Gratë shqiptare tek "Zemra e Ballkanit"
Fatmir Terziu
Shkrimtarja që ka shkruar librin "Zemra e Ballkanit" është njohur si shkrimtare greke, ndërsa në një rrëfim të saj të hershëm që ndodhet në arkivat britanike, ajo mbron shqiptarët, flet me krenari për ta, sidomos për gratë shqiptare. Demetra Vaka mban emrin e lashtë të hyjneshës së plleshmërisë të tokës dhe e bujqësisë, që njihej si e bija e Titanit Kron dhe gruas së tij Rea. Zonja Demetra Vaka, një vajzë greke, e cila shkoi në Amerikë dhe u martua atje, sapo ka botuar një libër të quajtur "Zemra e Ballkanit" (1917), ku tregon përvojat e saj kur eksploroi atë rajon të egër me një vëlla që vepronte si komisioner për Qeverinë turke. Ajo flet për Shqipërinë e asaj kohe dhe thotë se në Shqipëri „gruaja më në sy të publikut, nuk është ajo që figuron mes të pranishmëve dhe kryeson çajrat e shegës.“ Në atë material shkrimtarja flet për gjakmarjen shqiptare, të cilën e trajton nga biseda origjinale, që ajo ka bërë me një nënë shqiptare, që ushtarët turq ia kanë vrarë burrin, ndërsa biseda sillet nga bashkëbisedimi i kësaj nëne shqiptare me djalin e saj të vogël, që në sy të shkrimtares i kërkon të bëjë realizimin e gjakmarrjes për të shoqin dhe të atin e fëmijës. Sidoqoftë, në materialin që sjellim më poshtë po mundohemi të qasemi tek thelbi i tij, duke e dhënë ashtu sikurse mund të shqipërohet saktësisht me titullin mjaft domethënës „Gjakmarja shqiptare“:
„Në Shqipëri, gruaja më në sy të publikut, nuk është ajo që figuron mes të pranishmëve dhe kryeson çajrat e shegës. Respekti më i madh i jepet zonjës që mund të mburret më së shumti në kondakun e pushkës së saj. Biseda e zjarrtë e mikpritësve të saj me djalin e tyre të vogël tërhoqi vëmendjen e saj:
“Po i thosha Stathe se je nga Qeveria dhe ia tregoja këtë. Ajo tregoi një njollë të errët në mur.
"Çfarë është ajo?"
"Ky është gjaku i babait të tij. Atë e rrethuan 10 ushtarë. Ai vrau gjithçka mundi, por ata e përfunduan".
U drodha. "Ti thua se njeriu yt u vra para syve!"
Ajo më shikoi me neverinë më të madhe. “Po të isha këtu, do të ishte një luftë e barabartë, 10 ushtarë turq me dy shqiptarë, dhe burri im do të jetonte sot. Ai vrau gjashtë dhe sakatoi një para se ta mbaronin. Unë po i thosha Stathes se atje ishin katër ushtarë të Qeverisë që ju përfaqësoni, të cilët duhet të vdesin për të atin, pjesa tjetër që do të vrasë do të jetë për Shqipërinë”.
"Nuk do ta pastroni këtë vend?"
"Jo derisa Stathe të marrë gjakun që na është borxh."
U ula e lodhur në një gur të ulët që shërbente si stol, duke u ndjerë mjaft e dobët.
"A keni mbytur, apo vrarë ndonjë turk?" pyeta për momentin.
“Çfarë mendoni se jam uloke? Të gjitha ne femrat, luftojmë kur meshkujt janë në mal dhe ne nuk habitemi. Këto janë armët e mia”.
Shkrimtarja në librin e saj sqaron se në kohën kur ajo flet Shqipëria ishte e lakmuar nga Austria dhe Italia, të dyja anëtare të Aleancës së Trefishtë, dhe për të shmangur dëshirat e tyre, Franca dhe Anglia synonin të ruanin integritetin e Perandorisë Osmane, pa marrë parasysh sa sa gjak lau tokën e Shqipërisë, apo të ndonjë pjese tjetër të Ballkanit.
Shkrimtarja shprehet „Duke ditur tashmë se cilat do të ishin rezultatet praktike të kërkimeve tona, ajo që më interesoi personalisht ishin gratë e Shqipërisë; dhe meqenëse, pas largimit nga Shqipëria, duhet të kalonim gjithë gjatësinë dhe gjerësinë e Ballkanit, do të kisha mundësi të studioja gratë e Malit të Zi, dhe ato të Serbisë e më tej.“
Comments