top of page

Gjithandej kuq e zi edhe Vitin e Ri


Fatmir Terziu

Gjithandej kuq e zi edhe Vitin e Ri

Nga Fatmir Terziu


Ndodhi besomë, dy tre vjet më parë

mes dimrit të mbuluar me maskë,

pinim çaj e bënim vetëm fjalë

ishim të izoluar por jo bashkë.


Më këputi gjumi mbi një mangall

udhëtoja ndoshta Londër-Tiranë

në një ëndërr tamam të paparë

një zog gjigand më mbante në krahë.


Në bardhësi atje lart atë dimër

doja të dija nëse kishte kufinj

pafundësia ishte thjesht një libër,

që fikte e ndizte vetëm qirrinj.


Gjaku nëpër vena lëvrinte,

por sytë si yje shkëlqenin,

goja thahej nuk donte të pinte,

mbi mjegullat që njëra tjetrën s'gjenin.


Nga ëndërr u zgjova i bërë qull,

pashë dimrin ende nën maskë,

nga dritarja ai zog vinte me vrull,

e ashtu me krahët e tij na bëri bashkë.


Të pyes a do të na besojë prapë,

ndërsa mendoja një zë më erdhi,

nuk ndahen asnjëherë nënë e babë,

edhe sikur maskat të vijnë nga ferri.


2.


Ndodhi disa kohë më parë besomë

krahët e mia m'i hapi një shqiponjë

e bashkë udhëtuam kohë e pakohë

të pyesnim në Atdhe si festojnë.


Yjet u bënë bashkë në Tiranë,

bënë dritën e tyre fishekzjarrë,

një shkëlqim i paparë anembanë,

na ndezi të gjithëve si pishtarë.


Ndodhi disa ditë më parë besomë,

sytë e mi nga brenda u ndezën zjarr,

në retinën e tyre shkruante një Zonjë,

më ke mua mburojë qëndro krenar!


Dita u bë vegim i pastër e i bardhë

në sy gjithkush kishte dritë të paparë

sheshi „Skënderbej“ oshëtiu me fjalë:

„Jemi krenarë, që jemi Shqiptarë!“


3.


Ndodhi disa orë më pas besomë

krahët e mia të hapura u bënë stuhi

pashë atë Zonjë të Madhe si feston

gjithandej kuq e zi edhe Vitin e Ri.


Pashë përqark por ishte e vërtetë

Ajo Zonjë krahëhapur festonte me ne

uronte teksa ora trokiste dymbëdhjetë

Gëzuar: Dymijë e Njëzetë e Tre!

56 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page