Gjithnjë është koha. Koha me të cilën ndërtojmë kohërat. E ne ecim me trupin, lëvizjen, duke harruar hijen. Në tërë këtë dimension kohor është rruga. Rruga që na ndan dhe që na bashkon. Ajo që na pikëtakon…
Nga Fatmir Terziu
1. E kaluara është një litar
E kaluara është një litar,
një top i ngatërruar me nyje,
luaj me të, si një mace.
2. Një statujë e gjallë
Një statujë e gjallë
përkulem, më prek shpatullën:
kërkon një fotografi me pak fjalë.
3. Hija e Tjetrit
Ankthi i saj nuk ka përgjigje
mashtrimi është si letra me vrima
mjerimi i saj është ngjizje
dyshimi i saj është rima.
4. E thjeshtë
Ndaloni së luftuari historinë tuaj
jeta është menduar të jetë, një jetë pa hijezimin,,
kompleksi është ndëshkimi ynë
për mosdëgjimin.
5. A ka hije era?
Unë nuk kam histori dhe nuk kam të kaluar
ky pasion nuk do të shihet kurrë,
duke i rënë në qafë derës,
pra, më jep gotën e verës.
6. Unë kundër meje
Unë vendos me një psherëtimë, „nëse ka një kandil, unë do të jem ai“
A jam penduar për vendimin tim?
Unë mund të kem qenë një i dyzuar një herë e një kohë
ironikisht Zoti më çliroi
të mos vuaj.
Pra, nëse hija më urren, thellësitë e zjarrta janë aty ku do të jem
Kandili juaj.
7. Mëkatet brenda
Ne bërtasim për sjellje të drejta
kur shikojmë brenda secilit po vdes nga mëkati
një botë
e thyer është dora e ndihmës në dhimbje,
le të pretendojmë të jemi të plotë
pa hije.
8. Jeta dhe pse-ja
Unë shoh lotët që rrjedhin në cep të syve tuaj
shoh që shpirti juaj dëshiron të shkojë
më i përkushtuar,
i ngjizur,
por nuk ka vend për t'u ngjitur.
Më tregoni ju lutem
cili është ndryshimi midis nesh dhe pseve?
Frika.
Duket se është bërë mbret më shumë nga padija.
9. Së fundi
Më në fund hija mund të përshtatet
lëreni të kallet,
ilaçin që po mbaroja
duke pasur atë buzëqeshje të madhe
e rreme dhe fine, kjo është fitorja.
Mbi ilaçet
„thjesht myk“
„myk që përshtatet“
si një gjigand kur mban një fëmijë për dore.
Me ilaçet
më në fund një fitore.
10. Trupi dhe mendja
Trupi dhe mendja janë
të aftë për kompromis
por zemra nuk është.
11. Njerëzit lexojnë tregime
Njerëzit lexojnë histori,
hartat e udhëtimit të botës,
hartat e udhëtimit të jetëve.
12. A do të jetë jeta e tillë
A do të jetë jeta kështu:
një tortë kremi me qirinj mashtrimi,
mbushur me dinamit.
13. Një poezi: maja e bishtit
Një poezi: maja e bishtit
e një maceje që tashmë është,
rreth qoshesh.
14. Një derë mund të hapet
Një derë mund të hapet,
në çdo mur të verbër,
do të jetë një derë dashurie.
15. Inerte
Rruga është pakëz më e gjatë
se sa kujton do të rrojë këpuca
rruga është pakëz më larg
se sa kujtojnë do të ecin këmbët…
…hijet e tyre mendojnë për vete
gjurmët janë viktima inerte.
Comments