“Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me e mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë. Le ta marrë vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve, si grekët dhe latinët e vjetër, i patën prej etërve tanë, Pellazgëve”. (At Shtjefën Gjeçovi)
At Shtjefën Gjeçovi -- klerik shqiptar françeskan, shkrimtar, publicist, përkthyes, etnograf dhe arkeologu i parë shqiptar. Më 1929, për shkak të veprimtarisë së tij patriotike, arsimore dhe kulturore u vra nga serbët në Kodrën Rrezin të Zymit të Hasit të Thatë. Viti 2024 do duhej të ishte shpallur vit kushtuar At Shtjefën Gjeçovit, me rastin e 150-vjetorit të vrasjes së tij nga armiqtë shekullorë të Kombit shqiptar. Ky propozim është bërë në një letër dërguar Ministrit të Kulturës të Republikës së Kosovës, zotit Hajrullah Çeku, në fillim të këtij viti nga Kryetari i Akademisë dhe Arteve Republikës së Kosovës, Akademik Mehmet Kraja, sipas linkut të bashkangjitur.
Siç duket, propozimi i Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, paska renë në veshë të shurdhër të enteve të tjera të qeverisë e shtetit por edhe të enteve të tjera të interesuara të Republikës së Kosovës, pasi nuk është venë re ndonjë veprimtari kushtuar vitit të Shtjefën Gjeçovit me rastin e 150-vjetorit të vrasjes së tij nga serbët. Tani shohim se paskan dalë bosh përpjekjet prej pothuaj prej një vit të Akademisë dhe Arteve të Kosovës, për të përfshir ente dhe institucione të tjera shkencore dhe kulturore të Republikës së Kosovës, në organizimin veprimtarive kushtuar At Shtjefën Gjeçovit në 150-vjetorin e vrasjes së tij nga serbët. Thuhet se entet që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës shpresonte të bëheshin pjesë e këtij aktiviteti këtë vit, për të nderuar Shtjefën Gjeçovin, por që më në fund, duket se u tërhoqën, duke mos mbajtur premtimet, janë: Instituti Albanologjik, Instituti i Arkeologjisë, Universiteti i Prishtinës, Instituti i Historisë, Instituti i Trashëgimisë Kulturore, Komuna e Prishtinës, Komuna e Lipjanit etj. Por në radhë të parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duhej të ishte, sipas ekspertëve, enti kryesor bashkrendues përgjegjës. Sidoqoftë, siç duket, i vetmi aktivitet kushtuar 150-vjetorit të Shtjefën Gjeçovit nga serbët, u zhvillua me 14 tetor 2024, një organizim ky – në minutën e fundit -- nga Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Me një organizim që të sjell në mend atë frazën popullore: “Më ka çu baba sa me la gojën”, u mbajt konferenca shkencore e quajtur “ndërkombëtare”, me titull: “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit. Por, pa mbështetjen zyrtare të enteve të lartëpërmendura, ndërsa pjesëmarrja duket, sipas fotografive, dukej shumë e pakët, madje sipas disa burimeve, një numër folësish që kishin premtuar të merrnin pjesë, emrat e të cilëve ishin në program, as nuk kishin ardhur.
Është e vështirë të merret me mend se në interes të kujt është që vepra dhe jeta e At Shtjefën Gjeçovit të “mbetet në heshtje për një kohë të gjatë” siç u shpreh edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja në fjalën e tij të mbajtur në konferencën shkencore me 14 tetor në Prishtinë. Nisma e Akademisë në fillim të këtij viti, për ta sjellë veprën dhe sakrificën e Gjeçovit në vëmendje të publikut në Kosovë, por edhe në Shqipëri, në 150-vjetorin e lindjes së tij nuk gjeti mbështetjen e nevojshme tek institucionet shkencore, kulturore dhe arsimore të Kosovës as të Shqipërisë. “Nuk e mbajtën fjalën të gjithë ata që na premtuan se do të bëheshin pjesë e kësaj devotshmërie dhe respekti për Gjeçovin dhe veprën e tij. Në mungesë të kësaj mbështetje, ne patëm vetëm një zgjidhje: përmes kësaj konference, t’i japim zë shkencor punës së vyer të Shtjefën Gjeçovit, duke hedhur dritë mbi aspekte të ndryshme të jetës dhe veprës së tij”, është shprehur Akademiku Mehmet Kraja në fjalën e tij në konferencën shkencore. Lexoni fjalën e plotë me këtë rast të Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Z. Mehmet Krajës, marrë nga portali i tij (facebook):
留言