Gjashtë Muaj Fatmir Terziu
Diku, diku tutje, aq pak dhe aq shumë përtej syve të lagur shikon në mëngjesin e bardhë. Koha në këtë hapësirë është e zymtë. Mbetet si gjithnjë në kohë të saj, me qiellin e saj gri dhe lagështinë që kapet pashpjegueshëm pas xhamit të dritares. Ka diçka për ditën. Ka gjithnjë një gjë. Një gjë më shumë kur e di se do të jetë e prekshme, e ndjeshme. Ajo mund ta ndiejë atë në lutjen e saj. Ajo i shtyn gishtat nëpër flokët e saj ngjyrë bardhëborë dhe i ndan lutjet e lëna mbi perdet që marrin dihamë nga dihama ime. Kaq pak. Ndoshta edhe pak më shumë për një pamje më të qartë të lagështisë që shtohet si një ullëzbritje ujore e pakontrolluar rrugës. Kanë kaluar Gjashtë Muaj. Gjashtë! Dhe duket se gjysëmviti i tillë ende lahet vetvetiu dhe bulëzat e kripura ende prekin jakën e fustanit të saj gri, fustanin që Nëna e mbante kujtimin e saj më të shtrenjtë. E kishte fiksuar këtë në memorjen e saj, disa vjet më parë. E ndjej. Dhe duket se dëgjoj ende babain tim të shtrenjtë të kollitet dhe të tingëllojë gjithnjë e më shumë si një e çarë deti çdo herë. Nëna është në …, është kudo, dhe ku nuk është Nëna. Edhe pse mungon në prekjen time, Ajo është gjithnjë e prekshme, e ndjeshme, e urtë dhe ndjesore. „E bëre bir atë të tretën?“ „Mos të dhemb krahu, mos të dhemb…“ Dhe natyrshëm ulësja e tutjetejshme shkëputet në sytë e mi si një meteor. Më djeg thuajse të gjithin. Më djeg…, por e ujta nuk struket, nuk shuhet, nuk thahet, nuk mbaron në atë proces që quhet avullim. Nuk shkundet nga sytë e mi. Dhe e ndjej se më shikon. E ndjej se kërkon të rrëfej… Nëse ajo do ta dinte se çfarë kam parë, do të ishte ndryshe. Të kthehesh është e vështirë. Të dish të kujtosh është si të ecësh pas ndonjë ekrani, që ka xhirruar shekuj ardhjen dhe ikjen e Njeriut. Duhet kohë. Rruga është e dhimbshme. Mund ta nuhasësh praninë këtu me sytë e mbyllur. Dhe duket sikur psherëtin për të padukshmen, që vonon të shfaqet në kohën e duhur këtu. Kaq ishte… „Jam nëna jote“, ndërsa m'i fshiu lotët nga sytë e mi, u ngrit dhe kërkoi të vallëzojmë .... Shumë kohë më para. Shumë kohë më parë, në një dasëm familjare…
Një përkujtimore për shumë të shtrenjtën NËNË, shkruar me lotë, mall, mirënjohje nga Biri, që Ajo rriti e seliti me aq dashuri. Nëna-vendi i shënjtë, ku jeta shfaq spektaklin e dashurisë. Edhe pas largimit fizik, ashtu siç e thoni Ju vazhdon të mbetet e pranishme "… gjithnjë e prekshme, e ndjeshme, e urtë dhe ndjesore."
I dashur Prof. Fatmiri, me këtë rast ju shpreh respektin tim: Qoftë kurdoherë i paharruar kujtimi i ndritur e tepër i çmuar i NËNËS Tuaj!
Me nderime, K.Gjergji.
I nderuar, dashuria për Nenen është nga me fisniket. Është kujtese e shpirtit për Shtepine. Nena e mban te gjallë tek bijte. Keta te bijte e tyre. Ndaj Jeta akoma ekziston dhe gjithmone do te jete persa kohe ekziston kjo dashuri e ndersjellte si asgje tjeter ne kete bote. Faleminderit.