top of page

GRYKËS SË KOHËS DERI TE OPTIMIZMI PËR NDRYSHIME


Bilall Maliqi

GRYKËS SË KOHËS DERI TE OPTIMIZMI PËR NDRYSHIME

(Fatmir Terziu “Grykës” (roman)


Bilall Maliqi

Të shkruash një vepër letrare nuk është e lehtë. Ti prekësh gati të gjitha zhanret letrare përsëri nuk është e lehtë, por kërkohet punë, mund dhe përgjegjësi sidomos në zhanrin e kritikës letrare, por edhe të shkruarit e ndonjë vepre e cila do të rrugëton dorë më dorë nëpër shtresa të ndryshme lexuesish dhe natyrisht pastaj të pritësh përplasje mendimesh për vlerën e kësaj apo asaj vepre të këtij apo atij autori. Deri tani ka pasur rastin lexuesi të njihet me shkrimtarin, studiuesin dhe kritikun e mirëfilltë z. Fatmir Terziu përmes botimeve të tij të çdo fushe e që është treguar i suksesshëm. Këto që i thashë më lartë studiuesi i njohur Fatmir Terziu i posedon me efikasitet të plotë sa i përket punës së tij krijuese të çfarëdo zhanri qofshin ato. Para disa ditësh përmes botës së internetit m’u bë e mundshme ta lexoj romanin e tij më të ri të titulluar “Grykës”, botuar nga Sh.b. “Lulu” USA, botim autori, 2010. Fillova me kënaqësi ta lexojë këtë roman dhe të shoh çfarë motivi fshihet brenda kopertinave të këtij libri, si është ndërtuar skeleti i romanit, futja në lojë e personazheve dhe jetësimi i tyre sa më efikas.

“Grykës”

Romani “Grykës” është libër bashkëkohor interesant për lexim i shkruar me kujdes të veçantë me përgjegjësi dhe me një art të avancuar krijues të autorit. Libri shoqërohet me temë interesante e cila është shkruar në kohë e situata të caktuara të cilat autori i ka ndërtuar në funksion të shtjellimit sa më efikas të temës së shtrirë gjithandej romanit. Romani si i tillë mbështetet mirë në ndërtimin e efektshëm të mbarvajtjes së temës së sajuar e që autori është munduar në mënyrë sa më të thuktë me një gjuhë të rrjedhshme për çdo shtresë të shoqërisë, të forcuar bukur mirë edhe me shtjellimin e temës të cilën autori e ka përzgjedhur për t’ia servuar lexuesve.Personazhet në libër paraqiten në situata dhe momente të ndryshme. Rregullimi dhe futja në punë e personazheve nga autori është bërë aq bukur sa secili lexues do të bindet se me të vërtetë autori është mjeshtër i vërtetë i ndërtimit të romanit me të gjitha karakteristikat dhe kërkesat elementare që i kërkon një roman bashkëkohor e këto i gjejmë këtu në këtë roman interesant dhe tërheqës për lexim.

Romani që po e shtjellojmë tek lexuesit përçon një realitet të vërtetë dhe një objektivitet të periudhës post komuniste në të cilën mbështillet vendi ynë, ku autori u mundua në këtë roman gjithnjë përmes mesazhit drejtuar lexuesve në përgjithësi të pasqyroj situatën e pëgjithshme e që lexuesi të nxjerrë atë të vërtetën lidhur me “sëmundjet” që e kanë kapluar vendin tonë duke përfshirë këtu korrupsionin, prostitucionin dhe çdo ves negativ të shoqërisë sonë e që për fat të keq ende nuk po çrrënjoset as korrupsioni, as këto vese negative të cilat ia humbin imazhin kësaj shoqërie dhe vendit në përgjithësi.

Portreti Monda Huta

U mor vesh më lart se romani në fjalë ka bërthamën e tij e cila është ndërtuar në atë mënyrë që të del para lexuesve konkluzioni se njerëzimi i shoqërisë sonë është futur në gjendje amorale, korrupsioni, degjenerimi , pasiguria shpirtërore etj., e që mjaft mirë është pasqyruar në këtë libër. Romani është ndarë në katërmbëdhjetë kapituj të arsyeshëm sepse lexuesi në çdo kapitull merr frymë në një sinkopë të shkurtër për të vazhduar më tej në leximin dhe shtjellimin e këtij romani interesant dhe tërheqës për lexim. Personazhi më i interesant i romanit Monda Huta, ku autori paqyron portretin e kësaj bukuroshe të zgjuar e cila përpiqet ta ruaj dashurinë e pastër në këtë kohë të pakohë.

Edhe personazhet e tjera në këtë roman autori i personifikon dhe ua jep detyrën e qartë në mbarëvajtjen e roleve të tyre duke e paraqitur kështu edhe karakterin e personazheve brenda librit.

Vend me rëndësi në libër kanë çifti Monda Huta dhe Tritan Begu të cilët mbulojnë bukur mirë romanin dhe mbarvajtjen e tij, të cilët mundohen ta mbajnë gjallë të mirën, të lirohen nga e keqja që e kishte gllabëruar kohën dhe njerëzit në të. Tjetër personazh interesant është edhe Ulko Çopia, por jo vetëm ai, autori jetësoi edhe personazhe të tjera me karaktere të ndryshme si personazhi i Subit, shef i policisë, i cili para lexuesve paraqitet si intrigues i interesuar për t’u ngjitur në karrirerë dhe për t’u bërë njeri i parë me pasuri, kësaj ngjitje ia bëri të mundur lidhja me vjazën e sekretarit të partisë. Pra këtu shihet qartë lakmia për t’u ngjitur shkallëve të karrierës në mënyrë jo të ndershme.

Shkëndija shprese “Çdo bukuri e ka të zezën e vet”

Thotë Beqir Musliu shkrimtar i përmasave mbarëkombëtare e cila në këtë rast ndërlidhet me temën, ku prej gjithë kësaj “gryke” që u përbinë të gjitha këto të zeza që u përmenden më lartë, autori i librit len pak vend për shkëndija shprese dhe optimizmi për të ardhmen me të bukur dhe më reale. E kjo vjen si rezultat i ndërrimit të sistemit diktatorial në një sistem tjetër që ndoshta sjell xixa drite e shprese për popullin e përvuajtur në çdo fushë të jetës.

Gjatë leximit të kësaj vepre, lexuesi do të kuptoj rrugën e ngjarjeve deri në epilog të romanit, sidomos të personazheve që dhanë maksimumin e përgjegjësisë që ia ka dhënë autori në këtë libër.

Romani “Grykës” i shkrimtarit Fatmir Terziu, shoqërohet me një vlerë të begatshme letrare, sepse vepra në fjalë i ka të gjitha specifikat që duhet ti ketë një roman, me një ndërtim efikas dhe me qëndrimin e vlerës artistike të saj që nga prologu deri te epilogu i librit gjithnjë duke shoqëruar librin me tematikë të qëllueshme dhe koherente, duke nxjerrë në fund lexuesi konkluzionin për mesazhin drejtuar shoqërisë në përgjithësi.

Kujtojmë se romani “Grykës” i shkrimtarit Fatmir Terziu do ta ketë vendin meritor tek syri i kritikës letrare dhe do të ketë “banim” të përhershëm në mesin e veprave të avancuara artistikisht në letërsinë bashkëkohore shqiptare.


8 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page