DANTE MAFFIA dhe GIUSEPPE BOVA
SHQIPËRUAR NGA
HARALLAMB FANDI
DANTE MAFFIA
Poet, romancier dhe kritik letrar, i lindur në Kalabri më 17.01.1946. Veprat e tij të larmishme janë vlerësuar nga shkrimtarë e artistë të shquar nga e gjithë bota. Për veprimtarine e tij artistike e kulturore i është akorduar Medalja e Artë nga Presidenti i Republikës. Gjithashtu është vlerësuar me çmime të shumta brenda e jashtë Italisë dhe është kandidat për Çmimin Nobel.
KALABRIA
Kalabria që nuk di
nëse shiroku e fshikullon kur vjen
apo kur shkon në det.
Fusha herë e zhuritur diellit, herë e gjelbër
veshur si për festë me vreshta e ullinj
është gjithnjë këtu,
mbush, thurr e shthurr shpirtin tim mes ullinjve
pasditeve të verës e dimrave të hidhur,
në orë trishtimi pa fund.
Kalabria që kërkon dashuri
dhe s’di nëse ësht’ grua a fajkua.
Unë e çrrënjos, e lëvdoj, e fus nën dhe ,
e bekoj dhe e mallkoj
e pastaj e thërras: nënë, varr, qiell,
ndëshkim, dritë që kurrë s’perëndon,
shtëpi e hapur në det,
strehimi im i përjetshëm.
MOS MË BËJ TË PENDOHEM
Labirintet e tua pa fund të mbushin gjithë mllef
ndaj botës.
Nuk të mjaftojnë akrobacitë e reve në perëndime,
pasuria e ëndërrave,
buzëqeshja ime.
Kushedi, Biblioteka e Aleksandrisë po rilind te ti
dhe t’I bllokon dyshimet.
Mos ndoshta ndaj Miltonit,
që të ka zgjedhur për të rikthyer frymëmarrjen
ti nuk ndiesh e përshtatshme?
Vetmia nuk ka zgjidhur kurrë askënd,
inati nuk e ka bërë asnjëherë trëndafilin të lulëzojë.
Kur hiri i varrezave do të shtohet me tepri
pllakëzat me emra do të jenë vetëm një zbukurim.
Mendo vetëm që ke dashuruar
dhe fort, sa asnjë tjetër,
sepse ishe me Dijen,
me Vetëdijen,
me Pasionin
që vetëm yjet dhe humnerat i njohin.
Ke qënë libri më i pafaj dhe më i rrezikshëm,
e vorbull pa fund,
shtëllungë resh boshe
pretenduese të mosbindjes.
Ke jetuar jehonat e të mëdhenjve
nëpërmjet shpirtit dhe trupit tim,
dehjet e Erosit,
mishërimin e ëndërrave dhe shekujve të ardhshëm,
vrullin e papërmbajtshëm të poezisë sime.
Asgjë nuk të është mohuar.
Përse, pra, ngre mure
për fshirjen e kujtimeve?
Homeri që të mbron
e më ka dashur si ambasador
e njeh historinë tonë dhe më ka thënë:
“Bëje të ndërgjegjshme, thuaji që mos të t’mbysë
me puthje, të cilat tani po t’i mohon”.
Pa shtuar asgjë tjetër mori rremat
dhe u kthye në barkë.
Mos u bëj enigmë, hape dritaren
deti i Rozetos të pret krahëhapur.
Nuk kam asnjë qortim,
mos më bëj të pendohem për Universin që të kam dhënë.
MË NË FUND
Më në fund e di ç’është dashuria:
flutura gjithnjë të zëna me punë,
rrugë pa fund,
ai hapi yt i vendosur,
që çliron erëmime
e bën të këndojnë
dhe muret,
po dhe ndënjësja ku jam ulur
duke të menduar ty.
GIUSEPPE BOVA
Poet i shquar dhe drejtues institucionesh te larta shtetërore e kulturore, i lindur në Reggio Calabria, më 29.10.1943. President i Shoqatës “Dante Alighieri”, fitues i Çmimit të Kulturës nga Këshilli i Ministrave të Italisë, President i Rrethit Kulturor Reghium Julii dhe i Revistës prestigjoze kulturore e artistike me të njëjtin titull, drejtues i Universitetit “Dante Alighieri” për të huajt.
PERDJA SAPO RA
Perdja sapo ra
dhe ëngjëjt, ëngjëjt që na miklonin
me fytytën e errët të fëmijëve,
ata që na thërritnin me emër përmbi rrugë,
ata të detyruarit për të ikur
apo për të rezistuar në zgrip të jetës,
tashmë janë harruar, nënvlerësuar,
e VRARË.
Perdja sapo ra
dhe të bësh dashuri ndoshta ia vlen shumë,
pa masë.
U dashurofshim shpirt,
u dashurofshim vrullshëm
edhe me gjeste, si aktorët.
Le të vdesim, të vdesim, të vdesim,
le të mbetemi pa frymë nga dashuria!
Ah, sikur të çmendeshim prej saj,
sikur të na çahej më dysh jeta
dhjetë, njëmijë, njëqindmijë herë
për të parë ëngjëjt,
ëngjëjt që na rrinë pranë,
dhe që na duan,
ëngjëjt që dhe kur humbasin,
na thërrasin.
Ëngjëjt që i kemi harruar.
Ëngjëjt që i kemi VRARË.
PRANVERA
Kur të shohësh se bajamja ka veshur
me njëmijë lule t’vogla degët që qenë zhveshur
dhe lart në qiellin e kaltër e plot dritë
diellin që luan e qesh me fëmijtë,
kur së largu kthehen në foletë
dallëndyshet që përsëri
ngrihen n’fluturim shigjetë
për t’kapur diçka që askush s’e di,
kur flaka në vatër është shuar
dhe të moshuarit i gëzohen diellit
nën rrezet që qiellin kanë ndriçuar
e ngrohin manushaqet që t’mos ngrijnë,
atëhere, bir, dije se ka mbërritur
pranvera erëmirë aq shumë e pritur.
留言