top of page

Fritz RADOVANI: Jeleku i arit i Edith Durham




Nga Fritz RADOVANI: PJESA E TRETË


EDITH  DURHAM

E  JELEKU  I  ARIT

 

 

JELEKU I ARIT I MISS DURHAM

 

        “Ju që më dhatë bukë, konak dhe besë, nuk më zhgënjyet”

                                                                           ”Mretnesha e Maleve”1918.

Po, asnjëherë Shkodranët nuk duhet t’ harrojnë zemren e Edith Durham!

E zemra e Saj, asht Ajo, që ka shperthye si vullkan në vitin 1914, kur Ajo ka shkrue librin per Qytetin e Saj ma të dashtun të jetës: Shkodren!

Mbrenda librit do të gjejmë burime historike, tregtare, fetare, pershkrim të hollsishem të disa familjeve të vjetra e të permenduna shkodrane, si dhe fotografi e vizatime të punueme nga Edith Durham në vitin 1914.

Nga pena e Miss Durham dalin në dukje teza të reja dhe të panjoftuna të historiografisë së maparshme, të cilat janë groposë dhe vorrosë në kohen e errtë të robnisë mbas vitit 1943 - 1944, kur pseudohistorianët e sistemit shterp komunist para vitit 1990 në Shqipni jo vetem bajshin ligjin, por edhe fallsifikonin si ju pelqente atyne ngjarjet historike me Herojt’ e saj.

Miss Edith Durhami asht Ajo zonjë inglize qi flet per shumë vende, se Ajo ka udhtue gjashtë herë në Ballkan. Herën e fundit, udhtoi nga Manastiri në Shkodrë tue shkue nga Korça, Kolonja, Leksoviku, Përmeti, Tepelena, Vlona, Berati, Elbasani, Durrësi, Kruja, Oroshi, pa shenue viset e vogla.

Foli me shumë veta nder ato vende, “ku me shumë kujdes vështroj teqe bektashish, monastere kallojerësh orthodhokse, shumë prej famullishë priftnish katolikë. Edhe çka pau, çka vuni ‘re, ç’ kuptoi dhe ç’mendoi..?”

Të gjitha na i thotë në një libër 330 faqesh që doli tashti vonë në London.



Botimet e Miss Edith Durham jo vetem, pasunojnë literaturën historike Shqiptare e sidomos atë pjesë të saj, që i kushtohet zhvillimit ekonomik të trevës Veriore të Shqipnisë gjatë dy shekujve të fundit, po duhet pasë parasyshë se per përpilimin e kujdesëshëm të librit të ri t’ Saj, asht dashtë të kalojnë nëpër duer studjuesit rreth 4500-5000 dokumenta.

Madje botimet e Miss Durham edhe sot janë një udhërrëfyes i mirë i kulturës e i trashigimisë kulturore të malsorëve të Shqipnisë Veriore.

Ajo çështjeve ballkanike në përgjithësi, e atyre shqiptarë në veçanti, ju vue me një pasion e objektivitet të rrallë, tue dhanë përfundime të sakta shkencore. Tue lexue veprat e Mary Edith Durham shqiptarët dhe të huejt do të mësojnë shumë të vërteta nga historia e tyne, me shumë të dhana për kombin Shqiptar, për trashëgiminë kulturore, për qëndrimet e sjelljet e fqinjëve si dhe të Fuqive të Mëdha në fillim të Shek. XX.

Mbasi Durham në mënyrë të përafërt u njoh me popullin tonë. Ajo u ba, jo vetëm dashamirse e shpirtit dhe e kulturës së tij, jo vetëm përshkruese dhe studjuese e traditave dhe e ngjarjeve të tij, jo vetëm një zadhanëse e saktë e të drejtave legjitime të popullit Shqiptar, por edhe pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë e ngjarjeve si kroniste besnike e saktë e tyne, me një fjalë, Ajo u ba edhe një luftare e denjë e të drejtave të çështjes Shqiptare.

Edith Durham ishte gjithnjë kundër politikës pushtuese të shteteve fqinjë ndaj trojeve tona Shqiptare. Ajo miqësinë me popullin Shqiptar gjithnjë e konsideronte një fat të madh, që Ate e bante krenare dhe të lumtun. Rrallë e ndoshta asnjëherë, mund të gjinden raste analoge të një përkushtimi të tillë e një t’huejt, ndaj një populli mik ashtu si rasti i Saj.

Nder faqet e historisë së Shqipnisë asht vështirë me gjetë Intelektuale të guximshme si Edith Durham. Ajo ishte parimore e mbi të gjitha shumë guximtare. Një Trimneshë e vertetë. Ajo nuk kishte paragjykime ndaj popujve të tjerë ballkanikë, por i gjykonte çështjet më drejtësi të madhe.

Pikrisht, tue kenë dishmitare okulare e skenave kriminale dhe barbare, edhe pse ishte dekorue nga knjazi i Malit të Zi Nikolla në vitin 1907, tue pa veprimet dhe krimet e ushtrisë së tij ndaj shqiptarëve në vitet 1912-13 dhe luftat e tyne pushtuese në krahinat Veriore Shqiptare, pati guximin për me ia kthye dekoratën knjaz Nikollës. Ishte ky një guxim i rrallë dhe veprim dinjitoz i një personaliteti me karakter, që duhet t’ia kenë pasë lakmi edhe shumë të tjerët në atë kohë, por sigurisht edhe ma vonë.

Aso kohe tue pa angazhimin dhe kontributin e Miss Durham në shërbim të çështjes sonë kombëtare Shqiptare, Mit’hat Frashëri, në vitin 1914 në gazetën “Liri e Shqipërisë” shkruente: “Miss Durhamit, shkrimtares angleze, duhet t’i shprehim mirënjohjen më të madhe dhe t’i blejmë një penë të florinjtë për të mirat që Ajo ka bërë ndaj Shqipërisë”.

Në vitin 1908 asht kenë shumë interesant takimi i Miss Edith Durham dhe Abatit të Mirditës Imzot Preng Doçi. Edith Durham ishte në një vizitë studimore tek Ai, kur ka shkrue në librat e saj: High Albania,(Shqipëria e Epërme),botue në vitin 1909, Twenty Years of Balkan Tangle, (20 Vjet Ngatërresa Ballkanike),botue në 1920. Mary Edith Durham e cilson Abatin e Mirditës Imz. Preng Doçin: “Truni e figura qendrore e Mirditës, Hamleti Shqiptar, personaliteti ma i fortë i Shqipënisë së Veriut.”

Ajo shkruen se: “Imzot Doçi, asht njeni prej figurave ma të mëdha të Rilindjes Kombëtare, i cili ka luejt një rol madhor në disa nga momentet ma vendimtare të zhvillimeve politike e kulturore, veçanërisht në fushën e gjuhës dhe të letersisë shqipe, ku Abati i Mirditës njihet si mendimtar, dhe themelues i Shoqnisë kulturore “Bashkimi” në 1899 në Shkodër, që me  kujdes t’ Abatit dhe At Gjergj Fishtës, asht hartue Alfabeti latin i Shqipes. “Unë kishe pa Tokën e të Shkuemes së Gjallë”, shkruen Durham në librin e saj, “Shqipënia e Epërme” (Veriut), (High Albania), kur Abati i Mirditës mendonte dhe projektonte “Tokën e së Ardhmes së Gjallë”.

Edit’h Durham do shprehej tek Abacia e Oroshit: “Ai flitte me mendsi të madhe. Ndoshta ishte një nga ma tejpamësit nacionalist Shqiptarë… Nga naltësia e këtij vendi ne soditem Shqipëninë, vargje malesh si valë të gurta të një deti mal, që ngrihej drejt një qielli mrekullisht të kaltër dhe hupshim në naltësinë e një horizonti të kuqrremtë. Ai i lëvizte duert me kryenaltësi e entuziazëm drejt kësaj pamje.” Edit’h Durham shkruen se Abati Preng Doçi, ishte një njeri me veti të shqueme. “Ai kishte mërgue nga Shqipënia në moshë shumë të re, mbasi kishte nxitë shqiptarët për rezistencë ndaj sundimit turk dhe dekreteve të Traktatit të Berlinit. Ai i kaloi vitet e tij të syrgjynosjes në Kanada dhe Indi, tue punue si prift, ku kishte mësue anglishten dhe kishte lexue shumë. Ai madje, i bindi edhe autoritetet austriake ta përdorin atë Alfabet në shkollat e tyne.

Planet e tij ishin të gjana dhe përfshinin përkthimin e shumë librave të gjuhës angleze në gjuhën shqipe. Ai madje kishte hapë edhe një shkollë të vogël atje naltë tek Kisha në mjedis atyne maleve."

Per Miss Edith Durham populli Shqiptar ka diftue një respekt të veçantë, që, dallohej gjithmonë nga një sjellje shumë dashamirse e korrekte e Saj.

Shumë i veçantë asht kenë rasti kur Shqiptarët e qytetit Beratit i dhuruen Miss Mary Edith Durham Jelekun e artë.

Tek Galeria “Two Temple Place” në Londër, asht ekspozue mes të tjerash Jeleku i artë, një dhuratë nga Shqiptarët e Beratit, tue e cilsue si motiv të asaj dhuratë: “Dashamirses së madhe të vendit tonë Edith Durham”.

Ekspozita “Unbound: Visionary Women Collecting Textiles”, me veshje tradicionale të grave të shekullit XX, asht me veshje nga  Ballkani.

Pjesë e kësaj ekspozite asht edhe Jeleku i veshjes tradicionale Shqiptare, qendisë me ar, dhuratë e popullit të Beratit, per Miss Edith Durham.

Jeleku asht i punuem mjeshtrisht me qndisjet ngjyrë ari të enduna me ornamente. Aq fort i kishte pelqye, sa udhëpërshkruesja angleze,Miss Edith Durham, e ka veshë atë sipër një fustani të lehtë e shumë modern.

Kjo veshje e grave moderne, për anglezen që asokohe kishte fitue namin e “Mretëneshës së Maleve” ishte dishka e jashtzakonëshme.

Simbas studiuesve, jeleku simbolizon mjeshtërinë e naltë dhe artizanale Shqiptare. Jeleku pa mangë dhe i qëndisur me fije ari, ishte në të vertetë një veshje e aristokracisë së naltë Beratase t’ asaj kohë.

Edhe Shkodra nuk duhet të vonojnë me e perjetsue me një trupore të Saj dashamirsen e vet dhe shumë të nderuemen Miss Mary Edith Durham!

Ky jelek i qëndisun simbas traditave tona Shqiptare asht vetëm një, prej veprave artistike të paraqituna në ekspozitën e tekstileve nga Ballkani, per Miss Edith Durham, e njoftun nga Veriu si “Mretnesha e Maleve”.

Shqiptarët asnjëherë nuk do ta harrojnë figuren e Miss Edith DURHAM, Burrnesha e Pathyeshme e mbrojtjes së të drejtave të Popullit Shqiptar!

            Melbourne, 27  Korrik, 2024.                                                            

4 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page