top of page

Gërrvërret në raportet me Kosovën


Ilir Levonja

Ilir Levonja

Gërrvërret në raportet me Kosovën

Në studiot e Tiranës ka zënë vend një gërrëvërre a një xhelozi habi në lidhje me pritjen që shqiptarët e Kosovës u rezervuan anglezëve në ndeshjen e fundit në grup. Madje ka nga ata që pohonin se u dukej e pakuptimtë e cilësonin si delir duke pretendetuar se Anglia do t'i toleronte në rezultat, mirëpo ua rrasi. Shikoni çfarë logjike, po e presim Anglinë fairplay dhe ajo na toleron?! Kjo për shqiptarët e Kosovës, apo kosovarët siç thonë ata. Logjikë e analistëve të trashur nga nginja e përnatshme, nga dalja orë e pa orë. Kurse gazetave ca të tjerë shtojnë se si nuk panë në rrugët e Prishtinës një flamur kuq e zi, por vetëm ato të Anglisë?! Dhe se ndeshjen mes Shqipërisë dhe Francës nuk e shikonin të transmetohej gjëkundi etj. Në fakt radiotelevizioni kombëtar i Kosovës e ka transmetuar drejtpërdrejtë, se aty e ndoqa edhe vet për shkak të cilësisë në transmetim në raport me atë të televizionit shqiptar. Pa u futur tek ceremonia e hapjes që qe një skandal, një shpifësirë në realizim. Dhe kjo ka domethënien se nuk ia njohim cakun hapave, jemi pjesë e asaj kulture zhurmë. Logjikisht pas ecurisë, sidomos pas humbjes në Çeki ndeshja e Kosovës me Anglinë nuk kishte asnjë vlerë veç faktit të kënaqësisë që të luash karshi atyre që shpikën futbollin. Në raport me Shqipërinë, Kosova bëri mrekullinë dhe zhvilloi një fazë për tu mbajtur mend, për më tepër kur shumë prej nesh mezi prisnin ta shihnin. Një Kosovë që shtrihej në fushë dhe aplikonte një futboll cilësor e bashkëkohor, pa shumë veprime individuale dhe me shpirt gare etj. Por jemi te gërrvërret dhe një mllef prej provincialësh që habiten për Kosova u mbulua nga flamuri i bardhë me kryqin e kuq dhe plot falënderime për Anglinë. Kosova ka në asht një mirënjohje kombëtare karshi Anglisë dhe me të drejtë. Kjo është e shkuara jo e largët, por plot 20 vjet, periudha e bombardimeve të amerikanëve dhe Natos. Ishte kryeministri anglez i kohës, Tony Blair që bëri presion mbi Amerikën dhe Naton për ndërhyrje tokësore, madje dha urdhër që forcat angleze të zbarkonin në Kosovë, sidomos pas gabimeve të njëpasnjëshme nga bombardimet, si në burgun e Dubravës më 1999. Siç u vërtetua më vonë në pretekstin e bombardimeve, ku u vranë 17 civilë, numri real ishte 99 me shumicë dërrmuese shqiptarë, por këta nga mizoritë e spastrimeve etnike. Si me thënë rrëmujë është le të vrasim sa të mundim. Ishte pikërisht ky moment kur Tony Blair apo Anglia gatiti një formacion me 50 mijë ushtarë specialë për ndyërhyrje tashmë tokësore. Fill pas kësaj edhe aleatët por edhe Amerika u shtrënguan të bëjnë të njëjtën gjë. A ka të drejtë Kosova të t'i jetë mironjëhese Anglisë, pa diskutim sepse në nga ato ditë reprezalshjen numri i të vrarëve apo të zhdukurve do të ishte më i madh. Kësisoj shqiptarët e Kosovës kanë të drejtën e Zotit të t'i jenë mirënjohës Anglisë. Dhe po me të drejtën e Zotit rrugët e Prishtinës mbuluan faqet e para të webeve ndërkombëtare. Sa për dijeni në ato vite shteti amë Shqipëria ishte akoma në kaosin e 97-tës, brenda një vetvrasje civile dhe nuk kishte se si t'i kushtonte vëmendje luftës në Kosovë. Madje me depot e hapura bënin tregti me shqiptarët e Kosovës, ku bandat e zonave nuk pirdhnin për asnjë lloj amëshimi kombëtar veç xhepave. Edhe ai pak suport si nga e djathta apo e majta nxiti një luftë meritash të karakterit porvincial se kush bëri më shumë, por e vërteta ishte se Shqipëria bëri një vrimë ujë deri sa u përfshi në një luftë të ashpër brenda llojit. Një luftë që asnjë emër tjetër nuk i shkon veç ai i absurdit kolektiv. Atëhere përse gërrvërremi ne me Kosovën? Thjesht se jemi megallomanë, kurse në raport me ne shqiptarët e Kosovës janë më europianë, pavarësisht një doze otomaniste. Shqiptarët e Kosovës janë më luajal në raport me demokracinë dhe lirinë, kurse ne jemi të marrë peng. Jemi smirëzinjë se po atë mbrëmje luhej në Tiranë Shqipëri Francë. Edhe kjo një ndeshje pa interes, veç për statistika. Por inaugurohej stadiumi i ri dhe show tiranas duhej të kishte mbushur Prishtinën etj., naivitet. Show tiranas ishte për ibret kur thoshin të parët, e për më tepër në një qendër tregtare që zhduku çdo vlerë nga historia e sportit, me një kosto marramendëse. Ndërkohë kur Kosova po pritet të rehabilitoj nga themelet bash në Mitrovicë një stadium kombëtar me kapacitet 32 mijë spektator me vlerën monetare 14 milion euro. Shqiptarët harxhuan 75 për të nxjerrë një stadium me tre anë, se ana ballore duket si ato radiot Bandsuper të kohës së komunizmit, ato që vinin nga Kina e largët. Shikojeni projektin e stadiumit të Mitrovicës që të kuptoni sharmin e olimpizmit me ato tegjeve industriale të Tiranës sonë. Edhe kaq mund të mjaftojë për të dalluar diferencën mes nesh dhe sharmit të shqiptarëve të Kosovës.


4 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page