Tregim nga Luan Çipi
Xhon Kohen ishte çifut. Çifutë kishte disa në qytetin e Vlorës. Ata ishin marrë me tregti dhe artizanat. Midis tyre kishte dhe të pasur, siç ishte familja Levi, tregtar, grosist, me magazina të pafundme dhe shtëpi komode. Po kishte dhe shumë të varfër. Ata jepnin e merrnin, më së shumti, brenda njëri-tjetrit dhe, në të mirë e në të keq, ndihmonin shoqi-shoqin, duke dhënë borxhe të përkohshme, por gjithnjë të mbështetur te puna e secilit. Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, me ardhjen e ushtrisë naziste, çifutët e Vlorës u kërkuan për t’u identifikuar dhe internuar, siç bëhej me gjithë çifutët nëpër botë, por populli shqiptar i fshehu në gjirin e vet dhe atyre nuk u hyri gjemb në këmbë. Ishin që të gjithë njerëz të urtë, të lidhur pas punës së tyre, indiferentë ndaj mjedisit përreth, por dashamirës që nuk i bënin kujt keq. Pjesa më e madhe e tyre banonin në një rrugicë të përbashkët, diku aty afër sahatit të madh të qytetit, që kishte marrë emrin e tyre: “Rrugica e Çifutëve”. Xhon Kohenin më mirë e njoha në vitin 1956, kur ai ishte normist. Llogariste pagat e punëtorëve në furrat shtetërore të bukës. Ai ishte shumë i dhjamosur, saqë të jepte përshtypjen se edhe djersën e kishte si me lyrë erëmbajtëse. Kjo duket se vinte ngaqë gjithë ditën përtypte fara luledielli, stafidhe rrushi, arra e bajame, karamele dhe gjithfarë kokrrash, që i nxirrte nga xhepat e tij, gjithnjë të mbufatura. Xhoni e përfundonte shpejt e shpejt punën e tij për llogaritjen e normave dhe pagave të asaj dite dhe këtë e bënte gjithnjë, në mënyrë të përsosur, si automat, disa orë para përfundimit të orarit zyrtar. Si e kryente këtë punë, fshehurazi, vidhej nga zyra shtetërore dhe shkonte në shtëpinë e tij aty afër, ku, bashkë me familjen e tij, nënën, gruan dhe fëmijët, punonin, jashtë kohës normale të punës, në një punë të dytë privatisht. Ata ngjyrosnin shami koke në merle të holla, me gjithfarë ngjyrash e stampash me lule e figura zogjsh dhe kafshësh. Shamitë e kokës i kishin monopol, për gjithë jugun dhe i shisnin në fshatrat dhe në qytetet e afërta. Mund të shkoje anës rrugëve nacionale me makinë dhe do të shikoje qindra koka grash të mbuluara me shamitë shumëngjyrëshe të firmës “Kohen”, duke punuar në ara kolektivisht në prashitje misri apo në punë të tjera të stinës. Ato formonin një si qilim të madh lëvizës, dekorin e “socializmit ngadhënjimtar”. Familja unike e Xhonit komandohej nga nëna e tij plakë, energjike dhe që s’të falte për punë tregtie. Babai, një burrë fisnik, ishte shumë më i urtë dhe fetar, rabini i etnisë së çifutëve të Vlorës, ndërsa gruaja e Xhonit, Nina, një engjëll gojëmbël, e bukur dhe delikate. Kishte dhe dy djem Elion dhe Enon dhe një vajzë shumë të bukur e të zgjuar, Anën. Xhoni para Çlirimit ishte marrë me tregti ambulante, si pramatar basmash. Ngarkonte në dy gomarët e tij sojlinj, pak të lartë, që të jepnin përshtypjen e mushkës, gjithfarë basmash, zharse, mëndafshe, santinë, pupulinë, merle dhe shëtiste në lagjet e qytetit dhe në fshatrat e afërta. Ai dallohej nga larg, se ishte i vetmi pramatar me dy gomarë, po dhe dëgjohej nga larg, se e kishte zërin të hollë, karakteristik, si zë i çjerrë gruaje. Xhoni tregonte me kënaqësi për kohën kur ishte pramatar: - Më mirë, më me lezet dhe me fitim, tregtia bëhej me gratë. Ato asokohe nuk punonin, po rrinin në shtëpi, gatuanin dhe bënin kalamaj. Kur dëgjonin zërin tim, si të një gruaje, nuk druheshin, po dilnin dhe mblidheshin, të tërhequra nga basmat dhe mëndafshet e ndezura me ngjyrat e ylberit. Ato as që ia dinin vlerën parasë, se nuk i nxirrnin vetë dhe s’pyesnin për çmimet e majme. Po, kur takoje me burrat, që ishin dhe xhelozë, hasetçinj dhe të egër, gjeje belanë. Xhon Kohenit nuk i hiqej nga mendja një ngjarje e asaj kohe me Osman beun. Osmani ishte një jevg shtatlartë dhe i pasur, tip mulati. Kishte qenë kovaç, po, ama, një mjeshtër i rrallë dhe në kohë të turkut kishte vënë aq shumë para mënjanë, sa kishte kërkuar nga qeveria e osmanllinjve të blinte bejllëkun. Ngjyra e lëkurës nuk kishte ndonjë rëndësi, madje, ai atë e kishte më afër turqve, se dhe vetë nga Egjipti kishte ardhur, pastaj krushqitë i kishte bërë me gaxhojë dhe po të bardhë i kishin dalë (me pak përjashtime) edhe pinjollët e tij të shumtë. Osmanajt e kishin shtëpinë në rrugën kryesore, karshi shtëpisë së beut të Vlorës, tek ajo e zbritura, sa shkëpute nga Sheshi i Flamurit e merr për në Skelë. Unë, isha duke e zbritur atë piertësinë e vogël i shkujdesur, me të dy gomarët të lidhur pas njëri-tjetrit dhe të mbushur me basmat shumëngjyrëshe, vazhdon të tregojë Xhoni, duke hedhur një grusht luledielli, këtë herë, në gojën e hapur sa një kamare. Kur ç’të shoh! Gratë e osmanajve, që duket më kishin parë së largu nga tarabat e dritareve, që i mbanin gjithnjë, sipas porosisë së burrave xhelozë, gjysmë të mbyllura, më dolën si një tufë delesh përpara dhe më urdhëruan të shkarkoja në tokë komplet barrën, se do të bënin pazar të madh. Unë u gëzova, se ishte mbasdite vonë dhe atë të martë, ditë tersi p vazhdon të tregojë Xhoni, mua, puna më kishte shkuar keq e mos me keq dhe asnjë kacidhe nuk kisha fituar. Ato më rrethuan të gëzuara dhe në kulmin e kënaqësisë shihnin mallin dhe rrotulloheshin e mblidheshin rreth meje, duke qeshur e biseduar me zë të lartë. Unë jepja shpjegime, reklamoja dhe vija çmime, sipas nepsit të tyre, natyrisht, shyqyr që m’u dha rasti, gati dyfish. Isha pleksur në pazar keqas me këto gra të mira, si shumica e grave të botës, kur dëgjoj një të bërtitur, si sokëllimë ujku, që vinte nga largësia veriore, andej nga ana e Bankës. Kthej sytë, ç’të shoh! Vetë Osman beu, plaku gjigant, veshur me tirq dhe me një qylaf të madh labi në kokë. Ai po vinte, thuajse me vrap, megjithëse pengohej nga duart e zëna me dy alamet kova llamarine, ku kishte, si e mora vesh më vonë, vaj ulliri të bërë me këmbë, që sapo e kishte blerë. Xha Osmani i la kovat në kalldrëm, në anë të xhadesë, ku ishin dhe gomarët dhe m’u drejtua mua dhe grave të veta, duke na u hakërruar e duke na sharë… Jo, po ç’punë ke ti me gratë e mia, o kopuk Palestine… jo po ti je matrapaz dhe rrufjan, ti je kusar dhe mashtrues, se e bën pazarin me gratë e paditura, që të shesësh me çmime të larta… ç’punë ke ti me mua dhe fisin tim, kur unë mund të blej direkt nga grosistët dhe më së fundi… ik, mbushu, se ta zbraza këtë dhjetçen turke në kokë. Nga llafet unë nuk pyesja, se isha mësuar me burrat e këtushëm, po, kur pashë atë alamet kobureje me grykë si të një topi, nisa të mbledh mallin shpejt dhe të drejtohem te gomarët. Osmani dhe gratë po më shoqëronin me shikimet e tyre. Ato më vështronin mua dhe basmat e mbledhura me keqardhje dhe beun e tyre me inat… Kur, ç’të shihnim: Veshgjatëve vetëm majat e veshëve u dukeshin, se turiçkat i kishin futur secili në kovën që kishin më pranë dhe, ashtu të etur siç ishin nga lodhja, në atë mbasdite të gjatë e të mundimshme, po gjerbnin me qejf të madh pikat e fundit të vajit të ullirit, që kishte ngelur tanimë në fundet e kovave. - Bobo, ç’më bërë, more… Xhon çifuti, more… soj muti, more… bir harbuti. Do të ma paguash dëmin me flori, një për një. Po ku gjen më si ky vaj ulliri, more… bir qafiri. Po e kishin përgatitur apostafat për mua, more lugat dhe ishte i trashë si mjaltë, more… shkërdhatë. - Po, pse, o bej, ç’faj kam unë?! Unë nuk i pashë, unë po merresha me ty. Unë as që e dija se ç’kishin kovat brenda. Ato ti i vure, si me porosi, para gojës së tyre dhe ata gomarë budallenj kujtuan se ishin me ujë. Po si s’e kuptuat, more… gomarë! O, ç’gomarllëk që bëtë! - Paratë! Tani, ose do të të hedh në gjyq e të të marr dhjetëfishin. - Avash, avash, o bej! Hiqi duart nga fyti, të merremi vesh njëherë. Unë jam dakord me propozimin e zotërisë sate. Në gjyq! Po!... Dhe pasi u largova ca: hidhi gomarët në gjyq! Gjyqet për këtë punë janë. Të zbulojnë fajtorët dhe të ndajnë davanë. Fajtorët dihet kush janë, ja ku i ke, janë goxha gomarë, që i njeh gjithë kasabaja. Unë të jap fjalën se do të vij si dëshmitar. Po deshe e bëjmë dhe ndryshe, ti dënosh ti vetë, pa gjyq, me dajak, se kështu e duan këta. Ja ku po e nis unë i pari: ysh, gomarë, se jeni treguar më budallenj nga gomarët e tjerë të sojit tuaj dhe keni ngatërruar vajin e beut me ujin e burimit! Unë bilbilosja kështu, pasi pashë që erdhën djemtë e mençur të osmanajve, të cilët u informuan për ngjarjen, çarmatosën plakun e dalë mendsh dhe e detyruan atë të niset drejt shtëpisë së vet. Kështu e mbylli një nga tregimet e veta Xhon Koheni, miku dhe kolegu im i vjetër. Fati i tij i mëvonshëm ishte paksa ndryshe gjeografikisht, nga ai i çifutëve të tjerë të shumtë të Vlorës. Shumica e tyre, sa kishin filluar në botë proceset demokratike, u larguan për në Izrael, ku u grumbulluan çifutë nga e gjithë bota. Jo vetëm çifutët e pastër etnikisht, por edhe çdo krushqi e tyre, pavarësisht origjinës fetare pati të drejtën dhe emigroi me lehtësi. Kështu u vërtetua dhe një herë, në shkallë botërore, ajo që ruhej edhe te grupi i çifutëve vlonjatë, solidariteti, karakteristikë e veçantë e tyre, për t’u marrë shembull nga të gjithë dhe sidomos nga ne, që fatkeqësisht bëjmë të kundërtën. Xhoni, si ndër më të shkathëtit e fisit Kohen, me emër e me shtrirje në gjithë botën, duke siguruar lidhje më të forta amerikane, emigroi i tëri për në Nju-Jork. Vajza e tij e bukur, Ana, pasi studioi për dentiste në Athinë, u specializua në Amerikë, ku ngriti një klinikë moderne, nga ku e kujton shpesh me nostalgji vendlindjen, Vlorën mikpritëse, në përpjekje për ta shtrirë ndjenjën fisnike të solidaritetit çifut edhe ndërmjet bashkatdhetarëve të vjetër, e të dashur, siç i quan ajo shqiptarët.
Comments