___________________________
Puntorie Muça – Ziba u lind në Strugë në vitin 1954. Shkollën fillore e kreu në Veleshtë, të mesmen në Strugë, kurse Akademinë Pedagogjike, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Shkup. Deri më tani ka botuar: Poezi për të rritur: “Rruga e mjellmës” poezi për të rritur-1987, “Sodisin yjet” poezi për të rritur-1990, “Kuku” poezi për të rritur-1977, “Rapsodi udhëtarësh” poezi për të rritur-1995, “Suita e lënduar” poezi për të rritur-2002 “Suita ime” në gjuhën Maqedone ” Mojata svita” poezi për të rritur-2000 “Vega”-poezi për të rritur-2006, “Koha e qershive”-2018. Poezi për fëmijë: “Yllkat bisedojnë me meteorë” poezi për fëmijë-1994, “Xixëllonjat luajnë valle natën”poezi për fëmijë-2007, Pjesë dramatike për fëmijë: “Aventurat e princit Ujkan”-1999. Tregime për të rritur: “Shtatë vjet pritje”-1974, “Te logu i cucës”-1998, “Mjedra e egër në malin e thatë”-2003. Pjesë dramatike për të rritur: “Motrat me shirit të kuq”- e inskenuar në Shkup dhe në Teatrin Kombëtar, Tiranë 1993 -1994. “Dorotea” e botuar- 1998, “Udha e ikjes” – fitoi çmimin e tretë në konkursin “Buzuku” e botuar -2007, “Nuk martohem kësaj vere”-1999, “Zonja me celular”- Monodramë- e botuar në revistën « Jehona », “Ahengu i grave të qytetëruara”- e botuar në revistën “Jehona”, “Djajtë e netëve të fundit”- e botuar në revistën „Jehona“, “Harta sekrete”-komedi. Romane: “Vjeshtë totemesh”-2007, “Emma Jazzi”-2009, “Unë, dhuna dhe Emma Jazzi”-2009, „Edhe qielli mbetet i kaltër“-2011, „ Gjurmë dhe ishuj“-2012, “Ndërgjegjja e pleshtit”-2016. -Poezitë e Puntorie Zibës u përkthyen në maqedonisht, anglisht, rumunisht, maqedonisht, frengjisht, gjermanisht etj dhe është fituese e mbi dhjetëra çmimeve e mirënjohjeve letrare.
__________________________________________________________
Lot
( Tani po i vë shpirtit një gur dhe ju lus të mi nxirrni sytë.)
Në altarin prej dy kokrra sysh lumenj lotësh që derdhen kur vjen e ik një grusht stinë kur ndahen rrugët kur piqen kumbullat binjake dhe në një fron, kokulur nusërojnë vajzat pranë pirgjeve ëndrra ngujuar, ku plakat tundin degët e mendjes dhe me gishtin e unazës në kyçet e gishtërinjve numërojnë vitet, kur hutimthi pikon gjethja dhe pas dy stinësh, nadje hap petalet një lule që kruspullohet në muzg nga shkrepjet terratisëse. Në altarin e syve pas çdo rrëzëllitjeje mpiksen lotët kokrra-kokrra kristali mbi mollëzat e kërcyera që filluan vyshkjen. Prej sot po i vë shpirtit një gur dhe ju lus të mi nxirrni sytë e mbufatur prej çurg lotësh, ngaqë pata rrëzëllitje të pakthyeshme me ata që rash në ujdi.
Gratë
O grua stoli, prej kur errë e zbardh drita në ferk me faqka të purpurta. O kurm dhembjesh, o det lotësh ti je pjergull, ti je rrush në sytë e botës, ti je fletë pjergulle në shtëpizat me nëntëdhjetë e nëntë dritare me oborre e kopshte mbush fiq e mollë, ti je pjergull që varesh mbi degë e lëngëzon për foshnjet tua që të yshten nga drita e syrit me pikla-pikla vese, nga bardhësia e gjirit me lëng rrushi në faqkat e tua purpur ku fshijnë turirin e butë prej bebeje dhe kokrrën e lotit kur ju rrëshqet. O grua që mbete rrush në sytë e botës, o zemër valëtrazuar përtej detesh, malesh, universesh, nga ankthet e pritjes së bijve adoleshentë kur lulojnë e trazohen nga pasthirrmat dashurore. O grua, o lule pjergulle nazike, mos e lodh shpirtin që nuk erdhe mashkullore asaj dite kur të lindi nënoja, se, s’do mbeteshe lule aromatike në sfond prej hënëze varur në mur, s’do të nguliteshin sytë e fëmijëve të diellit, në sytë e tu me pikla vese. Ti je përjetësia e zgjuar, moj lule lehonë me ninulë në gojë deri në ferk kur t’i zë gjumi bebet vajzushe në shtrat të natës se rriten bëhen pjergulla plot me rrush moj, plot me rrush dhe nisin lëngëzojnë jetë kur i mësojnë dhembjet e shtërzimeve të lindjes, e i kujtojnë sytë e stërdala si kumbulla nga therjet e lulebarkut afër lulekërthizave që ngadalthi, ngadalthi përqafohen me hyjnoren, hedhin përtej universit frikën e shtatit prej zane. Ato bëhen gra sajojnë një qafë ujkonje sa të mos lakmojnë e të mos vdesin për një kokërr kripe, nga dyert e botës tinëzare. O, nëno, o, nënoja jonë o, grua me kurm prej plagësh, me kurm luleje, lëkurën e pëllëmbëve zumpara, moj zumpara, kur i vë gjoksin punës kur i vë gjoksin artit. O, shpirt dinjitare, mes sysh trazuar të rigon mall, rigon aromë lehone kur kokrra- kokrra bijë e bija yshtin shikimet e syve tu, me vesë lotësh.
Ethet e lindjes
( lulefoshnjeve )
Pas shtërzimeve të shpeshta kur therëthikat përçajnë eshtrat e një shtati karafilorë, ditën e fundme të muajit të nëntë të gjitha zanat që bëhen nëna çjerrin zërin: O zot, ma merr shpirtin, klithin ato lulekarafilet dhe shpurdhin këmbë e duar mes butaforisë së bardhë para një gurgule grash tjera me shtat prej zane, duke ftuar ditëvdekjen. Oh,oh Zoti ynë! Rrahin kofshët e tyre të bardha shkulin flokëprishurat, qajnë e thirrin: Oh, nëna, nëna moj nëna athua na kanë kafshuar nepërkat! Dhe,mos zot më keq, po të mos iu kujtoheshin atyre faqekarafileve, lulefoshnjet që vijnë në jetë, do ta merrnin veten më qafë, do ta çaraveshnin zemërdashurinë e do ta copëtonin atë copkë jetë, copa-copa do ta hidhnin në bunacë. Sepse, edhe një pipth karafili hapet më lehtë e luhatet me naze nga një fllad pranvere, se një rrugëtim i një lulefoshnjeje kur merr hov të del buzëvaj nga ngrohtësia embrionit, pa lënduar gishtërinjtë petale karafilorësh, që të kap pak dritë nga sy prej nëne e të thith qumësht gjiri pasi nënat të bëjnë naze me faqëza bojë purpuri që iu mbetet nga shtërzimet. Dhe nënëzat hapin sytë me një buzëqeshje si ndër buzë, dhe ato shikojnë ah, mrekullohen duke shikuar, gjakun e gjakut të tyre në fytyrën kuq prej bebeje, duke lëvizur qepallat, e duke hapur buzënjomat se kërkojnë thimthat për të shuar urinë mu, aty te lulethimthat ku zgjohet pikëjeta e buron qumështi i bardhë i përzier me aromë gjinjsh, me aromën e diellit të kuqërremtë dhe bukurinë e hënës së brishtë…
Baladë për veten dhe Prometeun
Unë rri e pres si zog ferre kur të tjerët duan t’na fikin diellin.
Këtë pasdarke dimri, derisa bora zë borën e thatë unë gjorqinakja me gishtërinj mëndafshi e me fije bari ta thuri jelekun e kuq. Eja Promete më sill ajër nga dheu i shkriftuar se do t’them mirë se erdhe e me ujë krojesh në legen do t’i laj këmbë e duar, do të pjek zog në hell do të gatuaj bukë të ndorme, që pasdarke të fluturojmë përtej përvidhjes së rrezeve hënore, derisa të rigojnë sysh, lot trëndafilash. Unë të pres si zog ferre kur të tjerët duan t’na fikin shpirtin. Këtë pasdarke dimri, derisa bora zë borën unë gjorqinakja pres të më vish e të vdesësh ngadalë, thërrmijëza-thërrmijëza tue lëmuar ballin e djersitur, tue dëgjuar baladën që e shkruaj me gishta në ajër.Unë rri e pres Promete, si zog ferre tejendan mërirave ku e keqja na mbiu n’derë, ku duan t’na fikin edhe hënën me gjithë yje.
Ildije Xhemali E lexova me kënaqesi biografisë e poetes- shkrimtare Puntorie Muça Ziba si edhe poezitë e saj