top of page

“GJIN BARDHELA I ARBRESH” – NJË KRYQËZIM KRIPTOGRAMIK POSTMODERNIST NË LETËRSINË TONË


AGRON TUFA

NGA AGRON TUFA

“GJIN BARDHELA I ARBRESH” – NJË KRYQËZIM KRIPTOGRAMIK POSTMODERNIST NË LETËRSINË TONË


1.“Kopsa” ku mbërthehen e bashkohen skajet e identitetit tonë

Për romanin e Anton Nikë Berishës “Gjin Bardhela i arbresh” të dubluar me një titull të dytë oksymoron “Etja e gurëzuar” është shkruar nga një numër i madh personalitetesh të letrave shqipe e personalitete të huaj dhe vazhdon të shkruhet ende. Që tani oroet e shkruara, esetë e studimet, e kanë kaluar disafish vëllimin prej 175 faqesh të romanit. Me sa duket, vetvetishëm, sasia e teksteve me metagjuhën e përshkrimit dhe meditimit rreth këtij romani do të vijojë në pambarim, për shkak të thelbit të fshehtë e të thellë që mbrun kjo vepër, për sekretet që na ndjellin të shohim nën shtresat e intertekstit dhe hipertekstit letrar. “Gjin Bardhela” mbase ka shansin të mbetet i pari hero i qartë e plot relief identitar në prozën moderne e postmoderne shqipe, i pari hero protagonist me të cilin lexuesi intelektual do të donte ta identifikonte veten, çfarë, për hir të së vërtetës, nuk e kemi pasur në letërsinë tonë kombëtare. Të paktën unë nuk gjej në romanin e deritashëm shqiptar një hero romani, sikundër shumë letërsi amtare e kanë (të mos e harrojmë këtë), me të cilën do të desha(doja) të identifikohesha. Po të jesh Gjin Bardhelë, ju lutem, kjo është një punë krejt tjetër... Kjo është një hipostazë e hapur apo e fshehtë që rravgon brenda nesh. Domethënë, një hero kyç, tek i cili të përplasen brengat e së shkuarës me ëndërrimin e së ardhmes; pengu i pamort me përpjekjen për ta shlyer pengun torturues në shpirt; bukuria, finesa, eleganaca e pajës shpirtërore të brezave me shterpësinë dhe firasjen e idealeve bashkëkohore apo me amullinë pështjelluese të së ardhmes. Gjin Bardhela është një personazh që vuan në emrin tonë për të gjitha këto, që “kryqëzohet” për secilin prej nesh në kreshtën e kohërave; janë ato reflekse elegjiake ngjyrash e purpuri që po shuhen si vegulli brenda shpirtit të lashtë të secilit prej nesh; është, tembrama, Qenia e qenësia jonë, së cilës i kanoset hidra e shpërfytyrimit, metamorfoza, prandaj dhe heroi i romanit përpiqet të kutullohet me agoninë e bukurisë, në seanca të gjata lëngate në qerthujt e hijeve, vegullive, fantazmagorive, zërave, zërave gjithandej, si rezistenca më e madhe e esencës dhe ekzistencës arbnore, tanshqiptare. Gjin Bardhela është “kopsa” vendimtare ku mbërthehen skajet e identitetit tonë frymor, estetik dhe etik. Ai vërtitet në udhëtimin e tij metafizik mu si një shaman, nga shekulli në shekull, nga koha në kohë, nga tradita në traditë duke zgjuar muzikën magjepsëse, heroike, elegjiake, të butë e të ashpër, por sublime e të bukur të fisit të arbrit. I duhen këto jone e tinguj, pamje e histori, magji e shërime dhe sidomos zëra, zëra, që t’i marrë me vete, mu si një premisë për ringjallje. Mu sikur etjen e pashuar të “gurëzuar” ta ringjallë përsëri, ta bëjë që prej tij të shpërthejë bukuria, njashtu si në vargun e Luka Bogdanit: “Duel n’gurit bukuria...”. “Gjin Bardhela i arbresh” është një roman zërash, që përbëjnë një unitet të pandashëm të gjallësh e të vdekurish. Në këtë kuptim, ndonëse thelbësisht krejt i ndryshëm në frymë. Tematikë e stil, romani i Anton Nikë Berishës përbën një ekuivalente të “Pedro Paramos” të Juan Rulfo në botën tonë. E përbashkëta është kryqëzimi, mpiksja, dendësimi semantik. E romani i Berishës është një roman-nyjë. Nyjë kohërash. Nyjë. E pazbërthyeshmë. Jo më kot i sillemi tash sa vjet me interpretimet tona. Roman-nyjë apo roman komb. Komb në grykë. Si malli. Si pengjet. Si etja e “gurëzuar” e Gjin Bardhelës. Secili lexues apo interpretues e zgjidh këtë nyjë sipas mënyrës së vet. Në fakt, jo nyjën e Gjin Bardhelës. Të kuptohemi, nyjen e vet.

2. Në një cep të Arbërisë së Poshtme

Romani “Gjin Bardhela i arbresh” i Anton Nikë Berishës nuk flet për ndonjë gjë në kuptimin klasik të rrëfimit. Ai është Gjëja vetë. Gjësendi. Është krejt tjetër punë pastaj se si mjeshtëria e narratorit shtjellon trukun magjiko-fantastik në një strategji rrëfimi për të rikonstruktuar strukturën e Gjësendit - atij planeti misterioz që është i zhytur në konfuzionin e vet, gati në koma, si Saturni i mbështjellë nga unazat. Veçse 'unazat' e mjegullta të Gjësendit të madh në roman janë fragmentet e ekzistencës (hallkat e hallakatura të një zinxhiri të dërrmuar shkaqesh e pasojash). Këto hallka rreh të lidhë jo aq përmes rrëfimit, se sa përmbajtjes, meditimit e përsiatjes shpirtërore Gjin Bardhela, në një cep të Arbërisë së Poshtme. Rekonstruktimi i fragmenteve të ekzistencës për të ringjallur zemrën e topitur të Planetit arbëresh është pengu i mbramë i vetëdijes konvulsive të heroit, i cili, herë si Sizifi legjendar i mitit, herë si një shaman, kërkon të rivendosë kontaktet me kohërat, brezat, traditat që po japin frymën e fundit, po mbyten, si Saturni nga unazat... Revokimi i kujtimeve përmes rrëfenjave, këngëve, valleve, sprovave të mençurisë dhe etikës burrërore janë përpjekje për të ribërë edhe një herë të gjallë atmosferën thuajse të vdekur të Planetit. Janë përpjekje demiurgu këto, të ngjashme, fjala vjen, me provokimin e rrufeve, zjarrit, gjëmimeve, që reshjet të rifillojnë dhe Planeti të rifillojë jetën e vet dinamike. E në qoftë se Gjin Bardhela kryen udhëtimin e vet, si një shaman, nëpër histori, për të provokuar (zgjuar) fragmentet e copëzuara të ekzistencës - e gjitha kjo bëhet për hir të ringjalljes së zemrës së Planetit tonë, ndryshe, jashtë konvencave, Qenies sonë. Dhe Qenia, siç dihet nga filozofia, është një platformë më fundamentale se ekzistenca. Qenia (Ontos) përbëhet nga rrathë strukturorë të Ekzistencës. Gjin Bardhela është padyshim një hero konvencional, alegorik, që mëton të shpalohet me botën e vet autentike prej brengash, idilesh, kujtimesh e nostalgjish, por nuk përbën tipin e protagonistit që lëshon apel popullor apo jep kushtrime; Gjin Bardhela është tipi apo, më saktë, imazhi i heroit liriko-elegjiak, tepër i rrallë në letërsinë tonë, që prej Milosaos së De Radës, i cili vdes duke u munduar të mbledhë në vetvete sa më thukët skajet e identitetit të vet; ai vdes në qendër të bukurisë, të kujtimeve më të vyera, të asociacioneve që e përfaqësojnë unin e tij midis kuptimit të bukurisë. Në thelb është një roman deradian (kuptohet, vetëm për nga shenjimi, aludimi i hollë si një lloj universaljeje e botës sonë). Romani nis e vazhdon si një rrugëtim në format konkrete dhe alegorike të udhëtimit, derisa përmbyllet me një udhëtim të mbramë requiem nëpër detin e bukur të rinisë, tashmë të errësuar. Është udhëtimi i fundit me varkë i heroit nëpër terrin e ujërave, i mbështjellë nga zërat midis detit ëndërrues që jep e merr ëndrra me njerëzit. Krahët e shtrirë mbi rrema ngrijnë, ngurosen. Gjin Bardhela është shndërruar tashmë Karont i vetvetes. Le ta shijojmë mbylljen përsosurisht të bukur të romanit në dy pasazhet e sprasme të heroit nën stilin e tejpashëm të A.N. Berishës: “Gjatë gjithë kohës së rikujtimit të Vajzës, të Bukurës së dejtit, rremat nuk pushuan. Varka çante përpara, si etje dashurie. Mirëpo, sa u shua shkëlqimi, sa u zhbë pamja e Vajzës dhe Gjini nuk e ndiente më ngrohtësinë e trupit e të bukurisë së saj, zuri t’i pakësohej fuqia; duart iu këputën sikur t’i kishte shituar zana me pështymën helmore”. Duke iu larguar diametralisht stereotipit të heroit demonstrativisht atdhetar, Berisha na jep mbarimin e frymorit arbresh, që në jetë e ka mbajtur bukuria, një tipologji liriko-elegjiake, i cili mbaron kur rresht së ngrohuri “prushi i bukurisë” (një togfjalësh kyç për poezinë dhe estetikën e autorit, mjaton të kujtojmë poemën e mrekullt të tij me të njëjtin titull). Duket se për estetikën dhe filozofinë e auturit Bukuria si nocion i gjerë kategorial është vetë shpirti dhe motivimi. Të kujton kjo estetikë njëherësh dy përcaktime prej dy burimesh gjeniale. I pari është postulati lapidar i F.M. Dostojevskit “Bukuria shpëton botën”, ndërsa i dyti është një varg nga Eposi i Kreshnikëve “Kur m’lshojnë andrrat m’kapin dhimbat”. Përftohet kësisoj një pathos etik i këtillë: “Njeriu shkon krahas me shtatin e ëndrrës së vet”. Tema e jetës-ëndërr është gjithashtu, një venë deradiane në romanin e A.N. Berishës, madje një venë e kaltër aristokrate e “Milosaos”. Ndoshta duhet shtruar, edhe pse me drojë, pyetja: A është Gjin Bardhela një Milosao shtegëtar nëpër kohëra nga mesjeta e vonë shqiptare në modernitetin hamletian? Po A.N. Berisha është mjeshtër në shtendosjen e patetizmit. Proza e tij e ngjeshur metaforike, liriko-meditative shtensionon çdo patetikë e proliskitet. Dëgjohet vetëm melodia e shpërberjes, uvertura e djegies deri në fund, shkrumbit, i cili përhapet, shkapetet anembanë universumit amtar në të katër stihitë zanafillore, mu si një epifani e përjetshme: “Terri, si një pëlhurë ankthi, zuri t’i digjte mishtë, eshtrat, gjithçka. I dukej vetja hije, shtresim hiri i shuar dhe i braktisur. E pa dhe tisin e shkrumbit të trupit të djegur, që në formë të përfytyrimit, i vijëzohej duke tretur tej përtej dejtit. Pastaj pluhurin e shkrumbit e përlau një voré egërsore dhe e shpërndau gjithkund mbi arat, mbi fushat, mbi malet dhe mbi varret, andej kah Gjini kishte kthyer shikimin e mekur, gati të shuar”. E megjithatë, ndonëse i qartë, prapë mbetet enigmatik ky fund. Vështrimi është “i kthyer”, i “mekur”, “gati” i shuar, por ama, jo i shuar. Ky shikim, ashtu i rrethuar me hirin, sugjeron diçka, diçka që pret të plotësohet nga mendja jonë, diçka që ka bërë me hirin e vet shpendi legjendar i mitit, Feniksi, sepse autori na lë diçka, një plsaritje dere për të parë, imagjinuar një perspektivë reinkarnimi, ringjalljeje, me kushtin e vetëm: nga hiri. Më kryqzohet ky moment i Berishës me disa vargje të një poezie të Josif Brodskijt: “Vetëm hiri e di çdo të thotë të shkrumbesh plojë. Por unë para tek shoh si miop e them prapë, Se dhe fshesa, sado oborrit t’i shkojë Prore diçka s’do të kapë...” Tashmë jo vetëm për shikimin e kthyer të Gjin Bardhelës, gati në të shuar, “andej kah..”, por në përgjithësi, vargjet e Brodskijt për “fshesën” i shpiem te çdo ndërmarrjeje interpretuese për këtë tekst shumështresor e të koklavitur, me të cilën është koduar kjo prozë e pazakontë.

3. Romani-nyjë ose rizoma postmoderiniste e Anton Nikë Berishës

“Gjin Bardhela i arbresh” me titull të dubluar “Etja e gurëzuar”, thamë që nuk është roman që flet për diçka. Ai është Diçkaja vetë. Misteri i shkrimtarit A. N. Berisha qëndron në aftësitë e tij sugjestive për të na e përftuar këtë Diçka jo si rrëfim tradicional realist linear, as si lloj të romanit modernist, por si një gjetje poetiko-filozofike të romanit “nyjë”. Është menjëmend sipas meje, një roman-nyjë. Nyjë kohërash. Nyjë kulture e tradite. Nyjë historie, estetike e filozofie. Është nyjë procedimesh narrative. Dhe se pëlhura (tekstili) që end autori janë imazhet. Imazhet janë primare. Ato janë “antena” që godet sinjali, mandej - veshja e këtyre imazheve me petkun e tyre të përsosur. Pikërisht. Kjo është ajo që teoricienët e quajnë “proza e poetëve”. Teksti i romanit të Anton Nikë Berishës i ka të dukshme këto simptoma dhe përcakton cilësinë “poetike” të prozës së romanit. Kjo natyrë “poetike”, afër gjuhës së poezisë, ka krijuar një natyrshmëri, që në këtë performancë ligjërimi artistik të shkrihen e harmonizohen episode, zëra, legjenda, ngjarje e skena kohësh e shekujsh të ndryshëm nga Qenia etnike arbëreshe. Në librin “Rizoma” (1976) Zhil Delëz dhe Feliks Guatari veçojnë dy tipa të kulturës, karakteristike për kohën tonë: kulturën “drunore” dhe kulturën “rrënjore”. Tipi i parë i kulturës priret kah imazhet klasike, frymëzohet me teorinë e mimesisit. Arti këtu imiton natyrën, pasqyron botën, është një regjistrim grafik, kalk, fotografi. Simbol të këtij arti mund të shërbejë druri, që përfaqëson imazhin e botës – arbor mundi. Mishërim i botës artistike “drunore” është libri. “Me anë të librit kaosi botëror shndërrohet në kozmos estetik”, por Delëzi dhe Guatari janë të bindur, që frymës së kohës i korrespondon më shumë një tip tjetër i kulturës – kultura e “rrënjës” apo “rizomës”. Në vend të modelit “drunor” të botës (lidhja vertikale ndërmjet tokës dhe qiellit, zhvillimi i njëanshëm linear, determinimi i ngjitjes, ndarja skrupuloze në “majtas-djathtas”, “e lartë-shtatshkurtër”) i jepet përparësi modelit rizomatik (rizoma është një lloj i veçantë rrjeti rrënjor i nëndheshëm i bimëve, zhardhokë, që shërben si rrënjë për vetveten, si për shembull patatja)”. Kultura rizomatike mishëron tipin jolinear të lidhjeve estetike. “Nëse bota është një kaos, atëherë libri bëhet jo kozmos, por kaos, jo pemë, por rrjet rizomash. Të gjitha pikat e saj do të jenë të lidhura ndërmjet vedi, të ngatërruara, ata gjithë kohës do shpërthjnë papritmas. Libri do të jetë jo kalk, por hartë e botës, në do të zhduket qendra kuptimore” . Gjatë këtij teksti për të shenjuar tipin e romanit të A.N. Berishës “Gjin Bardhela i arbresh/ Etja e gurëzuar”, kam përdorur nocionin “roman nyjë”. Padyshim, që “nyjë” për sa i përket kryqëzimeve kriptogramike kuptimore, por duhet ta mendojmë këtë “nyjë”, si të nëndheshme. Unë besoj se “rizoma” postmoderniste si estetikë shkrimi është më pranë së drejtës dhe së vërtetës për romanin e Berishës. Personifikim i kulturës “rrënjore” është vetë arti postmodernist. Kategori estetike qendrore mbetet e bukura, por përmbajtja e saj ndryshon. E bukur do të quhet vetëm skizo-rrjedha e pafundme, rrëmuja e rrënjëve. Arti nuk do të nënkuptojë dhe paraqesë, por të hartografojë. Kultura e “rrënjorëve” simbolizon “lindjen e një tipi të ri të leximit”: kryesorja për lexuesin nuk do të jetë përmbajtja e librit, për përdorimi i tij si mekanizëm, eksperimentimi me të. Në kuptimin më produktiv të eksperimentimit, që do të thotë: thellimit e shtjellimit në vetvete, shestimit dhe kthjellimit të sistemit shenjor kulturor nga orienton autori në botën e shenjëzuar me rituale, valle, legjenda, solemnitete dhe kategori të veçanta estetike. Ky ndërtim e arkitekturim i thurrimës mjeshtërore kompozicionale duket se është bërë sa me mendje të kthjellët, aq dhe instinktivisht, pa ia prishur organicitetin furisë spontane. Projeksionet e ngjarjeve në kujtesë vijnë pa rend. Me shumë gjasë, edhe ato që ende nuk kanë ndodhur. Romani “Gjin Bardhela i arbresh” është një roman vegimesh. Mbishtresime vegimesh. Vegimet janë ato që na prezantojnë marrëdhëniet e arbëreshëve me kohën dhe historinë. Referenca formale janë arbëreshët e Italisë, me Magun që i ka pagëzuar dhe gurët si pergamena palimpsesti me vargjet e tij. Sigurisht kjo është konvencë dhe, sigurisht, vargjet janë të autorit, jo të De Radës. Ato vijnë si shpërngulje e mjeteve shprehëse nga një zhanër në një tjetër, gjithë në funsion më efikas të teksturës së romanit. Në udhëtimin e vet nëpër ferrin dhe purgatorin e historisë, Gjin Bardhela udhëhiqet nga i ati, një lloj Virgjili, që e drejton kah vegimet danteske të realeve shqiptare. Vetëm se koha nuk është e strukur dhe e shtresuar në të shkuarën, si te “Komedia” e Dantes, por ajo rrok edhe të ardhmen, nëse pranojmë se Gjin Bardhela nuk është kohësuar në një plan bashkëkohor të sotëm kalendarik. Dhe s’ka se si. E kemi thënë se romani është një trajektore e një rrugëtimi metafizik nëpër historinë shpirtërore, nëpër psikikën e etnosit, sikundër na bëjnë me dije stacionet aluduese të rrëfimeve nga legjendat tek realitetet kanunore, deri tek hapësirat antiutopike të shtetit totalitar komunist. Në fakt, nuk dihet se cilës kohë kalendarike i përket Gjin Bardhela. Duket se është sa i pakohë, aq edhe i gjithëkohshëm. Një ndër stacionet ku qëndron Gjin Bardhela, i prirë nga i ati (një lloj Virgjili), është gjakmarrja, por është mbase rrëfimi më atipik e më paradoksal që është shkruar për gjakmarrjen, një antidogmatizëm në trajtimin e substancës së rrëfimit me transformimin dhe shpërndërrimin e krejt qëllimit të gjakmarrësit. Nderi dhe sedri kapërcejnë me madhështi detyrat e ngurta të gjakmarrjes para dhimbsurisë së armikut që po çnderohet. Mata i Mazrrekut i shpëton nderin hasmit të vet të ngujuar, të cilit po i përdhunojnë gruan. Kuptohet, shpëton njëherazi edhe nderin e vet si higjenë burrnore. Është ndoshta nga fragmentet më të përsosura në letërsinë shqipe ky fragment, dhe do të doja të ilustronte pikërisht antologjitë tona shkollore.


28 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page