top of page

FRAN GJOKA  dhe MEVLUD BUCI: TRINOMI I MËSUESISË


 

FRAN GJOKA   

Lezhë                                                                                 

MEVLUD BUCI

Dibër

 

TRINOMI I MËSUESISË, NJË DASHNI PËR SOT E PËR NESËR.

 

 

Mësuesia, profesioni më i vështirë, ndër të vështirët, por më i nderuar ndër të nderuarit. Trinomi i jetës dhe i të vërtetës në mësuesi mendojmë se është dija, drejtësia dhe përkushtimi…

Përse vlen dija? Sigurisht që dija “çel sytë”, të ndrit zemrën, të fisnikëron shpirtin. Populli thotë: “Asnjëherë nuk ka dëm prej atij që din e prej atij që ka”. Përse? Ai që din nderon veten dhe vlerëson tjetrin, kurse ai që ka nuk të bezdis (shqetëson), por edhe të ndihmon. Një grua e shquar, N. Krupskaja, thoshte: “Dituria në jetë është si arma në betejë”. Dituria e mësuesve tanë ka rrezatuar, ka dhënë fryte në praktikën e mësimdhënies, të edukimit e të lartësimit të vlerave njerëzore. Cilido mes nesh, kurdoherë, sa të jetë gjallë u përfalet mësuesve që i kanë dhënë dije, që e kanë përgaditur për jetën, për profesionin, për kulturën e traditat, për të qënë kurdoherë i thjeshtë, i urtë, kërkues, guximtar, i drejtë e i matur. Është fakt se sot në shoqërinë e re bashkëkohore, mësuesit e drejtuesit e rinj kanë plot dituri, kanë grada e tituj, kanë një horizont të gjërë, por vallë ku është drejtësia e përkushtimi? Ky bionom jetësor është themeli i trinomit, ky binom përbën ajken e të vërtetës. Një pemë, sado e blertë të jetë, po qe se nuk jep kokrra, ajo, siç thotë populli, vetëm i bën hije tokës. Pra, dija kërkon Drejtësinë e përkushtimin.

 

SHKOLLA, GRIHRI I MENDJES


Para 50 vitesh, në Lukan të Katër-Grykëve (Selishtë) vijnë tre mësues të shquar: Myfyt Trepça, Qani Pertafi (ndjesë paçin) dhe Reshat Kola. Të tre shumë të ditur, të apasionuar pas profesionit. Ata takojnë plakun e urtë 95-vjeçar, Dali Kurt Tarakun. Ai i nderoi e i dëgjoi, u dha plot shprehje e urtësi. Në fund, u tha: “Bij, ju qofshi të bekuar se keni një zanat nga më të bukurit, nga më të vështirët”. Përse? Ju mund të gaboni me një fjalë të pamatur, me një mimikë të ngërdheshur. Mbajeni mend kurdoherë: “Shkolla është grihni i mendjes, e lartëson dijen”.

 

A KA ARSIMI PROVOKATORË E PROVOKATORE? PSE? KU?

 

Kjo mund të duket si çudi, si e pabazë. Por jo! Në praktikën e jetës pedagogjike të arsimit, edukimit e të drejtimit jo gjithkush e përballon me dinjitet punën, artin e drejtimit, taktin, veprimtaritë, shpirtin krijues. Kësisoj është e provuar se një përqindje fare e vogël e kërkojnë që të notojnë në konformizëm, në lojari, në provokim. Gati 10% në sektorin e nderuar të mësuesve janë Alma, Hava, Dava… Llava pra, zgjedhin provokimin, penetrimin, kamuflimin. Në dukje kjo duket si çudi, por jo. E vërteta nuk don dëshmitarë. Të nxirët kërkojnë të nxijnë, të mos përballësh me vështirësitë…

 

DËSHMIA E REFOMIMIT DHE E PËRKUSHTIMIT

 

Dëgjojmë shpesh që disa flasin me mburrje për kualifikimet, për diplomat, masterat, gradat. Sigurisht këto janë vlera të domosdoshme. Sa e si rrezatojnë tek nxënësit e dobët, tek talentet e reja, tek cilësia e masiviteti i veprimtarisë, tek puna në traditat? Kjo lë për të dëshiruar. Diploma e grada, titujt, dekoratat janë një simbolikë, një shinë e dyzuar ku ecen treni i dijes, por nëse këto nuk reflektojnë çdo ditë në shkollë e komunitet, atëhere ngjasojnë me një fasadë të dalë boje, ngjajnë me një mis që në karakter është pis. Treni i dijes ecën në shinat e përkushtimit, të pasionit.

 

A PAK SHKOLLË E MENDJEHOLLË, A SHUMË SHKOLLË E MENDJEHOLLË?

 

Jo pak herë, në odat e Dibrës, veçanërisht Çidhen, Luzni, Reç, Muhurr, Katër-Grykë shtrohet pyetja: “A më vlerë ka pak shkollë e mendjehollë, apo shumë shkollë e mendjehollë?!” Pra, kjo do të thotë se shkolla, specializimi, titulli, grada duhen patjetër, por nëse nuk është mendja e hollë, dituria në praktikë, atëhere gjithçka i ngjan makinës së shtrenjtë e të bukur pa naftë a benzinë, që mbetet në rrugë. Dituria e drejtësia pa përkushtimin ngecin, janë si bima që rritet, por nuk jep prodhim, frytet e duhura.

 

MËSUES TË DIPLOMUAR APO DIPLOMA QË RREZATOJNË ÇDO DITË?

 

Të bën përshtypje një fakt se ka vite që në shumë shkolla të Dibrës nuk ftohen veteranë të luftës a të punës, mësues të shquar që kanë drejtuar nëpër vite. Nuk ka klasa “arkiv” ku të përhapet tradita e shkollës, gjurmët, vlerat humanitare. Pra, kjo dëshmon se disa drejtues “të rinj” apo mësues të rinj, “të specializuar” kanë rënë prè e ngjyrave partiake, janë shndërruar në teknokratë, ku dhe teknokrinë nuk e bëjnë sa e siç duhet.

 

JETA DON PROVA, PROVAT BËJNË DRITË…

 

Në arsim ka plot prova që të dritësojnë, por është dhe do të jetë prova e provave trinomi: Dije, drejtësi, përkushtim. Ajo që është thënë herët se dituria lind nga praktika, i shërben praktikës dhe verifikohet në praktikë, vlen sot më fort se kurrë. Përse? Është e pafalshme që disa drejtues të rinj a mësues të rinj, madje dhe të specializuar, jo vetëm që nuk lexojnë, por më e keqja është se nuk dinë as historinë e familjes, fisit, shkollës së vet dhe, më e keqja e të këqijave është se u duket vetja “i ditur”, “mjeshtër” a i profilizuar vetëm për të dhënë këshilla. Jeta dhe puna duan prova, veprim, shembull mirësie e drejtësie, fryte në praktikën pedagogjike.

 

MËSUES VETËM PËR MËSIM APO DHE PËR KULTURË E DRITËSIM?

 

Dubrojlulov thoshte: -Kur vendosa t’ua kushtoj veten shoqërisë, u ndalova tek profesioni i mësuesisë. Pra, të qënit mësues a drejtues shkolle nuk je vetëm për vete, por edhe për të tjerët, për nxënësit, komunitetin, për kohën e për kombin. Koncepti i sotëm negativ, ku rëndet pas seminareve formale, konferencave, pas krediteve, larg fryteve konkrete në shkollë, në mësimdhënie cilësore a veprimet, tregon se krahas mësimit, mësuesi a drejtuesi është e mbetet promotor i edukimit, taktit, vëzhgimit, praktivitetit e realizimit sa më efktiv të punës në shkollë e në komunitet. Shkolla komunitare bëhët me mësues pasionant, me drejtues reformatorë e vetveprues, me dije e me shembullin konkret.

 

PËRSE KA VLERA TRINOMI I MËSUESISË?

 

Është shkruar e diskutuar për diturinë profesionale të mësuesve a drejtuesve të shkollave, për drejtësinë e përkushtimin, por në situatën që kalojmë, mbetet tepër e rëndësishme sa e si ky trinom zbatohet konkretisht. Sa është mësuesi “gjeolog” i dijes, sa e si e zbaton drejtësinë si mësimdhënës, si psikolog e veprimtar, sa e realizon në proces, në përkushtim atë që ka për të zbatuar. Profesionalizmi i mësuesit a i drejtuesit të shkollës ngjan me një galeri mineralesh që nuk mbarojnë kurrë. Çdo ditë, në çdo periudhë mbetet që secili punonjës i frontit të arsimit të pyesë vetveten e të vetveprojë në shinat: Dije, drejtësi, përkushtim, ku mendojmë se është e do të mbetet trinomi që dritëson vlerat në realizimin me efikasitet të dijeve, të edukimit në kulturën e jetës e të traditave tona. Trinom që vlen për sot e për nesër.

 

19 prill 2025

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page