top of page

Gjuha amtare dhe diaspora në Zvicër


Alfred Papuçiu

Në gjithë botën, njerëzit i duan dhe i respektojnë shkrimtarët apo gjuhëtarët, pasi ata, ndoshta na falin gëzimet më të mëdha dhe përjetimet më të bukura të jetës sonë. I tillë është edhe një mik fisnik i shqiptarëve. Kur mora për herë të parë një letër nga Profesor Basil Schader, shkruar me një shqipe të kulluar, mendova se do të ishte bashkëpatriot nga Kosova. Megjithatë, vendosa t’i telefonoj dhe për habinë time më tha se është zviceran. Profesori i nderuar ka një përvojë të gjatë me shqiptarët, pasi ka jetuar në Shqipëri me të shoqen, sidomos në zonën e Lezhës dhe kanë dërguar ndihma për krijimin e një shkolle shqipe atje. Ndërkohë ai ka qënë konsulent në Kosovë. Ai ka bërë shumë studime lidhur mbi kompetencat dhe praktikën e gjuhës të të rinjve migrantë shqiptarë në Zvicër, sidomos në zonën gjermanofone, si dhe mbi mënyrën se si orientohen ata midis llojshmërisë gjuhësore me të cilën jetojnë : dialekti shqip, standarti shqip, gjuha zvicerane në pjesën gjermanofone etj. Profesor Basil Schader ka ngritur me të madhe rëndësinë e kurseve të gjuhës dhe të kulturës së origjinës që kanë një efekt pozitiv për nxënësit, mbi kompetencën e tyre që të orientohen midis formave të ndryshme të shqipes. Bazil Schader, është profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Zyrih të Zvicrës. Ai tregon se gjithmonë i ka bërë përshtypje numri i madh i shqiptarëve në Zvicër, jeta dhe gjuha e tyre dhe arriti që nëpërmjet një pune hulumtuese të realizojë një studim mbi ta. Madje kjo ka qenë edhe një ndër arsyet që e shtynë të mësonte gjuhën shqipe. Në studimin e tij, profesori zviceran ka trajtuar edhe ndikimin e shqipes mbi gjermanishten. Ku duket ky ndikim? Kjo është një pikë shumë interesante që del nga studimi i Schaderit. Dy gjuhë në kontakt ndikojnë patjetër mbi njëra-tjetrën. Menjëherë dallohet që gjermanishtja ka ndikim mbi shqipen, por sipas Basil Schaderit, « më ka interesuar të zbuloj edhe ndikimet e shqipes mbi gjermanishten. Për këtë kam pyetur 4 mijë nxënës të ciklit të lartë, për numrin e fjalëve shqip që dinë ata dhe ka dalë që të ndikuar nga komuniteti shqiptar, kanë mësuar të paktën katër fjalë shqip, por ka edhe nga ata nxënës jo shqipfolës, që dinë deri në 30 fjalë ».

E bëmë këtë hyrje për të kuptuar se jo kudo shqipja zë një vend me peshë në realitetin e vendeve ku janë vendosur shqiptarët. Shpesh herë me bashkëatdhetarë diskutojmë problemin e të mësuarit të gjuhës amtare, sidomos për brezin e ri që ka lindur në Zvicër, apo ka ardhur në moshë të vogël. Ky është një problem aktual edhe për popuj dhe kombe të tjerë.

Vite më parë kur shkoja për të ndjekur punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, vëllezërit tanë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e viset, sidomos në fund jave, na prisnin në banesat e tyre. Ata shtronin për ne gjithçka të mirë, pinim nga pak raki, por edhe bisedonim për hallet e problemet e tyre. Më kujtohet që Gjystja e zgjuar dhe nikoqire, si dhe i shoqi i saj, Gjergj Kalaj, Shyqyri Selimaj, xha Hulusi Kavo i paharruar, Petro Papanikolla eruditi, Bujar Pustina, e sa e sa të tjerë, ngrinin problemin e gjuhës shqipe që po humbiste tek shqiptarët në Amerikë. Sidomos tek brezi i ri që kishte lindur në SHBA, vazhdonte shkollën amerikane dhe nuk kishte pasur mundësi të vazhdonte shkollën në gjuhën amtare.

Vite më vonë, kjo u ndryshua, pasi edhe atje janë krijuar kushtet për fëmijët shqiptarë, si Mario dhe Amelia, të mësojnë të shkruajnë e të lexojnë në gjuhën amtare, si edhe për të shkuar për pushime në Shqipëri a Kosovë. Falë kjo edhe dashamirësisë dhe mundësisë që japin shumë bashkëkombas për të paguar mësuesit ose lokalet ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe, por edhe për organizimin e udhëtimeve përtej oqeanit.

Këtu në Zvicër është krejt ndryshe. Zvicra është një vend shumë gjuhësh dhe territori zviceran është i ndarë në katër zona gjuhësore, në të cilat është një gjuhë zyrtare : gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja dhe romanshë. Barazia e gjuhëve, liria e qytetarëve në fushën e gjuhës, parimi i territorit të gjuhëve dhe mbrojtja e gjuhëve minoritare janë katër parimet kryesore të përfshira në « Kushtetutën Federale ». Sipas statistikave zyrtare, për shkak të emigrimit të madh, gjatë viteve të fundit, rreth 9% e popullsisë që jeton në Zvicër flet një gjuhë të huaj, jo kombëtare, si gjuhë kryesore. Këtu hyjnë edhe shqiptarët. Shqipja hyn në grupin e tre gjuhëve kryesore që fliten në Zvicër. Falë mirëkuptimit të autoriteteve zvicerane, fëmijët shqiptarë mund të ndjekin disa herë në javë, përveç shkollës në gjuhën frënge, gjermane, apo italiane e angleze edhe gjuhën shqipe. E ndjej veten shqiptar, ruaj rrënjët nga kam ardhur, mbaj si gjë të rallë pemën gjenealogjike të familjes sime, të përgatitur me aq kujdes, nga i ndjeri im atë, Tuni Papuçiu, shkëmbej vizita me shqiptarë të ndershëm, punëtorë e patriotë. Gjithmonë sëbashku flasim shqip dhe i mësojmë edhe fëmijët tanë të flasin shqip. Një pjesë e tyre janë lexues të rregullt të shtypit dhe librit shqip dhe diskutojnë e qajnë hallet, si dhe përpiqen që fëmijët e tyre të mos e harrojnë Shqipërinë dhe Kosovën. Vetëm në Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës çdo vit ndjekin kurset e tij të gjuhës 600 vetë. Sot në Gjenevë ka disa shoqata shqiptare që nxisin mësimin e gjuhës, por edhe të kulturës shqipe në përgjithësi. Përveç UPSH, Rinia Kontakt, Lidhjes së Prindërve dhe Arsimtarëve Shqiptarë, Shoqatës Humanitare « Nënë Tereza », janë edhe dy klube futbolli. UPSH u krijua më 30 prill 1996, nga rreth 100 shqiptarë dhe gjenevezë, me ndihmën financiare të Qytetit të Gjenevës, si dhe organizmave të tjera. Në Kantonin e Gjenevës, si dhe në kantone të tjera ku ka shqiptarë, janë hapur shkolla në gjuhën shqipe që funksionojnë disa herë në javë dhe ku fëmijët, krahas gjuhës që zyrtare që përdoret në Zvicër, mësojnë dhe shqipen. Pra e përsëris : fëmijët tanë mund të mësojnë frëngjisht, gjermanisht, italisht, anglisht por edhe shqip. Dhe kjo është arritur në sajë të lehtësirave të krijuara nga autoriteteve zvicerane që i respektojnë kulturën dhe gjuhën e popujve të tjerë. Në Zvicër gjen librat në gjuhën shqipe të autorëve tanë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Jakov Xoxa, Vath Koreshi, Bedri Dedja, Sterjo Spasse, Dhimitër Shuteriqi, Elena Kadaré, Nasho Jorgaqi, Xhevahir Spahiu, Tuni Papuçiu, Teodor Laço, Xhevat Beqaraj, Ali Podrimja,Fatmir Terziu, Ksenofon Krisafi, Shaban Murati, Elida Buçpapaj, Aleksandër Çipa, Besnik Mustafaj, Thani Naqo, Vangjush Ziko, Fatmir Terziu, Alfred Papuçiu, Kristaq Turtulli, Bardhyl Londo, Agim Bacelli, Albana Lifschin, Agim Xhafka, Harilla Goga, Anila Toto, Xhevat Mustafa, Aleko Likaj, Ilinden Spasse, etj., si dhe librat e autorëve zviceranë që janë përkthyer edhe në shqip “ Fëmija shqiptar me sy të zinj ”, i profesoreshës së shquar zvicerane, Francine Koch, dygjuhësh frëngjisht shqip ( Ky libër përdoret nga shkollat zvicerane për t’u mësuar shkollarëve me origjinë shqiptare gjuhën frënge ); “ Karuzeli i ëndrrave ”, i autores së dëgjuar zvicerane, Marie Luce-Dayer që po përgatit një përmbledhje tjetër me tregime dygjuhësh, frëngjisht shqip; botimet në shqip të sponsorizuara nga fondacioni zviceran “ Pro Helvetia ” dhe të ndërmjetësuara nga ambasada e Konfederatës zvicerane në Tiranë : “ Historia e Zvicrës ” e autorit Dieter Fahrni dhe librin e prof. Koli Xoxi “ Zvicra dhe Dora d’Istria ” ; vëllimin me tregime të autorëve zviceranë “ E çmendura me kostum karnavali ”, botuar me mbështetjen e Departamentit të Shkëmbimeve kulturore Lindje-Perëndim të Pro Helvetia dhe Fondacioni zviceran për kulturën (botues Dituria) ; do të botohet së shpejti studimi i prof. Jean-Philippe Assal për “ Nënë Terezën ” ; dhe është botuar libri dygjuhësh “ Përrallat e Zvicrës ” i prof. Bedri Dedja etj.

Pra përveç librave didaktikë, të destinuar për fëmijët por edhe të rriturit, sa vjen e më tepër etazheret e « bibliotekës shqipe » janë shtuar me përmbledhje poezish, libra historikë, pjesë teatri, romane, meditime, përkthime të autorëve zviceranë etj. Në shumë prej tyre dallohet çështja e afirmimit kombëtar, por edhe integrimi i shqiptarëve në Zvicër. Zvicra është një vend i përzemërt që pret, strehon dhe u siguron të drejtat themelore pothuaj 200.000 shqiptarëve. Kam lexuar para disa kohësh në një gazetë zvicerane se së shpejti shqipja do të jetë gjuha e 4-tërt kombëtare në Zvicër. Natyrisht, unë si shqiptar do të isha i kënaqur me këtë mundësi, por realiteti është i tillë që ne duhet të respektojmë në radhë të parë edhe gjermanishten, edhe anglishten, kinezçen, japonezçen, suajilin e lingalan që fliten në Afrikë. Popujt e këtyre vendeve që përfaqësojnë numrin më të madh të banorëve në botë do të dëshironin gjithashtu që gjuhët e tyre të ishin gjuhë zyrtare të Kombeve të Bashkuara. Dhe kjo e drejtë e ligjshme një ditë do të realizohet.

Shqipja ndoshta do të jetë gjuha e 4-tërt kombëtare dhe ndërkombëtare në mijëvjeçarin e 4-tërt dhe këtë do ta gëzojnë brezat tanë të ardhshëm. Prandaj do të ishte e volitshme që ashtu siç bën Zvicra për shqiptarët dhe gjuhën e tyre, të bëjnë edhe shtetet e tjerë qofshin fqinjë dhe më larg. Pasi një ditë brezi i dytë ose i tretë mund të dëshirojë të kthehet në atdheun e prindërve të vet për të jetuar. E përsëris : Zvicra pret në tokën e saj prej 41 293 km katrorë dhe me banorë rreth 8 million vetë, rreth 200.000 shqiptarë, si dhe një numër të konsiderueshëm italianësh, gjermanë, portugezë, francezë, grekë, spanjollë, afrikanë e popuj të vendeve të tjerë. Zvicra është konfederatë dhe në këtë vend të vogël, që nuk është as dyfishi i Shqipërisë punojnë e jetojnë në harmoni banorë që flasin katër gjuhë kombëtare : gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe romanshë. Autoritetet e Gjenevës dhe të kantoneve të tjera në Zvicër, kanë krijuar mundësinë që disa herë në javë fëmijët të flasin, të shkruajnë shqip, kanë krijuar bibliotekën e pasur si ajo e Kryqit të Kuq të Gjenevës, apo në bibliotekat e shkollave të ciklit të ulët dhe të mesëm, ku shqiptarët gjejnë botime të shumllojshme në shqip. Organizimi i përvitshëm i Panairit të Librit në Palekspo të Gjenevës, këtë vit në maj, ndihmon në pasurimin e këtyre bibliotekave. Aty vijnë botuesit tanë më të mirë, si dhe i përkushtuari Estref Bega i « Botimpex » që ka afro tre dekada që është i rregullt me praninë e tij. Ai sjell nga viti në vit libra të rinj që janë të vlefshëm për fëmijët por edhe deri tek të moshuarit. Pra Zvicra e kultivon dhe e mbron çështjen kombëtare të popujve të tjerë qofshin këta shqiptarë, italianë, gjermanë, afrikanë, apo të vendeve të tjera. U jep atyre mundësi të shprehen dhe të kenë botime të vendeve prej nga vijnë. Sa kuptimplote janë organizimi i ekspozitave në Pallatin e Kombeve ku kanë pasur mundësi që artistët tanë të afishojnë talentin e tyre, apo organizimi i koncerteve, recitimeve në gjuhën amtare, apo edhe mundësia që u është dhënë personaliteteve të tilla në fushën e muzikës si Marcel Cellier, mik i ngushtë i Shqipërisë, për të nxjerrë diskun e tretë me muzikë popullore shqiptare. Nuk mund të harrohen emisionet e tij prekëse për muzikën e bukur shqiptare, për tokën pjellore të një vendi të vogël, që ka një bregdet të mrekullueshëm, por edhe njerëz punëtorë dhe mikpritës.

Mund të theksojmë edhe rolin e Bibliomedias, e cila ofron koleksione librash për fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit, në gjuhë të huaj, duke përfshirë edhe shqipen. Kjo shërben për të nxitur shkëmbimin e literaturës në gjuhët e vendit dhe të sigurojë nxitjen e leximit në gjuhët e huaja që janë më tepër të përfaqësuara në Zvicër. Leximi është një ndihmë e çmuar për përvetësimin e gjuhëve të huaja. Për popullsinë zvicerane kjo do të thotë të marrë literaturë për t’u perfeksionuar në gjuhë të huaja dhe për migrantët në Zvicër-veçanërisht fëmijët-për të lexuar në gjuhën e tyre amtare. Pasi në radhë të parë fëmijët shqiptarë, si dhe të kombeve të tjerë, duhet të zotërojnë gjuhën e tyre, për të mësuar një gjuhë të huaj. Njohja e kulturës së gjuhës amtare dhe e letërsisë së saj është mjeti më i mirë për të arritur integrimin. Gjatë krijimit të fondit të Bibliomedias është punuar sidomos në drejtim të sigurimit të librave dygjuhësh (psh frëngjisht-shqip).

Ne jemi krenarë që jemi shqiptarë, dhe kudo që jemi në çdo shtet të botës kemi bërë emër për korrektësinë, punëdashës, familjarë, që ruajmë zakonet tona dhe të tjerët na respektojnë. Pa çka se ndonjë fqinj yni për hesapet e veta ngre anatema kundër shqiptarëve se janë njerëz që merren me njëmijë e një të zeza. Edhe nëse një pakicë e bashkatdhetarëve tanë, për arsye ekonomike mund të bien në prerin e drogës, prostitucionit, shtyrë nga ai fqinj, a dikush tjetër që nuk na don të mirën, përsëri shqiptarët ruajnë indentitetin e tyre, gjuhën, zakonet e tyre të mira. Prandaj sygjerova para disa kohësh, në kolokiumin që u organizua në Universitetin e Gjenevës për Kushtetutën e Shqipërisë, nga ana e Fakultetit të Drejtësisë së këtij Universiteti, në bashkëpunim me Universitetin e Barit dhe Universitetin e Tiranës që të botohen kumtesat që u mbajtën në kolokium, jo vetëm në gjuhën frënge por edhe në gjuhën shqipe. Një botim dy gjuhësh, do të ndihmonte shumë që edhe brezi i ri të njihte legjislacionin e vendit të vet dhe ta krahasojë atë dhe me legjislacionin e përkyer zviceran. Me ndihmesën e profesorëve zviceranë, italianë e shqiptarë, por edhe të studentëve të shumtë që sutdjojnë në Zvicër ne mund të bëjmë shumë për mbrojtjen e gjuhës sonë amtare. Nuk mund të harroj letrën e fundit të profesorit tim të nderuar të gjuhës frënge dhe të përkthimit, prof. Vedat Kokona, i cili duke më dërguar librin e tij “ Thërrime me mjaltë ”, shprehte keqardhjen se një pjesë e shqiptarëve nuk i japin rëndësi gjuhës shqipe dhe përdorin huazime të kota. Fakt është se numri i shqiptarëve që lexojnë libra dhe gazeta në gjuhën e tyre amtare është më i rëndësishëm se 20 vjet përpara, por është akom i vogël, në krahasim me raportin e të gjithë bashkëkombasve në Zvicër. Për këtë ka shumë arsye, politike, sociale dhe sidomos kulturore, por që nuk mund t’i ezaurojmë me këtë shkrim…

Të jesh shqiptar dhe të flasësh gjuhën tënde kudo që të jesh në Zvicër, Amerikë, Kanada, Francë, Argjentinë, Australi, Greqi, Itali, Angli, Gjermani, e gjetiu është një respekt për atë komb të lashtë, që megjithëse ka pësuar invazione të ndryshme e ka ruajtur të pastër të pastër gjuhën, zakonet, dhe gjithçka të mirë për t’ua a trashëguar brezave të ardhëshëm, që një ditë ndoshta do të kthehen në tokën e tyre të bukur, buzë detit Jon dhe Adriatikut, në fushat e bukura të Myzeqesë, të Lezhës apo Devollit, të Kosovës, në malet e lartë e të bukur të Veriut, në Valbonë, Voskopojë e gjetiu.

Fatmirësisht ka në botë vende me një demokraci shëmbullore dhe një legjislacion të përshtatshëm dhe bashkëkohor si Zvicra që respekton gjuhën, prejardhjen dhe rrënjët e banorëve të huaj që kanë zgjedhur të banojnë qoftë edhe përkohësisht apo përherë në tokën zvicerane, me njerëz të mirë, punëtorë dhe të lumtur.


13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page