Fuqia e parasë
(Ironi)1
Paraja bën ligjin,
me para blen jetën,
lëre ndershmërinë,
po shiko kuletën!
Shit dinjitetin,
shite për para,
ndrysho karakterin,
pa para jetë s`ka!
Paraja është busull,
paraja yll polar,
pa para në xhep,
mbetesh një lypsar!
Kur s`bën dot para,
je krejt pa emër,
s`të thotë më askush,
t ‘kam “shpirt e zemër!”
Të thonë je i paaftë,
të thonë je i pazoti,
s`nxjerr qimen nga qulli,
qenke kot së koti!
Ti mos e çaj kokën,
kur të thonë hajdutë,
është zanat i vjetër,
s`të lë kurrë pa bukë!
Gënje e mashtro,
bëj punë të pista,
ndryshe je askush,
blen bukë me lista.
Me para blihen,
karriget e shtetit,
edhe vet drejtësia,
ia ndjen lezetin!
Me para nderohesh,
bëhesh dhe i ditur,
merr tituj dhe grada,
shfaqesh mendjendritur!
Të gjithë të përkëdhelin,
me lavde dhe pekule,
të bëjnë libra, këngë,
të mbulojnë me lule!
Paraja bën çudira,
e hedh ujin përpjetë,
të bën të lavdishëm,
të bën edhe mbret!
Paraja të shpërblen,
të bën lider bote,
të bën diktator,
fosil të kësaj toke...2
...........
1. Ironi - Tallje (për dikë a për diçka) që bëhet në mënyrë të hollë e të mbuluar, duke folur gjoja me gjithë mend; qesëndi...
2. Fosil - Mbeturinë e një kafshe ose bime parahistorike, që është mbuluar në tokë...
Comments