top of page

Gur i vendlindjes


Gur i vendlindjes: Profil Bio


Fatmir Terziu


Gëlqeror. Sedimentar me dhe pa emocione. I dashur dhe i dashuruar. I dhimbshur dhe dhimbanak. Gur! Gur që është edhe i ftohtë. Gur, që nuk shkujdeset për atë që i prishet, ose nëse i struket dhe i fshihet në një rrëke. Reziston edhe në formë të prerë, në copa të vogla, forcohet më shumë nga rënia e nxituar dhe e mprehtë e ujit kristal të rrjedhshëm.

Ndonëse, nuk mund të shuaj emocione, ai mund të sjellë shpresë, lumturi, hare, trishtim, por edhe inat dhe zili, mëri dhe hasmëri, ose edhe mund të mjaftohet me një përmbushje të thjeshtë. Dhe ajo do të quhet Ikje. Ikje…

Ikje dhe mbijetesë Guri. Ikje mes dhimbjes, por ikje dhe mes thjeshtësisë së Drenicës, Livadhisë, Strugës, Kërçovës, Homezhit, Dibrës, Kalimashit, Butrintit, Beratit, Tomorit, Korabit, Dumresë, Myzeqesë, Bregut dhe Shtegut e kudo ku Guri shkëlqen më shumë se floriri, kushton më shumë se diamanti.

Guri nuk njeh kufij. Guri emeton kufij. Guri është me mua, por Guri është edhe me ty. Guri është tek tek të gjithë. Guri lind si një fëmijë. Guri vdes kur digjet në turrë tamam si një Burrë. E ai shkon në Përjetësi, kur prodhon Bardhësi.

Guri në të vërtetë ka vlerë. Ai është i tillë përherë. Guri është jetë, edhe pse e dimë ndryshe në të vërtetë. Guri është shpresë, është mbijetesë.

Shikoni unazat e dasmës, gurët e tyre në krye për të zbukuruar madhështinë, siç është garancia për të qenë me njëri-tjetrin, përmes një fjale të dhënë, pranë një bekimi hyjnor, mbi një piedestal të trashë dhe të hollë. Disa diamante janë të përafërt. Por, ato s’janë më të fortë se gurët. Nëse kjo është e mjaftueshme, më e vështirë mbetet dhe pothuajse e pathyeshme, ndjesia dhe shija e tyre e klasifikuar në linjë molekulare, përtej klithmës dhe britmës, pranë haresë dhe jetës, e metuar si jetë, e shënjuar me shtojzovalle të bukurisë, patjetër deri në thithmën e fundit të ajrit, gur ajo ndizet dhe gatuhet me magjinë e strallit.

Dhe lind të ndërtohet. Lind të ndërtojë. Të mbështjellë ritmin e jetës nën një çati, lind të prodhojë jetën e bukur si me magji. Lind të dëgjoj klithmën dhe të qarën që nga lindja deri tek vdekja.

Kur puthja e vdekjes na bën të pushojmë, një gur varri është kujtimi i trishtuar, mizor i një jete të mëparshme, që lulëzon dhe lotëzon, para se të kthehet në tokë. Ndodh që njëherë të ketë gjetur origjinën, fillimin e saj. Tashmë kërkon të mbajë nën të një zemër që qahet nga një tjetër, një shpirt që s’bëzan.

Ndaj mbetet të jetë i dëshpëruar, të ketë qëlluar në shenjë yllin tuaj, duke garuar nëpër lavdinë e netëve të yllit për të kapur një moment të pasionit trend, për të përcëlluar vetë-djegjen, në një shpirt, në një zemër, në një jetë, në një vend.

Djegja brenda atmosferës së përqafimit të ngrohtë, djeg vetë gurin, djeg më të dashurin. Djeg, atë më të tërhequrin nga impakti gravitacional. Dhe ndjhet kur ndjen atë që mbetet kometa e vonuar, duke u kthyer çdo ditë pa u djegur (aq shpejt) sa një meteor. E këtu qëndron një gur mbi të gjitha gurët. E di gjininë e tij…, e di racën dhe inferioritetin e tij. Ai është Guri prodhimtar. Ai është më shumë se një margaritar. E aty përkulem, jetoj, ndjej dhe thuajse më ndjejnë dhe ndihem … E dashur, njësoj si një Diell që flakëron, më bën të shkrihem. Aty, dhe vetëm Aty … Jam një Gur i Vendlindjes: profil bio.

Dhe koha shkon tek Filozofia. Filozofia e Gurit?! Guri filozofik?! Guri filozofik, në alkiminë perëndimore, u quajt një substancë e panjohur. Kjo substancë e panjohur është e quajtur ndryshe edhe „tretësirë“ ose „pluhur“. Është kjo substancë e kërkuar nga alkimistët për aftësinë e saj të supozuar për të transformuar metalet bazë në ato të çmuara, veçanërisht arin dhe argjendin. Alkimistët gjithashtu besuan se një eliksir i jetës mund të nxirret prej tij. Përderisa alkimia merrej me përsosjen e shpirtit njerëzor, Guri filozofik mendohej se shëronte sëmundje, zgjaste jetën dhe sillte ringjallje shpirtërore.

Prandaj, pra ai quhet edhe eliksiri i jetës. Quhej i tillë se mbetej i dobishëm për përtëritje dhe mendohej për arritjen e pavdekësisë. Për shumë shekuj, ishte qëllimi më i kërkuar në alkimi. Guri i filozofëve ishte simboli qendror i terminologjisë mistike të alkimisë, që simbolizonte përsosmërinë në shkëlqimin e saj, ndriçimin dhe lumturinë qiellore.

38 views1 comment

1 Comment


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
29. sep. 2021

Një poemë lriko-maditative e filozofike për gurin. Guri, send inert, por i shpirtëzuar dhe shikuar nga optika të ndryshme prej autorit, mer vlera e kuptime të shumëfishta. Me gurin e vendlindjes identifikohet edhe vetja dhe se kudo ndodhemi a gjendemi jemi veç një copë vendlindje, një copë atdhe… Përmasat e simbolikës për gurin vijnë e zgjerohen pafundësisht deri te atributi guri filozofikë… Është cilësi e talenteve të vaçantë që e shndërrojnë në flori edhe teneqen e ndryshkur dhe me një pikë uji mbushin një det të tërë.

E përshëndes dhe falenderoj z.Fatmir Terziu, Mjeshtër i Madhë për kënaqësinë intelektuale që na dha! Me shumë respekt, K.Gjergji.


Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page