Gjuha Shqipe
Fatmir Terziu
Zgjohem me fjalët e tua
ëndrrat mendojnë se jam në gjumë,
shpërngulen me mijëra vite rishtas
si një Perëndi që shfaqet më shumë
nga një mit i përcjellur enkas.
Por nuk jam në betejën e syve të lodhur,
me tavanin që shkruan bejtet e hijeve të klonuara,
gjuhërat si sallata e mbetur në tryezën e ngrënies,
është ende në pjatat e emaluara,
për të mos lodhur mendjen e huaj.
Edhe unë nuhas thartinën,
nuk lexoj më menu në një qiell të pastër,
e gjithë kjo është një lodhje për shijet,
edhe në librin e gatimit,
ku trazohen mes tyre të trishtuar yjet.
Thjesht po shijoj fjalët
si kënaqet shpirti me këtë libër
të shkruar nga dora e shqisave
të mbingarkuar nga pesha dhe vitet
në rrudhat e strukura mes plisave
me erën e petave që shkruan mitet
me duart e nënave.
Dhe ky mit mbetet një libër i hapur
në hapësirën ku ndjehem si pupël
e goja hapet pa fre
me gjuhën e bukur shqipe
duke kënduar për disa atdhe ...
Dhe mendja e dëgjon dhe e di
se kjo nuk është thjesht si një magji
nga shekujt po rizgjohet një e vërtetë
kur gjuhët u ushqyen në Iliri.
Në këtë orë vetëm ti e dashur,
betohesh në ëndrrën tonë të përbashkët,
dhe gjuha është një zgjim në muzg
ku njeriu i shtrin krenarisht krahët.
Në anën tjetër të gjërave
ti shuan kuptimin me pëshpëritje:
- Dëshiron zgjim tjetër zemra ime?
Asgjë tjetër ...nuk e them me habi,
Faleminderit në gjuhën e bukur shqipe
ndryshe çfarë është një gjuhë pa dashuri?
Zgjohem me fjalët e tua
ëndrrat mendojnë se jam në gjumë,
asgjë tashmë s'është e huaj
dua të të shqiptoj deri në fund.
Musa Nushi
E bukur, e ëmbël, e dashur dhe e respektueshme është kjo gjuha jonë - SHQIPE! Respekt z.Fatmir!
Noke Abilekaj
Kontribut kombëtar nëpërmjet vargjeve tingëlluese që mbartin filozofinë e historisë. Respekt për poetin shumëdimensional, Fatmir Terziu!
Alma Zenellari
Bukurisht!
Nexhi Baushi
Historia e gjuhës e ngtitur në Art! Komplimente!
Petraq Pali
Mjeshter i madh e i vecante urime.