top of page

GAZ DHE TË MIRA PAÇ!


Luan Çipi

GAZ DHE TË MIRA PAÇ!

(NDERIM DR. PAVLLO FLLOKOS)

NGA TREGIMET E LUAN ÇIPIT PËR MJEKËT E VLORËS

E shikoja shpesh te “Plazhi Zhiron”, midis Molit 1 dhe Godinës së Dom Markut, në Skelën e Vlorës, duke gjuajtur peshk me grepa, mjekun karizmatik Pavllo Flloko dhe matesha t’i afrohesha e të gjeja ndonjë shkak për të biseduar me të.

Vite më parë kur rronte im atë dhe unë isha fare i ri, dr. Fllokua, shok i vjetër rinie më të, qysh në qytetin e njëjtë të lindjes, Gjirokastër, vinte në shtëpinë tonë, në lagjen Muradie të qytetit të Vlorës dhe së bashku çmalleshin, duke kujtuar me nostalgji ngjarje të lashta të rinisë së tyre. Kur largohej, doktori babaxhan, shpesh i thoshte si me shaka nënës time: Nesër për drekë më ke këtu. Më ka vajtur mendja për laropitë, kolltopitë dhe shapkat, gatime këto të shijuara në Gjirokastër dhe të harruara këtu në Vlorë. Dhe ai vërtet, sa herë vinte ulej në tavoline dhe hante me kënaqësi dhe pa qibër gjithçka gjente dhe kur i ishte plotësuar porosia nuk i kursente fjalët e mira, duke shfaqur dëshirën për të shijuar, herën tjetër, diçka të veçantë nga kuzhina e pasur karakteristike gjirokastrite.

Po vitet ikën dhe vdekja herët e babait tim dhe kthimi i gruas se doktorit nga Jugosllavia, bëri që të krijohen marrëdhënie e preokupime te reja dhe vizitat miqësore gjurmëlënëse të tij në shtëpinë tonë të rrallohen e të sosen.

Megjithatë zëra të brendshëm më thërrisnin që t’i afroheshe e të bisedoje me të, jo vetëm mbresat e hershme, po dhe përshtypjet përcaktuese të opinionit publik, për këtë njeri human të jashtëzakonshëm, që siç thuhej, poqe se do bije i sëmurë në duar e tij edhe buzë varrit të ishe, ai të ngrinte më këmbë.

Të shëronte sa e shihje, me prezencën e tij prej babëloku, pak zeshkan e vetull trashë, me flokët e dendura e të shpupuritura, dhe fytyrën eshtake Doktori të afrohej pa ndruajte me dashuri dhe sikur të përfshinte në krahët, si me shpirtin i tij bujar e paqësor dhe të mbështeste në atë gjoksin e tij të dalë para. Po ta shihje nga prapa do dalloje ca shpatulla të gjera e trupin e fuqishëm, si të një gjimnasti.

Thuhej se kur të vizitonte Dr. Fllokua, mbledhur në konsultë me shokët e tij, mjekë të shquar vlonjatë të kohës së tij: Pustina, Shehi, Kauri, Kallfa, Shyti, Angjeli, Myrzabegu, si në një Akademi Shkencore, diagnoza që përcaktohej, ishte përfundimtare dhe tepër e saktë. Dhe, fjala e fundit në më të shumtën e rasteve, ishte e “Kryeakademikut”, Pavllo Flloko.

Ishin këto arsye, që unë i afrohesha dhe ai, me gjithë diferencën e moshës, po edhe si djalë miku, më pranoi t’i bëja shoqëri në peshkim, aty, te ai sheshi ynë ëndërrimtar i Dom Markut.

Ishte i sinqertë dhe krejt i vërtetë. I ke parë sa shpejt po mbushen varrezat, duke mos pyetur për moshë, më tha një ditë. Po të lexosh pllakat mbi varre, do shohësh edhe shumë datëlindje të rinjsh, madje dhe fëmijësh. Këto kategori, më së shumti, i vdes mjekësia e prapambetur dhe e pa pajisur me aparatura dhe mjekët e paaftë e ndonjëherë neglizhentë.

Kujdesi për mirë ushqyerjen, në kufijtë e buxhetit familjar të secilit, pastërtia dhe profilaksia (përfshirë vaksinimet masive), janë rrugët më të lira dhe më efikase të jetëgjatësisë dhe të shëndetësimit njerëzor, më tha një ditë tjetër, në procesin e edukimit shëndetësor, që ai e ushtronte me të gjithë dhe e quante detyrën numër një të çdo mjeku.

Do t’ju tregoj edhe një ngjarje interesante, për të qeshur:

Në një pasdite, kur ishim po te Dom Marku për të peshkuar, vijnë të alarmuar me taksinë e Mensurit, një mikut të doktorit, dy bura myzeqarë nga Novosela. Ishte Tasi, babai i moshuar dhe djali i tij Nasi, brigadier i bagëtive të imta, në Kooperativën e Tipit të lartë Novoselë.

-Janë miqtë e mi, nisi shpejt prezantimin Mensuri. Kanë një hall të madh: Djali ka tre vjet martuar dhe ndërsa këta kishin hallin e nuses së djalit, që nuk po lindte, me gjithë dëshirën dhe merakun e krejt familjes, ka tri ditë që nusja nuk e ndien veten mirë dhe thotë: jam keq për vdekje. Nusen e kanë dhe shkodrane, se u pleks me djalin kur ai ishte ushtar atje, kështu që detyrimi për mos të pësuar gjë nusja është dhe më i madh, se gjininë e saj e ka larg.

Kemi ardhur me taksi të të marrim deri në Novoselë, të na shpëtosh nusen, doktor. Unë. vazhdoi taksixhiu Mensur, këta miqtë i kam jatak dhe sa herë lëviz andej, këta ma shtrojnë me kos e me djathë tek e tek, apo bëjnë përshesh me bukë misri. Kështu që me peshk ju jeni velur, se zini për ditë, po ngrihuni tani që të dy, të kryejmë këtë detyrë, po edhe të degustojmë më pas, prodhimet e freskëta blegtorale të brigadier Nasit.

Propozimi ishte i prerë dhe mikut tonë, si dhe detyrës humanitare nuk i bëhej dot bisht, ishte mendimi im, më shumë i tërhequr nga kosi i deles, se mjek urgjence kishte edhe në Novoselë, ndërsa rastet e veçanta, rregullisht trajtohen në Spital, kur dhe taksinë e kanë të mikut.

-Si do bëjmë doktor e pyes nga afër.

-Ngriu Luan, mblidhi takëmet, se unë nuk e thyej dot betimin e Hipokratit, do nisemi sa me shpejt, se dhe çantën e urgjencës mjekësore e kemi këtu, që të kryejmë punë dhe të kthehemi në shtëpitë tona me ditë.

Për gjysmë ore u sosëm te shtëpia e brigadierit Nasi. Shtëpia ishte tip Elbasani dhe e ndërtuar rishtas për merak. Në krye të shkallës na priti Marria, plaka e shtëpisë dhe ndërsa ne ngelëm te dhoma e miqve, doktori direkt e te dhoma e çiftit, i vetëm.

Vizita zgjati ca se ishte edhe porosia e mikut dhe u kontrollua me themel. Pas 20 minutash doktori doli duke futur stetoskopin dhe një aparat tjetër, në çantën e tij e duke qeshur.

-Hë doktor, folën njëzëri Tasi, Nasi dhe Marria. Ka gjë?

-Ka moj, ka, kot nuk ankohej nusja.

-Po çfarë ka, malukatja, që na ënjti ka tri ditë e tri net. Dhe me zë të ultë: Ka gjë për vdekje?

-Jo, moj jo. Gazra ka, gaaazra.

-Gaz dhe të mira paç! Shpejtoi të uronte vjehrra Marrie.

Gjithë pjesëmarrësit aty sa nuk u hodhën përpjetë nga gëzimi, se menduan që gazi dhe hareja janë gjë e mirë dhe aluduan, si dëshironin prej kohe, që nusja të kishte rënë me barë.

E vjehrra nuk duroi dhe direkt e te pyetja e dytë:

-Po, sa muajsh është?

-Po jo, moj e mirë, unë thash ka gazra, në të vërtetë nusja kishte gazra (pordhë biçimi) dhe njëkohësisht ishte kaps dhe unë i bëra një klizmë, e çlirova dhe ajo tani është fare mirë. S’ka asgjë për vdekje, si kishit ju merak.

Për mua, e keqja më e madhe ishte se, kur u mësua e vërteta e gazrave të nuses, aty plasi një lloj e qeshure, sa askujt nuk i vajti mendja për kosin e deles dhe ne... i hipëm taksisë së Mensurit dhe fill e në shtëpitë tona në Vlorë.

#Luan #Çipi, nga Libri RRËFENJA DHE TREGIME

20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page