top of page

H U M O R I S T I K E


Kostandin Vogli

Nga Kostandin Vogli


H U M O R I S T I K E

S I  T Ë  H A  A R I U  P A  T Ë  P A R Ë

________________________________________

Pyesni si të ha ariu pa të parë? Të ha pa e ndier fare, ashtu si hëngri Bikon pa u parë fare me ariun. Si e hëngri ariu dhe si e qanë, do t`jua them më poshtë. Fillimisht e mira është të njihemi me Bikon.

Emrin e pagëzimit e kishte Harallamb, por gjyshja e përkëdheli duke e thërritur Llambiko. Ndërsa e ëma për akoma më me përkëdheli, me katër gërmat e fundit e thirri Biko që kur e përkundëte në djep. Asaj nuk i shkoi në mëndje se në krahinën e tyre e më tej, Biko-Biko thërrisnin ose ndillnin derrin kur e ushqenin. Biko i foli edhe shoqëria sa kaptoi pragun e portës dhe filloi të luante me ta. Biko përfundimisht i fliste i gjithë fshati.

Bikua, si bikua. Ishte dhe pak i shkurtër e i shëndosh dhe kur ecte, sikur e tërhiqte koka e majme që e zgjaste para, ta jepte pak përshtypjen e bikos. Për këtë emër përkëdhelës, e ëma e mallkoi veten më vonë. Sepse fshati thashethemexhi i bastardonte dhe i përdorte pa i ardhur keq ose turp edhe për një të zgjuar e të ditur. Si për mësuesit e fshatit, të shkolluarit, bile edhe për priftin. Fajin e kish ajo. Por që kur kaptoi pragun e saj, nuk e kthenin dot më brënda. Emri i ngeli “biko derri”. Sa i foli i pari dhe ashtu i ngeli. I revoltuar për epitetin, filloi t’i kërcënonte edhe me çifte, se do t`ua bënte bythët pinadhë. E përse të mos i ngelej, kur në atë fshat me gra e burra llafazanë mbahej rekordi për thashetheme. Qimen e bënin tra. Dhe përmbi atë qime që ata e bënin tra, kalonin edhe prroin. Njerëzit e paraqisnin si jo njeri të keq. As thashethemexhi. Ishte vetëm gjahtar që mburrej pak edhe kur vriste vetëm zogj. Por kush i besonte?

Bikua kishte njohur një vajzë, Mimikën. E kishte bindur atë dhe u fejuan. Mimika ishte e pashme, por se si ja mbushi mëndjen Bikua, hajde gjeje. Nuk e gjenin dot as djemtë e fshatit, të cilët e ngacmonin Mimikën. Ku e gjete “Biko derrin” dhe nuk pranove asnjë bukurosh prej nesh. Por ajo nuk mërzitej sepse, (si thoshin prindrit e saj) ai do t`u ngopte shtëpinë me mish gjahu. Nuk kishte çfar i duhej bukuria e cila ishte vetëm sa për një natë, sipas atyre. Mimika i hante kumbullat e pa bëra si rrush i pjekur. Një ditë kur një i ri e ngacmoi për Bikon e saj, ajo ju shpreh: Bikua im është i fort si një derr dhe kur më shtërngon më kërcasin brrinjët. Kurse ti po të të shtërngoj unë, më thyhesh në duar si kallam shtogu.

Bikua kishte dhe një zagar, të cilin e kishte blerë para pak kohësh për qen gjahu. Dhe për ta paraqitur para fshatarëve e gjahtarëve si qen të egër gjahu, ja kishte vënë emrin “FRIC”. Frici im, -u thoshte Bikua, është si ushtar SS i pa mëshirshëm që mund të pinin edhe gjakun e viktimës. Kështu ishte edhe “Frici”, i cili, kur vrau Bikua një herë një lepur, vrapoi më shpejt se i zoti dhe e gjeti duke i lëpirë gjakun. Ky është vërtetë SS,- tha Bikua dhe mburrej. Ndofta Frici kishte dëshirë të hante lepurin, por nuk arriti ti fuste dhëmbët.

U njohët me Bikon dhe me Fricin e tij.

Një të Diel, mbasi u armatos mirë dhe u mbërthye me pajisjet e gjahut u nis duke kënduar. Natyra e veli me aromën dhe pastërtinë e saj, por një re e zezë në horizont e trembi pak. Më doli si macja e zezë për tersëllëk që në mëngjes. Paralajmërim i keq. Ashtu mendoi dhe e vuri Fricin përpara i cili, diçka po nuhaste duke u hedhur përpjetë dhe këmbët e para ja mbërthente Bikos mbi gjoks. Fillimisht nuk e kuptoi se çfar po nuhaste zagari, veçse kur i preku pakon që po mbante në dorë. Mimika ishte çuar më shpejt se zakonisht dhe i kishte tiganisur petulla, të cilat ja mbështolli në një gazetë “ZËRI I POPULLIT”. Bikua për të mos i`a prishur zagari, e ngriti dorën lart. Në moment u tremb. Aty dalloi portretin e udhëheqësit i cili, me dorën lart, po fliste në një kongres. Po ma pa njeri që me fotografinë e tij kam mbështjellur petullat, më mori lumi. E hapi pak gazetën dhe aroma e ngrohtë e përzier edhe me aromën e djathit i dha sekretim pështyme. Ndërsa Frici gati sa nuk ja rrëmbeu nga dora. Prit more palo zagar se bashkë do t’i ndajmë. Mori një fije dhe ja zgjati. Ai u hodh, e rrëmbeu petullën me dhëmbë, duke i prekur edhe gishtin ku i la një gërvishje të lehtë. Ishte gishti tregues i dorës së djathtë. Domethënë, gishti i këmbëzës. Bikua e pa me inat dhe ju drejtua me zemërim sikur të ishte njeri. Që je palo qen, këtë e di. Unë të mburr kot nëpër fshat . Qeni im është zagar gjahu! Një mut muti je. Më shumë më ngjason me një gomar. Se edhe këmbët edhe veshët i ke të gjata sa të gomarit. Dhe me të vërtetë, veshët e fricit nuk i përthyheshin fare, por i qëndronin si llabane. Ekzaktësisht si veshë gomari.

Sa herë që do shkonte për gjah, do freskohej e do ngopej njëherë me ujin brisk, pastaj do futej në pyllin e dëndur. Hëngri me kënaqësi pranë ujit të ftohtë petullat duke i ndarë një për vete, një zagari. Qeni po lëpinte buzët, ndërsa Bikua mendonte se ku ta hidhte gazetën. E mblodhi shuk dhe e hodhi në lumë. Por ajo sikur e shtroi njeri me dorë, u hap dhe përmbi ujë u shfaq plotësisht portreti i udhëheqësit. Po sikur ta shoh njeri që do të jetë duke ardhur. Vetë unë jam këtu dhe do të gjejë belanë nëpër mbledhje, apo ndofta edhe më keq. U drodh. Por gazeta ja largoi se u zhduk nën ujë. Në fakt, ai nuk ishte një burim i thjesht, por një burim i madh që formohej një lumë. U ul dhe me grushta freskoi fytyrën sepse balli i ishte djersitur.

Në fakt thashethemet e popullit kishin filluar ta trembnin, se në pyllin e madh të tyre me pemë të larta e me shkurre të dëndura e të shumëllojshme, ishte parë një ari i madh. U pendua që erdhi i vetëm, prandaj Fricin e mbajti pranë këmbëve ku sa ai të ndiente nuhatjen apo zhurmën e shkurreve, zagzri të lehte. Ndërsa ai të zbrazte çiften, të cilën e mbështeti përmbi brrylin e dorës tjetër. Megjithëse ai e njihte ligjin, se kush vriste një ari...Por do ta shkrehte për ta trembur. Një lepur që i kaloi para këmbëve, ja çoi fishekun dëm. U tremb dhe ju drodh dora. Kur mendon ariun, trembej edhe kur të del përpara një lepur. Bikua nderseu Fricin ta ndiqte mbrapa. Po ku e dinte i ziu Fric, se lepuri në të përpjetë të nxjerr gjuhën. Se ashtu u kthye, me gjuhën një pashë dhe me një frymëmarrje sa i tundej barku dhe i dëggjohej llokoçitja e ujit që kishte pirë tek burimi.

Shumë herë teksa Bikua endej nëpër pyll, shumëllojshmëria e shkurreve, e pemëve të larta e të dëndura dhe fluturimi i vrullshëm i zogjve, i dukej sikur i tërhiqnin vëmëndjen dhe ja fshihnin derrat, dhelprat, lepujt, thëllëzat, shaptoret etj. Kur shikonte një tuf me derra të butë, i fantazoheshin në ëndërra si derra të egër. Dhe ai pam e ata bjer. Pastaj ngopte fshatin e ai, Bikua mbushte trastën e bukës me lekë, ku më vonë i shndërroheshin si fleta rrapi. Dhe ëndërrimi i tij ishte që derrat t`ja sillte në grykën e çiftes Frici. Por nuk i ndodhi asnjë herë ashtu. Nuk kishte faj. Të tjerë gjahtarë që e hiqnin veten për më të zotë e më të mënçur se Bikua, fantazonin edhe më shumë. Ai qeshte me ironi kur ata tregonin bëmat e tyre në klub që ata e quanin “KLUBI I GJUETARËVE”. Shkaku ishte se pylli i madh ka dhe shumë gjahtarë. Pak më lart dëgjoi një krismë dhe mori pak zemër. Prandaj, në qoftë se lepuri ja çoi fishekun dëm, nuk ja çoi një thëllëzë, e cila pushonte në një gështënjë. Bikua urdhëroi Fricin që të shkonte e ta merrte dhe ashtu si çdo qen gjahu, të kthehej me thëllëzën të mbajtur lehtë në dhëmbë dhe t`ja lëshonte Bikos para këmbëve. Por, prit e s`ka as Fric, as thëllëzë. I thërriti disa herë në emër, por zagarit i dëgjoi vetëm një hungurimë. Vrapoi drejt tij duke menduar se mos Frici i tij ndeshej me ndonjë egërsirë. Në fakt u tremb. Po sikur të ishte ariu? Kur arriti tek vëndi me ndrojtje, u skandalizua. Frici me dhëmbët e mbrehtë po bluante një këmbë të thëllëzës. Bikos ju fantazuan dhëmbët e zagarit si dhëmbët e ujkut. Me shpejtësi rrëmbeu thëllëzën me njërën dorë, por Frici e kishte mbërthyer më fort me dhëmbë e thonjë dhe nuk ja lëshonte. I zemëruar përdori të dy duart. Zagari u ngrit peshë në hava, por thëllëzën nuk e lëshonte. Tërhiq Bikua, tërhiq Frici, i cili pa dashur, sëbashku me këmbën, kapi dhe një gisht të të zotit dhe ja këputi më lehtë se këmbën e thëllëzës. Bikua lëshoi një britmë therëse, ndërsa Frici si SS doli fitimtar. Kur pa se i mungonte më e shumta e gishtit tregues, domethënë ai gisht që i gërvishi kur i rrëmbeu petullën, i egërsuar ja drejtoi çiften, por zagari pa e prishur qejfin, i kënaqur edhe nga shija e gishtit të të zotit të tij, vazhdoi me dëshirën që ta hante të gjithë thëllëzën. E pash unë,- thirri Bikua me zë të lemerisur. E pash që në mëngjes. Reja e zezë në horizont. Më keq se macja e zezë. Nuk mjafton që nuk je qen gjahu dhe unë jam kapardisur kot me ty, po më le dhe mua pa gisht. Dhe kë? Gishtin e pushkës. Pse më shikon ashtu more Fric maskara. ( Ai po i ndërsente dhëmbët) Unë e vrava thëllëzën për Mimikën time more edepsëz. Një krismë me saçma të kalibrit të madh, e detyruan Fricin të lëshonte disa angurima dhe u shtri të jepte shpirt.

Therja e gishtit të prerë, sidomos kur e shtërngoi atë pjesë që i kishte ngelur në çark dhe gjaku ju hodh si çezmë tutje, e bëri të pa shpirt. Në atë moment nuk u keqardh fare për Fricin. Uli pantallonat dhe shurroi gishtin. Djegja i kërciti dhëmbët. Me thikë preu një rryp nga mëngëza e brekëve dhe e lidhi me dhëmbë dhe me dorën e majtë. Gjaku ju pakësua, ndërsa dhëmbja ju shtua. Shurra ishte më shumë për dizinfektim nga dhëmbët e jargosur të qenit. Zbiti tek burimi i madh dhe e zhyti në ujin akull. Lotët i nxehnin faqet kur shikonte gishtin e këputur. Me gjithë dhimbjen, për të treguar se ishte gjahtar, thëllëzën e vari si dinë ata në rypin e vezmeve.

Duke shtërnguar gishtin, e me lotët rrëke, e gjeti Nilua. Një fshatar i tij, i cili e dëgjoi nga goja e vet Bikos ngjarjen me Fricin. Nilos i erdhi vërtet keq për gishtin e Bikos që do t’i mungonte dhe për dhimbjen që ndiente, sepse një gjëmb të çpon dhe ke dhimbje të pa durushme. Kështu i tha Bikos. Ky shejtan qeni ta paska këputur shëmtuar. Nilua për të shpur edhe pak humor lart në fshat, ( në atë grykë malesh) e zmadhoi ndeshjen e Bikos me Fricin. Thëllëzën e kishin mbërthyer të dy. U tha disa grave, të cilat po ktheheshin të ngarkuara me nga një barrë me dru. Bikua me të dyja duart, Frici që i shkëlqenin sytë i zemëruar, sepse donte ta hante vetë thëllëzën e tërhiqte nga duarte të zotit me dhëmbët e fortë dhe me thonjtë e këmbëve. Në këtë ndeshje se kush do ta hante, fitoi Frici, i cili së bashku me këmbën e thëllëzës futi në gojë edhe katër gishtat e dorës së djathtë të Bikos. Të katër gishtat ja këputi për një sekont, duke e detyruar të ziun të ulërinte si çakalli në mbrëmje. Gratë u gajasën me ndeshjen se kush do ta fitonte thëllëzën, por u erdhi keq për katër gishtat e Bikos.

Njëra nga gratë, Sulla, ( një grua që i përhapte rrufe lajmet) e kënaqur çka i ndodhi atij Biko derrit i cili nuk i kishte pëlqyer vajzën e saj, por edhe e dëshiruar të përhapte një lajm të ri, vrapoi sa shkarkoi barrën e druve për tek Sosia. Soses i erdhi keq për Bikon që kishte ngelur pa një dorë. Sulla nga katër gishta, rrombullakosi dorën. Vetëm se tek Nulla e solli më të zmadhuar. Thonë për dorën, por më duket se i ka ngrënë të gjithë krahun. Pa prisni!- U tha Meçua. Dhe si mendimtar, u tha , se një zagar si Frici, mund të të këput vetëm një gisht, apo edhe dy. ( dhe sidomos të të zëtit të tij ) Unë kam frikë se do të ketë qënë ariu. Disa fshatarë e kanë parë ariun e kuqërremtë. Dhe për deri sa ekziston ai, tregon se vetëm ariu mund të ta hajë të gjithë krahun. Por si ka shpëtuar që nuk e ka mbytur. Patricia që e dëgjoi nga Meçua, bërtiti. Obo-bo paska dalë ariu. Dhe vrapoi derë më derë dhe lajmi erdhi duke u zmadhuar. Bikos ja paska këputur të dy krahët ariu. I ziu Biko si do të bëjë pa duar. Ezeza Maro, ( se ashtu e quanin të ëmën e Bikos ) ç’e gjeti. Pa sa për Mimikën, ajo do të gjejë ndonjë tjetër.

Tek e fejuara e Bikos lajmin me një frymë dhe duke përpjekur pëllëmbët e pruri Colesha. ( i ngeli emri Coleshë që kur u martua me Colon ) Ajo si e dëgjoi nga një tjetër, sepse Bikua gojë më gojë kishte përfunduar në gojën e ariut, domethënë në barkun e tij. Ajo ja dha gjëmën e madhe që u kishte ndodhur, Njëlloj sikur Bikua të ishte emëruar kryetar koperative. Ç`bën moj e zezë që rri akoma këtu. Bikon ta ka ngrënë ariu. Të vemi dhe t’i mbledhim mbeturinat. Ky lajm i pa pritur si rrufe, Mimikës i bllokoi trurin. Ju duk sikur i prenë trupin dhe m’u përpara derës ju lëshua shurra, dhe pas pak ra për tokë si e vrarë. Colesha me gjithë keqardhjen, buzëqeshi kur pa shurrën e Mimikës që i zverdhi këmbët dhe i mbushi shollët. Në vënd që ta ndihmonte, vrapoi të përhapte edhe lajmin më të ri, se Mimika kështu e ashtu...

Tani lajmin për Bikon me zi e mbante në maj të buzëve Petresha, ( edhe ajo thërritej në emrin e burrit që e kishte Petro ) e cila i transmetonte lajmet qofshin të vërteta apo të shpikura sa i dëgjonte. Me një frymë u gjend tek e ëma e Bikos, e cila kur e dëgjoi gjëmën që e gjeti, ulëriti e varur tek hunjtë e gardhit ku u mbajt fillimisht. Petresha lajmin e solli me britma.Dil moj e shkreta Maro. Bikon e ka ngrënë ariu! Maros që ishte shtrirë në tokë si e vrarë nga “bomba” që i hodhi Petresha, i hodhën një kovë me ujë në kokë.

Lajmi për gjëmën e madhe u përhap në të gjithë fshatin, si përhapet aroma e një mase bajgash të thara kur i kanë vënë zjarrin dhe era e përkund atë lagje me lagje. Sikur t’i thërrisnin me honi ose me çangë të kambanës së kishës të varur në një degë ulliri, u mblodhën me sekretar e kryetar. Me mësues dhe me të gjithë burrat. Me ata që mbanin çifte e krrabë, gratë e vajzat,të rinjtë e fëmijë shkolle. Më me vonesë me këmbët zvarrë- zvarrë erdhën më të moshuarit. U mbush shtëpia, oborri dhe më të shumtët jashtë gardhit të Maros. Nuk ishte gjë e vogël. Ariu filloi të hajë njerëz. Të gjithë mallkonin ariun. Se ai ari duhej vrarë dhe qanin fatin e Bikos, i cili paska dhënë shpirt me tmerr, kur ariu i ka futur dhembët në grykë për ta mbytur. I ziu Biko, që tani një pjesë e tij ndodhej në bark të ariut.

Bikua, mbasi lidhi më fortë gishtin, me dhimbje therëse e me lotë, mori rrugën përpjet fshatit. Kur i pushonte sadopak dhimbja, mendonte se kishte bërë gabim që për një thëllëzë e për një gjysmë gishti, të vriste qenin e gjahut sido që ishte. Më mirë t`ja kisha lënë Fricit ta hante. Por kur i therte gishti deri në padurim, mendonte se Frici i tij, nuk ishte qen gjahu, por një SS Gestapoje si e kishte thirrur me përkëdheli që në fillim. Por Bikua u shqetësua edhe për një epitet të ri. Tani e tutje do ti flisnin përveç Biko derri,edhe gishto. Biko gishtua. Ndofta e harrojnë Biko derrin dhe më thërrasin “gishto”. Më mirë kështu. Bëra mirë që e vrava. Megjithatë edhe me një farë krenarie se kishte vrarë një thëllëzë, dalngadalë po i afrohej shtëpisë. Rrugës nuk hasi asnjë banorë.

Që së largu vërejti se i gjithë fshati ishte mbledhur rreth oborrit të tij. Brënda e jashtë gardhit dëgjoi përveç zhurmës, diskutime të pa numurta. Të kërkojmë ariun dhe ta vrasim, sepse ai na hëngri një njeri. Ndërsa brënda oborrit ulërima! Ndaloi sikur e goditën në kokë. Dikë do të ketë ngrënë ariu,- mendoi.O nënën, o Mimikën. Ato mendoi, se vetëm ato kishte. Asnjë nuk e vuri re Bikon që u fut midis tyre, veç kur u vu në vrap si i çmendur duke pyetur. Kë ka ngrënë ariu!? Fshatarët kur e panë, gati thanë në një zë. More , kë ka ngrënë ariu!? Bikon nuk e paska ngrënë. Bikua me gishtin e lidhur lart, se po ta shtrinte dorën posht i dhimbte, i pa me mosbesim. More ç`thonë këta kështu. Për kë janë mbledhur? Ndërsa disa fshatarë kur panë Bikon të gjallë, vetëm me një gisht të lidhur thirrën: Bikua qënka shëndosh. Ndërsa për mungesën e Fricit, i cili do shoqëronte të zotin, nuk dinin sagjë. More fshatar. Kë ka ngrënë ariu se më çmëndët! U foli Bikua me sa zë që kishte në kokë. Asnjë nuk po fliste. Të gjithë po shikonin të habitur atë. “Të ngrënin nga ariu”.

Drejt Bikos vrapuan si të lëna mendsh e ëma dhe Mimika. Kur i pa ai, i pyeti i trembur e i gëzuar njëkokësisht. Ju qënkeni gjallë. Kë ka ngrënë ariu? Mimika nga gëzimi e pyeti pa mënd. Po ty nuk të paska ngrënë? Bikua ju përgjigj i habitur. Mori ti, më shikon që jam para teje apo jo?! Si do më hajë ariu pa më parë? As unë nuk e pash atë! Duke e parë Bikon shëndoshë, të pa prekur nga ariu, fshatarët u shpërndanë duke e uruar dhe të gëzuar, por edhe duke u gajasur. Tani fshati kishte me se të merrej. Veçse Bikua pa epitetin tjetër nuk shpëtoi. Mirëmëngjes “gishto”. Ose, erdhi “Biko gishtua”. Por “Biko derri” nuk u harrua.

Ja si mund të të haj ariu pa të parë fare. Bile të mblidhet edhe fshati e të të qajnë. Dhe ti i ngrëni imagjinar nga ariu, të pyesësh: o fshat! Përse jeni mbledhur. Kë ka ngrënë ariu!?

Një mësues i mënçur tha në një mbledhje që u organizua me temën: “Lufta kundër thashethemeve”. Bikon atë të Diel, nuk e hëngri ariu, por i gjithë fshati gojë më gojë me thashetheme.

F U N D


20 views1 comment

1 Comment


Ariu të ha pa u ndier? Një frazë e bukur që siton humorin dhe fillin e shtjellimit të mesazhit nga shkrimtari Kostandin Vogli. Narrativ i goditur.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page