Romani “Drithërimat e yjeve” si një fakt
Dr Fatmir Terziu
Në vend të hyrjes
Viron Kona, shkrimtari shqiptar ka kohë që vjen në sitën e medias me librat e tij "Pëllumbat", "Mos m`i zbukuroni plagët", "Dëgjoma zemrën, Budapest", "Drithërimat e yjeve" etj. Media, po aq edhe kritika, kanë vënë siglën e tyre edhe për librat e këtij autori të shkruara për fëmijë që kanë si personazh Bubulinon dhe Dardin dhe që kanë lexues të shumtë. Fakti është se “Këta libra janë botuar në dhjetëra, mijëra kopje. Për shembull 3 librat për Bubulinon janë botuar në rreth 50 mijë kopje dhe përsëri ka kërkesa nga lexuesit e vegjël,” gjë që flet shumë që në këtë pikënisje. Vetë autori, edhe pse tejet i zënë ngushtë, mes modestisë dhe karakterit të tij tejet njerëzor, në një intervistë të hershme në media thekson: “Në bisedat e shumta që zhvilloj me fëmijët, ndihem i emocionuar kur shoh se ata mbajnë mend personazhet e librave të mi, episode, ngjarje dhe aventurat e tyre, por dhe kur shfaqen entuziastë me njohuritë shkencore dhe enciklopedike që mësojnë nga këta libra. Për shembull fëmijëve u bën përshtypje të thellë fantazia dhe guximi i Bubulinos, sidomos dëshira e tij e fshehtë që të jetë i pari njeri që do të shkelë në planetin Mars. Sikurse dëshira dhe pasioni i Dardit për të zbuluar të fshehtat dhe të panjohurat e rruzullit tokësor, e veçanërisht të vendit tonë, si një vend ende i paeksploruar si duhet nga ana historike dhe arkeologjike.” (Xhoga, 2006; “Ndryshe”).
Shkrimtari Kona është vlerësuar gjashtë herë me çmime për tregime dhe novela për të rritur. Por edhe pse letërsia e tij për fëmijë shihet si një arritje e konsiderueshme, ai shpesh është përfolur për çmime të cilat nuk mendojmë se do të vonojnë edhe për letërsinë për fëmijë. Megjithatë Kona shprehet se “Çmimet dhe vlerësimet e vërteta dhe reale i japin lexuesit. Kur shkruaj një libër, nuk më shkon aspak mendja te çmimi që mund të fitoj, por tek ajo se çfarë do të thonë lexuesit, a do të ma pëlqejnë librin? Eh, sikur të ma pëlqejnë! Ja, kjo është ëndrra ime. Duket disi romantike dhe jashtë mode, sot kur njerëzit vënë në plan paratë, apo jo? Gjithësesi, ndonëse kam shumë nevojë për para, përsëri dëshiroj shumë, që në radhë të parë të jem i pëlqyeshëm dhe i dobishëm për lexuesit e mi.” (Po aty).
Fakti që romani i tij "Drithërimat e yjeve" është botuar tre herë flet shumë për vlerat e prozës filozofike të Konës. Ajo që ne veçojmë në këtë roman, po ashtu edhe në mjaft aspekte të krijimtarisë së këtij autori është tipologjia dhe veçoria e gjuhës. Në këtë roman në qendër është refugjati shqiptar në Greqi, por edhe gotikja e fatit të trazuar të një jete që sillet si një mesazh tërësisht me vlera dhe hapësirë filozofike.
Gjuha dhe teksti mes gotikes
Një kompani qensh. Qenër në letërsi gotike! Ata ndeshen në faqen 78. Shfaqen me fjalë. Prezantohen me gjuhën e spikatur. Shtrohen për syrin e lexuesit edhe me një grafikë-pikturë, që flet hapur. Grafikë-pikturë që flet me një gjuhë tipike. Dy qenër në formë kryqi, paraqiten të tendosur, deri në hakërrimin më tinzar. Dy qenër që në hulumtimin e shkrimtarit rizgjojnë tragjikun e madh grek, Euripidin, të cilin sipas një dëshmie të lashtë, pikërisht “kafshime qensh gjuetie i sollën vdekjen në moshën 75 vjeçare” (Kona, fq. 78). Më saktë aty ku shënohet mesi i 160 faqeve të romanit “Drithërimat e yjeve” të shkrimtarit Viron Kona, kjo simbolikë e ‘trazuar’ jepet sa historike, aq edhe reale. Në këtë mes-prozë paraqitja e referuar si horror gotik, njerr në pah një zhanër të letërsisë që kombinon elemente të dyfishta të horrorit dhe historisë njerëzore në udhëkryqe kohe. Në një përafërsi me zhanrin e letërsisë që kombinon horrorin dhe dashurinë, proza e Konës, nis udhëkryqin jetik të emigrantit në tokën Helene. Në thelb është një lidhje e ngushtë me këtë zhanër.
Si një zhanër tipik, besohet në përgjithësi se ka qenë i shpikur nga Walpole Horace, me romanin e tij “Kalaja e Otrantos” (1764). Efekti i prozës gotike me prurjet e ndjeshme gjuhësore të Viron Konës, në këtë lloj të ‘terrorit’ absurd, korrekton në mënyrë filozofike me një zgjatje edhe kënaqësitë romantike letrare që janë relativisht mjaft të reja dhe më të ndjeshme se në kohën e romanit të Walpole-së. Melodrama dhe parodia ishin padyshim karakteristika të vlefshme të prozës gotike të iniciuar nga Walpole, por që në prozën e Konës kanë thjesht vetëm rrjedhën historike dhe përqasjen disi zhanrore. Në romanin e Konës, gjuha letrare e përzgjedhur është e lidhur ngushtë edhe me arkitekturën gotike. Ja ku ndodh kjo lidhje: “Drithërohem! Këta qenë janë të tërbuar! Ky mendim, më tmerron dhe më bën të mbledh të gjitha fuqitë që më kanë mbetur. E vërtis shkopin s ii çmendur…” (faqe: 78). Dhe më poshtë vazhdon mes retorikës që plotëson arkitekturën gotike të ndërsjelltë: “Si je barba, ke ndonjë plagë? – e pyes. – Jo vetëm ca gërvishtje. Faleminderit, o djalë! Po të mos ishe ti, ata do të më kishin bërë copë! – Duke thënë këto fjalë, plaku sheh me keqardhje pallton e madhe, që vende-vende është shqyer nga kafshimet e qenve. – Po, ç’kishin ata qenë që ishin të tërbuar? – e pyes plakun. – Ku ta di unë! Qenë janë. Tërbohen njerëzit dhe jo më qentë.” (po aty).
Racionalizmi i një stili klasik: reagimi adekuat artistik
Siç shihet pra në këtë prozë, në këtë literaturë gotike të shkrimtarit shqiptar, është shfaqja e ‘ringjallur’ e një risie të ndjeshme gotike me një kanalizim më efikas, më të prekshëm e më domethënës. Në një mënyrë të ngjashme me refuzimin revivalist gotik, kjo prozë siglon mes qartësisë edhe racionalizmin e një stili klasik. Si një shkollë letrare e themeluar hershëm, në penëmjeshtërinë e Konës, mishëron një emocion të skajshëm, ngjiz një filozofi që pason mesazhe në kënde diamatike, disi sinonime me njëri-tjetrin. Këtu nuk ka pasoja gotike, s’ka as rrënoja, por ka dimensione të hapura që gjykojnë dhe zgjojnë logjikën, përpos një veprimi të ndërlidhur me qenër të tërbuar. Dhe kjo logjikë pasohet me “lajmi se unë e shpëtova plakun nga qentë e tërbuar, u përhap me shpejtësi në fshat”. Ky lajm sërrish ka një prapavijë. Ka gjykimin, por ka edhe pasojën. Ka objektiven dhe subjektiven. E autori e gjen sërrish në një rrugëtim të gjetur letrar. Thuajse të mirëfilltë me shkrimtarët gotikë anglezë që lidhnin ndërtesat mesjetare me atë që shihnin në periudhat e errta e të tmershme. Kona ashtu si edhe ata e lidh ngjarjen me ndërtesat mesjetare, që në rastin e tij shfaqet në faqen 82 të romanit, Fari i Aleksandrisë, i rrethuar me re të tmershme e tronditëse. E gjitha mes fjalës dhe grafikës, si një gërshetim gotik shtron deri në imtësi ligjësinë e ashpër që riskohet mes fantazisë dhe paragjykimit. Në këtë prozë ka një dimension prekës, një dimension që edhe pse është shumë larg tiranëve, vilanëve, banditëve, manjakëve, heronjve Bajronikë, vashave të persekutuara, femrave fatale, murgjëve, murgeshave, grave të çmendura, magjistarëve, monsterave, demonëve, dragonjve, engjëjve, fantazmave, skeleteve të të vdekurve, të përhumburve apo djajve, sërrish ka një alegori dhe risi për të prodhuar gotiken që demaskon qetë e qetë në një kënd amoral, në një kënd antihuman. Mjafton një fjalë e gjetur e autorit të shtrojë nevojën dhe arsyen e plotë të filozofisë që sjell ngjashmërinë në këtë pikë: “Punoj si automat. Bullgari ka kohë që është larguar. Ndihem i lodhur sa s’thuhet. Habitem se ku i gjej ato forca, që po kaloj nëpër duar mijëra arka me portokalle. Bunkeri – lub, vazhdon t’i gëlltitë pandërprerë. Ai s’ngopet kurrë! S’di pse herë-herë, ai më sjell ndërmend vozën me fund të shpuar, që nuk mund ta mbushnin dot kurrë me ujë 50 vajzat e Danaut...” (faqe 83-84).
Dhe këtu nuk është vetëm prania e ujqërve, ... pra?! Është e gjitha kjo strukturë që e bën këtë të klasifikohet si një letërsi moderne gotike. Është një strukturë letrare që shpalos kalbjen njerëzore, ndjell supernatyralen e detyruar e të stisur të njeriut nën tutelë, nën diktat për të mbijetuar. Një njeri-ujk është paralelja në këtë ‘mesele’ emigracioni. Është paralelja në jetiken e emrave të tillë si Dhimoja, Argjiri, Andonaqi, Dionisi, Andrea e mjaft të tjerë që jetojnë mes sensit dhe situatave dramatike gotike. Më saktë është ajo që Gëzim Tushie citon: “është vetë letërsia që ka aftësinë dhe sensibilitetin e reagimit adekuat artistik” (Fq 11). Kjo letërsi në gjuhën e bukur të autorit jep tërë dimensionin e saj, jep atë reagim adekuat artistik, që ravijëzohet mes parasë, si koncept dhe materie, dhe asaj që lidhet me fate dhe ankthe përditësie: “Andrea më paguan 4 mijë dhrahmi. I mbaj në dorë paratë. I kam fituar me mundim dhe ndihem i kënaqur. Këto para s’kanë të krahasuar me pagën që merrja në vendin tim si mësues. Pra, ia vlen barra qiranë! Kam dëgjuar se ka refugjatë që paguhen edhe më shumë. Marrin shtatë, tetë deri edhe dhjetë mijë në ditë. Ndofta edhe unë mund të arrij t’i marr aq para. Po, hë për hë, le të kënaqem me kaq. Mbase, e nesërmja mund të më sjellë më shumë fat…”
Mjafton ky fakt të kuptohet ky racionalizëm i stilit të autorit, që kalon në vrimën e stilit klasik, por pa harruar fabulën dhe syuzhet që ndjehen lirshëm në tërë mesazhin e prodhuar. Në përgjithësi, thuajse në këtë pragraf, por edhe në tërë romanin e Konës, forma syuzhet forcon perceptimin tonë të fabulës, duke kontrolluar edhe elementët emocionalë që ngjizen mes nesh përpos sensit dhe ndjenjës, në këtë rast për fatin e refugjatit në Greqi. Duke vazhduar me paragrafin më poshtë le të forcojmë bindjen dhe perceptimin tonë për këtë pikë:
“-Ah, prit, për pak desh harrova! – më thotë Andrea kur po ndaheshim. Ai futet në furgon dhe del me një shportë të vogël.
-M’i dha ajo gruaja plakë. Nuk e di ç’ka vënë, por më porositi disa herë që të mos harroja të ti jepja, - dhe, pasi m’i vë në dorë Andrea më buzëqesh me çiltërsi.
E hap shportën. Është e mbushur me rrush, fiq të thatë, ftonj, shegë. Në fund, një kupë me gliko arre dhe një qese ku ndodhet një triko leshi. I shoh këto gjëra të thjeshta dhe ndjej mirënjohje për atë nënë greke, që vetëm pak orë më parë ishte krejt e panjohur për mua. Provoj një nga ato çastet e rralla kur njeriu ndjen t’i përshkojnë të gjithë trupin ca ndjenja të bukura për jetën. Më shkon mendja tek telefoni. Të flas me time shoqe, me dy vogëlushët e mi të shtrenjtë, me nënën time të moshuar…”
Në këtë pragraf duket qartë ajo formë imagjinare, perceptuese, vizive që rreket në ndërgjegjen tonë. Dhe ashtu siç, Bordwell na vjen në ndihmë “Kur Fabula është manipuluar për të bërë pezullim maksimal të rrëfimit të historisë, syuzhet (ose më saktë histori-rrëfenja, ashtu siç është thënë në të vërtetë) është krijuar mes një manipulimi të tillë që ka për efekt mbifamiliarizimin e mesazhit (Bordwell, 1985:57). Sipas Bordwell jashtë vizives, në prozë apo në tekst, ndihet qartë racionalizmi i një stili klasik, si një aspektreagimi adekuat dhe tejet artistik. Kona në këtë pikë simbolizon më qartë dhe më ndjeshëm. Në fakt qartëson tërë ndjesinë e një shpirti gotik në një prozë me fate të tilla njerëzore...
Duke përfunduar
Në definicionin e fjalës ‘gotik’, që në fakt vjen nga letërsia gotike, shpeshherë, autorë të shumtë, analistë, kritikë e studiues i referohen thjesht letërsisë gotike, letërsisë me horror, letërsisë me prurje të frikës, errësirës, trazimit, hijeve, apo edhe më tej. Disa nga analistët e kohëve të fundit, kanë lidhur anën figurative të saj mes një filozofie që rishtron kuptim logjik në elementët e ditëve tona, jashtë bedenave e kështjellave, jashtë ‘horrorit’ mesjetar, por me një sens logjik të ndjeshëm e të ngjashëm, përpos asaj që shtrohet në fate dhe jetë njerëzish. Edhe romani “Drithërimat e yjeve”, duket se që në titull na ndihmon për këtë. Autori gjen logjikën dhe filozofinë e tij atje lart mes natës së errët në qiell, ku arrin të ‘fotografojë’ artistikisht ‘yjet që dridhen’ e të na prodhojë me një penelatë tejet artistike, ‘drithërimat e yjeve’. Le të mbesim disi të hapur për këtë, por edhe të bindur se për këtë shkrimtar duhet ende vëmendje, ende hulumtin të detajuar. Ne sapo kemi hedhur një ide, mbi atë mal letrash që vijnë tek lexuesi, mes modestisë dhe njohurisë. Autori ka bërë një detyrë, vazhdimi dhe tejçimi i saj na përket të gjithëve.
Comments