top of page

Fran Gjoka: Flet Ndue Dragosha...


A PO CËNOHET SOT FAMILJA, SI QELIZA BAZË E ÇDO SHOQËRIE?

 

Surrogacia për Parlamentin Europian konsiderohet si ligj kriminal, po për Parlamentin Shqiptar shikohet ndryshe…?

-Secili popull dhe secila forcë politike ka koncepte të ndryshme nga të tjerët, mbështetur në kulturën dhe traditat e veta. Parlamenti Europian (nuk e di nëse e kanë quajtur kriminal ketë ligj), por mendoj se në ketë drejtim ka një politikë të përcaktuar globale, mbase nisur nga qëllime të mira, por për vende dhe kultura të ndryshme mund të jenë të parakohshme, duke e parë si cënim të familjes, si strukturë sociale e konsoliduar në shekuj. Nëse këto gjëra bëhen vetëm në fshehtësi dhe nuk merret opinioni publik, duke cënuar rëndë edhe dinjitetin e popullit të vet, atëhere populli ka të drejtë të jetë mosbesues ndaj përfaqësuesve të tij. Qeveritë duhet të jetën në shërbim të popullit që i ka zgjedhur, duke mos u bërë “pronarë” të tij. Unë nuk kam tagër të gjykoj parlamentin, por nëse një gjë e tillë do të bëhet fakt i kryer, pa bashkëpunim të të gjitha forcave dhe shoqatave që funksionojnë në vendin tonë, mendoj se është gabim. 

 

A ka ligj në botë për sterilizimin e adoleshenteve? Fatkeqësisht kërkojnë që shteti shqiptar ta zbatojë.

-Nuk jam jurist dhe as studiues i sistemeve juridike të ndryshme për të ditur nëse ka apo jo ligje të tilla në vende të tjera, por politikat globale koordinojnë mundësitë sipas studimeve paraprake dhe mendoj se arrijnë në një koifiçent të përbashkët. Ndryshe konceptohet sterilizimi si fenomen social dhe ndryshe si mbështetje për adoleshentet, të cilat bëhën viktima të dhunës, të papjekurisë intelektuale dhe të mosnjohjes së dëmëve që sjell një seks në moshë të re. Po kështu ndryshe konceptohet në një vend të emancipuar prej shekujsh dhe ndryshe në një vend si i joni, që sapo kemi filluar të njohim demokracinë. Nëse bëhet fjalë për sterilizim masiv të adoleshentëve në forma dhe mënyra të ndryshme, e konsideroj krim, sepse shkon kundër natyrës dhe procesit të shtimit të popullsisë.

Ndue Dragosha

Insistimi me çdo kusht për të bërë ligjin e sterilizimit, të surrogacisë, abortit është sot në qendër të vëmendjes së qeverisë shqiptare. A është ky synim i pastër kriminal?

-Nuk duhet që të arrihet menjëherë dhe pa e studiuar problemin, në konkluzione ekstreme lidhur jo vetëm me ligjet, por dhe me vetë fenomenin. Sterilizimi është diçka tjetër, surrogacia është diçka tjetër dhe aborti, po ashtu, është diçka tjetër. Dhe të gjitha këto kanë ndodhur historikisht dhe shumë vende në botë i kanë jetuar dhe i jetojnë gjëra të tilla, sepse ata mendojnë se i vijnë në ndihmë individit femëror. Psh, për të ruajtur shëndetin e nënës duhet të pranojmë dhe abortin, dhe sterilizimin, por për rastet e surrogacisë ka mendime dhe sugjerime të ndryshme. Surrogacia ka veçori dhe “simptoma” ndryshe si dhe efekte të largta shumë të dëmshme, pavarësisht se studiuesit mund të jenë nisur nga qëllimi i mirë i ardhjes në ndihmë të atyre që duan fëmijë, por gjenetikisht nuk janë të mundur. Megjithatë unë mendoj se këtu duhet të ndalohemi, sepse pikërisht bëjmë gabim, gjithnjë sipas meje, pasi nuk mundet që një nënë të bëhët “industri” e prodhimit të fëmijëve pa ndjenja dhe pa menduar se fëmija nuk është një mall tregu. Këtu “vrasim” nënën surrogate, nënën që do ta rrisë dhe prindin dhurues e prindin rritës. Familja këtu automatikisht shkrihet, “vdes” dhe lind një komunitet surrogat pa identitet. Mbase gabohem, por ky është mendimi im.

Nënat shqiptare i kanë lindur e rritur fëmijët me pasionin e madh të shpirtit e të mendjes, kanë administruar me pasion ekonominë e tyre familjare dhe kanë mbajtur me shumë përgjegjësi statusin e tyre social. Çfarë po ndodh sot dhe si po kërkojnë ta sfidojnë dhe ta zhdukin rolin determinant të nënës shqiptare?

-Pikërisht atë që thashë më sipër tek pyetja pararëndëse. Ndjenjat, emocionet, lidhjet e nënës me fëmijën që ka në barkun e saj janë kaq të fuqishme sa duhet shumë hapsirë që të paraqiten. Duhet të kemi parasysh që embrioni, nga momenti i bashkimit të gameteve është një individ njerëzor real dhe jo potencial, siç mund ta interpretojnë disa për qëllime të ndryshme. Pra, dhe lidhjet fillojnë që herët, duam apo nuk duam, nëna dhe fëmija do të jenë pazgjidhshmërisht të bashkuar dhe askush, këtu edhe ligji dhe qeveritë, nuk kanë të drejtë as moral që të ndërhyjnë për t’i shkëputur. Nëna mbetet nënë dhe kurrë nuk bie dakord me përcaktimet prindi një, prindi dy, prindi tre e kështu me radhë. Ne nuk po prodhojmë pjesë motorike në tre – katër kompani të ndryshme. Me njeriun është krejt ndryshe. Sidomos për shoqërinë tonë që ka konsoliduar në shekuj një pamje të këndshme të familjes, pavarësisht nga deformimet që ndodhin ndonjëherë.

 

Kemi një armatë të tërë psikologësh, sociologësh, analistësh dhe akademikësh. Ku janë, pse heshtin dhe nuk reagojnë për këtë ligj famëkeq dhe kriminal, që kërkon ta instalojmë në Shqipëri?

-Shpesh specialistët, si në çdo fushë tjetër, edhe në sferën sociale, sikur topiten, pasi gjithmonë vendimet i merr politika (kjo është shumë abuzive për mendimin tim, por ja që ndodh) dhe përpiqen t’i përshtaten politikës. Vetëm guximtarët mund të flasin për atë që duhet folur dhe mund të ngulin këmbë për vlerat apo antivlerat që shfaqen në shoqëri. Kështu psikologët, sociologët, analistët apo akademikët mund të shohin më shumë interesat e tyre dhe mbështeten mbas pushtetit. Ju e keni vënë re që të gjithë juristët në një studio televizive, për një ligj, nuk konkludojnë kurrë objektivisht, por e interpretojnë ashtu siç ua do interesi i tyre apo i forcës politike që mbështesin. Kështu përpiqen të bindin njerëzit apo, në të kundërt, t’i çorientojnë ato. Kjo shihet edhe në mënyrën se si flasin të gjithë njëherësh, duke krijuar kështu një kakofoni të padëshiruar, vetëm që shikuesit të mos arrijnë të kuptojnë asgjë! Kjo është shumë e dëmshme. Ne jemi në një sistem demokratik, ku secili, sipas specialitetit që ka, duhet të japë kontribute pozitive, sidomos kur është fjala për deformacione të rrezikshme sociale.

 

Në psikologjinë tonë, nënat tona kanë mbajtur gjallë frymën njerëzore, duke demonstruar atë që qëniet njerëzore kanë një frymë shpirtërore, që lidh, përmes ndjenjave, njerëzit mes tyre. A mendoni se ky ligj është pikërisht ai që do ta “vrasë” këtë ndjesi dhe këtë lidhje shpirtërore?

- E theksova dhe pak më sipër këtë gjë. Mbase ligjbërësit nuk kanë menduar këtë gjë, por faktikisht dhe shkencërisht pyetja juaj çon në këtë përfundim që, dashje pa dashje, ky ligj e godet rëndë familjen. Shpresoj që të rishikohet një ligj i tillë dhe të mos shkohet tej kulturës familjare të konsoliduar ndër shekuj. Nënat tona kanë dhënë kontribute të shquara në të gjithë historinë e kombit tonë në edukimin e fëmijëve, si shkolla e parë e jetës. “Çmontimi” i rolit të nënës, sipas meje, do të thotë asgjësim i familjes dhe pasojat do të jenë tepër të rënda për ardhmërinë e vendit tonë. Ja si shprehet një miliarder, që e kam lexuar në rrjetet sociale: “Unë jam miliarder. E pse? Për shkak se 1000 herë në jetën time e mora nënën time në krahët e mi për t’i thënë: -Mos ki frikë, jam unë këtu! E çfarë më jep ajo, kur unë i jap këtë? Ajo më jep sytë e saj, më jep shpirtin e zemrën e saj përmes një shikimi, në të cilin e gjithë dashuria e botës ekziston. Për këtë jam miliarderi. Mos ki frikë, Nënë! Jam këtu! Të jap unë gjithçka që ti dëshiron! E prej kësaj do i shpenzojë ditët e saj si mbretëreshë. Sepse të moshuarit janë të frikësuar. Janë të frikësuar nga vdekja! Janë të frikësuar nga sëmundjet. Por kanë fëmijët e tyre që t’i thonë: -Mos ki frikë, Nënë! Nëse është e nevojshme të të jap zemrën, do të ta jap, sepse është barku jot që më lindi mua! Ti je shumë e më shumë e rëndësishme se unë! E kështu, Nëna jeton 20 – 30 vite më shumë, vetëm për shkak të këtyre fjalëve. E shihni se nga vjen pasuria?! Prandaj unë jam miliarder!

 

Si mendoni ju, ky ligj a mund t’i hapë rrugë trafikimit të qënieve njerëzore në mënyrën më të ulët, të mbrojtur me ligj dhe sa e dëmton familjen shqiptare një gjë e tillë?

-Sigurisht, është shumë evidente që kjo do të ndodhë. Trafikantët nuk kanë as shpirt, as dashuri, ata kanë veç interesa përfituese. Fëmijët, sipas ligjit, do të “prodhohen” siç prodhohen pjesët motorrike të një motorri makine dhe do të shërbejnë për treg, sepse identiteti i tyre është jashtë ndjesive njerëzore dhe bëhet i pakuptueshëm. Mbas kësaj mund të krijohen dhe inkubatorë me mitra artificiale që të prodhohen fëmijë, të cilët nuk kanë identitet dhe as ndjenja që merren përmes gjakut të Nënës. Trafikantët do të jenë pjesë e skemës së donacioneve dhe trafikimit njerëzor në një “pazar” si ai i gjësë së gjallë. Për mua, ky ligj nuk e justifikon besimin që populli u jep qeveritarëve dhe ligjvënësve të tij.

 

A poshtërohet dhe sfidohet nëna, kur lindja e një fëmije të konsiderohet mall tregu dhe fetusi i nënës të shpërdorohet në mënyrë kaq banale?

-Vlerat njerëzore sigurisht që bien dhe zhvillohet një “akullnajë” sociale. Humbja e rolit të familjes, sigurisht që e zhvesh nënën biologjike nga mëmësia, e poshtëron atë, duke e kthyer thjeshtë në një send pa ndjesi, në një robot. Pavarësisht se plagët sociale do të jenë të mëdha, sepse natyra bën rolin e vet dhe kjo nënë do të duhet të vuajë gjithë jetën e sfiduar, e poshtëruar dhe funksionhumbëse si nënë, si familjare, si shenjtëri absolute nga buron jeta. Kohëzgjatja mesatare e një përqafimi mes dy personave është tre sekonda. Por studiuesit kanë zbuluar se kur një përqafim zgjat 20 sekonda, ai ka një efekt terapeutik në trup dhe në mendje. Arsyeja është se një përqafim i sinqertë prodhon një hormon të quajtur opsesion, i njohur dhe si hormoni i dashurisë. Kjo substancë sjell shumë përfitime në shëndetin mendor e fizik. Na ndihmon të relaksohemi, të ndihemi të sigurtë dhe të qetësojmë frikën dhe ankthin tonë. Kjo ndodh kur marrim një person në krahë, ngremë nga djepi një fëmijë, e përkëdhelim atë dhe kush më mirë se Nëna mund ta realizojë dhe ushqejë këtë gjendje?

 

Familja përfundimisht shkatërrohet nga kjo mënyrë e re e jetesës, sigurisht dhe shoqëria humbet limitet e saja, duke deklasifikuar moralin që e bën funksional organizimin e brendshëm të saj. Si e përfytyroni ju të nesërmen e shoqërisë shqiptare?

-Kam mendimin se gjërat nuk do të jenë ashtu siç interpretohen sot. Shoqëria shqiptare është shquar historikisht për ruajtjen e familjes. Ata që duan që të mos jetë kështu më, gabohen. Ne e dimë se dhe kafshët e egra kanë një organizim të brendshëm në jetën e tyre në çift dhe e ruajnë këtë “moral” të tyre. Po ne si do të mund të përjetojmë emocionet e të qënit nënë, të qënit baba, kur nëna do të jetë një “person me qira” dhe babai një prind pa emocione? Përgjigjen për këtë pyetje duhet ta mendojë çdo shqiptar. Janë disa gjëra në jetë që e humbasin vlerën në varësi të situatave, por janë disa gjëra të tjera që nuk e humbasin vlerën në asnjë lloj rrethane, siç është vlera e qënies njerëzore dhe e familjes, ku zhvillohet dashuria, besimi, shpresa që njeriu ka në jetë dhe në familje. Çdo gjë mund të humbasësh në jetë, vetëm dashuria, besimi dhe shpresa nuk mund të humbasin. Dhe këto farkëtohen brenda ngrohtësisë së familjes, dashurisë dhe edukatës së prindit.

23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page