top of page

GJITHMONE KA SUPE E GJOKSE PER GRADA E DEKORATA TURPI


REXHEP SHAHU



(Bashkia e Kukesit zhduk memorialin e kujteses ne nderim te 2400 kuksianeve te masakruar nga ushtria serbe ne nentor 1913)


Tre vjet me pare, ne 2018, Bashkia e Kukesit ndertoi nje memorial te vogel e modest veshur me gure te zinj si pllanga gjaku ne nderim te mbi 2 mije kuksianeve te masakruar nga ushtria serbe ne 1913. Si keshilltar i atehershem i kryetarit te bashkise Kukes per art e kulture, jam propozuesi e ideuesi zyrtar i atij memoriali qe e konsideroja dhe e konsideroj si nje gur varri per kuksianet e masakruar prej serbeve. Me propozimin tim, me urdher zyrtar te kryetarit te bashkise date 10 shtator 2018, drejtorite perkatese te bashkise e projektuan, e zbatuan dhe punonjesit e bashkise e ndertuan memorialin prane Kulles se mikpritjes, ne cep te lulishtes kryesore, buze shetitores qe ta shihnin njerzit.

Tre vjet me vone, ne nentor 2021, pasi ai memorial shqetesoi struktura te ndryshme dhe kujtesen serbe, autoritetet aktuale te Bashkise Kukes e ka shkule dhe zhduke memorialin.

Memoriali i kujteses i ngritur ne 105 vjetorin e masakres serbe nga bashkia e atehershme, u shkul e zhduk nga bashkia Kukes ne 108 vjetorin e masakres. Keshtu i nderoi dhe kujtoi sivjet te masakruarit nga Serbia bashkia Kukes ne 108 vjetorin masakrimit te tyre.

Ne vend qe autoritetet te shkonin te vendosnin nje kurore te ai memorial, ata e rrafshuan dhe zhduken. Nderim i bukur eshte me e zhduke gurin mbi varrin e tyre.

Bashkia Kukes e ka rrafshue vendin ku ka qene memoriali me zhduke çdo gjurmë dhe me mire nuk do ta kishte bere kete punë as Serbia as zyrtarët e punonjësit serbe po të vinin vete. Duhet lavdrue Bashkia e Kukesit për këtë skandal, turp e poshtërim që i ka bere atij guri varri dhe gjithe te gjalleve te Kukesit e Lumes.

Memoriali i zhdukur ka qene nje memorial kujtese, nje gur varri, nuk ka qene lapidar, as permendore, as bust as shtatore. Nuk ka qene memorial per qendresen e kuksianeve apo lumjaneve, por ka qene nje shenje ne nderim te atyre 2 mije e sa kuksianeve qe i masakroi ushtria serbe ne 1913. Lapidaret e qendreses e trimerise jane per vitin 1912.

U shemb, u zhduk memoriali – guri i varrit qe na kujtonte rreth 2400 te masakruarit nga Serbia. Pune e madhe, asgje nuk eshte. Thjeshte nje skandal banal. Jane vra e jane zhduke 2400 njerez 108 vjet me pare ne Lume nga Serbia e nuk eshte bere nami, e po u beka nami se u zhduk guri i varrit te tyre. Kukesi e Luma ka mbijetue edhe pse ia masakruan mbi 2 mije njerez, femije, gra, pleq, burra e gra sic e pershkruan tmerrin Dimitrije Tuceviqi. Ka patur, ka e do te kete gjithmone prishes e vjedhes varresh, edhe rrehes varresh…

Gjithmone ka patur, ka e do te kete supe e gjokse per grada e dekorata turpi.

Vaso Çubrilloviqi arkitekti i shfarosjes se shqiptareve shkruante ne platformen e tij se ne Tirane Serbia i zgjidh punet me pare. Ne Kukes nuk e di se si i zgjidh, por shkrimin e Tuceviqit ne anglisht e shkulen urgjent dhe heshten te gjithe…

Veprat e tilla si memoriali i zhdukur, nuk i gjykojne dot estetikisht lloj lloj amatori, çobani e analfabeti qe ka nje telefon celular ne dore dhe shkruan ne fb marrezite e veta, pohon injorancen e vet duke hyre ne terma se cfare ishte ajo veper si e pse ishte, pa dite asgje. Te gjithe tregojne budallakine e tyre, flasin per gjerat qe nuk i dine ose qe i dine me keq, ju vjen turp per cfare jane por duan te hyjne ne fushen e dhenies se mendve, ne fushen e shkrimit e dijes, nuk u mjafton me shite kokoshka a banane…

Grumbull guresh, i paskan thene. Grumbull guresh jane gjithe ndertesat, pallatet jane grumbull tullash, malet jane grumbull guresh. Po, edhe memoriali ishte grumbull guresh.

Rrenuesit e shkaterruesit e kane bere mrekullisht punen e tyre, mbase presin se mos ju vjen ndonje dekorate apo ndonje pare nga Serbia. 900 kuksiane kane qene xhandare te Serbise dhe kane marre xhixha e dukata nga Serbia. Dikush me shume e dikush me pak, por ne themelet e shumekujt ka xhixha serbe.

Memoriali jo kaba, jo kercites, jo bucites por i perunjur, i ulte 3 meter në kujtim të mbi 2 mije kuksianeve te masakruar nga ushtria serbe ne 1913 nuk ka qenë lapidar si ata që ngriheshin dikur sa më të lartë ne kohen e diktatures, me ia ba qejfin diktatures. Jo. Memoriali është konceptuar, menduar e ndërtuar si një gur varri. Nuk është lapidar i menduar e ndërtuar keq, është grumbull gurësh të zi të ngjitur mbi një masë betoni për me ndertue një gur varri.

Jam ideuesi e propozuesi zyrtar i këtij memoriali sepse kam qenë 13 muaj këshilltar i kryetarit të bashkisë Bashkim Shehu. Atëherë mendoja te ngjisim 2400 gurë të zi te vegjel në atë memorial si pllanga gjaku të 2400 kuksianeve të masakruar. Por edhe aq gurë të zi sa u vunë aty e jepnin efektin.

Ata dijetare që diskutojnë per memorialin e vogel me peshe te madhe sepse u ngrit pas 105 vitesh mungese, jo i keq, jo i mire, nuk i ka ndalur askush ta bënin një memorial të tillë, nese ishte i zi, ta benin nje te bardhe apo te kuq, ta benin nje qe mund ti pelqente edhe Serbise apo spiunave serbe apo ish zyrtareve te diktatures qe udheheqin e duan ta udheheqin edhe sot jeten kulturore e politike te vendit e te Kukesit, por këto pune me ngrite vepra te tilla, me lane akte kujtese duan punë e jo fjalë, duan koqe e jo llogje.

Guri i varrit në kujtim të mbi 2 mije kuksianeve te masakruar nuk gjykohet a është i bukur apo i shëmtuar, guri i varrit sido që të jetë është gur varri dhe nuk gjykohet nga bukuria nje gur varri. Marrja persiper nga analfabetet estetike te gjykojne shemtine ose bukurine eshte vrasese. Liria ua ka rrite shume veshet disave. Edhe thundrat. Per inate jashte memorialit pa lidhje me memorialin jane gati me ia vu dinamitin edhe truallit ku ka qene memoriali. Nuk i bihet memorialit me fjale as nuk goditet toka e memorialit me thuper pse kane inat ish kryetarin e bashkise apo mua, apo pse i mundon ndonje histori e vjeter familjare me pseudonime, me xhixha serbe, apo pse shkollimi i manget e sakat nuk u jep mundesine te gjykojne per estetiken dhe te dine kush e cfare eshte e bukur dhe kush e cfare e shemtuar. Ne kete rast vlen ajo thenia brilante e Dritero Agollit "sa di ti di bytha ime"...

Ai memorial ka qene i projektuar e ndertuar nga Bashkia me urdher ligjor te kryetarit te bashkise. Projektimi e ndertimi i tij eshte bere nga punonjesit e bashkise. Kryetari i bashkise nuk merr leje per objekte te bashkise, ai jep leje, firmos leje dhe urdheri i tij per ndertimin e memorialit eshte leja dhe cdo gje. Betonin per ate memorial e ka dhurue kompania Vega e zotit Zylfi Oruçi 3 metër kub beton. Pllakat e mermerit qe jane perdore per ate memorial dhe deshmitarin e vogel ngjitur memorialit jane blere tek firma e Vesel Lacit me rreth 75 mije leke te reja ose shtateqindepesedhjetemije leke te vjetra. Guret e zinj nuk jane blere, jane mbledhur andej kendej edhe ne Kosove nga punonjesit e bashkise. Pllaka e vogel e zeze ne memorial eshte dhurue nga Sef Bajraktari ne Tirane. Shkrimi mbi ate pllake eshte pague prej meje reth 7 mije leke te reja ose 70 mije leke te vjetra. Dy pllakat e verdha qe nuk jane metal por plastike per keto gjera, me shkrimin e Dimitrije Tuceviqit, Masakrimi ne Lume, ne shqip e anglisht jane prodhuar ne Tirane ne Kombinat dhe jane paguar prej meje. Njera pllake, ajo qe ishte ne anglisht, u hoq, u zhduk, u shkul disa kohe pasi u vune dhe e kam prodhue per se dyti pllaken ne anglisht dhe e kam pague vete. Edhe pllaken e vockel ne fund te deshmitarit e kam shkrue ne Tirane. Tri pllakat ne total me shkrimin e Tuceviqit dhe shkrimi ne pllaken e memorialit bashke me pllaken e vockel kane kushtuar rreth 300 mije leke te vjetra te cilat nuk i kam marre asnjehere nga Bashkia megjithese ia pata kerkue sekretarit te pergjithshem Bujar Mucmates dhe shefit te llogarise, Safet Miftarit, por u nderruan pushtetet dhe mbeta pa i marre.

Ata qe mendojne se me ate memorial eshte vjedhe e eshte bere nami e kane mendjen vete vetem te vjedhja dhe kujtojne se te gjithe bejne sic ata mendojne, kujtojne se te gjithe vjedhin sic ata lakmojne. E nese jane zyrtare aktuale mbase duan te fshehin vjedhjet e tyre.

Ata që mburren se kanë ide, le ti zhvillojnë. Por shtrerpat e të sherrmit nuk pjellin as ide as vepra te mira. Ata jane shkaterrimtare, rrenues. 28 vjet demokraci askush nuk pengoi askend me nderue te masakruarit qe na i ka masakrue Serbia ne 1913. Kur u nderuan, kur u ngrit nje memorial jo i persosur, jo i perkryer, filluan shume veta te peshtyjne ne qiell.

Nese ishte memorial i keq, ta benin nje me te mire, nese ishte i vogel, ta benin nje me te madh, nese ishte i shemtuar, ta benin nje te bukur, nese ate memorial nuk e donin ata, ta benit nje qe e donin ata, por me ate nuk kishin asnje pune, pasi ka hapsira boshe e te shkreta qyteti i Kukesit me ngrite edhe mijera vepra te vogla arti.

Asgje nuk i pelqen gjithkujt, por te gjithe jemi te denuar ta pranojme edhe tjetrin, edhe punet e tjetrit, edhe mendimet e tjetrit, edhe veprat e tjetrit. E kur nuk e pranojme e durojme tjetrin, atehere bejme ate qe don Serbia, rrafshojme kujtesen qe te mos shqetesohet Serbia, sic ka bere bashkia Kukes.

Memoriali i të masakruarve nga ushtria serbe i shembur nga Bashkia Kukës është marre nga une si model pothuaj i ngjashem me memorialin Trinity Site National Historic Landmark që ka ngrite Amerika në vendin ku eshte provuar bomba e pare atomike qe ka tha e shkretue vendin sic ushtaria serbe thau, shoi e masakroi Lumen e rajonin e Kukesit ne nentor 1913 kur i masakroi 2400 njerez, femije, gra, pleq, burra e gra. Pra memoriali qe rrafshoi bashkia Kukes është një memorial i ngjashem me gure te zi, atje te nxire nga thirri i bombes atomike e ketu nga dhimbja e gjaku i derdhur i 2400 kuksianeve qe i mohon bashkia Kukes per hater te Serbise se mos zemerohet Serbia. Atje ne Amerike ky lloj memoriali vleresohet shume, ne Kukes e gjykojnë çibante e çobante a vlen apo jo, a eshte e mire apo jo. Ky model a jernek memoriali që për hir të së vërtetës e kam marre ne linqet qe me dergoi Qazim Rudi, një intelektual i angazhuar e dashamir ekselent i Kukesit qe eshte gjithmone i gatshem me nderue e ndihmue Kukesin, nuk eshte jernek shkine sic e duan rrenuesit e Kukesit e ish zyrtaret vendas e jabanxhij te diktatures ne Kukes qe kujtojne se kane mend e se kane qene te rendesishem…

Pasi mora pelqimin e kryetarit te Bashkise e kam diskutuar modelin qe zgjodha me disa njerez te dijshem ne Tirane e me asnje çoban ne Kukes. Jam pajtuar se pari me mikun tim Izet Durakun qe ben ky memorial. Izeti njehere mendoi ta ndertonim ne formen e lapsit 6 kendesh, qe te pohojme se eshte shkruar ajo tragjedi ne kujtesen e historise dhe vazhdon te shkruhet. Ai bashke me Shefqet Hoxhën, dy njerzit me të ditur të fushës së letrave, albanologjise e estetikes nga Kukesi që njoh unë e pranuan kete memorial. Teksti i pllakes se memorialit qe e gjykojne sot çobane te ndryshem eshte bere nga Izet Duraku dhe profesori i gjuhësisë Shefqet Hoxha. Nuk ka të gjalle në Kukës që dinë më shumë e me mire se ata të dy se ku duhet me germe te madhe a te vogel dhe kjo nuk eshte pune spurdhjakesh, magazinieresh a shitesish kokoshkash. Deshmitari qe eshte ne krah te memorialit mbi te cilin eshte vendosur ne shqip dhe anglisht shkrimi i Dimitrije Tuceviqit Masakrimi ne Lume eshte ide e Izet Durakut dhe jam shume entuziast per kete gjetje te tij.

Kur është inagurue ky memorial në 105 vjetorin e masakrimit të kuksianeve kanë ligjerue Prof Shefqet Hoxha, Fejzulla Xhabri, Izet Duraku, Sulejman Dida etj., me te diturit e Kukesit per keto pune, ata qe kane studjue.

Para memorialit qe u inagurue ate dite kam ligjerue unë, kam rrëfye historinë e tij dhe kam falenderue gjithë politikanet kuksiane qe per turpin e tyre kane mungue atë ditë ne kete ceremoni kujtese te 2400 te masakruarve nga Serbia.

Duke shalue inate me kryetarin e bashkisë Bashkim Shehun dhe me mua ndoshta, ata munguan ate dite ne inagurim ne ceremoni.

Kush nuk eshte i zoti me ndreqe, prish. Edhe aftesia me prishe eshte e vleresuar. Te pakten eshte nje menyre me hy e me mbete ne histori. Kush nuk hy ne histori si ndertues hyn si shkaterrues, e rendesishme me hy ne histori edhe me turp e per turp. Prishja e zhdukja e memorialit te kujteses ne Kukes eshte skandali me i rende politik qe ka ndodhe, eshte atentati me i rende kunder kujteses.

Guri i varrit eshte gur varri. Mund te jete gur i zakonshem, gur qe gjendet ne rruge, mund te jete mermer, mund te jete granit, mund te jete gur i zi si gjak i mpiksur i atyre njerzve qe masakroi Serbia.

Por prishesit e gurit te varrit, prishesit e varreve i urrejne varret e atyre qe ka masakruar Serbia. Sepse ne nuk duhet te kemi te masakruar, mendojne ata, ne duhet te jemi masakrues te serbeve, ne duhet te rrejme veten se vetem kemi masakruar serbe, ne kemi ba namin, e kemi farue Serbine, por vec 2400 te masakruar i kemi qe na i ka masakrue Serbia ne Kukes si hakmarrje ne nentor 1913.

Ata qe prishin guret e varreve e varret kane me vete edhe ata qe heshtin kur kryhet ky krim. Heshtja eshte bashkefajesi. Kjo me ka trishtuar ne fakt, mungesa e solidaritetit intelektual pasi turma dihet se eshte e verber. Ky eshte i vetmi trishtim real qe kam.

Jane knaqe duke e prishe memorialin se u eshte duke sikur jane te rrezue ish kreyetarin e bashkise qe e ka miratue e ngrite ate veper, sikur jane te me rrezue edhe mua, sikur jane te me rrafshue edhe mua qe kam propozue, negocue dhe nxite ndertimin e saj.

Edhe ata qe kane heshte jane knaqe qe po zhduket ai memorial kujtese sepse pervecse ai memorial u kujton se Serbia na ka masakrue 2400 njerez e ne nuk duhet ti harrojme jo per te ngjalle urrjetje por per te mos na u perserite, per te mos harrue, jane knaqe edhe se po zhdukin kujtesen per mua e njerzit qe e ngriten ate memorial kujtese. Ndryshe si eshte e mundur qe asnje shok, asnje mik, asnje njeri nga ata qe me jane sjelle te afert e as nga ata qe me jane sjelle si pordha neper breke nuk me tha asnjehere se nuk ben kjo veper, eshte e shemtuar kjo veper. Si heshten dhe e duruan tre vjet ate veper. Ata qe lumturohen dhe duartrokasin zhdukjen e memorialit kane inate jo me memorialin por me ish kryetarin e bashkise. Kane inate se ndonjerin nuk e ka marre ne pune, ndonjerit nuk ia ka marre ndonje te aferm ne pune, nuk ia ka marre nusen e vellait ne pune, ndonjerit nuk i ka dhene leje ndertimi per lavazh, ndonjerit nuk i ka dhene fonde, ndonjerit nuk i ka dhene leje taksie…. Pra lumturohen se u shemb memoriali se kujtojne se po shembin ish kryetarin me duart e kryetarit aktual. Te vegjel, bubrreca. minoritare te nje lloji te vecante qe kane me mbête te huaj gjithmone ne Kukes.

Une nuk zhdukem se une e shkruaj historine e tyre te turpit. Ata e bejne historine e turpit une ua perjetesoj ne liber. Ai memorial, shume foto te tij, fjalet per te, jane botuar ne librin tim ne njemije kopje dhe eshte shperndare ne gjithe boten. Ai memorial eshte ne dhjetra e qindara foto, video, emisione, kenge.

Enderroj qe kur te ikin çibanet ta ringre aty ku ka qene ate memorial ashtu sic ishte me fondet e mia. Ai memorial nuk kushton me shume se 1200 euro per tu ngrite. Endrra mbetet, endrrat nuk i shkul dot bashkia.

Serbia ka bere dhe ben perpjekje kolosale qe te zhduke gjurmet e krimeve te veta. Ka angazhuar gjithmone resurse njerzore e mjete te medha financiare qe te paraqitet ne opinionin publik boteror e rajonal si viktime e jo si agresore e xhelate. Sidomos ne raport me shqiptaret ajo ka synuar fort qe te mos shfaqet pushtuese, dhunuese, agresore por viktime.

Per kete ajo ka bere te pamunduren qe te mos permenden askund viktimat e saj, viktimat qe ka shkaktuar ajo kunder shqiptareve e te tjereve ne rajonin e Ballkanit.

Serbia eshte e lumtur qe te degjoje shqiptaret e kenget e tyre se e kemi shkepe Serbine, se e kemi munde Serbine, se i kemi vra 12 mije ushtare serbe ne Lume. E bile shqiptaret qe jane tellalle te mire te Serbise e kane rrite shifren 12 mije ne 18 mije. Pra sikur lumjanet kane vrare 18 mije serbe ne 1912. Lexoni librin e Sali Onuzit per betejen e Lumes te 1912 qe te beheni esell te gjithe ju qe i skuqni telat e ciftelive me trimerite e rreme…

Serbet nuk duan kurre te flitet per masakrat qe kane bere ndaj shqiptareve. Shqiptaret, sidomos ata me patriotet, ose patriotet e hamamit, ashtu sic don Serbia, nuk duan te flitet per masakrat serbe ne Lume e ne Kukes, nuk duan ti pranojne masakrat serbe, nuk duan ta pranojne se serbet kane pre ne qafe ne Topojan e Perbreg mbi nje mije vete e ne gjithe fshatrat e Kukesit mbi 2400 kuksiane i ka masakrue ne 1913 duke marre hak per 1912 ku ushtria serbe u shpartallue ne Lume.

Te huajt, por edhe vete serbet qe e kane pa dhe e kane shkrue ate masaker e kane shpalle ate genocid serb ne Lume, kane alarmue boten per cfare po ndodhte.

Shkrimi i Dimitrie Tuceviqit i atyre diteve te 1913 eshte akuza me e rende kunder Serbise. Shqiptaret bij spiunash patriote te Serbise e urrejne dhe duan ta zhdukin edhe shkrimin i Tuceviqit me titull Masakrimi ne Lume, shkrim qe eshte shume i botuar e i perhapur ne shqip, anglisht e serbisht, shkrim qe i poshtron serbet por edhe i ben me turp shqiptaret qe shiten trima dhe qe mendojne se kane bere namin ne lufte.

Kush e ndihmon Serbine qe te zhduken gjurmet e masakrave serbe, te zhduken e te mos permenden te masakruarit prej saj, te mos mbetet askund asnje gjurme, te mos ngrihet as te mos mbetet asnje gur varri per te masakruarit prej saj, i ben Serbise nje sherbim te madh.

23 nentor 2021


-----------

Me poshte vijon fjala ime diten e inagurimit te memorialit te kujteses qe sot e kane zhduke.


REXHEP SHAHU


MONUMENTI I MARTIRËVE TË LUMËS


(Kush e mban kryet pas nga e kaluara iu qorroftë njëri sy, kush e harron të kaluarën iu qorrofshin të dy sytë - thoshte shkrimtari i madh rus Aleksander Solzhenicin.)


Faleminderit të gjithëve që keni ardhë këtu.

Faleminderit të gjithve që mungojnë. Deputetëve, politikanëve dhe të mëdhejve që mungojnë se nuk e kanë konsideruar të madhe këtë ngjarje. Mungesa e politikanëve e deputetëve dhe e gjithkujt që shitet njeri i angazhuar, në këtë ceremoni, verteton se nuk janë politikanë as deputete dhe as njerëz të angazhuar edhe pse marrin rroga e benefice si të tillë. Ngjarje të tilla si e sotmja, ndertime e inaugurime veprash të tilla si ky memorial kujtese e nderimi për martirët, që kanë të bëjnë me kujtesën kombëtare, me shpirtin tonë, janë para së gjithash politike dhe shumë politike.

Ky monoment me gurë të zij është i ndërtuar me pllanga gjaku të mbi dy mijë lumjanëve të masakruar para 105 vjetëve prej ushtrisë së Mbretërisë Serbe.

Është hera e parë që ne nuk na vjen turp me pohue se ne na kanë masakrue, na kanë shkatërrue, na kanë djegë por kemi ngelë gjithmonë duke u mburrë se kemi lanë nam.

Ky memorial që është një antiserbizëm pa fjalë, flet më shumë se një mijë fjalë a libra kundër Serbisë, si busti dhe shtëpia e Havzi Nelës flet sa një mijë fjalë a pallavra nëpër kafe kundër komunizmit dhe enverizmit.

Këto gurë të zinj, si pllanga gjaku të këtij Monumenti kujtese, janë mbledhë nga ana e anës për me ndërtue një gur vorri te kryet e sejcilit shqiptar të masakruar prej ushtrisë serbe në Lumë 105 vjet më parë, në vjeshtën e vitit 1913.

105 vjet ka munguar ky gur te kryet e rreth dy mijë martirëve të Lumës për fajin tonë, për frikën tonë dhe kemi shaluar telat e çiftelisë e kemi luftuar në këngë. Ka munguar ky nderim, ky memorial sepse shpesh litari serb i lënë jashtë vende vende ka kërcënuar ndokënd dhe i ka kujtuar ndokujt ndonjë lugë çorbe të prishur serbe ngrënë nga paraardhës të hershëm kohëve të pushtimeve serbe.

Ka lapidarë që përkujton masakrat ndaj martirëve në Pobreg e në Topojan në dy fshatrat që u faruan e shuan pothuaj komplet në vjeshtë 1913, por në qendër të qytetit, në qendër të bashkisë u ndërtua sivjet në 105 vjetorin e masakrave serbe ndaj martirëve.

Martirë të masakruar ka në shumë zona e fshatra të Kukësit por jo si në Topojan e Përbreg për hir të të cilëve ky monument vihet në qytetin e Kukësit.

Duke besuar se gjithë shqiptarëve, përveç peshqve, u vjen mirë që u ngrit kjo vepër e vogël modeste, si një njeri i përfshirë që në krye në ndërtimin e saj, ndjej se duhet ta falenderoj kryetarin e bashkisë Bashkim Shehu për vendimin e prerë pa mëdyshje për ndërtimin e kesaj vepre që është e vogël në dukje por e madhe në histori.

Duhen falenderuar punonjësit e bashkisë të cilët e kanë ndërtuar këtë vepër, arkitekti Edrion Laçi, drejtori i shërbimeve Sabajet Cengu, gjithë punonjësit, shoferët e specialistët që kanë gjetë e sjellë gurët e zij nga ana e anës, që e kanë ndërtuar e kuruar veprën, sekretari i përgjithshëm i bashkisë Bujar Muçmata për angazhimin, mbykqyrjen e ndjekjen të punimeve deri në detaje, Sef Bajraktarin që ka dhurue pllakën e granit që është vendosur të Memoriali i Martirëve të Lumës.

Këtë vepër e ka ndërtuar bashkia Kukës me punonjësit e specialistët e saj. Betoni është bërë dhuratë nga firma Vega e zotit Zylfi Oruçi 3 metër kub beton. Memoriali ka kushtuar në total 1200 (njëmijëedyqind) euro.

Kjo vepër është njëlloj madhështore kundër masakruesve serbë të 1913 siç janë madhështore kundër komunizmit sllav dhe enverizmit ndërtimi i bustit dhe shtëpisë së poetit martir Havzi Nela.

Anti shovinistë serbë e antikomunistë me fjalë e pallavra ka plot kafeneve e zyrave të partive e shoqatave fantazma gjobvënëse, por me vepra si ky monument kujtese dhe si busti e shtëpia e Havzi Nelës nuk pati këto 28 vite postdiktaturë në Kukës. Ka mijëra punë të vogla pa bërë, por janë tri punë të mëdha që mbeten në histori.

Me ndërtimin e kësaj vepre ndoshta iu prish qejfi Serbisë së vjetër dhe komunistëve të vjetër që simpatizojnë Serbinë që nga themelimi prej serbëve të partise komuniste të Shqipërisë.

Falenderoj mikun tim Izet Duraku me të cilin kemi konsultuar dhe vendosur për çdo detaj të kësaj vepre modeste, falenderoj profesor Shefqet Hoxhën dekanin e Lumës, përsonin që ka bërë më shumë se çdo i gjallë tjetër për trashëgiminë shpirtërore të Lumës e të Qarkut të Kukësit, që kujdeset për çdo gjë që i jep vlerë dhe emër Kukësit, falenderoj disa intelektualë e akademikë të njohur të Tiranës që u përfshinë në konsultime me ne për këtë memorial të vogël me peshë të madhe në histori.

Ky memorial peshon në histori më shumë se gjithë malet e urrejtjes serbe ndaj shqiptarëve, ndaj kuksianëve e lumjanëve, peshon mijëra herë më tepër edhe se urrejtja e ndonjë bir a nip spiuni serb, bir a nip enveristi kundër Lumës e lumjanëve, urrejtje të cilës nuk ia ul flakët përcëlluese as shpallja e Serbisë në listën e vendeve mike apo aleate strategjike...

Ky monument kujtese është i veçantë.

Deshmitari i asaj kohe, siç e quan Izeti monumentin e vogël mbi të cilin është vendosur shkrimi i Dimitrije Tucoviqit, krahas monumentit me gurë të zij, dëshmon se për dy orë në Topojan u prenë 500 shpirta. Deshmitari spjegon shqip e anglisht për krimin e shëmtuar serb para 105 vjetëve. Ne vetëm duhet ta lexojmë dëshminë e deshmitarit dhe të mos vjellim urrejtje që helmon edhe peshqit në liqen, helmon edhe enveristët deri në Amerikë. Ja cfarë shkruhet në pllakën e Deshmitarit në krah të Memorialit:

“... Kur trupat serbe e shkatërruan këtë fshat, në fshat nuk kishte burra. Oficerët rezervë që morën urdhër ta djegin fshatin dhe gjithçka që gjejnë në të ta vënë nën thikë, kot kundërshtonin, kot i përsëritnin fjalët "të gjithë a?", kot e njoftuan disa herë komandantin se në fshat, përpos grave e fëmijëve, nuk ishte askush tjetër. "Të gjithë!", kjo ishte përgjigjja e njëfarë kapiten Jurishiqit, i cili punonte në marrëveshje me nënkolonelin Miliqeviq.

Të shtënat i rrëzonin gratë që i mbanin foshnjet në gjinj; skaj nënave të vdekura qanin fëmijët e tyre të vegjël që rastësisht kishin shpëtuar nga plumbat: trupat e malësoreve të bukura, belholla si bredhat, përdridheshin si krimbat në fushë; gratë lindnin nga frika. Për dy orë u vranë 500 shpirtra.

Therja u ndal kur një pjesë e oficerëve bënë protestë energjike, duke e pranuar: se shqiptarët e "egjër" ushtarët tanë të zënë robër i çarmatosin dhe i lëshojnë, kurse ushtria jonë e "kulturuar" e shekullit XX po i vret fëmijët e tyre! Por, vonë. U bë vetëm ajo që ende mund të bëhej: kufomat u futën në shtëpi e shtëpitë u dogjën - që krimit t'i fshihej gjurma...”

Ne nuk kemi pse marrim leje askund për ta vendosë këtë monument të munguar kujtese e nderimi për martirët sepse e kemi detyrë të shenjtë që të nderojmë ata martirë që i ka pre në plumba e bajoneta ushtria mizore serbe.

As nuk kemi kujt pse t’i kërkojmë ndjesë ndonjë frymori të gjallë që turpshëm i rëndon tokës dhe shënon gjurmë shëmtimi ngado që ecën me hapat dhe hijen e tij.

Ky monument do të mbetet si një punë shumë serioze e bashkisë Kukës krahas bustit dhe shtëpisë së poetit martir Havzi Nela që nuk u ka pëlqyër spiunave dhe enveristëve.

U kërkoj ndjesë gjithë atyre që nuk janë dakort me ne që nderojmë martirët që shpesh quhen viktima.

U kërkoj ndjesë gjithë atyre që nuk dinë çfarë është ploja serbe e 1913 kundër Lumës. Le të mësojnë, le të lexojnë. Le ta dinë se këto gurë të zij janë gurë të nximë prej dhimbjes.

Vështirë të mos gjendet familje a fis në Lumë e Kukës që të mos jetë prekë nga ploja serbe. Askush nuk fton askeënd të nxisë e mbjellë urrejtje për holokaustin e parë në Europë ai i ushtrisë serbe kundër kuksianëve, por askush nuk fton as nxit askënd të harrojë.

Harrimi është mëkat, nderimi ndaj martirëve është detyrim madhor.


(Fjala e plotë në ceremoninë e inaugurimit të Memorialit të Martirëve të Lumës në Kukës, me 14 dhjetor 2018)



43 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page