin në trevën Barbaxhia të Sardenjës, ka ngjashmëri impresionante me aktin e hakmarrjes - gjakmarrjes në Kanunin e Lek Dukagjinit dhe në 25 kanunet e trevave të tjera shqiptare. Për të kuptuar çfarë përfaqëson Kodi Barbariçin, duhet bërë një vështrim historik, për të njohur origjinën e tij. Dihet se popullata sarde, për mijëra vite është sulmuar dhe është pushtuar nga popujt e tjerë të ardhur nga deti. Populli sard, ka përjetuar në shekuj kulturën autoktone Nuralgjike, por dhe atë të pushtuesve, si kulturën Fenike dhe Punike, më pas u ndikuan nga kulturat romake, bizantine, spanjolle dhe së fundi ato të mbretërive dhe të Republikës së Italisë.

     Në historinë mijëravjeçare sarde, imponimi i kulturave të pushtuesve nuk e ka ndryshuar kulturën antike autoktone nuralgjike, e cila është transmetuar brez pas brezi, sidomos është ruajur në zonat e thella të ishullit. Kultura e lashtë sarde shihet në Menhiret, në Domus de Janas që ishin varre paranuralgjike, ku jetonin Janas (Jana ishte figurë mitologjike sarde e njëjta si Zana iliro-arbërore); me shtatoret gjigande të luftëtarëve sardë, ashtu si me figurat në bronz, që janë ndryshe nga ato në vendet e tjera të botës.

    Popullata sarde, ishte në numër të vogël, andaj nuk mund të përballonte forcat e mëdha pushtuese, për pasojë në zonat bregdetare pranoi vendosjen e kolonive të push-tuesve, me të cilat krijoi raporte bashkekzistence paqësore dhe shkëmbimesh tregëtare, duke konsoliduar pakte Amistade (miqësie) dhe lidhje krushqie me popujt e adhur nga deti. Shkatërrimet më të mëdha ndodhen gjatë pushtimit nga romakët, të cilët depërtuan në zonat e thella duke grabitur dhe shkatërruar fshatra, duke marrë robër burra dhe gra që i kthyen në skllevër. Pjesët e popullatës që nuk iu nënshtruan romakëve, u fshehën në zonat e thella si në luginën e Lanaitto, Tiskali, Gorroppu dhe në Supramonte. Në këto zona të thella jetuan të izoluar duke ruajtur identitetin sard. Në shekujt në vazhdim, koncepti i Sardenjës territoriale, mori format shtetërore, me ishullin e ndarë në entitete politike sovrane, të organizuara në katër mbretëritë Kaliari, Torres, Gallura dhe Arborea. Ky organizim shtetëror shprehte kapacitetin e sardëve të jetonin të lirë nga dominimet e të huajve dhe të vetëdrejtoheshin nëpërmjet formave komplekse të sistemit me asamblenë e gjyqtarëve sovranë të coronas de logu (kurora mbretëruese e vendit), si dhe më ligjet e veta. Këto rregulla të lashta e frymëzuan Mariano IV D’Arborea (1317-1375), të hartojë Carta de Logu, që konsiderohet një ndër aktet më të hershme të sistemit juridik sard. Termi Logu, në latinisht logos - vendi, i përdorur dhe në gjuhë shqipe logu - vendi, si shprehet nga malësorët e veriut Logu i Bjeshkëve, pra në gjuhë sarde Carta de Logu, në shqip do të thotë Karta vendore. Në shkurt të vitit 1355, Pietro IV Aragon, mblodhi në Kaliari parlamentin e parë të Sardenjës, ku u shpall kushtetuta, e cila i referohej Kartës të Logut të Arborea. [Meloni G, Il Parlamento di Pietro IV d'Aragona (1355), in "Acta curiarum Regni Sardiniae", Cagliari, 1993, pp. 12 – 49].

     Më 14 prill 1392, Eleonora d’Arborea (1340 – 1404) sovrana e Arborea, shpalli Karta de Logu për mbretërinë e Arborea. Ky dokument legjislativ ishte shkruar në gjuhë sarde vulgare - Limba Sarda. Në vitin 1421, mbreti Alfonso V Aragon, në parlamentin e Kaliarit konfirmoi zbatimin e Kartës të Logu të Eleonora d’Arborea, duke e shtrirë aplikimin e këtij akti në të gjithë Sardenjën. Karta de Logu e Eleonora d'Arborea, konsiderohet Kushtetutë e vërtetë sarde dhe mbeti në fuqi deri në vitin 1827 kur u zevendësua me Kodin Feliciano (hartuar nga Karlo Feliçe). Karta e Logut përfshinë norma të kodeve civile dhe penale dhe një seri normash të veçantë të konsideruara kodi rural. [Solmi A, Le costituzioni del primo parlamento sardo del 1355, "Archivio storico sardo", VI, 1910, p. 193]. [Italo Birocchi e Antonello Mattone, La Carta de Logu d'Arborea nella storia del diritto medievale e moderno, edizione 2004, Collana Misure, p. 377].

     Vite më pas, paralel me Karta e Logut, në trevën e Barbaxhia të Arborea, funksiononte Kodi Barabariçin, i cili sipas studiuesve Pigliaru dhe Sirigu ishte kodi i përshtatur në kushtet lokale të disa aspekteve juridike dhe rregullash të Karta e Logut. Ky modifikim dhe transformim i Karta de Logu në Kodin Barbariçin është kryer gradualisht, në mënyrë të pandërprerë, duke i përshtatur jetës bujqësore – blegtorale të këtyre banorëve. Kodi Barbariçino ishte i pashkruar, por përmbanë disa norma të njëjta me Karta e Logut, të përshtatura në kushtet lokale, sidomos masat ndëshkimore dhe zbatimi i hakmarrjes për fyerjet dhe vrasjet, andaj shpesh emërtohet dhe Kodi i hakmarrjes. [Antonio Pigliaru. La vendetta barbaricina come ordinamento giuridico. Milano 1959, pp.12 - 35] [Paola Sirigu. Il Codice Barbaricino, La riflessione, Davide Zedda Edizione,2007, 17 - 21].

     Kodi Barbariçin.

     Banorët e trevës Barbaxhia të Arborea, kishin ligjet dhe rregullat e veta, që drejtonin organizimin e jetës, marrëdhëniet familjare e shoqërore në këtë zonë të thella, i njohuri Kodi Barbariçin, një kod i pashkruar. Emëri Barbariçin është me origjinë nga latinishtja – Barbarica – kodi barbarë). Ky kod rural me rregulla dhe norma etiko-morale të detyrushme për të gjithë, bazohej në fjalën e dhënë nga kryefamiljari si garant, i cili jepte fjalën e nderit për zbatimin e pakteve të miqësisë (Amistade) dhe të respektit ndërmjet familjeve dhe komunitetit.

     Kodi Barbariçino në trevën e Brabaxhia, ka mbetur i pandryshuar me rregullat dhe normat dhe pse ishin të pashkruara, njiheshin, riprodhoheshin besnikërisht brez pas brezi dhe të respektuara nga të gjithë banorët. Kodi Barbariçino mbijetoi më shekuj në formën e pashkruar, ashtu si Kanunet e Maleve shqiptare, ndërsa në vitet ’50 të shekullit XX pedagogu i të drejtës penale Antonio Pigliaru, pasi i dëgjoi nga banorët të rrëfyera në gjuhën sarde (Limba Sarda), i transkriptoi, i përktheu në gjuhën italiane standarte dhe e sistemoi këtë kod në tre kapituj me 23 artikuj. Prof. Pigliaru, në vitet 1955 – 1969 botoi disa studime rreth përmbajtjes të këtij kodi dhe sidomos rreth hakmarrjes, për çka dhe e quajti Kodi i Hakmarrjes. Sipas Pigliaru, në trevën e Barbaxhia të Arborea, ky kod i pashkruar vepronte paralel me Karta e Logut. Sipas Pigliaru, Kodi Barbariçino në trevën e Barbaxhia përfaqëson nje frakturë totale dhe definitive të banorëve me autoritetin e shtetit dhe shpreh jetën e izoluar mes maleve të barinjëve. Jeta e vështirë e barinjëve në Barbaxhia, për të plotësuar nevojat e familjeve, ishte në konfilkt të përhershëm me natyrën dhe varfërinë dhe kushti i themelor për të mbijetuar në këtë mjedis, bariu duhej të ishte i fortë dhe burrë i ndershëm - uomo d'onore, në gjuhën sarde BALENTE, i cili e mbronte dinjitetin e tij, të familjes se tij dhe bëhej garant i fjalës së dhënë. Kush shkelte rregullat e kodifikuara ndëshkohej sipas tipit të shkeljes, ose të fyerjes të kryer nga individa, që konsideroheshin persona me pak vlera, andaj banorët i quanin omine de paku gabbale. Ky kod përmban rregulla dhe norma etiko-morale të marrëdhenjeve shoqërore dhe nuk është kod i banditizmit. [Antonio Pigliaru. La vendetta barbaricina come ordinamento giuridico. Milano 1959, pp. 12 - 35] [Antonio Pigliaru. Il banditismo in Sardegna, il codice della vendetta barbaricino. Milano, Giuffrè edizione 1975, pp. 5 - 20]

     Kodi Barbariçino ishte pakti i aleancës ndërmjet familjeve, pakt me rregulla, me të drejta dhe me detyrime shoqërore, i transmetuar brez pas brezi, i pashkruar por i ruajtur në kujtesën e popullit, i cili ka transmetuar deri në ditët tona. Ky kod është shprehje e kulturës agro-blegtorale sarde, i vetmi burim i mbështetjes në popullatën e zonave të thella, i maturuar si formë e tutelës të identitetit të kulturës sarde, që nuk pranonte t’i nënshtrohej kulturave të ardhura nga deti e në këtë mënyrë ruajti identitetin dhe origjinën historike, si thonin sardët: për t’u mbrojtur ndaj Continentales Istranzos, pra mbrohemi nga popujt e huaj të ardhur nga kontinenti. Si kanë theksuar shumë studiues, mbrojtja ndaj të huajve dhe izolimi në brendësi të teritoreve sarde, kishte diktuar organizmin familjar dhe shoqëror të bazuara në rregulla dhe norma, që grantonin mbrojtjen e identitetit sard, rregulla dhe norma etiko - morale të ngjashme me Kanunin e Lek Dukagjinit.

     Kodi Barbariçino, përmban rregulla dhe vlera, mbi bazën e të cilave shquhet nderi i burrit - uomo d'onore, në gjuhën sarde BALENTE. Një burrë Balente nuk fyen dhe nuk mund të pësojë fyerje, sepse kur fyhet është i detyruar të përgjigjet me të njëjtën mënyrë, duke e vënë në vend nderin e tij dhe të familjes, pra duhet të hakmerret për fyrjen. Figura e Balente – burri që mbron nderin etj, shpreh një shoqëri të fortë me rregulla, ku vlen dinjiteti dhe krenaria e burrit dhe pikërisht këto vlera janë shtylla qëndrore ku mbështet kjo kulturë antike mijëvjeçare. [Solmi A, Sulla "Carta de Logu" Cagliaritana, in Studi giuridici in onore di Carlo Fadda, Pierro, Napoli, 1916, vol. I, p. 182].

     Rregullat e pashkruara në Kodin Barbariçino, përcaktojnë kufij të saktë për kryerjen e hakmarrjes, e cila nuk mund të kryhet me vetëgjyqësi nga individi i fyer, sepse sipas kodit, hakmarrja duhet të jetë proporcionale, e kujdesëshme dhe e kryer në mënyrë progresive nga burri me nder (Balente). Në artikuj të veçantë të këtij kodi shprehet karakteri parandalues, si p.sh theksohet: “Si no m’offenet, no l’offenno – se nuk më fyen, nuk të fyej”, por nga ana tjetër thekson, se ndaj fyerjes nuk mund të heshtet, detyrimisht fyesi duhet të ndëshkohet si shprehet në këtë kod: Su sambene no esa ba – gjaku nuk është ujë dhe në vazhdim S’honnore clamat vindicta – nderi kërkon hakmarrje. [Antonio Pigliaru. La vendetta barbaricina come ordinamento giuridico. Milano 1959, pp. 12 - 35].

     Jeta e izoluar dhe mosbesimi ndaj popujve që vinin nga deti, vetorganizimi dhe vetadminsitrimi shoqëror dhe bujqësoro – blegtoral në trevën malore të Brabaxhia, ndikuan të ruhet gjenia dhe kultura mijëravjeçare e këtyre banorëve, të cilët i kanë shmangur kontaminimet nga invazorët e huaj, kësisoj mbijetuan dhe garantuan vazhdimësinë në saje të rregullave dhe normave me vlera morale të Kodit Barbariçino. Ky kod përmban vlera shoqërore që mësoheshin gjatë jetës, prindërit ua mësonin fëmijëve e kësisoj transmetohej brez pas brezi, pa u ndryshuar, duke edukuar fëmijët për t’u ndergjegjësuar si burrë nderi, burri Balente – burri me vlera. [Paola Sirigu. Il Codice Barbaricino, La riflessione, Davide Zedda Edizione,2007, 15 - 47].

     Në trevën e Barbaxhia, jeton një komunitet i hershëm arbëresh, që ende flet gjuhën Arvareshu (Arbëreshe), të cilën linguistët sardë e konsiderojnë motër e gjuhës albaneze. Një grup familjesh malësorësh arbërore në fillimet e shekullit XVI, arrijtën në Sardenja me anijet e Andrea Doria dhe u vendosën në Barbaxhia, ku u impenjuan në aktivitetet bujqësore dhe sidomos në blegtori. Familjet arbërore dhe pse të huaja, u mirëpritën nga vendasit dhe u integruan në jetën e re të Barbaxhia, të organizuar me rregulla dhe norma etiko-morale të ngjashme më ato të vendeve të origjinës, të drejtuara nga Kanuni i Lek Dukagjinit. Gjuha arvareshu e herëshme ende ruan fjalë të gjuhës albaneze, të cilat i ka mbledhur studiuesi Salvatore Bovore Mele, disa prej tyre po i prezantoj në vazhdim, duke e shkruar së pari fjalët e shqipes aktuale, anash fjalët në arvareshu (në korsive), që fliten ende në Barbaxhia dhe fjalën në gjuhën italiane:

Anije – anae – nave

Baras – barrasha – equo, uguale

Bashkë – bashka – assieme

Bora – borea – neve

Dora – dola – mano

Guri – gurdu – pietra

Gjiri – gjiria – golfo

Kaloj – cola (kola) – passa

Këmba – kama – piede

I madh – medha – grande

Lumi – lumina – fiume

Mace – macitu – gatto

Mali – malesha – monte

Mendim – miduine – pensiero

Faleminderit – fallegamindra – grazie (indra – nderi)

Për rreth – reti – attorno

Rruga – rucha (ruka) – strada

Shumë – e isumesia – molto

Sulmoj – shulonju – scagliare

Sy – seiu – occhio

Zëri – xirri – voce etj, etj.

 

 



 

Barinjë në Barbaxhia, në fund të shekullit XIX.

Foto marrë nga botimi i Paola Sirigu. Il Codice Barbaricino, La riflessione, Davide Zedda Edizione,2007.

 

     Para se të analizojmë ngjashmëritë e dukurive të hakmarrjes të Kodit Barbariçin me atë të Kanunit të Lek Dukagjinit, po prezantoj tekstin e Kodit që drejtonte jetën e banorëve në trevën malore të Barbaxhia - Sardenjë.

TEKSTI I KODIT BARBARIÇIN

     Teksti i këtij kodi u prezantua nga Antonio PIGLIARU i cili e mblodhi sipas rrëfenjave gojore të banorëve të Barbaçia, i përktheu në italishten standarte dhe i dha formën e Kodit të sistemuar në 23 artikuj (nyje) të  ndarë në tre kapituj: 1. Parime të përgjithëshme; 2. Fyerjet; 3. Masa e hakmarrjes.

KAPITULLI I: PARIME TË PËRGJITHËSHME.

 

Artikulli 1. 

Fyerja duhet të hakmerret.

Nuk është në nderin e burrit në se heq dorë nga detyrimi i hakmarrjes, me përjashtim të rasteve, kur ka pas dhënë prova burrnie në jetën e tij dhe heq dorë për motive morale të larta.

Artikulli 2. 

Ligji hakmarrjes i detyron të gjithë ata, të cilët me çdo lloj titulli jetojnë dhe punojnë në komunitet.

Artikulli 3. 

Titullari i detyrimit të hakmarrjes, si subjekt i ofendimit, si individ ose si grup, në vartësi të ofendimit në se është bërë e qëllimshëme ndaj një individi të vetëm, ose ndaj një grupi shoqëror, në kompleksitetin organik, do të kryhet menjëherë, ose me ndërmjetës.

Artikulli 4. 

Kush jeton dhe punon në komunitet nuk preket nga hakmarrja, në se fakti nuk është parashikuar si fyerje. Askush nuk mund të konsiderohet përgjegjës për fyerjen, në se në atë çast që ka reaguar nuk ishte i aftë të kuptonte dhe te vepronte qëllimisht e në këto raste personat përgjegjës përgjigjen moralisht.

Artikulli 5. 

Përgjegjësia është individuale ose kolektive, sipas ngjarjes fyese, me pasoja veprimin e një individi, ose e grupit të organizuar që ka pësuar fyerjen. Grupi i personave të organizuar sipas lidhjes natyrale, ose per efekte të krijuara nga raportet shoqërore, përgjigjen ndaj fyerjes kur kjo është shkaktuar dhe nga një individ i grupit, me inisiativë individuale e në këto raste dhe vetë grupi përballet me pasojat e veprimit ofensiv dhe kur në mënyrë të qartë shpreh solidaritet ndaj fajtorit që ka kryer fyerjen.    

Artikulli 6. 

Përgjegjësia është e cilitdo që ndodhet në rrethanat e mysafirit dhe përgjegjësia është personale dhe është pasojë e veprimeve të rastit, ose nga mosveprimi, në raport me detyrimet e veçanta në statusin e tij.

Artikulli 7. 

Hakmarrja duhet të kryhet vetëm kur është bërë tej çdo dyshimi, me qartësi të personit përgjegjës që ka vepruar me dashje.

Artikulli 8.

Hakmarrja shlyhet

a.     Kur fajtori ndershmërisht pranon përgjegjësinë e tij, duke marrë përsipër detyrimin për dëmshpërblimin e kërkuar nga personi i fyer, ose kur përcaktohet me vendim arbitror.   

b.     Kur fajtori ka vepruar në rrethana nevoje, ose gabimisht, ose në rrethana rastësie, ose sepse është detyruar nga të tjerët me ushtrim dhune, ndaj të cilëve nuk mund të shmangej. Në rastin e fundit, përgjegjës për fyerjen është autori që ushtroi dhunën.

Artikulli 9. 

Zbatimi i ligjit të hakmarrjes pezullohet ndaj personit dhe pse në thelb është i dyshuar, kur kërkon dhe fiton të drejtën t’i nënshtrohet provave të betimit dhe pas kësaj lirohet. Në këto raste, betimi duhet të kryhet sipas formulës: Betohem se nuk e kam bërë, nuk e kam parë dhe as këshilluar të bëhet, dhe nuk njoh asnjë person të ketë bërë, të ketë parë dhe as këshilluar”. Por pranohet kapërcimi i pjesës së dytë të formulës, pasi t’i jetë nënshtruar marrëveshjes. Betimi që e çliron nga faji, ka vlerë të njëjtë me normën e përcaktuar, si në rastet kur betimi bëhet në prani të personave të thirrur me cilësinë e dëshmitarit, ose në formë solemne, sipas dokeve lokale.

Artikulli 10.

Shkelja me mashtrim i detyrimeve, që rrjedhin nga aplikimi i artikullit 9,a, ose kur betimi rezulton fallco pas marrjes të provave të reja, që konfirmojnë fajësinë e personit përgjegjës, përbëjnë faktor rendues në përgjegjë-sinë specifike. Në rastet me betim të rremë, fyerja rëndohet më shumë, sidomos kur betimi është bërë në formë solemne. Ai që bën betim të rremë nuk quhet gënjeshtarë pa dëshmitar (Niunu frabanciu senza testimongius).

 

KAPITULLI II: FYERJET.

Artikulli 11. 

Një veprim i veçantë është ofensiv, kur ndodhia nga varet ekzistenca e tij është fyese, është parashikuar dhe është dashur të kryhet me qëllim të lëndojë të tjerëve ndershmërinë dhe dinjitetin.

Artikulli 12.

Dëmtimi i pronave, përderisa nuk përbën fyerje, nuk është motiv i mjaftushëm për hakmarrje. Dëmtimi i pronave përbën fyerje kur, pavaresisht nga entiteti i tij, është bërë me qëllim specifik për te fyer, ose është realizuar në rrethana të tilla për të implikuar vehten, atëhere është arsye e mjaftueshme fyerje, ose kur në atë është e pranishme dëshira e qartë për te provokuar dëm afektiv.

Artikulli 13.

Rrethanat e fyerjes janë objektive dhe subjektive. Rrethanat objektive të fyerjes lidhen më intensitetin e veprimit me dashje, ose nga kushtet e cilësitë e fajtorit, ose nga raportet ekzistuese, ose nga ato ndërmjet fajtorit dhe të fyerit.

Artikulli 14.

Dëmtimet e pronave përbëjnë fyerje në rastet e më poshtëme:

a.     Vjedhje e bagëtive, kur ky akt edhe pse kryhet si praktikë normale nga vjedhësi i bagëtive, është konsumuar si akt: 1. Nga një armik; 2. Nga ai që ka qenë ortak në vathën e të fyerit dhe që e njeh organizimin teknik të vathës të personit te fyer; 3. Nga titullari i vathës fqinje, kur ka bashkpunuar, ose kur e di dhe nuk ka treguar të vërtetën.

b.     Kur vidhet dhija e qumështit, e destinuar për ushqimin e grupit familjar.

c.     Kur vidhet derri – dosa e destinuar për t’u dhjamosur, për motivet ekonomike familjare.

d.     Kur vidhet, ose dëmtohet lopa e destinuar të dhurohet një fëmije të porsalindur, të sapomartuarës, ose jetimit.

e.     Kur vidhet, ose dëmtohet nje kal, ose qetë e zgjedhës për të lëvruar tokën, të destinuara për punë.

f.      Shkatërrimi vandalesk i bagëtive si dhenëve, lopëve, kuajve.

g.     Djegia e qëllimëshme.

h.     Kullotja abuzive brenda një terreni të rrethuar me gardh, i kryer më qëllim provokues, ose për inat.

i.      Ndarja e padrejtë e pronave, me konseguenca pandershmërie, e kryer qëllimisht për të krijuar dëmtime efektive personave, që nuk janë në gjendje  te vlerësojnë në atë çast, arsyet e tyre, për çfardo rrethane të faktit.

j.      Veprime lakmie (cmire) të kryera qëllimisht, për të fyer.

Artikulli 15.

Kur disa persona kryejnë një ekzekutim material, të një prej veprimeve të parashikuara në artikullin 14.

a.     Kur nuk janë me titull personal në rrethanat e parashikuara qartësisht si përcaktohen në germën a.

b.     Kur nuk njohin natyrën e veçantë, ose qëllimin e veprimeve, si parashikohen në germat b, c, d, e.

c.     Kur veprojnë për të zbatuar urdhërin që kishin marrë, pa pjesmarrje të tjera të natyrës teknike në verifikimin e ngjarjes, si në rastet e parashikuara në germat f, g, h.

Nuk është përgjegjës për fyerjen, ai që përfshihet në germën i, i cili ka vepruar me mirëbesim nga një veprim i gabuar i personit të tretë.

Artikulli 16.

Gjithashtu përbën fyerje:

a.     Kalimi provokues i një armiku në terren të rrethuar me gardh.

b.     Sharja me fyrje të dinjitetit të një personi, ose të një grupi, duke i atribuar një fakt të rremë dhe kështu të lëndohet ndershmëria e personit, ose e grupit të personave.

c.     Përgojimi dhe shpifjet, kur kryhen në të njejtat rrethana sharje.

d.     Anullimi i një premtimi për martesë (prishja e fejesës). Ky rast rëndohet kur fakti është i pa justifikuar, ose kur veprimi është kryer në rrethana për të kompromentuar publikisht nderin e vajzës të fejuar dhe për të cënuar dinjitetin dhe nderin e familjes të vajzës. Përbën fyerje të rëndë prishja e fejesës, kur fajtori ka vepruar me qëllim të uli nderin e të fejuarës, ose për të fyer familjen e saj.  

e.     Nuk është e justifikuar prishja e fejesës, ose mos zbatimi i marrëveshjes mes tyre, për çfardo motivi sipas formëve të detyrimeve. Fyerja rëndohet në se subjekti shfrytëzon avantazhet që ai ka në cilësitë e ortakut, duke nxitur, ose favorizuar atë që ka ndërmend të shkaktoj dëm pjesës tjetër. Fyerja rëndohet më shumë, kur prishja e fejesës, janë kryer më qëllim për të shaktuar dëme të tjerëve.

f.      Kallximi, kur nuk është kryer nga pala e dëmtuar, por kryhet me qëllime përfitimi, ose për mosrespekt. Fyerja rëndohet kur kryhet në konfidencë me autoritetet e sigurisë publike, në vend që të kryhej me autoritetet gjyqësore.

g.     Dëshmia e rreme e personave të palegjitimuara nga pala e dëmtuar. Dëshmia e rreme nuk është fyerje, kur kryhet nga ata që ushtrojnë si profesion teste të rreme, ose nga ai që deklaron fallco në favor të akuzuarit pavarësisht nga fajësia, ose pafajësisa e këtij të fundit.

h.     Çdo veprim i kryer kundër personave bujtës. Në raste të tilla, titullar i hakmarrjes është personi, ose grupi i personave që kanë pranuar bujtësin.

i.      Fyerja e gjakut (Su sambene no est aba – gjaku nuk është ujë).

Artikulli 17.

Përbën fyerje çdo veprim i natyrës ofensive dhe kur ngjarja ndryshohet qëllimisht nga vepruesi, megjithatë aktet e kryera shprehin në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke, dëshirën për të kryer fyerjen.

 

KAPITULLI III: MASA E HAKMARRJES.

Artikulli 18.

Hakmarrja duhet të jetë proporcionale, e kujdesëshme, ose progresive. Me hakmarrje proporcionale kuptohet fyerja, që shkakton dëm të madh, por analog me atë të pësuar. Me hakmarrje të kujdesëshme kuptohet një veprim ofensiv i kryer pasi është përcaktuar qartësisht përgjegjësia dëmtuese e personit, por pasi ka dështuar përpjekja për pajtim pas grindjes që kishte ndodhur, ose kur rrethanat e fyerjes origjinale e bëjnë të mundur pajtimin. Me hakmarrje progresive kuptohet një veprim ofensiv i kryer me kujdes, megjithatë në përputhje me impenjimin e mjeteve më të rënda, ose më pak të rënda, për të zbutur në mënyrë progresive fyerjen origjinale edhe kur verifikohen rrethana të reja, që e rëndojnë, ose e zbusin fyerjen origjinale, ose kur me kalimin e kohës shfaqen arsye të reja fyerje.

Artikulli 19.

Janë mjete normale të hakmarrjesntë gjitha veprimet e parashikuara si  ofensive, me kusht që të jenë drejtuar në mënyrë leale dhe të manifestojnë natyrën e tyre specifike.

Artikulli 20.

Përbën instrument hakmarrje dhe rasti kur i drejtohet autoriteteve gjyqësore, kur aspekti i qartë moral rreth

përgjegjësisë dëmtuese të personit fajtor, është pasuar me një qartësi të arsyeshme të proçedurave proçesuale të provave të prezantuara. Ndëshkimimi që rrjedh në përfundim të proçesit gjyqësor, mund të konsiderohet i mjaftushëm dhe i përshtatshëm me natyrën e fyrejes, por sipas parimeve të ligjit mbi hakmarrjen në përgjithësi.

Artikulli 21.

Në praktikën e hakmarrjes, brenda limiteve të gradëve progresive, asnjë lloj fyerje nuk e përjashton kërkesën më të keqe, deri në marrjen e gjakut. Gjithashtu, asnjë lloj fyerje nuk e përjashton mundësinë e një përfundimi paqësor, por në se sjellja e personit përgjegjës e bën të mundshëme.

Artikulli 22.

Hakmarrja duhet të kryhet brenda një kufiri kohor, me përjashtim të fyerjes me vrasje (me marrje gjaku), e cila kurrë nuk përfundon në prescrizione (koha e parashikuar nga ligji, për të kryer hakmarrjen ka skaduar)

Artikulli 23.

Veprimi ofensiv i kryer me qëllim hakmarrje, përbën një motiv hakmarrje nga personi i fyer, sidomos kur sjellja është në masën jo propoporcionale, ose e pa përshtatëshme, ose jo leale. Hakmarrja për vrasjen, përbën fyerje të rëndë kur është kryer më qëllim hakmarrje, për fyerjen që ka pësuar për një vrasje të mëparëshme.  

 

     Kanuni i Lek Dukagjinit i mbledhur nga At Shtjefën Gjeçovi, është pasqyruar në 2000 faqe, i sistemuar në 12 libra, me 1263 ligje, së bashku me nënligjet, arrijnë  në 1600 njesi, pra përfaqësojnë një vëllim tepër të madh, krahasuar me Kodin Barbariçin i cili prezantohet vetëm në tre faqe e me 23 artikuj, që konsiderohen ligje. Po kështu dhe Kanuni i Skenderbeut, i mbledhur dhe kodifikuar nga Dom Frano Illia në vitet 1933 – 1966, veprues në trevat qendrore të Shqipërisë, përmbanë 3534 paragrafe, të strukturuara  krejt ndryshe nga Kodi Barbariçin i trevës Barbaxhia të Sardenjës.

      Në Kanunin e Lek Dukagjinit, hakmarrja – gjakmarrja prezantohen pjesë e librit 8°, ndërsa në njëmbëdhjetë librat e tjerë përshkruhen ligje, rregulla, norma dhe kategoritë etiko – morale, mbi bazën e të cilave organizohej, drejtohej dhe vetadministrohej jeta dhe aktivitetet shoqërore, ekonomike dhe ushtarake të popullatës malësore shqiptare.

34 views0 comments

תגובות


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page