top of page

Fran Gjoka: Intervistë me sociologun Gëzim Tushi



 

SHOQËRIA, TURBULENCAT DHE PATOLOGJITË QË CËNOJNË EKUILIBRIN E BRENDSHËM TË SAJ.

(Me sociologun Gëzim TUSHI, “Mjeshtër i MADH”, “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”)

 

- Shqipëria po përjeton një situatë të dhimbshme kriminale, ku del në pah një dhunë e pashpjegueshme ndaj femrës. Si mund ta konsideroni ju këtë situatë dhe cilat do të ishin rrugët për ta kapërcyer këtë gjendje?

-Realitetet sociale në shoqërinë shqiptare kanë kohë që janë të inonduara nga shumë dukuri shqetësuese, të cilat tregojnë dobësimin deri në nivele kritike të shëndetit, kohezionit dhe funksionalitetit të saj. Për nga gjerësia e shtrirjes dhe intensiteti i shfaqjes së disa dukurive, si dhuna, krimi, neurotizmi social, konfliktet në familje, fenomeni i bullizmit në shkollë, divorci në zgjerim dhe dekompozimi i strukturës dhe funksionalitetit në shumë familje, zgjerimi i përdorimit të drogës, alkoolit dhe substancave psikotrope nga të rinjtë, rritja e krimit minor dhe abuzimi seksual në moshat e reja, trajtimi i keq i të moshuarve në familje dhe braktisja e tyre në vetmi, bashkuar këto me patologjitë e politikës shqiptare dhe nivelet alarmante të korrupsionit e bëjnë tablonë të dyshimtë dhe fare pak optimiste. Në këtë tablo të problemeve të shumta sociale, më të cilat po përballet shoqëria shqiptare, në mënyrë evidente dhe shumë shqetësues paraqiten dhuna dhe krimi në familje. Sidomos dhuna dhe krimi mbi gratë për shkak të dominimit të koncepteve maskiliste dhe modeleve autoritariste, të cilat jo vetëm nuk janë zbutur, por përkundrazi janë në një proces agravimi të akseleruar, duke e bërë situatën e familjes dhe statusin e gruas shumë të prekshëm. Në jo pak raste, për shkak të dhunës permanente fizike, psikologjike, verbale dhe emocionale që ushtrojnë meshkujt mbi femrat, burrat mbi gratë e kanë bërë familjen “burg për gratë”. Nëse në mënyrë sintetike dhe sociologjike do të përkufizonim situatën e dhunës mbi gratë në familjen dhe shoqërinë e sotme shqiptare, padyshim do të themi se me këto përmasa alarmante në gjerësi, thellësi dhe intensitetin me të cilin ajo shfaqet, duhet konsideruar si një “betejë e pafituar” nga gratë. Burimet dhe gjeneratorët e vazhduar e të “pashtershëm” të dhunës ndaj grave janë disa faktorë me natyrë të ndryshme fizike dhe metafizike, konceptuale dhe materiale, historike e kulturore, biologjike e psikologjike. Sikur të tentonim të bënim diagnostikimin e këtyre shkaqeve në mënyrë enumerative, do të na duhej shumë kohë dhe investim më strategjik. Por në kuadrin e sensibilitetit për gazetën e nderuar “Nacional”, mund të themi se të gjithë këta faktorë kanë secili peshën e tyre në ekzistencën e dhunës mbi gratë. Një gjë është e sigurt: ne jemi para nevojës që pasi kemi bërë këtë diagnostikim të shkaqeve të dhunëqs mbi gratë, duhet të mendojmë, të ofrojmë dhe propozojmë edhe “terapitë” e duhura politike, psikologjike, kulturore e materiale. Në këtë kontekst, gjykoj se paradigma që është instruktive, në këtë rast ka të bëjë dhe lidhet ngushtë me punën që duhet bërë nga institucionet e edukimit dhe formimit human e qytetar, sikurse janë familja, shkolla, media, institucionet fetare. Por natyrisht edhe ato të parandalimit dhe ndëshkimit të dhunës mbi gratë, e cila, sikurse ka thënë me të drejtë Hillari Klinton në Konferencën e Pekinit në 1995, nuk duhet konsideruar si difekt kulturor, por si veprim i hapur dhe i pastër kriminal, i cili duhet trajtuar dhe ndëshkuar si i tillë. Unë mendoj se bashkimi kompakt i këtyre dy hallkave të procesit të luftës kundër dhunës mbi gratë, domethënë i punës së institucioneve të formimit dhe edukimit me ato të ndëshkimit, kthimi i tyre në një strukturë operacionale kompakte, do të ishte rruga e duhur dhe ajo që imediatisht kërkohet për të mbrojtur gratë tona nga patologjia e dhunës, për t’u garantuar atyre liritë dhe të drejtat njerëzore, duke shmangur kështu paragjykimet e korracuara, arkaike e bashkë me to edhe arketipet maskiliste të trashëguara nga e kaluara dhe që akoma “frymojnë” edhe në ditët tona. Gratë duhet të luftojnë kundër çdo shfaqje mizogjene në familje, shkollë, vendin e punës, politikë, komunitet, familje e kudo që shfaqet. Ato janë në kohën e tyre dhe kanë të drejtë të trajtohen me dinjitet si qënie njerëzore të barabarta. Identiteti seksual i tyre nuk ka pse të jetë “mallkim” për to. Përkundrazi, ky identitet në një shoqëri të emancipuar mund të kthehet në një lloj të veçantë të “privilegjit social”, pikërisht për shkak të gjinisë së tyre. Dhe më në fund, gratë nuk duhet të heshtin ndaj dhunës, përkundrazi ato duhet ta denoncojnë atë pa hezitim. Heshtja është kundër tyre dhe në çdo rast ajo bëhet aleat i dhunës mbi gratë. Ndoshta kjo kërkon edhe një sulm qytetar dhe të qytetëruar edhe kundër indiferencës sociale, që shfaqet shpesh në shoqërinë tonë, e cila ushqehet nga koncepti semplist, i cili dhunën mbi gratë nuk e konsideron problem. Madje e konsideron si problem anësor dhe “çështje rutinore”. Një qëndrim social e qytetar më i angazhuar do t’i ndihmonte gratë në kauzën e tyre të përbashkët kundër dhunës në familje e shoqëri.

-Ngjarja në Shkodër ka tronditur gjithë opinionin publik shqiptar. Cili është mendimi juaj, si profesionist, ndaj shkaqeve dhe arsyeve që çuan në këtë krim?

-Ngjarja e ndodhur para pak ditësh në Shkodër është tejet tronditëse dhe makabre. Në historinë e ngjarjeve kriminale është ndoshta më e rënda, sepse kemi të bëjmë me një kompleks kriminaliteti, ku bashkohet paradoksalisht vetëvrasja me krimin. Këto ditë, me të drejtë, kjo ngjarje ka kapur apogjeun e sensibilitetit social dhe reagimit mediatik. Por shpesh, në analizat e ngjarjes, të shkaqeve dhe përgjegjësive individuale e sociale, në interpretimin e faktorëve janë shfaqur shumë pasaktësi, njëanshmëri e sensibileitete të deformuara. Që jo vetëm nuk të lejojnë të kesh optikë të qartë për shkaqet, por edhe që japin mesazhe të gabuara sociale për rrethanat dhe përgjegjësitë. Ngjarja është e rëndë dhe perceptimi i saj ka qenë tejet tronditës për familjet e viktimave, por dhe opininonin publik. Por nëse duam që të bëjmë analizë objektive dhe të nxjerrim mësime sociale për të ndihmuar në parandalimin dhe “zgjidhjen ndryshe” të kontradiktave dhe konflikteve sociale brenda dhe jashtë familjes, duhet të fillojmë që me objektivitet të bëjmë analiza pa sentimentalizëm dhe gjërave t’u vëmë emrat e duhur. Sepse kjo ngjarje, aq shumë tragjike, në thelbin e vet dhe tronditëse për familjet e viktimave dhe opinionin publik, u bë një lloj “casu beli” për trajtime kakofonike mediatike, me shumë deformime e ambiguitete interpretative. Shpeshherë media në vend të ruajë pavarësinë në analizën dhe gjykimin e rastit është bërë aleate me gjykime apo paragjykime të natyrës empirike apo shkaqeve të improvizuara. Duhet folur shqip, nëse duam të ndihmojmë për të parandaluar dhe shmangur ngjarje të tilla. Pavarësisht se viktimat nuk gjykohen, por përgjegjësia sociale na detyron të themi se sido që të kenë qenë rrethanat, motivet, presionet materiale e agresionet psikologjike që kanë ndikuar si faktor i brendshëm në këtë veprim, nëna ka kryer krim. Së pari, që ka bërë vetëvrasje, që është një akt i papranueshëm dhe i dënueshëm në çdo rrethanë, qoftë nga feja apo edhe shoqëria. Askush nuk ka të drejtë, në asnjë rrethanë t’i marrë jetën vetes me vetëvrasje. Kjo është e para. E dyta, nëse është e vërtetuar se ajo është vrasësja e fëmijëve të saj, ky është krim i rëndë dhe duhet cilësuar pa mëdyshje si i tillë. Megjithatë, tani, pasi ngjarja ka ndodhur, na takon të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë për të parandaluar akte të tilla. Dy janë burimet e krimit dhe vetëvrasjeve: shkaqet e brendshme me natyrë psikologjike, mentale e shpirtërore, të cilat janë delikate dhe shpesh e bëjnë të pamundur parashikimin e vetëvrasjes. Por familja, shkolla, komuniteti dhe sidomos rrjeti kapilar i institucioneve mjekësore ka mundësi të dallojë, të marrë masa, të ndihmojë dhe parandalojë ngjarje të tilla. Nuk duhet ndonjë mënçuri e madhe që të dallosh njeriun kur shfaq gjëndje ankthi, pasigurie, dëshpërimi, makthi, paqëndrueshmërie emocionale, etj., që janë shënja të sigurta të fillimit të procesit të destabilitetit mendor, që mund të çojnë njeriun drejt suicidit apo krimit. Ndërhyrja në këtë rast mund të jetë shpëtimtare, rikuperuese dhe rehabilituese, duke shmangur tragjedinë e menduar apo të planifikuar të vetëvrasjes apo krimit. E dyta, janë rrethanat sociale, apo faktori i jashtëm që ndikojnë në situate të tilla, që lidhen me statusin e familjes, gjendjën ekonomike, marrëdhëniet bashkëshortore apo lidhjet midis pjesëtarëve të familjes, konfliktet e mundshme, situatat e agravuara nga përdorimi i lëndëve psikotrope, drogë apo alkool, etj. Këtu është roli i institucioneve sociale dhe atyre të përkujdesit shëndetësor. Sidomos të nevojës për të patur ekipe mobile për të ndërhyrë në momentin e duhur dhe për të intervenuar me instrumente profesionale adekuate për ndryshimin e situatës materiale, psikologjike e sociale në familje.

- A ndikojnë negativisht përplasjet e politikës, që dhuna të bëhët prezente në çdo celulë të shoqërisë dhe si mund te ndikohet mbi një fenomen të tillë?

- Besimi se sa më shumë të përparonte demokracia në Shqipëri, aq më i zhvilluar, qytetar dhe qytetërues do të ishte gjuha dhe dialogu politik, nuk po vërtetohet. Përkundrazi gjëndja linguistike, retorike e oratorike e saj, në gjuhën e politikanëve të pozitës dhe opozitës, është duke u degraduar deri në nivele alarmante. Sidomos në këto ditë të nxehta klimatike dhe politike, marrëdhëniet e pozitës me opozitën kanë qenë të jenë të vështira. Nuk bëhet fjalë për mungesën e logjikës së kompromisit, që në politologji konsiderohet si “lavdia e demokracisë”, por thjeshtë për deformimin e standardeve dhe rrugullat e “gjuhës politike” në Shqipëri.  Në Parlament dhe sidomos mediatikisht, ajo është banalizuar deri në limitet e fundit të etikës dhe ka marrë një rrugë të mbrapshtë në dialogun interaktiv të politikanëve kundërshtarë. Madje ajo është deformuar keq jo vetëm tek politikanët profesionistë, ndikimi i saj si refleks ngjitës ka filluar të ndihet në media dhe e reflektuar gjerësisht edhe në gjuhën komunikuese dhe dialogun neurotik tek publiku i gjerë. Nuk është fjala për të bërë teori për rolin e gjuhës në politikën moderne, por ama kur shikon këtë situatë të shpërdorimit ekstrem, nuk mund të mos evidentosh të vërtetën për nivelin e mjeruar të “gjuhës politike”, për këtë mjet kryesor, në mos të vetëm, me të cilin bëhet politika e kohës demokratike. Një mjet që është pasqyrim i faktit, që politika në këtë vend, në vend të emanciohej si instrument i komunikimit politik, kulturor e publik, po ecën drej degradimit dhe banalizimit të saj. Nuk e di nëse politikanët tanë kanë nivelin e duhur dhe konceptin adekuat për të kuptuar se forca dhe vlera e gjuhës politike, si mjet komunikimi në shoqërinë demokratike, është shumë e madhe. Duket që politikanët, shumica e tyre më saktë, nuk e kanë të qartë “përgjegjësinë e gjuhës politike”. Këtë të vërtetë e kupton kur përballesh me atë që po ndodh në politikën shqiptare, në të cilën ka shpërthyer “epidemia” e një fushatë gjuhësore politike banale, e shfrenuar, e dalë nga kontrolli etik, nga vetëpërmbajtja demokratike. Përgjithësisht politika jonë, tradicionalisht në tre dekada, ka qenë e ashpër, jo tolerante nga pikëpamja fizike, konceptuale e gjuhësore. Sipas mendimit tim, artikulimi gjuhësor ka rënë kaq poshtë, gjuha e politikanëve të këtij vendi duket se ka percepituar në “fundin e lejueshëm saj”, duke e reduktuar debatin jo me instrumentet adekuate e elokuente të saj, por në gjuhë të ashpër, të drunjtë, të fortë, jo etike. Padyshim, atmosfera politike në Shqipëri duket se është e tensionuar për shkaqe thelbësisht ekstragjuhësore. Kjo ndihet dhe kuptohet lehtë nga qytetari, sepse është ai që po përballet përditë nga “bombardimi politik” me gjuhën e “drunjtë”, madje të hekurt, që ka mbuluar politikën tonë. “Eteri” i jetës publike është inonduar nga fushata dhe kundërfushata retorike paralele, të goditjeve dhe kundërgoditjeve gjuhësore politike të pozitës dhe opozitës. Vrazhdësi e skajshme, brutalitet i dukshëm, gjuhë politike devijante, e cila para se të shfaqet në ekran, gati ka nevojë për “pullë të kuqe”. Fytyra të acaruara, grimasa të pakontrolluara të politikanëve e kanë inonduar keq situatën qytetare. Kjo gjëndje e sjelljes dhe e gjuhës politike është duke e cënuar keq dinjitetin e politikës shqiptare, e cila për fat të keq, jo vetëm që nuk po frenohet, por ka marrë rrugën e degradimit moral dhe profesional kreshendo. Një bezdi e vërtetë qytetare, që na vjen si “peshqesh”nga politika, të cilës të paktën mungesën e etikës së sjelljes politike dhe artikulimin banal gjuhësor, nuk ja kemi borxh. Sepse një politikë me gjuhë frenetike, të pa ekulibruar, nuk dëmton vetëm cilësinë dhe performancën e politikës, por pengon qytetarët të jenë në gjëndje të dallojnë, ca më shumë, të ndajnë thelbin e vërtetë të debatit politik, esencën e çështjes nga objekti i artikuluar i “gjuhës politike” që përdoret. Kaq intensive është bërë të folurit me tone banale dhe ofenduese, sa që është bërë e vështirë për qytetarin të dallojë se ku është “argumenti” dhe ku fillon “shpifja”, ku është dhe sa është e vërteta e konfliktit pozitë-opozitë dhe ku mbaron retorika gjuhësore si mjet që fsheh objektin e vërtetë të konfliktit politik, pas “ambalazheve” gjuhësore të përdorura nga politikanët. Gjuha e politikanëve ka humbur sensin, elegancën, argumentin dhe është lëshuar brutalisht në “fushën e vet”. Madje, tani lëviz e lirë, pa asnjë “censurë etike”, sepse ka dalë e lirë në qejfin e saj. Në vend të gjuhës që duhet të ketë argument politik mbushamendës, ne po përballemi me një “fjalamani” të tepërt, me abuzime të shëmtuara me faktet dhe të vërtetat, me shkelje të rregullave dhe standardeve të komunikimit politik. Në historinë e politikës moderne, jo vetëm në Shqipëri, ka raste kur objekti delikat i një debati mund të çojë në degjenerime të përkohshme të gjuhës politike. Por kjo që po ndodh në politikën tonë është ndryshe. Nganjëherë të duket më shumë si qëllim në vetvete, nga që nuk ka aq “lëndë ontologjike”, që të justifikojë këtë gjuhë me logjikë politike sakate, të artikuluar keq, e cila jo vetëm po rëndon situatën e vet, por veçanërisht gjëndjen psikologjike të qytetarit. Nuk është gjuhë politike ajo që kanë përdorur politikanët kundër njëri-tjetrit, sepse në esencë nuk kemi gjuhë që pasqyron të vërtetën politike, por një gjuhë që ka marrë forma të shëmtuara, dredharake, që nuk të tregon as thelbin e debatit, sepse është një gjuhë që nuk është e lidhur drejtpërdrejtë me përmbajtjen e debatit dhe objektin e të menduarit, madje as me standardet elementare, mbi të cilat duhet bazuar të folurit politik. Kjo e ka cënuar rëndë nevojën dhe detyrimin gjuhësor elitist të politikanëve. Në politikën e sotme moderne ka një normë edukate gjuhësore, që politikës i vjen si imperativ kategorik i brendshëm, të paktën që nga koha e Aristotelit, sipas të cilit punët e shtetit dhe të politikës duhet të udhëhiqen nga ata që kanë edukim dhe formim sa politik, etik edhe gjuhësor. Politika është art i vështirë, sidomos kur duhet lufta për gjetjen e argumentit dhe përdorimin adekuat të gjuhës, sepse plotësimi i këtyre standardeve kërkon formim intelektual. Politikanët tanë kanë filluar të flasin pa doganë, pa kujdes etik. Si qytetar i këtij vendi, mendoj se duhet frenuar kjo gjuhë banale, që nuk është natyrale apo organike, për të zhvilluar politikën në një vend të qytetëruar. Nuk është modeli gjuhësor i duhur që duhet përdorur, sidomos nga ata që udhëheqin punët e politikës në këtë vend. Por askush nuk beson se e keqja është vetëm këtu dhe problemet e ditës për politikën tonë janë vetëm “probleme gjuhësore”. Çështja është ca më e thellë. Por atmosfera gjuhësore që ka krijuar politika shqiptare, duke u marrë në frontin më të gjërë të mundshëm me banalitete, po ndikon shumë në deformimin e opinionit demokratik të qytetarëve, të cilët janë bombarduar me gjuhë politike banale, e fshehur në emër të moralitetit politik.

- Sapo ndodh një krim, çdo shqiptar bëhët gjykatës dhe vë dorë "me kompetencë" mbi fajtorin. Si e shpjegoni këtë gjë?

- Është e vërtetë që shoqëria shqiptare, për shkak të së kaluarës së vet kolektiviste, vazhdon inercinë e gjykimeve populiste dhe reagimeve instiktive, bazuar në arketipet e gjykimeve dhe paragjykimeve të ardhura si module të gatshme të reagimit. Shpesh të parakohshëm apo instiktiv. Kjo është një nga shënjat e nevojës së formimit dhe konsolidimit modern të shoqërisë shqiptare, për të mbajtur distancën nga gjykimet e improvizuara apo konkluzionet e parakohshme. Shqiptarët e kanë qejf gjykimin e personalizuar dhe konkluzionet e “instancës së fundit” për çdo ngjarje apo raste.  Këtu kanë ndikimin e tyre kontroversal edhe sistemet e informimit dhe gjykimit, të cilat gjithashtu nuk kanë reagime adekuate dhe informacione definitive e të bazuara në fakte. Kjo bën pastaj që të kemi”çarje të brendshme” të opinionit publik, gjykime të diversifikuara, të cilat, në jo pak raste, shoqërohen me konflikte të përhapura, të cilat përplasen në të njëjtën kohë me paradigmat morale dhe gjykimet e secilit, të lidhura këto pastaj me nivelin e tyre kulturor, traditën e kulturën familjare, paradigmat rrethanore jetike dhe stuatat e habitateve komunitare. E kemi patur, për fat të keq, në AND e shoqërisë tonë procedimin dhe gjykimin e ngjarjeve, fakteve, ndodhive duke i vënë nën “panoptikonin” e njohur të “vijës së masave” dhe të drejtës së kujdo për të “gjykuar për gjithçka e për çdo gjë”. Besoj se koha e sotme ka si gurë caku të drejtat e njeriut dhe gjykimin e fajtorit nuk e bëjnë as masat, as opinion publik, por organet e drejtësisë. A, kur është fjala për gjykim moral të një akti që ka peshë, interferim dhe ndikim social, po, kushdo ka të drejtë të gjykojë e të mbajë qëndrim. Qoftë në nivel social apo në plan të personalizuar.

- Përfundimisht, a shihni ju mundësi dhe rrugë për t'i shëruar këto plagë sociale në Shqipëri?

- Situata sociale në Shqipëri këto kohët e fundit është bërë shumë e agravuar. Në sipërfaqe të saj kanë dalë shumë probleme. Të reja dhe të vjetra, të njohura e të panjohura, të cilat duket sikur e kanë zënë shoqërinë në befasi sociale dhe e kanë “kapur për fyti” dhe nuk po e lënë të marrë frymë. Shoqëria po shfaq doza të larta neurotizmi dhe konfliktualiteti shoqëruar me zgjerim të dhunës dhe shtimit të mosmarrëveshjeve sociale. Probleme të shumta në familje, e cila në disa raste duket se ka pësuar rupturë të forta në strukturë, funksionalitet e komunikimet interpersonal brenda saj. Në vend që të jetë një qendër e paqes sociale për pjesëtarët e saj, ajo po bëhet një vatër e konfliktualitetit midis bashkëshortëve, prindërve dhe fëmijëve, të rinjve dhe të moshuarve. Probleme ka edhe shkolla, e cila gjithashtu po vuan patologjitë e saj jo vetëm në aspektin professional e cilësor të mësimdhënies e mësimnxënies, por sidomos në “thelbin deontologjik” të përgjegjësive të saj formuese dhe edukative për formimin qytetar të nxënësve. Probleme kanë edhe institucionet sociale, shëndetësore, strukturat e shtetit dhe pushtetit vendor. Megjithatë, unë mendoj se ka një rrugë për të ndalur këtë kaos social dhe anarki të jetës urbane. Sipas mendimit tim, është e udhës të investojmë për të forcuar ato që përbëjnë bazën e formimit dhe rregullimit të “amortizatorëve” të shoqërisë. Kjo do të thotë që politika, shteti, bashkë me ata që shoqëria i ka zgjedhur apo të përzgjedhur në strukturat e politikëbërjes apo në “bordin e shoqërisë”, duhet të mendojnë dhe të investojnë për të rregulluar funksionimin normal të institucioneve të autoritetit social. Kjo do të thotë që për të sjellë në normalitet jetën shoqërore, duhet të forcojmë ato institucione ku mësohet, edukohet, formohet, por dhe ndëshkohet, sikurse janë familja, shkolla, institucionet fetare, media, shoqëria civile, por dhe institucionet e autoritetit shtetëror.

- Është degjeneruar familja shqiptare aq shumë, sa tradhëtia bashkëshortore është bërë shqetësim i ditës. Në gjykimin tuaj, si e shikoni ketë fenomen tronditës?

- Padyshim, një nga dukuritë që po e trondit familjen shqiptare dhe po i shton problemet dhe kostot sociale shoqërisë, është zgjerimi i përmasave të divorcit. Në shikimin tim, divorci duhet parë me kujdes në të dy “kahjet” e veta. Nga njëra anë, ai është “kazma e martesës”, por nga ana tjetër, është edhe shprehje e emancipimit të saj, si zgjidhje e qytetëruar në rastet kur lidhja martesore nuk funksionon. Megjithatë, fakti që sasia e divorceve është rritur në përmasa alarmante dhe me shifra socialetronditëse, të detyron të mendosh se shkaqet e këtij fenomeni janë të lidhura me martesën, me kulturën e martesës. Sepse shumë martesa bëhen shpeshherë me mëndjelehtësi dhe pa përgjegjësi, në mënyrë të parakohshme ose nën tundimet e seksualitetit. Krahas tyre, dhe shumë evidente, është tronditja e monogamisë martesore (martesa seksualisht e mbyllur) dhe përhapja e lidhjeve jashtëmartesore apo e lidhjeve paralele. Pasojat e numurit të divorceve në shoqërinë shqiptare janë të shumta, të shumëfishta e të shumëllojshme. Ato rëndojnë mbi familjen, gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Megjithatë kemi nevojë të përmirësojmë edukatën për martesën, kulturën e saj dhe kulturën e divorcit, në mënyrë që ato së pari, të jenë zgjidhje humane, të qytetëruara e konsensuale për ato martesa që nuk funksionojnë apo që janë në situata të parikuperueshme konsensualiteti. Ndërkaq është e udhës që partnerët e divorcuar, por që kanë fëmijë nga martesa e tyre, duhet të kuptojnë dhe të pranojnë se ata, nga divorci, nuk janë më bashkëshortë, por statusi i prindit dhe përgjegjësia sociale e prindërimit ndaj fëmijëve që kanë sjellë nga martesa, mbetet një detyrim i pandryshuar. Ky është një problem që po e shqetëson situatën e fëmijëve, të cilët nga divorci nuk duhet të mbeten “jetimë socialë”, kur i kanë prindërit biologjikë. Qoftë edhe të divorcuar… 

- Sa e rëndësishme është marrja serioze e shëndetit mendor dhe sa e vlerësojnë sot institucionet shtetërore dhe sociale?

- Filozofët, psikologët, sociologët dhe psikoterapistët kanë parashkiuar se për shkak të ndryshimeve thelbësore që po ndodhin në jetën e sotme, ekzistenca e një shoqërie me natyrë liberale dhe individualiste e gjithnjë e më pak solidare e humaniste, thellimi i natyrës egoiste dhe ambicioze të njeriut, etja e shfrenuar për para, sukses, karrierë, celebritet e famë kanë krijuar kushtet e shfaqjes së problemeve dhe shqetësimeve të shëndetit mendor. Kudo në shkollë dhe në vendet e punës, në rrugë e jetën komunitare përballemi me njerëz që shfaqin shënja pasigurie e dëshpërimi, ankthe e makthe, tronditje shpirtërore dhe çrregullime psikologjike. Është një situatë që duhet vlerësuar, duke evidentuar shkaqet e kësaj dukurie sociale e psiko-patologjike si dhe masat që duhen marrë për të parandaluar agravimin e sëmundjeve dhe kalimin e tyre nga niveli i shqetësimit psikologjik, në standardin e vështirë të sëmundjeve psikiatrike. Duhet treguar kujdes me fëmijët, por dhe njerëzit e tjerë, kur ata shfaqin shenja sikurse janë vetmia, mbyllja në vetvete, asocialiteti, mungesa e dëshirës për t’u përfshirë në jetën sociale, ndërprerja e lidhjeve komunitare, mungesa e dëshirës për të shkuar në shkollë apo për t’u përfshirë në punë aktive, mungesa e oreksit e plot shenja somatike paralajmëruese. Në këtë rast, në mënyrë evidente, është e nevojshme që prindërit, mësuesit, familjarët duhet të kenë kulturën dhe vigjilencën e duhur për të dalluar në horizont fillimet e shfaqjes së problemeve psikologjike, duke bërë ndërhyrjen e domosdoshme përmes trajtimit familjar dhe sidomos psikologjik të shenjave të para të anomalive shpirtërore apo psikologjike. Parandalimi i sëmundjeve mendore është plotësisht i mundur dhe shërimi plotësisht i sigurt, nëse i diktojmë simptomat tek njerëzit dhe bëjmë intervenimet e duhura psikosociale për të rikuperuar shëndetin e tyre mendor. Tani i kemi njohuritë, kushtet, institucionet dhe një armatë të gjerë me punonjës të specializuar, sikurse janë psikologët gjëneralistë e të specializuar, punonjësit socialë, psikoterapistët, sociologët, që kanë “pushtetin e dijes” dhe kompetencën profesionale. Na duhet një kulturë tjetër, duke shmangur stigmën që akoma në pjesë të caktuara të shoqërisë ekziston, që shfaqet në frikën nga kontakti me figura të tilla profesionale, sikurse janë psikologët, sociologët apo edhe psikiatrit. Tendenca globalisht në zgjerim e problemeve të shëndetit mendor, që po agravohen në këtë shoqëri turbokapitaliste e likuide (sikurse thotë Zygmunt Bauman), të konkurencës dhe rivalitetit të pandërprerë, me punë stresuese dhe me orë të gjata, kërkon një tjetër kulturë dhe trajtim preventiv, paraprakisht diagnostikues dhe pastaj edhe terapeutik e rikuperues nga familja, shkolla dhe institucionet e specializuara të shëndetit mendor. Një rishikim më me përgjegjësi i Strategjisë së Shëndetit Mendor dhe aktivizimi më kompakt i strukturave dhe institucioneve me funksione specifike të drejtpërdrejta apo të tërthorta, është një detyrë immediate dhe konditë “sine qua non”, për t’u përballur me situatën aktuale, por dhe tendencat e së ardhmes në këtë fushë delikate të jetës sonë sociale.

9 views0 comments

Opmerkingen


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page