
20 FRUER 1946.
“Po, mos harroni ju se, unë jam Shqiptar!”
At Anton Harapi OFM, asht le në Shirokë pranë Shkodres me 5 Janar 1888, dhe asht pushkatue në Tiranë, pranë lumit Lana me 20 Fruer 1946. Një Françeskan i kulluem! Atdhetar i perkushtuem, dijetar e filozof pa ma të voglen kreni. Shkrimtar plot talent. Një predikatar i adhuruem nga rinia shkodrane, me cilsitë e një oratori të spikatun modern.
Klerik i paisun me të gjitha virtytet e Paraardhësve të vet, në sherbim të “Atdheut dhe të Fesë”!
I Nderuemi At Justin Rrota OFM, shkruen: “At Anton Harapi ka kenë antiitalian, prandej u zgodh At Antoni në dergatën e 12 prillit 1939, për me u tregue atyne qendrimin e klerit katolik Shqiptar.”
Ishte viti 1943... Tokat Shqiptare filluen me u skuqë prej gjakut të luftës civile “nacional – çlirimtare” të partizanëve “tanë”, me “yllin e kuq” të Titos në ballin e Enver Hoxhës...
Lexoni me kujdes: AT ANTON HARAPI E PRANOI DETYREN NË RREGJENCËN SHQIPTARE (1943), “ME KUSHT: MOS ME NËNSHKRUE ASNJË DËNIM ME VDEKJE!” (Dosja 1068)
A ka ngja kjo në ndonjë vend tjeter në Botë ?!..
A e mbajti fjalen At Antoni ?!
Me 4 shkurt 1944 hyni tek Xhafer Deva, dhe i tha: “Mosni bre kështu, o Xhafer, edhe komunistët janë vllaznit tonë, po a bahet kështu?!” ...
Dhe prani pushka... “Vllaznit” nuk e harruen! Porsa e pushkatuen, Enver Hoxha njoftoi Titon: “E vrame Patër Antonin!”

At Anton Harapi përfaqsonte për gjermanët, mendsinë e një inteletuali Perëndimor, europjano qendror, i formuem në Austrinë e para Luftës së Dytë Botnore, dhe nga ana tjetër si meshtar katolik, paraqitej virtualisht i paprekshëm prej korrupsionit tradicional oriental e prej bizantizmit aziatik.
Shpesh persëriste: “Mos harroni ju se, unë jam Shqiptar!
... Pra, për të rrojtë vllaznisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim.”
At Antoni refuzoi largimin nga Shqipnia para vitit 1944, dhe mbas vitit 1945 e arrestojnë, kur Rregjenti Cafo Beg Ulqini i propozoi të shkonte në një streh të Tij nga Tokat e Malit të Zi, nder shpella. At Antoni u pergjegj: “Kam punue per Shqipni e ballafaqas. Nuk pres shpërblim, por as dënimi nuk ka pse më pret! Bashkatdhetarët e dijnë se kurrë nuk i tradhëtova, me ta vuejta, për ta punova, me ta qindrova. Me ta edhe do t’ vdes!” (Dishmi e C.B.Ulqinit).
Drejtë bregut të lumit Lana... Tiranë, 20 Fruer 1946..: Binte shi. Disa gropa ishin kthye në brraka ujë... “Frati hidhte hapat me kujdes, duke ngritur herë – herë kindët e zhgunit, për të mos iu stërpikur nga baltat... Njëni prej ekzekutuesëve e shikoi dhe i tha:
Mos ki dert, o prift, se tek balta ke për të përfunduar!..Frati vazhdoi rrugën dhe ia këthei:
“Atje tek po shkoj, due të shkoj i panjolla, ashtu siç kam kenë tanë jeten time!”...
Shkoi pranë gropës, dhe tha: “I bekoi vrasësit e i fali për aktin që do të kryejnë!”.
“Shpirtin Zotit, trupin Tokës”... Pikrisht asaj Tokë Amtare, për të cilën u ba flij...
Edhe pse i pat të gjitha mundësitë mos me u ra në dorë komunistëve vllavrasës.
Një parashikim i saktë i Tij në vitin 1946 (e ndoshta, i papersëritshëm!): “SHQIPNIJA U FITUE ME GJAK; ME GJAK, EDHE PO MBAHET E ROBNUEME. DO TË VIJ DITA E, ME PAQË E DREJTËSI DO TË FITOHET!”
Thanja e At Antonit, para gjyqit komunist në muejn Fruer 1946, kur po gjykohej dhe u dënue nga Gjyqi Ushtarak në Tiranë me kryetar major Hirakli Bozo, antarë Tonin Jakova (major) dhe Gjon Banushi, sekretar Thoma Rino. (Dosja 1068)
Dikund... nder brigjet e lumit Lana, do të gjeni njëditë testamentin e Tij lapidar: "A e dini se çdo ndertesës i vehen temelet n’ dhe? Edhe pse n’ vorr, në hijshim duhet t’jemi gurt e temelit t’njasaj binaje t’cillën sot e quejm Shqypni?!
***
Do të vij ajo Ditë e Lumnueshme kur të shohim me sy si brij lumit Lana: Plumbat rrzuen perdhe Trupin e At Anton Harapit, po Shpirti i Tij shkoi në Lumninë e Perjetëshme! “Po shkruej shka dishmuene vrastarët!
E tymnaja vazhdoi disa minuta...”
Melbourne, 19 Fruer 2025.
Komentar