Gëzuar festën e Ditës së Verës
Prof Dr Fatmir Terziu
Dhe vitet pasojnë. Dhe ditët gjithashtu. Ja sërrish erdhi „Dita e Verës“. Erdhi, por mjaft duar nënash nuk do të lajnë më në mëngjes sytë e djemve dhe vajzave të tyre me ujin e vezëve që zienin për këtë ditë të bekuar. Por nipërit e mbesat do të vishen me “kama e ditës së verës”, dhe do të shpien lule përkujtimoresh. Është festë sot kudo në Elbasan e në mbarë viset ku festohet Dita e Verës. Dreka natyrshëm do të gjejë jo të gjithë elbasanllinjtë me torba të mbushura, si dikur kur i drejtoheshin pikave turistike, si te “Ulliri i Qejfit”, tek “ Rrapi i Vojvodës”, “Krasta e Madhe”, lëndinat në Krrabë dhe tek “Kodrina rreth Teqes”, por kudo që janë do të meditojnë festiven e kësaj dite dhe do të tregojnë për brezat e fëmijët e tyre…
I gjithë vakti i drekës do të jetë tashmë ndryshe. Dikur në natyrë shoqërohej me grupe ahengu nga amatorë të ndryshëm, ashtu si Isuf Myzyri dikur që këndonte me grupin e tij, ashtu edhe tradita vazhdonte dhe vazhdon edhe në ditët e sotme. Por nuk do të jetë më ajo kohë. “Në vitet e komunizmit festa pati një “ndrydhje”, pasi nuk festohej si dikur, por prapë elbasanllinjtë gatuanin bollakumet, bënin kamë dhe drekonin në lëndina”.
Tashmë prej vitesh, në vitet pas demokracisë, duke harruar pandeminë që mori shumë jetë njërëzish, aktivitetet janë shtuar, organizohen karnavalet për fëmijët, krosi në mëngjes, si edhe Dita Poetike, te cilat shtojnë larminë e aktiviteteve, duke bërë që festa të përfundojë para se dielli të perëndojë dhe të gjithë elbasanllinjtë përcjellin miqtë e tyre nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë dhe mbyllin kështu një ditë të paharruar për një vit të tërë.
Shumë ka metuar dhe shkruar, por ajo që ka diktuar dhe mbledhur etnologu Thanas Meksi rrëfen se “festa është me origjinë pagane, një festë ku nuk ndërhyn feja, festojnë të gjithë, është kënaqësia e stinës së pranverës”. Në vitet 1920-1940 festimet nisnin në datën 13 mars, dhe “Amvisat nisnin gatimet për në mbrëmje që në mëngjes, piqej gjeli i detit, më pas me lëngun e tij gatuhej dollma ( përshesh me gjel deti) dhe më pas niste ceremonia e hiseve. Në çdo sahan kishe nga një cop gjel deti, pala fiku, tre – katër kokrra arra, ballakume ose revani, vezë të ziera, gështenja etj”. Ndërsa nata e verës festohej në shtëpi, ku mblidheshin tok të afërm dhe darkonin së bashku, amvisat në një shportë, vendosnin rroba të reja për fëmijët e tyre. Djemtë zakonisht kishin pantallona të shkurtra, ndërsa vajzat rroba të kuqe dhe verore që bashkoheshin nga fije shumëngjyrëshe pambuku. Në këtë natë nuk mungonin as këngët, vallet, shakatë dhe lojërat. Cast ëmbëlsie dhe shijimi të veçantë ishte edhe ngrënia e ballakumes, që shoqërohej me fjalë të përzemërta nga amvisat, të cilat për qesëndi merrnin vallen popullore “Bahçe bahçe me zymbyla”, të shoqëruara nga duartrokitjet e pjesëmarrësve.
“Mëngjesin e 14 marsit, pa lerë akoma mirë dielli, Elbasani është ngritur më shpejtë se zakonisht. Të moshuarit sipas zakonit hapin derën rrugës për të hyrë “e mira” në konak e për të dalë së andejmi e keqja. Ky zakon kishte edhe një kuptim tjetër, bujari dhe mirësi për mikun që vinte nga larg. Amvisat që në mëngjes lanin hajatin dhe këpusnin nga një tufë bar dhe e vendosnin atë në derë, tek guri i zallit përbri derës, çka nënkupton mbarësi dhe gjelbërim në oborrin e shtëpisë së tyre”, shkruante Thanas Meksi. Në mëngjes ishin djemtë ato që bënin derë (vizitë) tek të afërmit e tyre dhe kur dikush i thërriste në emër nuk duhet të përgjigjeshin me “e, e”, pasi nëmeshin me fyerjen “Marrsh morrat e pleshtat”, por duhet të përgjigjeshin “ urdhëro”.
Por Dita e Verës ka dhe emra. Emra që bënë dhe trashëguan traditën. Prej tyre u zgjerua dhe tek më të rrinjtë dhe komunitete e tjera që u bënë pjesë e Elbasanit, sa që në disa raste ata bëheshin dhe pararojë e këtyre gjërave. Përshembull kurmakasit e Steblevës, Ademi-Balla e Pupleksit e Trebishtit, apo Alimanët e Shishtavecit që konkurronin me ëmbëlsira dhe gatime. Sidoqoftë ajo që mbetet për tu shënuar është bollokumja dhe emrat që vinin në ditët tona…
Emrat që mbanin gjallë traditën elbasanase të bollokumes
Disa emra dhe emërtime lagjesh në Elbasan janë ngjizur dhe trashëguar memorjeve më së shumti nga emrat e mjeshtërive që ndodhnin dhe zhvilloheshin në gjeografinë e tyre. Kështu përshembull lagjet e vjetra të qytetit, Karavelije, Dylgjerhysen, Xhamiqebire, Spajkore, Qevanbeje, Namazgja, Belerbej, Gjjurma e Mushkës, Fusha e Loparit, Tre Urat, Shënkoll, Sulejmania, Azinhajdare (Alejdine), Pusi që lahet vetë, Gurabardhi, Haxhias e të tjera shquheshin nga emrat e grave mjeshtre, që kishin trashëguar nga brezat e mëprashëm gatimin dhe përgatitjen e veçantë e të mrekullueshme të bollokumeve. Themi kështu se këto gra të spikatura e të dalluara për bollokumet, që punoheshin sipas një formule të veçantë, i jepnin zë dhe emër lagjes, i jepnin jetë dhe shpirt arsyeve që më të rrinjtë të mbanin gjatë në memorje emrat e lagjeve që në vite u rikonsideruan dhe u riemëruan. Dhe pse ndodhi kështu këto lagje u mbajtën mend për fatin e mirë të duarshkathtave gra të Elbasanit që transmetuan mrekullisht bollokumen e vërtetë në familjet elbasanase.
Një nga këto gra në morinë e disa emrave të tjerë që mbahen mend është dhe e paharruara Makbule Furxhiu Palloshi e njohur shkurt si Bule Palloshi, të cilën pata nderin ta takojë në vitet e fundit të jetës së saj në shtëpinë e berberit të dëgjuar elbasanas, Ali Palloshi, me djalin e të cilit, Artin jemi baxhanakë prej disa vitesh. Ajo ishte në mes më të dëgjuarave dhe të përmendurave në këtë trashëgimi të bukur e të vlefshme, sikurse ishin Emine Biza, Fatushe Osmani, Qamile Dinçi, Zenepe Bylyku, Hamide Arapi, Banu Leka, Hamide Shyti, Beje Bumçi, Zaje Shehu (Tabaku) e shumë të tjera. Por, në Elbasan, sikurse thuhej në çdo rrugicë a rrugë do t'i gjeje emrat e grave që kishin trashëguar dhe mbanin në memorje këtë arsye të ndjshme në formulën tipike të bollokumeve.
Mom Buli Palloshi vinte nga lagjja Sulejmania në lagjen Spajkore në një derë të fisme dhe kështu shtëpija duhej të mbahej mbushur plot e përplot, që sikurse thuhej atëkohë, të mos kishte ku të hidhje kokrrën e mollës. Ajo kishte trashëguar nga gjyshja e saj dhe po aq edhe nga nëna traditën e bukur të pasurimit të shtëpisë dhe të përgatitjes së bollokumeve në mënyrë mjeshtërore. Ajo siguronte me kohë „zahiretë“ kryesore si: vezë e tëlynë fshati, majanë e miellit të misrit për bollokumet, miell gruri për revaninën, sodë e finj, e të tjera.
Ndërkohë që kishte vendosur në duart e pjesëtarëve të shtëpisë veroren dy-tri ngjyrëshe, ajo gjithnjë mbante „pranverë“ në sytë e familjes. Këtë e kishte natyrisht një traditë të hershme të trashëguar nga duart dhe mendja e nënës së saj, ashtu sikurse ndodhte dhe nga disa gra të tjera, nëna dhe bashkëshorte të nderuara elbasanase, si Rabie Tare, që shquhej dhe ajo për bollokumet e Elbasanit.
Sot emrat që mbanin gjallë traditën elbasanase të bollokumes kanë mbetur diku në albume fotografish, kaseta dasmash dhe memorje familjarësh, ndërsa tradita është transmetuar dhe këputur diku mes tradicionales dhe modernes, gjë që kërkon një zgjim, kërkon një vëmendje më të madhe dhe pse jo edhe institucionale. Kombet e tjera dihet se shpenzojnë mjaft për të mbajtur gjallë tradita të hershme, për arsye që tashmë dihen. Këtë duhet ta bëjë dhe Elbasani!
44 vjet nga çmimi i parë kostumeve popullore
Dy dasma pata rastin të shijoj me të gjitha anët e tyre tradicionale në Shtërmen, ndërsa ishte koha kur drejtoja shkollën, thuajse më të madhe në rrethin e Elbasanit, për nga numri i nxënësve dhe mësuesve. Dhe në të dy dasmat, që përkonin me stinë të ndryshme tradicionalja e ëmbëlsirës elbasanase spikaste dukshëm. Edhe pse ishte një periudhë kur vrulli i njeriut rrokte kah emigrimit, natyrshëm gëzimet e tilla që janë thuajse emblematike në atë zonë, shijohen me mënyra të ndryshme dhe me larminë dhe bukurinë e veshjeve tradicionale, që kanë gratë në atë fshat. Kështu janë veshur tradicionalisht gratë e kësaj zone dhe ato të Shpatit edhe në Ditë Vere.
Si një dimension kulturash veshja e grave të Shtërmenit dallon dhe përmbledh të gjithë arsyet e një bukurie të dallueshme, por dhe si një kombinim i vlerave të zonës rreth saj. Kostumi i grave të Shtërmenit është një gërshetim i veshjes së Shpatit me atë të Dumresë. Ka xhokë shajaku të bardhë, me sue të nxjerra anash, jelek kadife vishnje me shirita ari, brez leshi të gjerë dhe bohçe pambuku ose leshi në disa raste. Këmisha është me mëngë të gjera, thuajse e ngajshme si e Shpatit, pasi në fakt ky fshat bën pjesë edhe vetë në hapësirën gjeografike të quajtur Shpati i Poshtëm.
Kur theksojmë se është një ngjashmëri, natyrshëm kuptojmë atë anë të cilës mjeshtret e endjes tradicionale i kanë gjetur dhe sajuar anët e përshtatjes. Por natyrshëm dallimi shkon në detaje. Kostumi i grave të zonës së Shpatit është variant i veshjes me fustanellë, e mbuluar përpara me bohçe të leshtë shumëngjyrëshe rombike. Në kokë mbajnë rizë. Veshin një jelek të mbrendshëm kadife të kuqe dhe një jelek të sipërm të mbushur me pare. Mbi të vishet xhoka prej shajaku të bardhë.
Por kjo është një zonë malore, ndërsa në zonën fushore të Elbasanit kostumi i grave dallohet nga fustanella e gjatë deri në fund të këmbëve dhe përpara bohçe pambuku me ngjyra të ndezura. Këmisha është pëlhurë vegje dhe jeleku basmë e bardhë me qëndisje me fije mëndafshi shumëngjyrësh. Mbi kokë vihen kryqe prej nape të bardhë, vendoset lëverja prej pëlhure të hollë, që lëshohet nga koka deri në fund të këmbëve.
Në vitin 1978 rrethi i Elbasanit mori çmimin e parë për kostumet popullore, duke u paraqitur me 20 të tillë, ku spikaste dhe bukuria e veshjes së Shtërmenit. Nuk duhet harruar se në festivalin e vitit 1983 u vlerësua si trevë e pasur dhe e larmishme për kostumet popullore.
Comments