“Përlindja e Shqipërisë” -- Një organ në mbrojtje të drejtave kombëtare
(24 gusht, 1913 në Vlorë)
Nga Frank Shkreli
Në analet e historisë së shtypit të lirë shqiptar domosdo përfshihet edhe gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, numri i parë i të cilës është botuar me 24 gusht, 1913 në Vlorë. Thuhet se ka qenë gazeta e parë zyrtare, politike e cila si mision të saj kishte bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Dhe si e tillë, për kohën e shkurtër që është botuar, ka mbështetur qeverinë e re shqiptare, të kryesuar nga Ismail Qemali, përball sfidave dhe kërcënimeve, ndaj trojeve shqiptare, të asaj kohe.
“Përlindja e Shqipëniës” e vitit 1913, ishte ndër gazetat e para të shtetit të pavarur shqiptar. Botohej në Vlorë dy herë në javë, të mërkurën e të shtunën. Numri i parë doli më 24 gusht 1913 dhe vazhdoi deri në 1914. Botonte lajme politike, ekonomike, shoqërore e kulturore. Mbështeti politikën e qeverisë së përkohshme të Vlorës, të kryesuar nga Ismail Qemali. Por vija editoriale e saj ishte mbrojtja të drejtave të Kombit shqiptar dhe kufijve të Shqipërisë, kundër synimeve grabitqare të shteteve shoviniste fqinje dhe intrigave të fuqive të huaja. Përsa vazhdoi së botuari, “Përlindja e Shqipëniës”, bënte thirrje për bashkimin e popullit në zhvillimin dhe përparimin e shtetit të ri shqiptar, të posa ishte shpallur, i pavarur.
Gjëja që më ka tërhequr vëmendjen ndaj kësaj gazete të hershme është titulli por sidomos nën-titulli i saj: “Organ për me mprojtur të drejtat kombëtare”. Por, edhe emri i Drejtorit Përgjegjës të asaj gazete, Dhimitër Berati, më ka tërhequr interesimin kur jam arratisur në botën e lirë, në vitin 1970 pasi ishte një emër që e kisha dëgjuar. Merreni me mend sot një gazetë me një nëntitull të tillë në faqen e parë: organ në mbrojtje të drejtave kombëtare! Ka njeri ose media sot që haptazi e shpallin veten si mbrojtës të interesit kombëtar?! Ndoshta ka ndonjë. Apo, njihni ndonjë politikan shqiptar të këtyre 30 e sa viteve “demokraci”, që të flasë me bindje parimore, në mbështetje të interesave kombëtare, ose të ndonjë veprimtarie mbarë-kombëtare shqiptare -- mbi ato interesat personale dhe partiake --interesa për të cilat janë të njohur aq shumë nga politikanët aktualë shqiptarë?! Ndoshta mund të jetë ndonjë aty këtu, por zëri i tyre edhe kur kanë bërë ose bëjnë ndonjë deklaratë në mbrojtje të interesave kombëtare, sot ato zëra, nuk mbështeten, por mbyten ose injorohen nga mas-media digjitale e shitur tek politikanët “modernë”.
Por t’i kthehemi subjektit të këtij shënimi modest me pyetjen se kush ishte Kryeredaktori i gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, Dhimitër Berati, i cili drejtonte organin që promovonte mbrojtjen e të drejtave kombëtare. Ai ishte pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe njëri prej nënshkruesve të saj. Berati ishte gjallë deri në vitin 1970 – i fundit i nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë -- kur ndërroi jetë nga një aksident automoblistik në Romë. Historia e njeh kontributin e Dhimtër Beratit edhe si pjesëmarrës i shquar aktiv në Konferencën e Paqës në Paris me 1919. Përgjithësisht, veprimtaria e tij ishte shumë dimensionale në politikë e publicistikë, përfshir bashkpunimin me At Gjergj Fishtën dhe më vonë në mërgim edhe me Ernest Koliqin, një bashkpuntor i ngusht i tij me shkrimet e tija që botoheshin në revistën Shëjzat.
Botuesi i gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, organi që filloi botimin me 24 gusht, 1913, me synimin për t’ia kushtuar atë mbrojtjes së të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve, Dhimitër Berati, ndërsa i mërguar pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist në Shqipëri – ai vazhdoi të punonte, aktivisht, me komunitetin shqiptar në Romë por edhe më gjërë, në mbështetje të interesave kombëtare, përfshir lidhjet e tija me komunitetin shqiptaro-amerikan. “Në nëntor të vitit 1969, prania e tij në kremtimet e Vatrës në Boston dhe New York”, shkruante Ernest Koliqi me rastin e kalimit në amshim të bashkpuntorit e kolegut ti tëj ngusht, Dhimtër Berati, të pranishëmve në ato festime, “i dha vështrim të posaçëm shfaqjeve të ndryshme që u zhvilluan në atë rast.” Shënohet se Berati gjatë qëndrimit të tij në New York u kishte folur shqiptaro-amerikanëve me “hollësi të çmueshme” rreth ngritjes së Flamurit në Vlorë me 28 nëntor, 1912, ku edhe ai vet kishte qenë i pranishëm dhe nenshkrues i dokumentit të Pavarësisë.
Pyetjes së kush ishte Dhimitër Berati, kryeredaktori pra i organit “Përlindja e Shqipëniës”, gazetës së vet-shpallur “Organ për me mbrojtur të drejtat kombëtare”, ndoshta i është përgjigjur më së miri kolegu e bashkpuntori i tij i ngushtë, Ernest Koliqi: “Ai ishte dekani i Rilindasve ende në jetë dhe simboli i idealeve që frymëzuen lëvizjen për Rilindjen kombëtare dhe kunorzimin e saj me 1912, mbas sa mundimesh e gjaku të derdhun.”
Si përfundim pra në këtë përvjetor, Dekani i Rilindasve, Dhimitër Berati nuk duhet të harrohet, as të anashkalohen meritat e tij patriotike, gazetareske e publicistike, siç nuk duhet të harrohen as kontributet e bashkëpuntorëve të tij të ngushtë, At Gjergj Fishta dhe Ernest Koliqi. Por të kujtohen dhe të nderohen, pa paragjykime ideologjike, brez pas brezi, për kontributin e tyre të gjatë dhe për meritat e veçanta të tyre në shërbim dhe në interes të Kombit shqiptar, ashtu siç i ka hije një populli që jeton në shekullin 21. Si firmëtar i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Dhimitër Berati, me shokët e tij të të njëjtit mendim e qëllim, nuk meritonin persekutimin nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës, as nuk meritojnë të hidhen në harresë sot e kësaj dite.
Por për fat të keq, bazuar në historinë e këtyre 3-dekadave të një periudhe gjoja “post-komuniste”, për shkak të një trashëgimie komuniste, një mizorie të kohërave të sotëme në trojet shqiptare dhe padrejtësisë së fatit të tyre, Atdheu ende nuk ua njeh këtyre burrave, konributet e tyre historike, në interes të Kombit, as nuk u ka njohur madje as shpërblimin më të vogël moral për punën e tyre, që e kryenin gjithmonë, me mendje dhe zemër të pastër e pa hile, në shërbim dhe në mbrojtje të interesave kombëtare të Atdheut, ashtu siç deklaronte në faqën e parë të saj, Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, e Dhimtër Beratit, e cila ka filluar botimin me 24 gusht, 1913 në Vlorë.
Opmerkingen