top of page

"George Besti" shqiptar që shiste gazeta për bukën e gojës


Ibrahim Xhafa

Fatmir Terziu


Në një kënd të stadiumit të Mançesterit, “Old Traford” ndodhet një statujë. Statuja është mishërimi fizik i të madhit të futbollit britanik, nga Irlanda e Veriut: George Best. Ai edhe kur e humbi karakterin e tij nga pija e shumtë e alkoolit, edhe kur problemet shqetësuese iu bënë gangrenë, edhe pas dënimeve të shumta ligjore, për admiruesit e tij, për sportistët, për federatën, klubet ku ushtroi talentin e tij dhe madje edhe për qeveritarët britanikë mbeti figura numër një, figura që u respektua dhe u përkrah me gjithë admirimin ndaj tij. Edhe kur vdiq ai u respektua si futbollisti kalibër, me emër, me emrin e tij të lartë: George Best.

E ndërsa shkruaja për këtë emër të madh britanik të futbollit, e ndërsa radhisja dallesën e tij në lojën me topin në fushën e blertë, ndërmend më erdhi një figurë ndoshta e ngjashme me të nga loja me topin, një ish-futbollist shqiptar, një talent që ngrente peshë stadiumet, një emër që vinte në zemër të viteve 63-77, që nga mosha e re deri tek të riturit e ekipit “Dinamo” si një motor lëvizës jo vetëm me topin, por edhe me ndjenjat e qindra-mijëra sportdashësve shqiptarë. Është futbollisti Ibrahim Xhafa, njeriu që lëvizjet e dikurshme e të panumërta të fushës së blertë, i la të kthyera në lëvizje në hapësirën e ngjeshur të kryeqytetit shqiptar për të mbijetuar, për të nxjerë kafshatën e bukës.

I ashtuquajturi, apo i ashtunjohuri kryeqytetas, Humja, teksa e pashë me një mori gazetash shqiptare para disa kohësh, të mara borxh për të siguruar kafshatën me shitjen e tyre, tavolinë më tavolinë kafeneve anës Pallatit të Kulturës, më udhëtoi në kohë e vend tjetër. E ndërsa sytë më tradhëtonin, ndërsa miku dhe botuesi i librit tim “Kritika Ndryshe: nëjë vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë shqiptare”, Abaz Veizi ma përshkronte dhe prezantonte, unë natyrshëm isha në përhumbjen normale që të kaplon teksa lotët bëjnë punën e tyre. Po aq vite sa Best në futboll, po aq dashuri dhe respekt sa ai në mesin e sportdashësve, po aq rezultate sa i madhi britanik, por krejt ndryshe në jetën e tij. Ndërsa Best iu përkushtua alkoolit, ish-futbollisti i ekipit “Dinamo”, iu përkushtua sfidës së kafshatës së bukës. Gjashtëmbëdhjetë vjetë në fushën e blertë, pesëfish më shumë në fushën e betejës për bukën e gojës. Gjashtëmbëdhjetë vjetë i rrethuar nga britma sportdashësish dhjetra e dhjetra vite në mëshirën e britmave acaruese të ‘politikës’ së kafeneve. Por, ai ndjehet i lehtësuar, i lehtësuar edhe kur dikush si Abaz Veizi i afron diçka më shumë, i afron edhe një kafe…


Kush ishte “Humja”


Ka luajtur trembëdhjetë vjet me ekipin e kategorisë së parë, tre vjet me të rinjtë. Vitet 1963-1965 ishin pikënisja rinore. Vitet 1965-1977 shënuan kulmin e aktivizimit …”,- na tha në këmbë të Pallatit të Kulturës, në një ditë fund-viti, në një ditë që bora i rinte Dajtit si shapkë e bardhë mbi kokë. Ai na sqaroi se në vitin 1977 i e la sportin dhe më pas punoi si inspektor dhe shef i zjarrfikseve. Në vitin 1984 ai u lirua nga kjo detyrë dhe kështu mbeti në një dilemë, deri sa pastaj gati për pesëmbëdhjetë vjet e tre muaj punoi në polici. Ardhja e demokracisë, na tha ai, më gjeti në mes të katër rrugëve, por ai nuk i humbi shpresat për jetën. Gjeti mënyrë jetese me shitjen e gazetave.

“Gazetat m’i japin ish dashamirësit e lojës sime, se më njohin m’i japin pa para”, - shton ai. Pastaj na sqaron se edhe kur dikush nuk ka ndërmend të blejë gazetë, sa e sheh atë me një tufë nën sqetull, për hir të respektit i kthen një monedhë në shenjë mirënjohjeje…Kështu ai gjen sigurinë dhe harron lodhjen, harron sfidat dhe mbetet në kujtesën e viteve të tij të arta të futbollit.

I themi s’e do të shkruajmë për të. Ai kthen kokën me mosbesim. Pastaj dëgjon botuesin tim dhe rikthen besimin tek fjala jonë. “Në rregull, shkruani”, - na thotë, ‘shkruani dhe ju jeni të parët që ktheni kokën seriozisht tek unë, tek një futbollist që i fali rininë kënaqësisë së mijëra sportdashësve në fushën e blertë”.

“Ministria e sporteve…”: Pse ekziston?!

Humja nuk besonte se ka një Ministri të Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Turizmit. Ndoshta ka të drejtë. Ka të drejtë të mosbesojë. Edhe ne i japim të drejtë atij për këtë. Edhe ne e kuptojmë mosbesimin e tij. Fundja a ka vërtet dikush që përgjigjet për fatin e këtyre ish sportistëve të lënë në mëshirë të fatit? A ka ndonjë hapësirë shtetërore për ta? Natyrshëm që është e tepërt të ketë, se ndryshe kush do të shiste gazetat në atë moshë?! I shesin këta emra të mëdhenj, këta ish talentë, si Ibrahim Xhafa, se aty ku ata janë vërtet për tu shitur askush nuk i blen…Nejse, ai, pra Geoge Besti shqiptar i futbollit, edhe pse është harruar nga qeveritë dhe ‘ministritë’ ekzistuese ose joekzistuese, nuk ka si të harrohet nga ata që kanë jetuar në vite me golat dhe lojën e tij. Kështu ata në njëfarë mënyre atij i kanë bërë mirë…, i kanë rikthyer emocionet e lojës së re në fushën e zymtë të politikës shqiptare. Por ende nuk dihet nëse dikush ende e ka ndërmend të kujtohet për bukurinë e lojës së tij, e jo më të mendohet se ndoshta edhe atij i duhet një fjalë e mirë, se nesër edhe po të vihet një statujë zor se do të ketë më shume vlerë se sa mishi i ftohtë i saj… Ibrahim Xhafa, ish futbollisti me emër në futbollin shqiptar edhe me dorën e tij të dëmtuar e gjeti në heshtje sfidën e jetës së tij, ashtu i harruar zyrtarisht, por jo shpirtërisht.


21 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page