top of page

GJENOCIDI ORTODOKS GREK DHE PASOJAT GJEO-ETNIKE


Fahri Dahri

b).- Shpërqëndrimi i çamëve gjatë 100 viteve.

Të ndarë nga njëri-tjetri, në qytete dhe fshatra të ndryshme të Shqipërisë, çoroditja, pasiguria, trysnia dhe “harresa".

Shpërngulja e dhunshme, tërësore e shqiptarëve myslimanë të Çamërisë prej vendit të tyre autokton nga shteti grek, përveç se ishte një veprim sa armiqësor, i ç’njerëzishëm, po ashtu është tepër i dhimshëm dhe me pasoja të rënda jetësore edhe në vijimësinë e ekzistencës së komunitetit çam.

Të mbijetuarit e mbas genocidit grek, padyshim në përpjekje për të siguruar të ardhmen, me kalimin e kufirit, si turma të përziera njerëzish, në pa mundësi për të qenë të bashkuar mbi bazën e ish fshatrave dhe qyteteve, të shpërqëndruar nga gjëma e rënë, ecnin të pa orientuar për ku e si do të përfundonin.                   

Mungoi pritja e organizuar nga institucionet qendrore apo lokale shtetërore, për faktin e vërtetë se Shteti Shqiptar ishte inekzistent, vendi ende nuk ishte çliruar nga pushtuesi gjerman. Në ato vite nuk kishte mjete apo teknologji informimi për të shpërndarë lajmin, siç është në realitetin e sotëm. Emigrantëve i u desh tëpërballen me tëgjitha llojet e vështirësive që kërkohet për të përballuar vazhdimësinë e jetës. Ndihmat e UNR-ës ishin të pakta, por dhe aq sa ishin nuk shkuan të gjitha në ndihmë të tyre, kjo për shkaqe të ndryshme, më kryesori ishte administrimi i keq dhe jo i drejtë. Ashtu siç ndodh edhe sot “dora hajdute” e organizatorëve të shpërndarjes “goditi” fort në firosjen e ndihmave.

Shtetit shqiptar i u dhanë ndihma në mallra, materiale dhe paisje rreth 26 milionë dollarë. Ndërsa refugjatëve çamë (emigrantëve), sipas deklarimeve të kohës, thuhet se u janë dhënë 1,2 milionë dollarë. E shquaj me fjalën “thuhej”, sepse në dijeninë time nga ato “ndihma”, e sigurtë nuk përfitoi asnjë nga familjet e fshatit tim, as nga të fshatrave Dramës, Dhërmicë, Zboqe, Vërselë dhe Skopjonë! Nga ajo pjesë e atyre ndihmave, kryesisht përfituan disa familje që ishin vendosur në qytete.

Papunësia, varfëria, sëmundjet, sidomos malarja, sifilizi, mungesat e qendrave shëndetësore, të arsimit ku 81,22 % e popullsisë vendase ishte analfabete (Më 30/09/1945, në një popullsi prej 1.122.044 banorë, numri i analfabetëve ishte 911.410 banorë, ose 81.22% e popullsisë) ishin të pranishme. Të gjitha këto rëndonin jetën e emigrantëve. Për ato vite, shërbime të tilla ishin të pakonceptueshme, për ne emigrantët po se po, por edhe për vendasit (kështu bëhej dallimi i popullsisë në vitet e para të pas çlirimit).

Përballja me këto realitete e emigrantëve ishte kartastrofike. Gjithëkush është i lirë të kuptojë, të komentojë, të bëjë interpretime sipas orekseve, ajo ishte gjendja reale e komunitetit çam i dëbuar dhunshëm për në troje të tjera, megjithëse ngulitja e tyre ishte në trojet brenda shtetit Amë. 

Ishte ai realitet, i cili u shoqërua me përdorimin me sukses të shpifjeve ndaj “çamëve” me synimin afatgjatë për përçarje si mes tyre, brenda për brenda komunitetit por edhe më keq duke nxitur urrejtjen e “vendasve” ndaj tyre. Dhe kjo propagandë mendohej, thurrej, (argalisej), përpunohej dhe përhapej nga kupola politike e kohës, në përbërje të së cilës kishin poste të larta edhe elementë të njohur antiçamë të lidhur etnikisht dhe shpirtërisht me gjenocidistët. Ishin anëtarë të Byrosë Politike që i shërbenin luftës së pandërprerë kundër kombit shqiptar në tërësi dhe komunitetit çam në veçanti, kjo për të lehtësuar arritjen e shtrirjes së helenizmit në troje të tjera dhe goditjen vdekjeprurëse të bërthamës pellazgjike që ishte e konservuar me gjuhë, tradita, zakone dhe territorin e saj në rajonin më jugor të Shqipërisë etnike. Ai komunitet është vijimshmëria direkte pellazgo-iliro-epirote. Ndaj asaj popullsia, që nga viti 1945 e në vazhdim, është mbajtur qendrim dyshues, jo dashamirës, sidomos deri para vitit 1990 qendrimet ishin rezervues, të pabesueshëm, trajtoheshin si elementë që gjoja ndikonin negativisht në marëdhëniet shqiptaro-greke. 

Ishin dhe mbeten këto mentalitete dhe qendrime të cilat ndikojnë në mos angazhimin serioz të shtetit shqiptar, lidhur me plotësimin e detyrimit kushtetues të mbrojtjes të së drejtave të bashkëkombasve. Shteti shqiptar në kushtet gjeopolitike inferiore, ekonomike, ushtarake dhe në mungesë të trajtimit të njëllojshëm me shtetet fqinjë nga Bashkimi Europian, për katër dekada nuk “guxonte” të fliste për gjenocidin ortodoks grek ndaj shqiptarëve të Rajonit të Çamërisë. Në këto situata ngritja e zërit për zgjidhje të “Çështjes Çame dhe gjenocidit ortodoks grek” jo vetëm u la në harresë, por me mënyra të kamufluara diktoi frikën, përbuzjen, heshtjen, nëpërkëmbjen, trysnitë dhe harresën, forma dhe metoda të cilat arritën që ai komunitet të strukej, të mbyllej në vetvete. Nuk ishte e lehtë. Ishte periudhë tejet e vështirë. 

Duke filluar nga viti 1961 deri në vitin 1991, emri “çam” u bë sinonim i njeriut negativ, i pabesisë dhe mjaft nofka të tjera. Propaganda greko-komuniste arriti të “mbjellë” në ambjentet shoqërore shqiptare dhe më gjërë, qendrime të tilla të pavërteta ndaj komunitetit çam deri në atë pikë sa thuhej: “Mirë u a bëri Greqia që i përzuri”.

Askush nuk mund të ngrinte zërin për këto të pa vërteta; askush nuk mund të organizohej për t’ju kundër vënë këtyre qendrimeve vrasëse, mohuese, nëpërkëmbjeje, sepse për një fjalë goje do kalbeshe, siç dhe u kalbën qindra e mijëra shqiptarë, qoftë “vendas” apo “çamë” në burgjet e komunizmit shqiptar.

E vërteta pse Greqia i masakroi dhe kreu gjenocidin ndaj shqiptarëve myslimanë të Çamërisë, pavarësisht “thash e themeve” greke dhe ithtarëve të tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë, ishte strategji shtetërore dhe predikim kishtar i kahershëm për të përmbushur synimet e arritjes me çdo kusht të zgjerimit të helenizmit në të gjithë Epirin: 

● - Shtrirja e helenizmit deri në lumin Shkumbin, sipas “Megalloidhesë”, për tu realizuar duhej sëpari të spastrohej Shteti Grek nga popullsitë, ku mbas 1913 bënin pjesë pakica me etni dhe besime fetare ndryshe nga kombësia dhe ortodoksia greke. Nga Epiri i jugut kishte mbetur pa u spastruar rajoni tërësor i Çamërisë. Nënështrimi i banorëve të atij rajoni për kishën dhe shtetin grek, ishte një kockë e fortë. Duheshin veç forcës edhe masa të tjera si ato të shpifjes, mashtrimin ndërkombëtar, përdorimin e dredhive, të cilat i a kalonin edhe “Kalit të Trojës”.

        ●- Banorët e atij rajoni ose duhej të pranonin besimin ortodoks dhe të përfshiheshin në kombësinë greke, duke realizuar me lehtësi zaptimin e territorit etnik shqiptar në përmbushjen e strategjisë 200 vjeçare, ose do të masakroheshin dhe dëboheshin nga vendi i tyre. Dihet, ndodhi alternativa e dytë, sepse ata banorë nuk pranuan të humbnin identitetin etnik të tyre dhe se rajonin e Çamërisë nuk mund ta falnin duke u quajtur truall i një shteti tjetër. Është kjo nyja Gordiane që Rajoni i Çamërisë, megjithë gjenocidin ortodoks grek që po mbush 76 vjet, përsëri nuk ka arritur dhe as që do arrijë që të ndërrojë identitetin etnik të tij.

        ●- Që të bëhej i mundur plotësimi i amanetit të helenizimit të Epirit deri në lumin Shkumbin, duhej që të tjetërsohej popullsia nga besimi mysliman në besimin ortodoks. Kjo nuk ndodhi në të gjithë popullsinë e Çamërisë, mbasi ndërrimi i besimit tek çamët, nuk ishte thjeshtë dhe vetëm ndërrim i xhamive në kisha, por ata e dinin fare mirë se ndërrimi i faltoreve do të çonte në ndërrimin e identitit etnik jo vetëm të banorëve, por dhe të rajonit, gjë që i ngarkonte ndërgjegjësit me një tradhëti të madhe ndaj territorit dhe amanetit të të parëve të tyre. 

        ●- Banorët e krahinës më jugore shqiptare, ishin të betuar ndër breza për ruajtjen, mbrojtjen dhe sigurinë e vazhdimësisë, sepse rajoni i tyre ishte atdheu i thesprotëve legjendarë; ishte vendi i mitologjive; vend i lashtësive para Homerike; vend i mikpritjes; i begatisë; vend që ka shkëlqyer edhe në veprat “Iliada” dhe “Odisea” të Homerit; vend ku jepte dhe merrte jetë lumi i vdekjes Acheron; vendi i Fedonit të parë pellazgjik; vendi i Dodonës-faltores së ngritur në mijëvjeçarin e II-para Krishtit; vendi i dytë i shenjtë mbas Delfit; Vendi i Zeusit; i Afërditës; vendi i Nekromandisë; i Fanotit; i Titanit (Gitanit); vendi i Hadesit dhe i Persefonit; i Irakliut (Inakut); vendi i pikëllimit, ai lotëve ku varkëtari plak Haron përcillte të vdekurit me varkë në anën tjetër të lumit Acheron, për në Hades,nën “përgjegjësinë” e mbrojtjes dhe ruajtjes të Kerberit (qenvarroi me tre koka, ruajtësit të varrezave).

Vendi i Perëndive dhe i gjuhës së tyre etj. vendi i vendlindjes së Pirros;Vendi i luftërave të Çezarit, të Antonit dhe i përplasjeve me Kleopatrën e Egjyptit; vendi ku në shek III-të erës sonë prifti Emanuel filloi predikimin e besimit të krishtërimit romak; vendi ku shkeli Bayroni; vendi ku jetoi e punoi për 15 vjet poeti i madh i Rilindjes Naim bej Frashëri; vendlindja e Abedin bej Dinos; vendlindja e Hasan Tahsinit si dhe i shumë e shumë figurave të yjera të larta dhe personaliteteve nga vende të ndryshme dhe jo vetëm europiane.

Le ta përkufizojmë: “Një vend i pa të dytë”.Si i tillë ai vend nuk mund të tjetërsohej. Ata banorë përmenden dhe do të mbeten “njerëzit që u sakrifikuan për vend dhe identitet”. Sado prapapashtesa ti vihen Thesprotisë, ajo krahinë nuk ka qenë dhe as nuk mund të jetë greke apo greece.

c).-Ndërprerja e trashëgimisë fisnore, humbja e fisnikërisë

dhe shpërbërja e familjeve të mëdha

Krahas masakrave që kryen ortodoksët grekë, ndaj njerëzve të gjallë, banues në vendin e tyre dhe spastrimit etnik të asaj krahine, ajo goditje qendron edhe në dëmin e madh që ndjek vazhdimësinë e mëpasme të tyre. Gjenocidi ortodoks grek nuk mbetet vetëm tek përgjegjësia e kohës së masakrave të ndodhura, ajo vazhdon të godasë në vazhdimësi ashpërsisht edhe tek gjeo-etnia e atij rajoni dhe pasardhësave të thesprotianëve. 

Ndërprerja e trashëgimisë fisnore, tretshmëria e fisnikërisë, shpërbërja e familjeve të mëdha, shkatërrimi përgjithmonë i ndarjeve të banorëve të grupuar në lagje (mahalla), në fshatra, në qytete apo në njësi teritoriale brenda rajonit. Në atë rajon nuk dëgjohen më toponimet mijëra vjeçare, as veçoritë e emrave të përrenjëve, të arave, kodrave, livadheve, rraheve, pyjeve, maleve, apo emrat si vau i këtij apo atij, pusi i filanit, stani i atij apo këtij, pylli i atij apo këtij fisi, arat e asaj familjeje të madhe, apo dyqani i filanit, luturvija e kësaj apo asaj shtëpie, as kopeja e dhënve apo e dhive të iks familjes fisnike. Pa emër, ose sot nuk u fliten më me  emrat trashëguese të ullishteve, vreshtave, kanë humbur emrat e shtëpive sipas pronarëve të vërtetë të ish familjeve, ku pjesa më e madhe e tyre janë kthyer në gërmadha, grumbuj gurësh! Një batërdi, një “ferr” i vërtetë i kësaj bote!.  

Dje dhe sot vazhdon këmbëngulja greke për ndërrimin e toponimeve të fshatrave, qyteteve deri dhe toponimi i të gjithë krahinës për të cilën kërkohet shuarja, fshirja nga hartat historike deri edhe në librat shkollore. Pse? Sepse kështu sigurohet vazhdimësia e shtrembërimit të historisë dhe trashëgimia etnike e një rajoni që historia dhe e vërteta i kanë vendosur ata banorë në më të hershmit dhe përpara, shumë më  përpara se sa grekët dhe romakët. Një mënyrë mashtrimi e përdorur me sukses edhe në mbivlerësimet e Shtetit të sotëm grek, të cilit i atribuohet me të padrejtë kultura dhe qytetërimi i lashtë.

Janë këto situata politike, demografike, social-ekonomike që shqiptarët e Çamërisë me banim në Republikën e Shqipërisë, i u nënështruan çoroditjes, hutimit, pa mundësisë së organizimit. Ata, në vitet që shkuan, nuk kanë arritur të rigjenin plotësisht unitetin e dikurshëm, kompaktësinë, shkuarshmërinë.

Ata, banorët ish komunitarë të Çamërisë, me nguljen në Shqipëri, kryesisht u shpërndanë në disa qytete bregdetare të Shqipërisë dhe rrethinat e tyre, por jo si dikur me vendqendrime mbi baza të ish qyteteve dhe fshatrave të rajonit të Çamërisë. Kjo shpërndarje demografike e tyre, për fat të keq ka ndikuar në “shuarjen”, apo në rënien e shkëlqimit të dikurshëm të familjeve fisnike, familjeve të mëdha. Ky realitet i hidhur, për tu rikthyer në tabanin e tij të dikurshëm, duhet të kalojë nëpër mjaft vështirësi të natyrave të ndryshme, por mbi të gjitha është faktori kohë ai që ndihmon dhe ndikon në shëmbjen e kalave dhe rindërtimin e tyre. Askush të mos harrojë se brenda çdo kohe ndodhet dhe vepron elementi përparimtar njerëzor, u cili i jep kohës ndryshimet cilësore në favor të njerëzimit. Janë pikërisht këto rregulla të pa shkruara që natyra vepron edhe në organizimin shoqëror, të cilat lindin, zhvillohen, përfshihen në kriza dhe përsëri në cikle të ndryshme kohe riorganizohen në një nivel edhe më të lartë, më ciësor. 

Brezi i “të ardhurve”, që u shpërbënë, siç u teajtua më sipër, bashkë me fatin e tyre të keq, janë nënë Dhé. Fëmijët, sidomos nipërit, mbesat dhe stërnipërit tashmë janë rritur dhe krahas rritjes kanë formuar familjet e tyre në vendqendrimet që u “ngulën” emigrantët para 76 viteve. Aktualisht është siguruar një shumicë e re vllazërore, miqësie, fqinjësie, të cilat na sjellin në kujtesë bashkësitë familjare dhe komunitare të prindërve dhe gjyshërve tanë në vendbanimet e tyre autoktone të rajonit të Çamërisë. Ky riorganizim, i cili është gjithnjë në rritje dhe në zgjerim, tregon pashmangshmërinë e veprimeve të rregullave të pashkruara me të cilat nisëm fillimin e këtij shkrimi.

Errësira që na mbollën hijet ogurzeza si të gjenocidistëve dhe të byroistëve, kanë filluar të rrallohen dhe qiejt e Shqipërisë dhe të Çamërisë po pastrohen nga retë e ngarkuara me shi, bubullima dhe vetëtima duke ja lënë vendin qiellit të pastër pranveror.

Tek nipat, mbesat dhe stërnipat e banorëve të asaj toke, ka fituar terreni gazmor, buzëqeshjet dhe siguria e të ardhmes e mbështetur në tabanin, traditat e trashëguara nga komuniteti kompakt i para 1913-tës. Personalisht, në këtë drejtim ndjehem komod, i kompletuar dhe i emocionuar që arrita të jetoj këtë rikthim në të shkuarën, por me elementë sa të rinj në vite aq të rinj në konceptimin dhe ndërrtimin më cilësor të të gjitha marrëdhënieve sociale të para 1944-1945-sës.

Ligjeve objektive të natyrës, nuk mundet t’u kundërvihen as kishat dhe as xhamitë; as perandoritë dhe as “Antikrishti”. Pengesa, ngadalsime prej shteteve dhe personaliteteve kokëkrisur, kanë ndodhur dhe do të ndodhin, por ndërprerja absolute e zhvillimeve as ka ndodhur dhe as ka për të ndodhur. Kjo për fat të keq nuk arrihet të kuptohet nga mbështetësit e së keqes si në kohë dhe hapësirë. 

Tiranë, më 15/01/2020.

Studjues i “Çështjes Çame”: #Fahri #Dahri

Vijon

14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page