top of page

Gjashtë ministacione ...


Dr Fatmir Terziu

Gjashtë ministacione ...

Inkorporimi i doktrinave shuhet... Letërsia mbetet!

Dr Fatmir Terziu


1.

Unë dyshoj se të gjithë e dinë hapësirën, që vetë hapësira i mban, por nuk e kanë të qartë se vetë hapësira e tyre është ajo që i ngjesh dhe i ngushton në hapin e hapjes së vetes tek hapësira. Deri tani thuhet pak se termi “hapësirë” është problematik. Vetë krijuesit e qasin si arsye, si faktor, por kur ngrihet faktori problematik, sidomos ata që kanë krijuar në dy hapësira kohore, (faktorizuese ose jo) diktohen nga morali, nga vetë didaktika. Ata japin një shkëndijëz, atë shkëndijëz letrare si një e shtënë... paralajmëruese.

2.

Kohët e fundit kam ndeshur me shumë krijime moralizuese (didaktike). Shkrime, jo të gazetave dhe mediave shqiptare, se atje natyrisht ka jo pak didaktë dhe didaktikë, por shkrime rreth letrave dhe krijimeve letrare. Nuk ndalem në emra konkretë. Jo, se debati agravohet, por se emrat gjithnjë kanë një problem nga pas. Sidomos ata që kanë edhe një pse(u)donim, ose pse(uduhet)ndihmë nga pas qënies dhe prezencës së tyre fizike dhe hijore. “Ligji im i parë i letërsisë”, - shkruan Dr. J, Miruss, - “është se sa më shpejt që një shkrimtar bëhet moralizues (didaktik), ai dështon. Por sipas Miruss “ka, natyrisht, përjashtime.” Dhe unë pajtohem me të. Dikensi mund të konsiderohet tmerrësisht didaktik në kohë. Të tjerë romancierë të mëdhenj rusë shpesh kanë krijuar karaktere didaktike (ose kështu duket për ata që nuk janë të dashuruar me krijimet dhe romancierët rusë) vlera kryesore e të cilave ishte që të përfaqësojnë idetë, apo edhe ideologjitë. Megjithatë, si një parim për romancierët risia të lulëzojë morali, unë mendoj se ajo mban një kënd, një hapësirë, një skedim, një arsye, por jo gjithnjë morali dhe stimuli moralizues është letërsi. Jo gjithnjë! Miruss na vjen në ndihmë “Nëse ju nuk mund të zotëroni talentin në “fiction” pa qenë didaktik, ju kurrë nuk do të zotëroni formën artizanale të fiction.”, që nënkupton se letrat dhe letërkrijuesi janë gjithnjë angazhimi i një ideje jashtë gamës së dogmave dhe shabllonizmave, pra njeriu frymëmarës dhe krijuesi i letrave kanë rrugë të ndryshme në një trup fizik. Pra jashtë moralit dhe didaktit për të. Në këtë mënyrë krijuesi është i lirshëm, nuk ndikohet, shkurt bën art. Artin e fjalës së bukur!

3.

Një problem i lidhur ngushtë me këtë arsye didaktike, ndoshta edhe shqetësim, është ajo që vjen nëse shkrimet, krijimet, apo angazhimet e tilla do të pëlqehen edhe nga lexues të cilët kanë më shumë ose më pak arsye të shohin veten në brendësi. Fjala është për moshat, për gjeneratat, besimet politike, ato fetare, apo edhe për gjinitë. Kritikat janë dhe mbesin në këtë mes. Një shkrimtar besimtar i një doktrine shkruan sipas lirisë, ose piketave të tij. Një krijuese shkruan sipas syrit të saj. Një i ri shkruan natyrisht me vrullin e tij rinor dhe një i moshuar angazhon tërë magazimin e tij shpirtëror. A mjafton kaq? Natyrisht jo. Arsyet dihen. Janë arsye të ndërlidhura. Por në një kënd tjetër, këtu fillon e diktohet faktori i vetë-dukshëm.

Kështu të gjithë ata që shkruajnë, pra vetë ata që botojnë shkrimet dhe krijimet e tyre, besojnë se një krijim i tyre (përkitazi) ka një detyrim moral për të përgëzuar ndonjë faktor që shfaqet vetë-dukshëm e që favorizon një kuptim të shëndoshë të idesë së tyre. Është e vërtetë sigurisht që ky lloj lirizmi në të shkruar posedon një aftësi të mrekullueshme për të rritur pasqyrën tonë në realitet, apo më saktë në afrinë më të sinqertë me realitetin, nëse jashtë filozofisë mund të konsiderohet si i tillë. Këtu ndodh të hyjnë në punë doktrinat. Dhe inkorporimi pozitiv i doktrinave të kësaj lirie në një punë krijuese “fiction” nuk ka vetëm aftësi, në vetvete, të bëjë një roman të mirë, as nuk varet vetëm nga përmbajtja e lirë e shprehisë, automatikisht ngre një roman me statusin e asaj që ne e quajmë letërsi.

Novelisti amerikan, Styron ndoshta shkon më tej kur thotë se “ky brez nuk mund të prodhoj literaturë të barabartë me atë të çdo brezi të kaluar. Shkrimtari do të jetë i vdekur para se dikush mund ta gjykojë atë, por ai duhet të shkojë në formë të shkruar, duke reflektuar çrregullim, disfata, dëshpërim, duhet që të jetë te të gjitha vetë ai dhe ajo që e sheh në këtë moment, por ndonjëherë të kërkojë për dashuri të pakapshme, gëzim, dhe cilësi, si në aktin e vetë jetës... .”

4.

Sigurisht ndonjëherë mes kësaj hapësire të indokrinuar vetë termi “letërsia” është gjithashtu problematik. Ka disa që duan të japin titullin e “literaturës” me një sens të ndërlidhur jetik, disa me një faktor tjetër ngjizës, e të tjerë me argumenta e problematika. Faktorët dhe faktorizuesit, kur janë hapësira apo edhe vetë hapësira ku hyn lexuesi apo mendohet leximi, ndonjëherë indokrinohen padashje. Ndodh në këtë rast që krijuesit, dhe ajo grupani pos tyre, e njohur ose e panjohur të harrojë atë thelbësoren, duke u mjaftuar me citimet e të tjerëve apo edhe me paralelizmat me letërsinë e vlerësuar.

Ata harrojnë të argumentojnë se një roman ngrihet në nivelin e letërsisë kur ajo mbarë, si një kompleks hapësirash, kombinon bukurinë formale, mjeshtërinë teknike, dhe thellësinë e perceptimit në të treguar një histori të mirë. Ndërtimi i saj i përgjithshëm dhe gjuha e saj e përdorur me aftësi të konsiderueshme për të provuar thellësinë e përvojës njerëzore për jetën dhe kulisat e personazheve të tij i hyn në punë jo vetëm hapësirës, por tërë trinomit filozofik, kohë, hapësirë dhe vend.

Në shumicën e rasteve, kapja vetëm pas një hapësire të caktuar, është e pamjaftueshme për të bërë letërsi në kuptimin e mirë të fjalës, ajo tejkalohet në hapësirë dhe vjen vetëm si zbavitëse, më saktë ashtu si ajo mund të jetë. Elementet përkatëse të përvojës njerëzore duhet të jenë elemente që nuk janë menjëherë të qartë për lexuesin, duhet të jenë mes një hapësire të hulumtuar në një mënyrë të atillë që zgjeron përvojën e vet dhe i jep lexuesit një fakt, shkakton dëshirën që lexuesi të rritet. E që të rritet lexuesi është edhe rëndësia e karakterit mes kësaj hapësire.

5.

Për të qenë i lirë në hapësirën shqiptare, konkurues në hapësirën që e rrethon, angazhues në hapësirën ku ne bëjmë pjesë dhe synojmë, unë mendoj, një roman duhet të jetë në gjendje për të shqyrtuar problemet që janë të paktën pjesërisht shpirtërore në natyrë, dhe ato që duhen për të zgjidhur këto probleme në mënyrë që të ndriçojë arsyen dhe të tërheq lexuesin për të vërtetat rreth realitetit të cilat janë thellësisht dhe arsyetimisht të ngulitura në identitetin kulturor shqiptar. Dhe kjo është pikërisht ku karakteri vjen në hapësirën e ndërmjedistë letrare të konceptuar qashtër. Ne mund të flasim për vendosjen dhe komplotin, por në fund të fundit drama e romanit duhet të luhet në karakterin e protagonistëve të saj, ose në çdo kuptim të fjalëve. Këtu aksioma se njeriu është masa e të gjitha gjërave duhet jo thjesht të zbatohet, por edhe të na mundësoj të shohim se një lloj tjetër aksiomë është e rreme. Sepse është pikërisht në jetëlidhjen që personazhet krijojnë në roman, në atë hapësirë që shtrihet tek betejat e tyre njerëzore për të akomoduar një perceptim më të thellë dhe urtësi që në fund të fundit vjen nga identiteti kulturor shqiptar, nga vrugu ku duhet mbajtur gjallë të paktën kjo pjesë jashtë moralit ndikues dhe didaktik të ndikuar. Ann Patchett sqaron “Kur thuhet mirë, një histori ka kapur lëvizjen delikate të ndryshimit. Nëse një roman është një hartë e një vendi, një histori është pin argjendi të ndritshëm që ciflon udhëkryqet kulturore”.

6.

Moralet dhe moralizimet shuhen. Ikin në kohë, hapësirë dhe vend. Letërsia mbetet. Jo si arsye, apo thjesht si inkorporimi pozitiv i doktrinave... Ajo, pra letërsia e identitetit kulturor, automatikisht ngre një roman me statusin e asaj që ne e quajmë letërsi.

Sot ekziston një tundim për të ndjekur shkurtesat e identitetit kulturor. Të gjitha romanet që imitojnë këtë ndjesi, duke u mbështetur në fantazitë e të tjerëve që të injektojnë urtësinë morale dhe ndjenjën shpirtërore, bien në rrezik të madh këtu në këtë pikë. Kjo është një deus ex machina, ose humbja e hapësirës, kohës dhe vendit pas Tjetrit. Sado i Madh të jetë ai.


7 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page