FRONTI I KUQ POPULLOR (FKP)
Para disa ditëve bashkëveprimtari shumëvjeçar Emrush Xhemajli më kritikoi me të drejtë, përse nuk po ofroja informacion për Frontin e Kuq Popullor (FKP). Spontanisht iu përgjigja: “Po më vjen turp.”
Në ndërkohë reflektova: megjithatë duhet të informoj, edhe pse i bie të përsëris rrëfimin që e kam bërë përmes romanit “Atentatet" në vitin 2007. Por kësaj radhe po rrëfej në format kumtese për konferencë përkatëse që do mbahet në Prishtinë.
Parahistoria
Në qershor 1978 në Kosovë është festuar me pompozitet 100-Vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në Emigracionin ekonomik (në Perëndim) mungonte kapaciteti intelektual për ta shënuar atë përvjetor sepse emigrantët ishin pothuajse vetëm fshatarë, shumica pa arsimim, madje as 8-vjeçar.
Duke qenë student në Universitet në Bochum pata shfrytëzuar mundësitë që i kisha në zyrat e Lidhjes së Studentëve (AStA) dhe në Evangelische Studenten Gemeinde (ESG), dhe sajova një lloj fletushke të formatit A2 (e palosur në format A4) , të titulluar “Rron or rron e nuk vdes shqiptari”. Ajo e kishte si tematikë 100-Vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Ishin kryesisht shkrime të huazuara nga revistat dhe gazetat e Shqipërisë dhe të Kosovës. Atë fletushkë e shpërndamë gjithandej, deri edhe në Belgjikë, Zvicër, Danimarkë e Suedi, meqë deri atëherë kisha njohur bashkatdhetarë edhe në ato shtete.
Atëherë kisha të drejtë pune vetëm gjatë pushimeve semestrale, meqë isha me pasaportë jugosllave, me leje qëndrimi në Gjermani si student. Qysh në verën e vitit 1977 shkova të punoj në një punishte të gurit të mermerit në Plochingen, ku ishte mjeshtër dhëndëri im Ramush Kastrati. Atje pata fatin të njihem me Hysen Gegën dhe Bardhosh Gërvallën. Ndërsa në vizitë të daja Mustafë (Iberdemaj) në Erlagen pata rastin të njoh Qemajl Bajramin (nga Reka e epërme / Maqedoni), përmes të cilit e njoha edhe Maksut Saramatin (Zhur/Kosovë) dhe bashkëveprimtarë të tyre. Të gjithë këta ishin politizuar nga literatura e Shqipërisë që e shpërndanin komunistët gjermanë (enveristë).
Bashkatdhetarët që i njihja, sidomos ata në Klubin Shqiptar në Dyseldorf me rrethinë, u angazhuan ta shpërndanim atë fletushkë. Ajo pati goxha jehonë, sepse ishte hera e parë që po ndodhte një aktivitet i tillë. Paraprakisht, në fund të vitit 1976 pata sajuar një broshurë me citate nga “veprat” e Enver Hoxhës, meqë i pata lexuar “me një frymë” 11 vëllimet e para. Edhe ajo broshurë më pat afirmuar, por në grupime tepër të vogla (atëherë banoja te Vëllai Mustafë e Kunata Sabrije, në Mülheim/Ruh, në kushte të rënda sociale).
Ai politizim u shfrytëzua mjeshtërisht nga Xhevat Ramabaja, i cili prezantohej si “Xhaviti” (nga Rrethi i Kamenicës, jetonte në Bielefeld). Ai bëri kërkesë këmbëngulëse që të formonim organizatë revolucionare “ilegale” (term i përdorur gabimisht në vend të shprehjes klandestine/të fshehtë).
Në vitin 1977 frekuentoja edhe ligjëratat për Kanunin e Lekës. Ligjërues ishte albanologu i vetëm në Gjermaninë Perëndimore, tashmë i ndjeri Lazar Dodiq (kroato-gjerman i lindur në Janjevë të Kosovës). Ai kishte mbaruar shkollën fillore dhe të mesme në shkollën e jezuitëve në Shkodër dhe në vitin 1948 ishte arratisur në Itali. Në Romë kishte studiuar albanologjinë. Mentor për doktoratën e ka pasur Ernest Koliqin. Në ato ligjërata pata fatin të njihesha edhe me kroatin Vinko Knezoviq (nga Zagrebi, jetonte në Wuppertal). Ai kishte qenë njëri nga udhëheqësit e studentëve në Pranverën kroate Maspok (1971). Punonte si arkitekt. Ishte komunist/enverist. Ai ishte frekuentuesi i rregullt i atij seminari. Në njërën nga ligjëratat Vinko solli me vete një psikopat gjakovar, me emrin Besim Rexha, i cili fare pa u skuqur prezantohej sikur ishte anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së; ndërsa emri që kishte përzgjedhur ishte “Shpat Gjirokastra”, duke aluduar në Enver Hoxhën. Në banesë të tij kishte improvizuar një kabinet si të Enver Hoxhës. Banonte në Velbert. Në ligjëratën e katërt Profesori Dodiq e përzuri dhe ia ndaloi pjesëmarrjen e mëtejme, sepse e “kritikonte” Profesorin si reaksionar e anti-enverist sepse po ligjëronte “kanunin reaksionar”. Ai farë Besimi më pati njoftuar me Xhevat Ramabajen. Ata të dy ishin njohur mes tyre gjatë veprimtarisë si anëtarë në Partinë Komuniste Gjermane/Marksiste-Leniniste (KPD/ML), e cila ishte parti enveriste dhe sponsorizohej nga Politbyroja e PPSH-së (që menaxhonte 500 milionë USD që Kina ia kishte besuar - t’ua jepte si ndihmë partive komuniste në Europë dhe kontinente tjera). Xhevati, një gjysmanalfabet ashtu si Besimi, kishte të mbaruar kurse politike në Gardën ushtarake të Mareshalit Tito (ndoshta edhe kurse si informator i shërbimit përkatës të Beogradit).
Themelimi i FPK-së
Pikërisht Xhevati më bindi që të themelonim një organizatë revolucionare enveriste. Në vjeshtë 1978 bëmë mbledhje themeluese katër veta, në dhomën time në konvikt të studentëve. Datën nuk e mbaj mend sepse nuk mbaja shënime për shkaqe sigurie. Ishim Besim Rexha, Xhevat Ramabaja, Idriz Bajra (nga Istogu, me banim në Bochum) dhe unë. Asnjëri nga ata të tre nuk kishin frekuentuar shkollë të mesme, ndërsa unë, pas 6 semestrave studime të fizikës në Prishtinë, po studioja tashmë germanistikë dhe filozofi, në vitin e parë. Paraprakisht po në Ruhr-Universität në Bochum kisha absolvuar dy semestra gjuhë gjermane (si rregull duhej katër semestra, por kisha mësuar paksa gjermanisht më herët), si parakusht për regjistrim për studime. Po me propozim e insistim të Xhevatit, organizatën e emëruam Fronti i Kuq Popullor, duk qenë të frymëzuar nga fama që kishte RAF-i famoz (Rote Army Fraktion / Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe), e cila po dridhte Gjermaninë Perëndimore më atentate politike dhe zyrtarisht diskualifikohej dhe luftohej si organizatë terroriste, por që përkrahej shumë sidomos nga studentët.
Vrulli adoleshent revolucionar bëri që angazhimeve t’u përvishesha pa i pasur kapacitetet e duhura intelektuale e financiare. Por suksesi në afirmim ishte i shpejtë dhe i madh fal mundësisë që kisha si pjesëtar i udhëheqjes në Lidhjen e studentëve të Universitetit, ku ishin mundësitë shpërdoruese për të shumëzuar trakte pa pagesë.
Me Albanologun Lazar Dodiq kisha krijuar raporte pothuajse të tipit prind-fëmijë, sepse ai më kishte ndihmuar të regjistrohem në Universitet dhe të sistemohem në konvikt të studentëve. Bile pat shprehur gatishmërinë të më ndihmonte edhe financiarisht për nevoja elementare jetësore. Thoshte se kësisoj se po kthente borxhin, sepse më herët e kishin ndihmuar shqiptarët në Romë. Por, më me rëndësi ishin këshillat e tij, meqë ai ishte edhe kuadër politik në partinë social-demokrate gjermane SPD (ishte kryetar i SPD-së në lagjen buzë Universiteti).
Meqë Albanologu Lazar ishte i arratisur politik nga Kosova, i tregova për themelim të FKP-së. Ai u hidhërua shumë pse nuk e kisha pyetur paraprakisht. E hidhëroi edhe fakti se psikopati Besim Rexha ishte bashkëthemelues. Hidhërimin e tij e arsyetoi edhe me problemet që do t’i kishim nga institucionet gjermane të sigurisë. Për atë shkak aty e tutje u përcaktua të kishim distancë mes nesh.
Fatmirësisht qysh në semestër të parë në filozofi pata zgjedhur seminarin “Dyshimi kartezian” (Cartesischer Zweifel), sepse shquhesha si dyshues, prandaj më interesonte aspekti filozofik për dyshimin – një fenomen që ka nxitur iluminizmin europian. Gjatë 5-6 muajve pasues të bashkë-veprimtarisë dyshova dhe u binda se Xhevat Ramabaja ishte kuadër i shërbimit të Beogradit, i penetruar në KPD/ml (ndoshta shfrytëzohej si V-Mann/spiun edhe nga gjerma¬nët, meqë shërbimet gjermane dhe jugosllave ishin simotra). Sidomos insistimi i tij që t’i anëtarësoja gjithë bashkëveprimtarët, duke i bindur që të plotësonin e të nënshkruanin formularin për anëtarësim (propozonte formular të ngjashëm me atë të KPD/ml), më shtyri t’u them atij e Besimit se unë po dilja nga FKP-ja dhe për mua FKP-ja nuk ekzistonte më.
Në fakt veprimtaria e FKP-së kishte marrë goxha përmasa, sepse kishim filluar të nxjerrim edhe organin “Bashkimi” dhe kishim miratuar edhe Programin dhe Statutin. Meqë nuk dija se si hartohen programe e statute organizatash politike, e pata lutur një profesor, i cili ishte shumë afirmuar si ideolog i Lëvizjes studentore të viteve të 1960-ta, por në ndërkohë ishte afirmuar edhe si studiues i germanistikës. Edhe ai ishte një kripto-komunist-enverist. Atij ia rrëfeva themelimin e FKP-së. Ai formuloi projekt-programin e projekt-statutin e FKP-së. E shqipërova. Në mbledhje të radhës e miratuam. [Në banesën e atij profesori gjerman pata dërguar si mysafirë Hasan Malën dhe Saime Isufin në vjeshtë të vitit 1982, sepse Saimja qysh në shkurt 1982 pati shprehur interesimin për të studiuar në Gjermani. Profesori dhe Bashkëshortja e tij patën shprehur gatishmëri ta mbanin Saimen në shtëpi të tyre e ta ndihmonim financiarisht deri sa t’i mbaronte studimet. Hasan Mala, që tashmë po komandonte si trashëgimtar organizativ i Kadri Zekës (duke imituar Xhafer Durmishin, “trashëgimtar” i Jusuf Gërvallës), nuk e lejoi Saimen ta shfrytëzonte atë favor për të studiuar në Gjermani.]
Digresion
Në fund të dhjetorit 1979 e takova për herë të parë Jusuf Gërvallën në Ludwigsburg (në zyrë të “Arbeiterwohlfahrt” ku ishte i punësuar si punëtor social i vëllai Bardhoshi). Në ndërkohë ia pata dhënë Jusufit atë Program e Status, të cilin e kishim përgatitur e shumëzuar si broshurë të formatit A5. Jusufin e luta t’ia bënte korrekturën drejtshkrimore.
Fatkeqësisht Jusufi, - për arsyet që nuk i di, - e ka dezinformuar udhëheqësin e tij, Sabri Novosellën, në “raportin” që ia ka dërguar më 31 korrik 1981:
“Më vjen një ditë, (vitin e kaluar), në derë me disa shkresurina që vetëm titullin e kishin të qartë: Programi dhe Statuti i Frontit të Kuq Popullor, dhe më lutet t’ia korrigjoj në pikëpamje drejtshkrimore. Më pastaj më autorizon që të preki, po e pashë unë të arsyeshme, „si njeri me përvojë“, edhe në anën materiale të pikave të përfshira në program e statut. Mirë, them, dhe meqë përmbajtja e shkresurinave ishte pa kokë e pa bisht, i hy unë punës me gjithë seriozitetin me ato pak njohuri që kisha. Gjithmonë kisha parasysh se pas punës sime ai do t’ua kthente shokëve për diskutim Programin dhe Statutin e Orga¬nizatës së tyre. Por, doli ndryshe. Doli se I. K. i ishte tekur të bënte një natë pa gjumë dhe të hartonte këmbadoras një program dhe statut të një organizate revolucionare, të cilin e botoi dhe e shpërndau si „literaturë revolucionare“ menjëherë pas „korrigjimeve“ që ia bëra unë. E puna që kisha bërë unë më atë rast, s’ishte punë korrigjimi.
Fatkeqësisht në qershor 1980 me Jusufin kemi pas grindje të ashpër, por krejtësisht aksidentale, banale. Jusufi më herët tregoi rastësisht për një shok në Munih që po e përgatiste që ta kishim kuadër atje. Kur ia tha emrin, Misin Mavraj, u irritova. I tregova se ai ishte një karaxhoz kriminel e degjenerik, meqë e njihja shumë më herët në Kosovë. Krijova përshtypjen se më dëgjoi.
Në Mynih, në qershor 1980, klubi “Rilindja” kishte paralajmëruar kuvend për të zgjedhur udhëheqësi të re. Shkuam pesë veta si përforcim të Maksut Saramatit, Xhafer Bashës dhe të tjerëve - për të zgjedhur njeriun tonë. Dështuam. Në fund të mbledhjes Bali Rexhbogaj, nga Bllagaja e Pejës, - i cili përpara ishte i punësuar në Dyseldorf e tani në Munih, - na mori mysafirë pothuajse me zor. Duke parkuar para pallatit ku banonte Baliu rastisi t’i kemi përpara me automobil Bardhoshin e Jusufin, edhe ata duke parkuar. Kur dolëm nga automobilët ata dhe ne, Jusufi ulëriti: “Vërtet po dyshon se më ka dërguar UDB-ja prandaj po më përcjell!...” [perifrazim]. U krijua situatë tepër e rënduar, meqë ne ishim aty rastësisht, vetëm pse na kishte ftuar Baliu. Jusufi e Bardhoshi kishin ardhur enkas në vizitë te Misin Mavraj, i cili banonte në të njëjtin pallat me Baliun. Jusufi ende nuk e kishte kapërcyer traumën që i kishte shkaktuar Riza Salihu. Mezi e qetësuam, meqë të gjithë na hynë në mes (Nazmi Nuha, Haxhi Bega, Safet Azizi, Bali Rexhbogaj), me një sqarim bindës se cila ishte rastësia që ne u gjendëm aty në të njëjtën kohë. Por atë grindje e kapërcyem shpejt. E dëshmon edhe letra që më ka dërguar në shtator 1980 (dy muaj pas atij aksidenti). Citoj:
“(...) Pikërisht duke çmuar mënyrën tënde, me gjithë vërejtjet e shumta që kam pasur të dal para teje me kërkesa të prera që ajo t’i nënshtrohet mënyrës sime. Dhe kështu, për kaq kohë sa njihemi- e nuk është pak, po më se dhjetë muaj - ne të shumtën i kemi rënë kush thumbit e kush patkoit. Mendoj se kjo e ka arsyen e vet objektive. Ti ke njerëzit e tu, me të cilët, sipas mendjes sime, ke vështirësi në realizimin e kontakteve për shkak të largësisë. Kam përshtypjen se, pos kësaj, edhe me ta ke mospajtime dhe sugjerime, e urdhrave të tyre s’të fle në hatër tu përmbahesh gjithmonë. Unë, nga ana tjetër, i kam humbur të gjitha lidhjet me njerëzit e mi dhe për çdo hap që bëj kam stërngarkime, sepse nuk e di në mos bej gjësend, që nuk përputhet me luftën aktuale që bëjnë ata në vendlindje. Kjo është një tragjedi vetvetiu. Kurse tragjedia tjetër është se edhe unë edhe ti, në këto kushte, ndiejmë pasiguri në një pikë: kë përfaqësojmë dhe a mund të flasim në emër pozitivë, sepse në këtë mënyrë mund të supozohet se ia del t’i mbash frerët e njerëzve me të cilët punon. (...)”.
Kjo grindje është shpërdorur me të madhe nga diversionistët që mundoheshin të na përçanin.
Vetëkuptohet që herë pas here kemi pasur edhe debate, ndonjëherë edhe grindavece (sepse nuk ishim dashnorë...), ta zëmë për terziun anadollak Sabri Novosellën dhe për platformën ideopolitike që duhej të kishim. Megjithatë i kemi sfiduar! Këtë e dëshmon edhe përmbajtja e letrës që Jusufi ma ka dërguar më 15 janar 1982 (dy ditë para vrasjes):
“I dashur shok Ibrahim,
Me bisedën që patëm në dasmë, unë në njëfarë mënyre u tregova i padrejtë ndaj teje. Por, duhet ta kesh kuptuar që gjaknxehtësinë time mund ta zbrazja vetëm mbi një shok me të cilin nuk kemi pasur kufij. (...)”.
Megjithatë UDB-ashi Sabri Novosella dhe marionetat e tij diversioniste ia dolën të zvarrisnin bashkimin, të cilin ia dolëm ta realizonim më 17 Janar 1982 – por që e vuajtëm me martirizim të Jusufit, Kadriut e Bardhoshit.
Angazhimet diversioniste të Xhevatit dhe Besimit
Qysh në janar 1980 Jusufi ka shprehur gatishmëri për ta përgatitur e redaktuar “Bashkimin”, meqë ia bëmë lutjen. Vetë Jusufi ka thënë se “Bashkimi” i kishte rënë në dorë qysh në Kosovë dhe se ka qenë njëri nga motivimet që të arratisej në Gjermani për ta përsosur atë gazetë (organ). Numrin e fundit të tij e kemi botuar në janar 1981, duke e bërë me dije ndërprerjen e botimit të tij. Do ta kishim botuar më shpesh nëse do të kishim financa dhe shkrime. Edhe ata pesë numra i kam financuar vetë, meqë më vinte keq t’u kërkoja ndihma emigrantëve të mjerë ekonomikë (e “metë” kjo që dëshmonte se nuk kisha dhunti për të qenë udhëheqës politik). Njëherësh patëm bërë me dije ngrirjen e veprimtarisë organizative të FKP-së – për të pritur bashkimin, sepse po keqkuptoheshim sikur po garonim me LNÇKVSHJ-në; atëherë gabimisht e vlerësonim sikur Jusufi ishte kuadër udhëheqës i saj (më vonë, nga letërkëmbimet e Jusufit me Sabriun e kam kuptuar se Jusufi paskësh qenë vetëm viktimë e kapur nga Sabri Novosella).
Fatkeqësisht Xhevati dhe Besimi te Jusufi gjetën idealistin naiv, pa përvojë organizative dhe pa njohuri për luftën speciale, diversioniste, të shërbimeve armiqësore. Ata e dezinformonin prapa shpine Jusufin për angazhimet e mia, sikur mua po më financonte “reaksioni kroat” , sikur mua po më shpërdoronte “reaksioni shqiptar” dhe broçkulla të ngjashme që i përmban “raporti” të cilin Jusufi ia kishte dërguar Sabri Novosellës. Këtë e dëshmon edhe vendimi i Jusufit, krejt befasues, në fillim të qershorit 1981, që të bënim mbledhje urgjente në banesën e Besim Rexhës në Velbert, në atë kabinetin e tij që imitonte kabinetin e “Shpat Gjirokastrës”. Një javë më herët kishim caktuar një demonstratë në Bruksel. Në ndërkohë Xhevati, Besimi dhe soji i tyre e kishin alarmuar Jusufin: “Në Bruksel do të derdhej gjaku deri në gju, meqë demonstruesit enveristë do të sulmoheshin nga reaksioni anti-enverist”. Prandaj Jusufi i alarmuar e kishte caktuar atë mbledhje që të anulonim atë demonstratë. Pos Besim Rexhës, si nikoqir, merrte pjesë edhe Kadri Zeka, Hyzri Reka, Xhevat Ramabaja (nuk po më kujtohen pjesëmarrësi tjerë). U vendos ta anulonim demonstratën (me votën time kundër). U caktuam unë e Hyzri Reka të shkonim në Bruksel që t’i bindnim bashkatdhetarët për ta anuluar demonstratën. Në Bruksel nuk i bindem dot bashkëveprimtarët. Edhe me atë rast u keqkuptova, sikur fshehurazi i kisha informuar bashkëveprimtarët në Bruksel, - të cilët nuk i njihnin as Jusufi e as Kadriu, - se unë isha pro mbajtjes së demonstratës. Prandaj të hënën erdhën edhe Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla, që edhe ata të provonin t’i bindnin bashkatdhetarët. U vendosëm në banesë të Basri Rekës, vëllait të Nebih e Hyzri Rekës. Edhe Kadriu e Bardhoshi u bindën për mbajtjen e demonstratës, edhe pse ishin aty për t’i bindur bashkatdhetarët për të kundërtën. Banesa e Basriut dhe e Shyhretes u bë bazë strehuese e koordinimit të parapërgatitjeve për demonstratë. Duke qenë aty Vebi Ibrahimi, marionetë e shërbimeve jugosllave, gati u kap në flagrancë duke i vënë eksploziv makinës së Bardhoshit (e ka parë Sefer Haxhijaj gjersa po vinte te ekipi koordinues dhe e ka pyetur se çfarë po bënte në atë automobil të Gjermanisë...).
Fatmirësisht demonstrata në Bruksel ishte demonstrata më e madhe, më e rregullt dhe më e suksesshme nga të gjitha demonstratat qysh nga e para, ajo e 11 prillit në Bernë.
Fatkeqësisht Jusufi nuk u bind se Xhevati ishte kuadër i shërbimeve jugosllave as kur na komplotoi në demonstratën që patëm bërë në München. Me insistim të Jusufit Xhevatit iu lejua të filmonte me video-kamerë demonstratën, me arsyetim se “incizimi i duhet historisë”. Jusufi garantoi që ai incizim nuk do të shpërdorohej. Fatkeqësisht fragmente nga ai incizim pati emetuar televizioni serb, sepse Xhevati ia kishte dalë t’ua dërgonte një kopje. [Atëherë nuk lejonim video-incizime e fotografime sepse pothuajse të gjithë demonstruesit ishin emigrantë ekonomikë dhe do të rrezikoheshin kur të shkonin për vizitë në vendlindje, nëse do të identifikoheshin si pjesëmarrës në demonstrata. Për përmasat e pasojave konkrete nga ai incizim nuk kam pasur e nuk kam informacion.]
Rezyme
• Për shkak të gabimeve që ndodhën qysh në themelim – në platformën ideopolitike dhe në emërtim – FKP qysh në start nuk e praktikoi mënyrën klasike të organizimit, të cilën e kanë praktikuar organizatat revolucionare-enveriste, qysh në vitin 1963 kur Ramadan Shala me bashkëveprim¬tarë themeluan organizatën Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH). Pothuajse të gjitha kanë bërë rekrutime dhe evidentime të anëtarëve, duke praktikuar atë disiplinë që ngjason me rekrutimet e evidencat e praktikuara nga ushtritë. Përjashtim nga “rregulli” bënin të ashtuquajturat organizata që i formonin shërbimet jugosllave, siç duhet të kenë qenë LNÇKVSHJ (Sabri Novosella) dhe PKMLSHJ (Abdullah Prapashtica). Pra, FPK-ja qysh në start praktikoi organizimin që i ngjasonte “Lëvizjes popullore” të Lidhjes së Prizrenit, e cila nuk kishte as rekrutim dhe as regjistrim të anëtarëve.
• FKP u themelua nga emigrantët në Emigracion në shtator 1978 dhe së shpejti u bë organizata më masovike klandestine në Emigracion; ky fakt u dëshmua nga demonstrata në Bernë, më 11 prill 1981, deri kur FKP u bashkua në Lëvizjen për Republikë të Kosovës, më 17 janar 1982. Numrin më të madh të pjesëmarrësve të saj e përbënin simpatizantët e FPK-së, e cila tashmë ishte legjendarizuar si emër i famshëm, ndërsa simpatizantët e LNÇKVSHJ-së dhe të OMLK-së ishin fare pak veta, sepse as Jusufi e as Kadriu nuk ishin angazhuar deri atëherë të takonin bashkatdhetarë. (...)”.
• Është rasti i parë në gjirin e organizatave revolucionare-enveriste klandestine, që e joshi dhe e afirmoi Jusuf Gërvallën, edhe pse i vetëmashtruar prezantohej si kuadër i LNÇKVSHJ-së, duke ia besuar edhe redaktimin e organit “Bashkimi” dhe “korrekturën drejtshkrimore” të Programit dhe Statutit të FKP-së.
• FPK ishte rast i parë dhe i vetëm në gjirin e organizatave revolucionare-enveriste që i mirëpriti si udhëheqës të demonstratave dhe të tubimeve informuese kuadrot e organizatave simotra LNÇKVSH-së dhe OMLK-së, rrjedhimisht kuadrove të tyre përkatës, Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka, edhe pse ato organizata nuk mobilizonin as një të tretën e pjesëmarrësve.
• FPK ishte e vetmja që qysh në janar 1981 ngriu veprimtarinë organizative e propagandiste për hir të bashkimit dhe për ta përshpejtuar bashkimin, duke evituar garën që i hutonte dhe irritonte bashkatdhetarët.
• Në aspektin voluminoz të propagandës, me material të shtypur, FKP-ja duhet të ketë qenë më produktivja, jo vetëm në Emigracion, por edhe në Kosovë, që nga krijimi në vjeshtë 1978 e deri më 17 Janar 1982, kur është bashkuar me OMLK-në dhe LNÇKVSHJ-në – në Lëvizjen për Republikën e Kosovës.
• FPK-ja nuk duhet të ketë pasur pothuajse asnjë të dënuar politik, meqë asnjëherë nuk ka praktikuar shënime apo evidencë konkrete të emrave e as anëtarësime që rëndom i praktikonin organizatat klandestine – me betime para flamurit apo ndonjë fotoje të preferuar – të cilat pastaj përdoreshin si prova në procese gjyqësore gjatë gjykimit të anëtarëve të organizatave tjera.
• FPK duhet të ketë qenë njëra nga organizatat e cila me emërtimin e saj “bombastik” dhe me platformën enveriste-marksiste-leniniste, mund t’i ketë shkaktuar dëm ose jo çështjes kombëtare duke e komprometuar si një lëvizje e “ekstremizmit të majtë stalinist” në hemisferën demokratike perëndimore, nga e cila do të varej më vonë suksesi i çlirimit të Kosovës.
P.S. (ose personale / subjektive):
Gabimi, gjegjësisht faji, që kam bërë kur kam bashkëthemeluar FKP-në, pos që ka shkaktuar pasoja kombëtare, më pati shkaktuar pasoja të mëdha personale. Aty e tutje institucionet policeske gjermane mu qepën nga pas pothuajse njësoj siç jam përndjekur nga SDB-ja në Kosovë. Në vjeshtë 1979 njësia speciale GSG 9 (polici speciale, e formuar enkas për ta zhdukur me dhunë RAF-in revolucionar), më pati sulmuar barbarisht në konvikt të studentëve, duke ma komunikuar: “Dyshoheni se jeni pjesëtar i RAF-it terrorist”. Shpërdoruan si argument shkrimin që e kishte publikuar gazeta e një grupimi emigrantësh kroatë “Hrvatska drzava”, që dyshohej se ishte krijuar nga shërbimi jugosllav. Autor i shkrimit ishte marioneta e SDB-së Emin Fazlia (alias Emil Kastrioti). Ai më akuzonte si përkrahës logjistik i RAF-it. Ai sulm që më bëri GSG 9 qe bërë skandal i madh, meqë studentët e konviktit patën bllokuar hyrje-daljet e konviktit; studentët atëherë e urrenin shumë GSG 9 si falangë e borgjezinë revanshiste. U desh të vinte në konvikt edhe rektori i Universitetit për ndërmjetësim dhe unë shpëtova pa më arrestuar.
Tjetra, edhe pse në ato vite në Gjermani nuk kishte mjaft përkthyes gjermanisht-shqip , mua nuk më angazhonin, pos në raste ordinere apo kur nuk gjenin asnjë përkthyes, sepse tashmë kisha dosjen si dyshuar për ekstremizëm radikal.
Vitin e Ri 1983 e pata kaluar në një burg në Konstancë dhe isha me fat që nuk më ekstraduan në Jugosllavi, meqë më kapën duke kaluar ilegalisht kufirin Gjermani-Zvicër pa pasaportë (pasaporta jugosllave qe kisha më pati skaduar më 22 dhjetor 1982).
Në vitin 1995, duke qenë përkthyes në Zirndorf, ku ishte kryeqendra federative për shqyrtimin e kërkesave për azil, pati ndërhyrë një serbofil i LVS të Bayernit (shërbim simotër me UDB-në), i cili më nxori nga zyra dhe ma komunikoi ndalesën për përkthim për institucionet shtetërore në Bayern (Bavari). Arsyetimi i tij gojor ishte një ankesë që kishte dërguar kryetari i LDK-së në Gjermani, zagari i krye-UDB-ashit Selim Brosha, me nder me thënë Haviz Gagica. Ai kishte shpifur se unë po i diskriminoja azilkërkuesit që prezantoheshin anëtar të LDK-së.
Përndjekja dhe diskriminimi gjatë më shumë se 20 vjetësh në ekzil kulmoi të mërkurën e 16 qershorit 1999, kur sërish policia speciale, kësaj radhe e angazhuar nga BKA (Bundes kriminal Amt / Enti Federativ për Kriminalistikë), në orën katër të agimit, sulmuan banesën tonë në Këln, duke bastisur materiale që mendonin se u duheshin për hetime. Akuza ishte se unë kisha financuar UÇK-në terroriste. Me atë rast mezi ia pata dalë të arratisem nga Gjermania. Më toleruan në Kosovë. Në fund të vitit 2002 i mbyllën hetimet, duke arsyetuar se nuk kanë gjetur prova konkrete për të ngritur aktakuzë. Në të njëjtin agim BKA-ja serbofile ka sulmuar e bastisur zyrat e Fondit “Vendlindja thërret” në gjithë Gjermaninë dhe të paktën 30 banesa të veprimtarëve të Fondit. I kanë konfiskuar të paktën 2.5 milionë DM që i kanë gjetur në xhirollogarinë bankare të Fondit dhe në zyra e banesa të veprimtarëve të Fondit. Kanë konfiskuar edhe gjithë dokumentacionin e Fondit.
Fatkeqësisht edhe një herë që dëshmuar se në pozicione udhëheqëse nëpër institucionet gjermane ende kishte shefa jugosllavofilë, përkatësisht serbofilë...
Edhe dosja policore gjermane ishte një arsye më shumë që unë të tërhiqesha nga angazhimet politike, qeveritare e partiake në Kosovën e çliruar, meqë nuk dëshiroja t’i shkaktoja telashe Kosovës, sepse institucionet serbofile gjermane më kishin damkosur edhe si financues të UÇK-së terroriste.
Mundet që përmbylljes së këtij shtjellimi i shkon perifrazimi i krye-UDB-ashit Mehmet Hasku. Ai para më shumë se dhjetë viteve, në prani të shumë vetave, në Restoranin “Guri i kuq” në Liqenat (Rugovë), pasi rrëfeu si e kishte koordinuar luftën subversive kundër meje, duke e shpërdoruar sidomos Hysen Gërvallën, pati thënë: “Është befasi e madhe se si ke shpëtuar pa të vrarë apo pa e vrarë ti dikë, ose pa u çmendur, kur kam parasysh se sa shumë dhe se çfarë kemi shpifur e dezinformuar për ty.”
Ibrahim Kelmendi
Comments